Llesh Ndoj: Sazani e Zvërneci si Gërdeci dhe mendësitë tona tribale
SAZANI E ZVËRNECI SI GËRDECI DHE MENDËSITË TONA TRIBALE
-
Opinion rreth disa zhvillimeve aktuale e perspektive -

E theksoj që në fillim, se jam kundër çdo dhune fizike, apo
në çdo formë që të vijë, dhe protestën ndaj projektit pa projekt “Zvërnec” e
konsideroj për nga forma, një protestë mjaft të bukur, pasi shohim aty ngritjen
e vetëdijes qytetare, ashtu siç i shoh të drejta në parim kërkesat, apo
pretendimet pronësore të individëve të veçantë. Ajo që unë shoh përtej formës
është mendësia tribale tipike shqiptare dhe ecja në korsinë e kundërt, sa herë
na del para syve korsia e gjerë e ecjes përpara me mendësi evropiane, drejt
integrimit të përshpejtuar në familjen e kombeve të zhvilluara e të
qytetëruara.
Nuk e shoh “të keqen” kurrë tek protesta në vetvete, por tek
heshtja, apo gjumi letargjik, ashtu si e shoh të keqen tek koha e përzgjedhur,
mendësia që na udhëheq, tek mjetet që përdorim në protestë, njëjtë si tek gjumi
kur ujku akoma s’na ka kafshuar secilin prej nesh. Tek mendësia tribale që
shfaqim, pikërisht kur duhet të tregohemi “open mind”, tek vlerat që shpalosim
kudo në botën ku “jemi integruar” pa leje, ndërsa këtu në vendin tonë na pëlqen
kënga e gjelit në maje të plehut. Pikërisht aty e shoh unë të keqen tonë.
Le të mundohem t’a shkoqis pak më qartë mendimin tim:
Mendësia jonë tribale është e hershme. Më vijnë ndërmend
plot raste, kur në një familje djemtë donin të ndërtonin diçka të re, por
mendja s’na shkulej nga kulla e gurit me kushte minimaliste, kur donim të
zgjeronim dritaret e tyre për të siguruar më shumë ndriçim, por na “ndalonin”
frengjitë, kur ishte vështirë për të perdorur pjatën në të ushqyerit e
përditshëm, se na pëlqente sahani, kur radion e televizorin i quanim si “zëri i
dreqit”, kur bukën e merrnim të gjithë tek furra e përbashkët e koperativës,
por me vllaun vriteshim se një pulë kishte kaluar gardhin pa leje e kishte hyrë
në kopshtin e tij…
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ishte dhe mbetet
sllogani ynë përparimtar tash tridhjetë e pesë vite, por në fakt, hipur mbi
gomarë (ndjesë kësaj kafshe të përunjur dhe punëtore) si Don Kishoti, veprojmë
të bëjmë Europën si veten, se e konceptojmë këtë lëvizje herë si “Qeck i
Bardhë”, herë si “lugë florini”, herë si “bordello”, por pa vajzat e motrat
tona në shërbim. Por, kështu nuk mund të ecet, jo drejt Europës, por as drejt
ndonjë modeli aziatiko - afrikan të njohur për mendësitë tribale. Ndërsa atje
kjo sjellje mbetet e pranueshme se ata pretendojnë “jetën e egër” në habitatet
e tyre, këtu gjëja kërcet keq… Duam Europën e sillemi si tribalë! Në Europë na
pëlqen të shkojmë edhe me këmbë, edhe me gomarë, me not, me skafe, me avionë,
me gjithçka, por jo me mendësi europiane. Për më tepër ua duam atyre edhe
“semaforët”, paratë po e po, por nuk e pranojmë Europën në Shqipërinë tonë
mëmë. Këtu duam të gjithë të jemi kodoca!
Besoj e dini fjalën kodoc, apo jo? Kështu i thonë gjelit, që është kapua
i tufës së pulave, i cili duke ndenjur vetë maje grumbullit të plehut i thërret
ato herë pas here “në raport”.
