Rrjeti i Prindërve të Kosovës: Shkollat tona nuk janë strehë për predatorët

REAGIM PUBLIK DHE APEL URGJENT NGA RRJETI I PRINDËRVE TË KOSOVËS
Shkollat
tona nuk janë strehë për predatorët: Institucionet të veprojnë menjëherë kundër
drejtorit abuzues në Gjakovë!
Drejtuar: Medias, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe
Inovacionit (MASHTI), Prokurorisë së Shtetit, Komunës së Gjakovës dhe mbarë
shoqërisë.
Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës
ndjek me tronditje të thellë dhe indinjatë ekstreme video-investigimin e
publikuar nga emisioni "Piranjat", i cili ka nxjerrë zbuluar një akt
të shpifur dhe kriminal: ngacmimin seksual të një të miture 17-vjeçare nga
drejtori i shkollës "Pjetër Bogdani" në Demjan të Gjakovës, z. Nazmi
Pnishi.
Fakti që një individ i besuar për të
drejtuar një tempull të dijes dërgon video intime dhe kërkon favore seksuale
nga një fëmijë, duke e kryer këtë akt të turpshëm direkt nga zyra e drejtorit
të shkollës, nuk është thjesht një thyerje e etikës profesionale, por një
kambanë alarmi për sigurinë fizike dhe mendore të fëmijëve tanë.
Të lejosh, të emërosh apo të mbrosh
në pozita drejtuese apo si personel edukativ individë me karakteristika dhe
sjellje pedofilie, është një skandal monumental. Por, mosmarrja e masave të
menjëhershme për t'i izoluar këta individë nga fëmijët, e kthen shtetin në
bashkëfajtor.
Rrjeti i Prindërve të Kosovës kërkon
me urgjencë absolute nga institucionet përgjegjëse sa më poshtë:
1.
Ndjekje Penale dhe Shkarkim të
Menjëhershëm: Prokuroria e Shtetit të nisë
menjëherë arrestimin dhe hetimin e plotë të personit në fjalë. Komuna e
Gjakovës ta shkarkojë atë me efekt të menjëhershëm nga çdo funksion publik dhe
edukativ.
2.
Kutitë e Ankesave në Çdo
Shkollë: MASHTI, në bashkëpunim me
Drejtoritë Komunale, të vendosë urgjentisht "Kutitë e Ankesave" në të
gjitha shkollat e Kosovës, ku nxënësit mund të raportojnë abuzimet në mënyrë
anonime dhe të sigurt.
3.
Platforma Digjitale Nacionale: Krijimi i menjëhershëm i një platforme nacionale digjitale nga ana
e MASHTI-t, ku nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit mund të denoncojnë
ngacmimet apo dhunën direkt në organet qendrore, pa kaluar nëpër filtrat
(shpesh të korruptuar ose të ndikuar politikisht) të pushtetit lokal.
4.
Veting psikologjik dhe etik për
Mësimdhënësit dhe Drejtorët: Të
mirren hapa emergjentë për të evidentuar dhe parandaluar raste të tjera në të
ardhmen përmes vlerësimeve periodike të stafit shkollor.
I ftojmë të gjithë nxënësit: Mos
kini frikë! Denonconi çdo rast të dyshimtë, çdo mesazh të papërshtatshëm apo
sulmues mbi integritetin tuaj trupor dhe mendor!
Shkolla duhet të jetë vendi më i
sigurt për një fëmijë pas shtëpisë së tij. Ne, si prindër, nuk do të lejojmë që
politika apo indiferenca institucionale të mbrojë predatorët. Kërkojmë
drejtësi, tani!
Rrjeti i Prindërve të Kosovës
https://youtube.com/watch?si=Z0DRkC4BS4nZPxTfDiplomon&v=vu6sPbH_dyM&feature=youtu.be




