Mehmet Elezi: Ti e urren rininë!

Nga
Mehmet Elezi
Ti
e urren rininë.
Sepse
vetë nuk u bëre kurrë i ri. Kur e kishe moshën, disa thonë ishe rebel. Ti nuk
ishe rebel. Rebelët e asaj kohe, si Fatos Lubonja, u përplasën në biruca shtatë
pashë nën dhé. Ti ishe kurrgjë më shumë se një gjatosh i llastuar me shpatulla
të ngrohta, që luaje rolin e rebelit. Për t’u dukur interesant. Për të fshehur
kotësinë brenda vetes. Apo ishe piketuar për t’u katapultuar në politikë në
momentin e duhur dhe, duke luajtur rebelin, do të bëheshe “i besueshëm”?
Të
iku mosha, prapë mund të bëheshe i ri. I ri në shpirt, shok me rininë. Nuk u
bëre. U vjetrove më shpejt se vitet. U rreke me e ble rininë me pare kallp.
Zgjodhe rolin e politikanit cool, jam edhe unë si ju. Vathë, çorape të kuqe,
atlete, çitjane. Koncerte, gara të huaja motorash e makinash, miliona euro nga
taksat tona.
S’e
kishe kuptuar rininë. Doje ta joshje me guackën thatë. Por rinia kërkon perlën,
jo guackën. Rinia do shkollë, do punë. Do mundësi për të realizuar. Për të
pushtuar qiejtë. Rinia do Atdhe.
Apo
e dije ç’do rinia, por synoje me e përzanë “butë e butë”, me ia tha djepin
Shqipërisë? Kishe strategjinë e zhbimjes?
Mori
dheun rinia. “Na lanë pa atdhe”, thotë një personazh i Lazër Stanit te libri
“Në Bregenc shkohet për të vdekur”. Ikën djem e vajza zemërthyer, por nuk
hodhën gurët pas. Lanë zemrën pas.
Drithërimat e saj ndihen në metropolet e botës.
Ti
e urren rininë.
Sepse
rinia ka ideale.
E
sheh si po shpërthejnë? “Dorëheqje”, thërrasin mbështjellë me flamurin
kombëtar. Të këtushmit dhe të mërgatës, një zë. E di ti që një fluturim zogu
mund të rrëzojë një ortek? Flamingot e bukur, të pafajshëm, qenë ky fluturim
zogu. Videoja me protestuesin paqësor, që policia jote e tërhiqte zvarrë si
cung të kalbur, i ra rrotull botës. Orteku qe gati. Për shkak të qeverisjes
tënde.
Ti
s’ke ideal. E profilizon veten sipas konjukturës. Herë kundërkomunist me retorikë dhune, në
vitet nëntëdhjetë. Herë enverist që i “përshtatet” kohës. Herë naconalist. Herë
racist. Racist ndaj gjysmës së shqiptarëve, përçarës këmbëngulës i kombit. Nuk
mund t’ua bëja kohën time kurban “refleksioneve” a “Kurbanit“ tënd të
botuar njëkohësisht në Tiranë e në
Beograd, por kush i ka lexuar, edhe ish-miq të tutë, kanë zbuluar brenda tyre
luhatje, errësirë. Thonë je bipolar. Nuk jam mjek për ta pohuar, por them me
bindje se të paktën në politikë je bipolar. Kurrfarë busulle a drejtpeshimi
s’ke. Rrehesh se e blen dashurinë e Perëndimit duke e kërcënuar me çarçafët e
zhyer të Lindjes. Ti mund të shkosh në ata çarçafë, por a të ndjekin
shqiptarët?
II
vetmi bosht i politikës tënde është pushteti vetjak. Dhe pare e prapë pare,
pare pa djersë. E thonë edhe të tutë. Udhëheqësi historik i së majtës
shqiptare, Fatos Nano, të pati quajtur “mason të pasuruar”. Dhe politikën tënde
aventurizëm, që s’po ndalet nga askush. Ky pra është “ideali” yt. Rreth tij
rrotullohen copat e përgjakura të Shqipërisë, që i qet në pazar me ble
mbështetje. Duke e rrjepur për së gjalli Shqipërinë, si lopët që i rrjepin për
së gjalli te “Rrafshina në flakë” e Huan (Juan) Rulfos. Ia përzure njerëzit. Po
ia shet tokën e detin, përfshi kryeportin trimijëvjeçar. Po ia shkreton
katundet. Po ia mbyll shkollat. Po ia shndërron spitalet në varreza. Po ia
përdhos familjen.
Ti
e urren rininë.
Sepse
rinia rrezaton kulturë, qytetari. E shikon ç’klas kanë protestat kundër teje? Derdhen lumë e ta kërkojnë
dorëheqjen me këngë. Mbushin rrugë e sheshe si lulnajë e një copë letër s’e lënë
për tokë. Në fund të viteve nëntëdhjetë bota u shtang me shqiptarët në Kosovë,
me qëndresën paqësore, krejt ndryshe nga ç’i kishin portretizuar. Media dhe
vëzhguesit prapë shtang: aq të butë e paqësorë shqiptarët, aq i vendosur Brezi
Z i Tiranës. Me një tërheqje magnetike gati kozmike: dje pashë mes protestueve
një grua shtatzanë! Foshnja në karroca, fëmijë
kaliqafë e pensionistë shpatullmbledhur, sa të duash.
Ti
s’ke qytetari. Ti flet me fjalor rrugësh, si fatorinat e dikurshëm të
autobuzëve.
Nuk
le epitet pa përdorur kundër protestuesve ëngjëllorë.
Ti
e urren rininë.
Sepse
ajo ka talent. Ka frymëzim, ka shpirt. Shiko ç’meme plot fantazi në rrjet. Edhe
në Perëndim shqiptarët po shkëlqejnë me elitën e vet. Inxhinierë e këngëtarë,
artistë e sportistë, njerëz guximtarë të biznesit. Bëjnë punë, jo zhurmë. Ti ke
qenë sportist falë shtatit të gjatë, po s’ke lënë emër në sport. Ti ke studiuar
për pikturë, po një tabllo tënden s’e përmend kush.
Megjithatë
edhe ti ke talent. Talent me shkatërrue. Edhe ti ke frymëzim. Frymëzim për
energji të zezë, derdh vetëm energji të zezë. Je shndërruar në vrimë të zezë
për vlerat e këtij vendi.
Ti
e urren rininë.
Sepse
nuk e bleve dot. Në kundërmitingjet me punonjës të administratës, me
patronazhistë e me militantë të llojit “edhe pa bukë rrimë, veç partinë ta kemi
të fortë”, spikat dimri i vetmisë tënde. Ta thanë: fëmijët e baballarëve që të
rrijnë të këmbët, i ke në protestën që
thërret “të erdhi fundi”!
Po
përpiqesh me i përça. Me e grabitë protestën. Me e lidhë protestën me hijen
tënde të kudogjendur. Ke vënë në lëvizje “opozitarë” të emëruar, intelektualë
“të pavarur”, hile të teknologjisë moderne, parulla të komanduara.
Ti
e urren rininë.
Rini
do të thotë dritë. Do të thotë e sotme, do të thotë e ardhme. Meqë për veten
nuk sheh të ardhme, e urren të ardhmen tonë.
E
ardhmmja e shqiptarëve po thërret te dyert e kryeministrisë: “Ik”!
https://www.facebook.com/elezimehmet