Enveri, mbështetur në ide të përafërta, ndërtoi një Shqipëri
“çelik e beton”, mbi varfërinë tonë. Shqipëria krenohej me shumëçka, por jo me
nivelin e jetesës, nivel që pas një ngritje fillestare të hovshme, ra aq keq sa
edhe ne që e kemi jetuar, sot nuk na besohet. Pse? Koncepti tribal, sidomos mbi
pronësinë, u nxuer forcërisht nga mendësitë tona, por u ngulit tribalisht në mendësitë
e shtetit. “Edhe bar do të hamë, e ndihma e kredi nuk marrim.”, ishte dhe mbeti
deri në fund shprehja koncentrat e kësaj mendësie. Pasojat tashmë dihen
botërisht, të paktën nga ata që kanë lindur para viteve nëntëdhjetë. U pasua
kjo nga mendësia po aq tribale e tranzicionit, që ne “na duhet vetëm të
shkatërrojmë gjithçka” pasi për të tjerat ka kush mendon. Pasojat edhe për këtë
dihen: braktisja e plotë e Shqipërisë nga rinia, është shfaqja më trishtuese e
saj. U braktis Shqipëria, por jo mendësia tribale. As tek njerëzit, as tek
shteti. Secili në të tijën për të grabitur çka u ndërtua me bukë pak në
pesëdhjetë vite, pasuar me grabitjen dhe shkatërrimin edhe të asaj çka i kishte
falë Zoti këtij vendi me bujari, si e mirë e përgjithëshme: maleve e fushave,
tokës e nëntokës, bregdetit e ujërave, veprave industriale etj. Edhe ajrin na e
bënë me rubinetë”!
Pasoja: edhe Myzeqeja u nda me gardhe, edhe deti u nda me
ligjin famëkeq 7501, edhe domatet dhe frutat i importojmë, edhe peshkun po
ashtu, edhe ajrin na e “komandojnë” të tjerët, që gjenden si e keqja brenda
secilit prej nesh. Nuk bëhet fjalë sot për industri të rëndë dhe as të lehtë,
as makaronat s’di a i prodhojmë në vend me grurë të importuar, nuk bëhet fjalë
për mbrojtje, as për ushtri. Ah po! Kemi me bollëk politikë pa vizion, shtet të
majmur pa qeverisje, e polici dhunuese, shërbëtore e verbër e tribusë – shtet.
Këtu u jap plotësisht të drejtë protestuesve, në Zvërnec, në Rrjollë e në
Tiranë, edhe pse kësaj here instancat, ndoshta të gjendura “jashtë skenarit”
reaguan shpejt… Por kjo nuk mjafton!
Le të rikthehemi tek thelbi: mendësia tribale!
Me të gjitha gjasat e logjikën më të thjeshtë ekonomike,
bujqësia e turizmi, turizmi e bujqësia, agroturizmi, do të duhet të jenë
prioritetet tona afatgjata ekonomike. Por ato duan sigurinë juridike të pronës,
duan investime të mëdha, kërkojnë infrastukturë rrugore, aeroportuale e
akomoduese, bashkime pronësishë për zhvillim, e mbi të gjitha, braktisje të
mendësive tribale. Nuk mund të ketë bujqësi me gardhiqe, nuk mund të ketë
turizëm me strajcën me bukë, domate e djathë importi me vete, me struktura
akomoduese pa cilësi, e me mendësinë joshërbyese “merre po deshe!”. Kjo tashmë
është një e shkuar e tejkaluar, që ka vite që i ka dhënë frutet e veta. Turizmi
masiv, që sjell më shumë rrëmujë e ndotje se sa të ardhura e zhvillim të
qëndrueshëm, nga faktor zhvillimi që ishte, tashmë po kthehet dita - ditës në
pengesë serioze.
Përveç sa thamë më lart, të mos harrojmë se fqinj kemi tri
vende që janë tigrat e industrisë turistike: Italinë, Greqinë e Malin e Zi.
Duhet pra të vrapojmë drejt një kombinimi të masivizimit të arritur, me
turizmin elitarë. Por ky s’i duron dot mendësitë tona: Të dua moj qene, por të
dua pas dere!
