Resmi Osmani: Natyra dhe peisazhi në krijimtarinë e Ndre Mjedës
3. Natyra dhe peisazhi në krijimtarinë e Ndre Mjedës

Nga
Resmi Osmani
Në
vijim të hulumtimeve për artin poetik, stilistikën, mjeteve shprehëse dhe mesazheve
që përcjell te lexuesi poezia e Ndre Mjedës, nuk mund të mos bjerë në sy përfshirja
e peisazhit dhe natyrës, jo vetëm si bukuri e trojeve shqiptare, që i shtojnë
hijeshinë, e bëjnë atë të pëlqyeshme e të dashur, por edhe si pjesë e përditshmërisë së jetës, në
të mirë e në të keq, në brenga e gëzime. Si të tillë, poeti e bën element strukturor të
stilistikës së vargëzimit, për të ngjallur ndjesi dhe emocione, për të përcjellë
te lexuesi me fuqinë dhe bukurinë e fjalës mendimin dhe filozofinë, mesazhin që
poeti synon t’ i përcjellë lexuesve.
Po
ti referohemi Da Vinçit[1],
piktura është poezi memece, kurse poezia pikturë memece, e verbër. Si njëra si
tjetra, synojnë të imitojnë, (rikrijojnë jo besnikërisht) artistikisht natyrën,
secila me mjetet e saj. Duke e përcaktuar syrin si dritare të shpirtit dhe
veshin(dëgjimin) portën ku hyjnë fjalët dhe tingujt, në rastin e poetit Mjeda,
kemi të shkrirë në një të vetëm: piktorin dhe poetin. Vëzhgimi, me sy të mprehtë,
soditja , kundrimi i natyrës, pejsazhit, dukurive të lidhura me stinët, e
habitatit me larminë dhe shumllojshmërinë e elementëve përbërës, paraqesin një
tablo piktorike, herë herë edhe fantazmagorike, me element mitikë, që nxisin përfytyrimin
lëndor apo abstarkt. Kjo materje bëhet njësh me poezinë, që është harmoni dhe
sintezë e artit të fjalës, e që në këtë rast lidhet pazgjidhshmërisht me
shikimin, soditjen e natyrës, për t’i dhënë lexuesit(apo dëgjuesit në rastet e
recitimeve) jo vetëm kënaqësi estetike, por edhe meditim dhe reflektim nëpërmjet
emocioneve që ngjall fjala e bukur dhe e figurshme.
Pavarësisht
nga tipologjia e poezive; lirike, elegjiake, baladeske, realiste apo
romantike,si kusht të forcës shprehëse dhe emocionale ka bukurinë, që i vishet mendimit dhe forcës
sugjestionuese nëpërmjet fjalës,tingëllimit,rimës e ritmit, të gjitha në një
sintezë që përfshijnë kohën dhe hapsirën, me elementet e saj që janë pjesë e
natyrës, pejsazhit dhe mjedisit ku vendoset subjekti. Këtë Mjeda e bën mjeshtërisht,
si pak kush tjetër. Lulet, zymbyli e tëndafili,zambaku, vjollca e borziloku,
pemët e lulëzuara, zogjtë: shqiponja, bilbili, dallëndyshja, lejleku: drurët e
pyllit: pisha, bredhi, ahu; burimet, prrenjtë dhe lumenjtë, ograjat dhe
livadhet; det e qiell, diell, yje e hënë, thuajse një univers, janë pjesë e
Atdheut të bukur, por që ato ja shtojnë edhe më bukurinë.Në këtë sfond është
njeriu shqiptar, malësori e fusharaku, bujku e luftëtari dhe njeriu i thjeshtë
që lufton për liri, e për ta bërë vendin e tij
më të begatë, si qëmoti, pa ardhur mynxyra e robërisë otomane.
Pejsazhi,
dukuritë natyrore: acari dimëror, bora, murlani, pranvera, dielli dhe drita e hënës,
lulet, bukuritë, për poetin janë jo vetëm stoli dhe pjesë e mjedisit jetësor,
por edhe mjete artistike, sfond i zhvillimit të ngjarjeve që u japin bukuri,
madhështi e hijeshi vargjeve dhe mjeshtërisht përdoren si metafora, krahasime,
paralelizma figurative e simbole për të
ngjallur te lexuesi jo vetëm përjetime dhe emocione, por edhe vegulli e përfytyrime,
të cilat bëjnë që poezia jo vetëm të mbahet mend gjatë por edhe dëshirën për ta
mësuar përmenç e për ta recituar me zë.
