Ndue Dedaj: Një qen hero

57m më parë

NJË QEN HERO

Tregim nga Ndue Dedaj

Kur gjuetari pa qenin e tij me buzët gjithë gjak, duke iu lëpirë aty të porta e shtëpisë, si të kërkonte prej të zot ndonjë shpërblim për lodhjen në gjuetinë e para një gjysmë ore, iu turbullua truri, mendoi se qeni i tij besnik kishte qenë çmendur dhe i kishte mbytur të birin kërthi që flinte në djep, ndryshe si do t’i kishte turinjtë ashtu të përgjakur?!...

Hoqi çiften nga krahu dhe shtiu tri herë mbi krijesën e gjorë, që me siguri e kishte menduar si një shaka të të zotit çastin fatal, kur i qe drejtuar arma dhe jo si lojën e vdekjes së pamëshirshme.

Ai nuk ishte qen gjuetie, ndaj sa herë i zoti e merrte pas për me gjuajt, bënte të pamundurën të kthehej në zagar, të nuhaste pas çdo shkurreje e gëmushe erën e lepurit a dhelprës, vetëm e vetëm që t’i bënte qejfin zotërisë, i cili dhe ai nuk ishte gjahtar, por, meqë e kishte shtëpinë buzë pyllit me lisa e pisha, i shkrepej ndonjëherë e dilte për gjah.

Kështu ndodhi dhe atë ditë. Burri i tha të shoqes se do të vente për gjah, por ta kishte kujdes të voglin që flinte në djep si qingj i butë. Rri pa merak, ia ktheu ajo, fundja unë kujdesem çdo ditë për të, edhe kur ti je këtu. Por gruan e thirrën te Posta, ku punonte si çentraliste, ngaqë shoqes së saj të turnit i kishte rënë të fiktë dhe e kishin çuar në urgjencë. Atëherë ajo i kishte bëzajt komshies, që kishte dera – derës, t’i kujdesej për djalin, e cila herë pas here shtynte derën e shtëpisë së tjetrës dhe, kur shihte se djali po flinte pa e prishur terezinë, iu kthehej punëve të shtëpisë së saj.

Burri nuk dinte asgjë nga këto dhe fundja pse t’i dinte, ai kishte dalë për qejfin e tij të vriste ndonjë lepur, por nuk kishte vrarë gjë atë paradreke. Qeni sakaq kishte shkuar në shtëpi, kurse ai ishte vonuar dhe nja një gjysmë ore te një shoq i tij, që po ziente raki rrushi nën një strehëz dërrase, por nuk kishte qenë në qejf për të pirë, thjeshtë kishte kthyer një gotë, sa për të bërë zakonin, duke e uruar shoqin: “T’u piftë me të shëndoshë!”

Ia shpoi veshët e iu ngul si gozhdë pyetja që i bëri shoqi që po ndërronte kazanin e bërsive, se a po mundej me i kthye ujqërit në qen? Hei!? Erdhi duke ia ndezur trurin dhe teksa kishte marrë shtegun për në shtëpi, solli ndërmend gjithë odisenë e tij tridhjetëvjeçare me kafshët e egra. Mbahej si njohësi më i mirë i tyre në ato anë, si t’i kishte të gjitha në vath krye për krye e jo në pyllnajën e pafund. E kishte nisur me zënien e shqarthit, kur ishte i ri, mbylljen e tij në lisat korrotiç, dimrave të ftohtë, kur bora e menjëhershme ia priste të gjitha shtigjet. Shqarthët, apo kunadhet, ishin kafshë të shpejta, që kërcenin nëpër degët e lisave dhe mbanin nofkën mishngrënës si ujku, edhe pse më së shumti hanin ndonjë pulë a brejtës, se nuk kishin stomak për keca. Gjurmët në dëborë e tradhtonin kafshën krenare dhe veç kur e gjente veten në terr e në tmerr, me vrimën e “derës” (zgavrës) të mbyllur me shtupë dhe sëpatat që godisnin paprerë trungun e lisit, për ta rrëzuar sa më parë, duke iu gëzuar gjuetari gëzofit të murrmë të shqarthit, që kushtonte sa një çifte. Le pastaj sikur në korrotiç të ishin zënë dy a tre shqartha, ndjekësi i tyre do të bënte festë, ani se shpesh herë nuk ishte një i vetëm, por tre-katër djem të fshatit bashkë, se nuk ishte e lehtë ta mbërtheje shqarthin, se të rrëshqiste përduarsh si të ishte ngjalë.

Rrojtja në natyrë, mes pyllit e kishte lidhur atë burrë me kafshët e egra, në të mirë e në të keq, më fort se me të butat. Ankohej se ato nuk e kishin kuptuar gjithmonë, bile ndonjëherë kishin luajtur me të duke ia punuar keq. Para gjashtë muajsh, aty te Shpella e Ukut, kishte pikasur dy këlyshë ujku dhe i kishte marrë e çuar në shtëpi, me besimin se do t’i zbuste e t’i kthente në qen të fortë. Ishte bjeshkë e lartë dhe tufat e dhive që shtegtonin larg rrezikoheshin nga ujqërit, që hera-herës bëheshin zogjuri me i kall frikën katundit. E ku më mirë se me zogjtë e tyre të kthyer në qen do të mbrohej nga ujqërit! Mirëpo dy këlyshët, edhe pse pinin përditë qumësht dhije, nuk po tregonin asnjë shenj se do të ktheheshin në qen, vetëm sa iu rritej barku dhe shpina si të ishin desh këmbore, nuk lihnin, po fare, edhe pse ai kishte vënë qentë e shtëpisë aty pranë që këta të ujkut t’i imitonin, ndonjëherë bënte dhe vetë si qen, vetëm që ato ta hapnin gojën  e t’ia bënin qoftë dhe njëherë “ham”. Jo, jo, këlyshët e hapnin gojën vetëm për të kollofitur copa mishi.