Nuk ka Shqipëria shansin të humbasë investimet miliardere si
ai i arabit të Saliut, si po rrezikojmë me Pacollin e Ramës, e tash edhe me
amerikanët e Trampit, apo holandez, kataras e çfarëdo qofshin ata. Po, po.
Çfarëdo qofshin ata, mjafton të investojnë sipas kushteve tona, se toka nuk
ikën me trasta, kurse paraja zhduket me një klik e shkon aty ku gjen klimën e
përshtatshme, në radhë të parë si mendësi pranuese, apo open - mind zhvilluese.
Si mundet ne të duartrokasim tash mbi një shekull e gjysmë, së paku, Amerikën,
të pranojmë hegjemoninë e saj si protektorin tonë, por “t’i tregojmë dhëmbët”
asaj sa herë don t’na gjendet pranë. - Plaç! - i tha Enveri 50 vite, “plaç” i
tha Saliu shumë vite, “plaç” po i themi ne tash, kur ajo po na afrohet me
investime qëndrueshmërie e sigurie.
Sa herë bie fjala tek mbrojtja jonë, ne themi “kemi
Amerikën”, por Amerika nuk luan kukafshehtas me askënd, e për më tepër amerika
trampiste. A mund të më thotë dikush, se sa nga ata protestues “pa krye”
(respekt për moshën, kurajon, kauzën e kulturën e tyre!) do t’i përgjigjeshin
thirrjes nën armë në rast të një rreziku evident ndaj atdheut? Dyshoj se me ta
nuk bëhet as edhe një togë…Dhe ata, nga që s’e njohin armën, rrezik të vrasin
veten ose njëri - tjetrin, ndërkohë që shumica ia mbathin në pritje të kohërave
të qeta e në kërkim të parajsës së gatshme. Por parajsa duhet ndërtuar,
zhvilluar e mbrojtur. Nuk është dhuratë… Po Amerikës, sa kohë iu dasht me
mbërrit në Kosovë, kundër gjenocidit serb? Sa i duhet nesër (larg qoftë) me
mbërrit në mbrojtje të Shqipërisë? A duhet ne të harrojmë se Amerika s’është e
s’mund të jetë “ushtari” jonë, as argat që punon tokat tona edhe pa bukë në
bark. Unë do të isha i knaqur që Amerika “ta bleje” Shqipërinë, vetëm ky vend
të mos braktiset, e të zhvillohet. Le të bëhemi si Amerika e të na shajë kush
të dojë se nuk qënkemi patriotë, pastaj. Nuk i pëlqej konspiracionet e
konspiracionistët, por aktivizimi si me komandë i shtypit e politikës greke në
rastin “Zvërneci”, më jep të kuptoj se mendësitë tona tribale kallen nga fitilat
e një politike, për ne jo dashamirëse, ndonëse atyre u shërben shumë, e ndoshta
më duhet që në këtë pikë t’u jap të drejtë.