Elementë
të natyrës,të peisazhit dhe mjedisit jetësor, shërbejnë si një metaforë te kënga
e parë e Tringës te Andrra e jetës, metaforë e dyfishtë që shërben njëhershe
edhe si prolog i poemës. Motrat, si dy qershi, si dy mollë të këputura nga një
degë, dega nënkuptohet është e ëma që i ka sjellë në jetë. Në gjashtë strofa,
jepet i plotë, përshkruar me penel artisti sfondi i zhvillimit të poemës, si një
skenografi ku hasen pylli, kënga e bilbilit, ushtima dhe gurgullima e gurrës,
drita e hënës dhe vallja e zanave, paqja në natyrë, por edhe paralajmërimi i
dramës që do të ndodhë. E tillë metaforë haset edhe te “Vaji i bylbilit”, në
pesë strofat e para.

Lulet
janë gjerësisht stoli e vargjeve të Mjedës, jo vetëm si mjet stilistik për
krahasime që hasen shpesh, por edhe si pjesë e bukurive të atdheut dhe mjedisit
ku çojnë jetën personazhet. Poeti pyet: “A lulzojnë lule të ershme/Mal e fushë
si në kohë të atëhershme”Lulet janë pjesë e pandarë e atdheut. Ndër me të pëlqyerat,
siç e kam vënë në dukje më parë janë: Zymbil, trëandafili, zambaku, vjollca.Nuk
na thotë që janë më të bukurat, se vetë emri lule simbolizon bukurinë, por ato
janë të erandshme. Atje ku ka lule gëlon jeta, atje ku ato vyshken, jeta është
mjerim. Te “I tretuni” gjejmë vargjet:”Atje
ku nuk lulzojnë zymylat/S’asht vend për bylbyla”, ndërsa te “Andrra e jetës”:”E
n’balkue mbaruen lulet” për të rrëfyer se në atë shtëpi jeta po shuhet.Lulet
janë edhe shenjë nderimi për ata që ikin nga jeta. Lokja i thotë së bijës: ”Merri kto lule e çoja/S’lumes dhanti për te.”
Skenat idilike, që mund ta themi se janë të pakta, vendosen dhe kanë si sfond
melodik këngën e bilbilave dhe si dekor trëndafilat dhe zymbylat që çlirojnë
aromën e këndshme.” Bashkë me lule- na thotë poeti- “ Len dashnia/Me kang
t’shpendit qi galdon/E prendverës bukurija/ Bashkë prej gjumit t’tan i zgjon”.
Lulet
janë pjesë e pejsazhit.Ograjat janë bleroshe, kodrinat të lulzuara, pemët kanë
endur lule, fusha vishet me blerim, prroi ulet lehtas nga mali, dalë prej borës
që i jep ushqim.Lulet dhe blerimi simbolizojnë zgjimin e natyrës dhe gjallërimin
e jetës, si sfond ku rravgojnë personazhet, në ditë të mira apo të vështira,
në gëzime dhe hidhërime. Një skenografi sugjestionuese ku pulson mendimi dhe
shtillet veprimi.
Sa
herë në poezitë dhe poemthat, bëhet fjalë për atdheun apo viset amtare, poeti
nuk le pa përdorur si mjete artistike dhe nxjerrë në relief bukurinë dhe madhështinë e peisazhit. E tillë
është hyrja në tri strofat e para të poemthit Lissus: kodra të stolisura me
vreshta,fusha të lulzuara, ullishta gjelbërore, ku kodra e Velës prek qiellin
dhe me yjet mban kuvende të shpeshta. Te “Scodra”, poemthi nis me një
mal,Taraboshin e mnert që është ndeja e hyjnive, rrjedhën e Drinit,si dëshmitar
i shekujve.Në poemthin “Liria” dhe poezi të tjera Shpaloset bukuri e bjeshkëve,
e vargmaleve mbuluar nga retë e mjegulla, sa duken sikur zbresin nga qielli.
Mjeda
e ka dashur me shpirt natyrën shqiptare. Përveç prirjeve të tij prej artisti, vëzhguesit
të hollë, e njeriu të ndjeshëm, për këtë , jam i mendimit, ka ndikuar edhe jeta
prej famullitari, në fshatrat e thella, mes njerëzve bujarë dhe bukurive
natyrore, të cilat ai i ka përjetësuar në vargjet brilante të poezive të tij.
Krijime që na ngjallin emocione edhe njëqind vjet më pas, se arti i vërtetë
nuk ka mort.
Tiranë, më 15.04.2026
[1] Da Vinçi,Traktati Për Pikturën, sjellë në shqip nga Moikom Zeqo.