U mor me mish e me shpirt me stërvitjen e tyre, por ata veçse argëtoheshin me ushtrimet e tij. I vinte të ruanin tufën e kecave, po ata ktheshin në shtëpi, pa dashur t’ia dinin për çfarë i kishte nisur i zoti në korijën aty pranë. Kjo e mërziste, por nuk e jepte veten. Ata hanin mish më shumë se vetë ai, se fundja me racion ishte ai i shkretë mish, mblidhte dhe kocka aty te mensa e fshatit, bënte ç’bënte, veten e linte pa mish e këlyshët e ujkut jo. Iu theri dhe një berr për Vit të Ri dhe ua jepte mishin me racion, por ata s’ngopeshin se s’ngopeshin, edhe sikur t’iu vinte përpara nga një shpatull cjapi për shoq në vakt. “Ptu”, racë e poshtër, nuk dilni nga vetja edhe sikur t’iu pres krejt tufën”, e shfryu një ditë ai zemërimin e mbedhur si mulla dhe iu hapi derën e ata e mbajtën vrapin te Shpella e Ariut.

Deshi më vonë të shkonte andej nga Shpella e Ariut, por ndërroi mendje, kur s’më eci me këlyshet e ujkut, si do të më ecë me këlyshët e ariut, që i dukej një fis më i largët se ujku në mbretërinë e pyllit...

*

Kthehemi tash aty ku zuri fill ndodhia e sotme.

Teksa gjuetari po ulej nga cuprrelja sipër shtëpisë në oborr, atij i zunë sytë të shoqen që po kthehej nga qyteti i vogël buzë lumit. U befasua pak, por nuk pati kohë të mendonte se si e qysh ajo e kishte lënë të voglin vetëm brenda e kishte vajtur në qytet, pasi atë çast, siç dëftuam më sipër, i doli para qeni i tij me buzët e lyera me gjak!… “O Zot! Ky nuk ka gjetur “fërlik” sot në mal dhe ka shqyer djalin tim në gjumë!” I vërshoi gjaku në kokë, qafë e fytyrë, ndjeu një rëndim të përgjithshëm, që ia errësoi shikimin, si ai rrebeshi që shpërthente papritur duke shkundur tokë e qiell. Shtiu tri herë mbi qenin e tij, që kishte dalë ta priste lumturisht…

Teksa qeni i ngratë po jepte shpirt te këmbët e tij, me sytë ende të pafikur, burri hyri vrullshëm në shtëpi....... Por, ç’të shihte? Kishte ndodhur mrekullia! Një ujk i vogël ishte mbytur në një pellg gjaku, pranë djepit ku flinte vogëlushi, që atë çast u shtriq duke hapur sytë e qeshur, si të kishte dalë nga një ëndërr e trëndafiltë…

Fundja, kaq ishte fabula e këtij tregimthi, por mbase ia vlen të zgjatemi dhe ca, edhe pse ju e merrni vetë me mend... që burri në çastin kur pa ujkun e vrarë, e kuptoi pse qeni i tij i kishte pasur turinjtë e përgjakur deri te veshët, ngaqë ishte përleshur përjetë a vdekje me ujkun, gjersa e kishte mbytur.

Qeni e kishte bërë gjëmën pa u menduar dy herë, nëse ujku vogëlith nuk kishte pasur kurrëfarë qëllimi të keq ndaj atij fëmijë në djep, përkundrazi kishte shkuar deri aty për të zënë shoqëri me të voglin dhe po e priste atë që të zgjohej. (Fundja diçka e tillë duhej të kishte ndodhur në epet tona, përderisa kishte njerëz me emrin Ukë, Ujkan etj.)

Qeni ynë hero nuk kishte pasur kohë t’i mendonte të gjitha këto, por duke besuar se i forti i pyllit kishte hyrë në dhomë për të vrarë fëmijën, i kishte kërcyer në qafë dhe e kishte larë në gjak ujkun fëminor…

Eh, qeni vrasës, po ta dinte si kishte qenë e vërteta, do të ishte shkrehur në lot për atë që kishte bërë e do të kishte vrikuar të mbytej te Hurdha me Trungj, aty ku zakonisht i mbysnin këlyshët e vegjël të sapopjellë nga bushtrat, përpos një a dy që iu duheshin për stelin në oborr e stanin e gjësë së gjallë në mal. Kishte qenë bash e lehura e tij e çirrur, kur ai po gjuante në mal dy orë më parë, që i kishte kallur frikën në palcë ujkut të vogël në strofull, sa ai t’ia mbathte nga sytë - këmbët, duke u futur pa e ditur se ku, drejt e në shtëpinë e atij vetë… qenit vrasës!

Por nuk kishte pasur kohë të kthjellohej qeni para ujkut.

Nuk kishte pasur kohë të kthjellohej as njeriu para qenit trim.

Dhe kishte ndodhur hataja dy here… flakë për flakë… njëra pas tjetrës… bam-bam.

Një zot e di se si ishin këto punë. Fundja ky kishte qenë fati i heronjve. Kurrë nuk ishin mirëkuptuar për atë që kishin bërë, përderisa dikush do t’i merrte për të atillë, domethënë heronj, e dikush tjetër për kriminelë!...