Ka të tjerë që thonë se investitorët e Zvërnecit nuk janë
amerikanë, por janë biznesmen të mëdhenj të botës së pasur arabe. Edhe ata mirë
se vijnë! Ne u bëmë vend anëtarë të Konferencës Islamike, pa asnjë nevojë e
përfitim dhe, ok e pranuam. Tash kur ndoshta mund të jetë mundësia e vërtetë
për të përfituar prej investimeve të pjesëtarëve të kësaj bote, për ne disi të
çuditshme, merakosemi e ngrihemi në protestë. Vërtetë po bëhemi qesharakë! E
duam zhvillimin, por nuk pranojmë zhvilluesit! Hajde pra të kthehemi tek koha e
Hoxhës e të riprodhojmë edhe njëherë traktorin e parë shqiptarë, të cilin ky i
gjati zor se di ta ngasë si ai diktatori ish-kryeministër…
Duhet mbrojtur investimi i pritshëm në Zvërnec e Sazan, e
kudo ku shfaqet i përmasave të përafërta duke hequr, në radhë të parë, dorë nga
mendësia jonë tribale, duke hequr dorë nga zonat e shpallura “të mbrojtura”
thjesht për t’i privuar nga zhvillimi, por jo nga të drejtat e pronësisë. Këtu,
ia vlen të kthehem tek “Paketa e Maleve” e shpallur si çelësi për investimin e
parave të emigracionit në pronat e trashëguara. Plotësisht dakort që të gjendet
çdo mënyrë që paratë e gjakut e të djersës së shqiptarëve emigrantë të joshen
për investime në atdhe, në trojet e të parëve, por përpara kësaj u duhet dhënë
kompetenca bashkive t’a zgjidhin çeshtjen e pronësisë mbi trojet “fshatçe”, si
kanë bërë malet tona gjithë jetën, meqë shteti vetëm i ka ngatërruar ato punë
historikisht, pastaj miratoi projektet e zhvillimit. Pronësia e siguria
juridike e saj mbetet çelësi i suksesit. Edhe në Zvërnec, paragjykoj se janë
bërë plot manovra pronësie të tipit të Komisionit të Kthimit e Kompensimit të
Pronave, apo janë disa prona juridike pa bazë reale, pasi dihet ç’bënë gjykatat
tona thelbësisht të korruptuara, por kjo luftë bëhet me mend dhe vetëm në
gjykatë, jo me cfurçe e hunj, e jo në Zvërnec. Për më tepër nuk justifikohet
asnjë veprim ndaj investitorit. Ai nuk ka mendësitë tona ndaj pronës, shtetit e
zhvillimit. Ligjërisht e pranë organeve tona ligjore e shtetërore ai ka bërë
kontratë me pronarët ligjorë dhe duhet të ndjehet komod t’a zhvillojë pronën në
parametrat e dakortësuar me ta, e të miratuar nga shteti ynë. Pronarët
pretendues le t’a zhvendosin luftën e tyre në gjykata, e në dyert e shtetit,
tek i cili s’besoj se ka mbetur më ndonjë shteg për korigjim. Gjykata le të
zgjidhë themelin edhe pasojat. Kjo mund të quhet ikje nga mendësitë tribale dhe
hapje e rrugës për zhvillim, pa hequr dorë nga të drejtat tua. Të tjerat nuk
kanë vend në epokën ku jemi, e destinacionin për ku jemi të orientuar.
Së fundmi, Rama tha se edhe mund të ikte, por rri aty për
interesat tona. Duke mos e mohuar se koncepti i tij ndaj zhvillimit, por jo
ndaj shtetit, është modernist, i them se mirë do bënte që ky reagim, nëse ka
patur minimumin e fjalës që vjen nga shpirti, jo si manovër manipuluese e
mendësive, le t’a bëje atë ti thërrasë mendjes e të ulet me këmbë në tokë. Janë
shumë vite për “t’ia fal dreqit”, jo një e dy. Mund të ishin bërë shumë hapa
drejt zhvillimit të qëndrueshëm, nisur pikërisht nga reforma e pronësisë, por
kadastra “e tij” ngjet si dy pika ujë me atë të “mister 7501”, apo “mister bum
- bum” Gërdecit. Tani, si kanë ardhur punët, ikja e tij duhej të ishte e shkuar
e harruar, por gjendja, apo stadi ynë duhej të ishin shumë më të përparuar, me
qeverisje të pjekur, e opozitë përparimtare. Këto mungojnë edhe me meritën e
tij të pamohueshme, prandaj ai luan me ne si ai bariu, që u vari tufës së
qingjave lëkurën e ujkut në derën e vathit, duke na treguar se po s’më doni mua
me këto “dramat e buta” ku më pëlqen të eglendisem, ja ku e keni atë që ju ve
zjarrin e ua hedh në erë trutë e pronën, bashkë me mendësitë tuaja tribale…
Në një thes me dreqën, njësoj janë të gjithë, e s’ke ça të
zgjedhësh, më mirë mbaj atë që ke, në mundsh tu ia ngushtue lakun ngapak e
përditë. Zot na ruaj nga mendësitë tona tribale, që ushqejnë qeverisje, me
mendësitë e gjelit në maje të plehut!
Lezhë, më 2 qershor 2026



