Gani Mehmetaj: Vrasja e Enver Malokut – fillimi i vrasjeve politike

21.09.2026, 06:56 PM (GMT+1)


VRASJA E ENVER MALOKUT – FILLIMI I VRASJEVE POLITIKE

11 janar 1999

Nga Gani Mehmetaj

-E vranë Enver Malokun! - ma kumtoi lajmin e kobshëm me telefon, njëri nga anëtarët e Qendrës Informative të Kosovës (QIK). Kumti më ra si goditja e çekanit, s’dija ç’t’i thosha. Ku? Si? Kush? M’u vijëzuan pyetjet, që nuk arrita t’i artikuloja. Por ai më nxori nga hutimi: Kumtesën do ta japim pas pak, më tha po aq i tronditur sa edhe unë, dhe e lëshoi receptorin.

Enver Maloku, ish-gazetar i TV Prishtinës, ishte përgjegjës i Qendrës Informative të Kosovës. Një herë shpëtoi nga atentati.

U solla vërdallë. Nuk më kujtohej, e lëshova receptorin në vendin e vet apo jo. Nuk m’u kujtua fare kush qe në linjë, megjithëse të njëjtin zë e dëgjoja çdo ditë, kur interesohesha për lajmet e QIK-ut. Përpiqesha të sillja pamjet e vrasjes. Më dolën parasysh pamjet e përpjekjes së parë për ta vrarë, ashtu sikurse më tregoi para një jave kur isha në Prishtinë. Një njeri në shkallët e apartamentit shkrepi plumbin, i cili bie rikoshet në rrethojën e shkallës. Habia e Malokut - Çka bën, more burrë! Dhe largimi i befasishëm i atentatorit. Kështu afërsisht më kishte rrëfyer Enver Maloku për atentatin e parë. E plagosën edhe Sabri Hamitin.

Më vonë çdo gjë kaloi në heshtje, ose ngjarjet e tjera dinamike të dhunës serbe e nxorën në harresë atentatorin shqiptar. Por ata që tentuan t’ia shuajnë jetën herën e parë, nuk e lanë në harresë. E përgatitën atentatin e dytë, që fatkeqësisht nuk u dështoi. Ishin shqiptarë të Kosovës. Kështu nisi lufta e brendshme, e tipit të atentateve, si në kohën e komunistëve.

Mora frymë thellë, para se t’ua kumtoja lajmin anëtarëve të redaksisë në Cyrih, që përgatisnin gazetën për shtyp. Ua thashë me dy–tri fjalë. Do ta dërgojnë kumtesën pas pak, ua plotësova informacionin. “Zoti i vraftë!” se kush e tha me mllef. “Pak po na vrasin serbët, po edhe këta po u ndihmojnë!” Pa ua thënë, e dinin se këtë krim e bënë shqiptarët e jo serbët. Ato ditë nisi acarimi i grupeve që thoshin se dolën në mal për të dëbuar pushtuesin, ndërsa nëpër qytete kërcënonin ata që nuk pajtoheshin me ideologjinë e frymën e tyre. Mllefin kryesor ata e kishin ndaj shqiptarëve vendës e jo ndaj pushtuesit.

Cili të ketë qenë motivi i vrasjes? Më dukej sikur kjo pyetje qarkullonte në ajër, në zyrën e madhe të faqosjes ku përgatisnim gazetën “Rilindja”.

Pak kohë më parë, Enver Maloku nisi një seri shkrimesh, duke i vënë në teh të kritikës ata që luftonin opsionin e pavarësisë. Në veçanti kritikonte Adem Demaçin me konceptet e tij që ndryshonin sipas stinës, herë i shpallte serbët vëllezër, herë shpallte shtetin e Ballkanisë, ku përshfinte Kosovën e Shqipërinë, sipas projektit të vjetër të Dimitrovit të Kominternes. Më vonë dilte me 100 opsionet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. I fyente e përpiqej t’i denigronte të gjithë ata që nuk pajtoheshin me të.

Ndërkohë na erdhi kumtesa, në të cilën thuhej se Enver Maloku u vra nga persona të panjohur, disa hapa para banesës së tij në Kodrën e Diellit. Dha shpirt në përqafimin e së bijës. Vrasësit ikën në drejtim të panjohur, thuhej në kumtesë. Të tjerat u morën vesh në ditët në vazhdim.

Kërcënimet u shpeshtuan edhe në Zvicër, me telefonata anonime. Më thërrisnin nga telefonat publikë të qytetit të Shafhausenit, Gjenevës, Cyrihut e Bernës. Në ekran të telefonit shihja prefiksët e këtyre qyteteve. Dolën komitetet e ndryshme që më kishin dënuar me vdekje, ndërsa kërcënuesit anonimë ma kumtonin në receptorin e telefonit. Lajmërova policinë zvicerane.

Nisi shpërfytyrimi i raporteve shqiptare, dikush përpiqej të nxiste vëllavrasjen, ashtu sikurse e kishin nxitur më 1944-45 komunistët shqiptaro-jugosllavë. Nipat e tyre ishin edhe më të zellshëm.