Llesh Ndoj: Dy spektakle, e njëjta regji - Kush është regjisori?
Dy spektakle, e njëjta regji - Kush është regjisori?
-
Çirrjet e turmave e duartrokitjet ndaj pushtetarëve pjellin diktatorë e
diktatura -

Ka
tash dhjetë ditë që udhët e sheshet e Shqipërisë gumëzhijnë nga grumbullime jo
të zakonshme njerëzish, që sfidojnë kohën e veten për të demostruar, secili
sipas mendjes së tij, kush është shpëtimtari e kush është tradhëtari. Dhe jo
për diçka dosido, apo dytësore, por për Shqipërinë. Që këtu të neveritet vetja
nga ato që dëgjon e sheh. A thua Shqipëria lindi me vullnetin e njërës palë
(tashmë tradhëtare!) dhe pala tjetër është e vetmja mbrojtëse e sigurtë e saj
(sipas të parëve, kërkon të kundërtën: destabilizimin e vendit!). Në të dy
krahët, spektakli mbetet i njëjti: ngjyra kuq e zi, flamuj, thirrje, parulla e
duartrokitje, por jo dialogje, programe dhe vullnete për zhvillim. Ndonjëherë
shfaqet edhe histeri, fatkeqësisht nga të dy krahët. Për fat deri tani nuk kemi
parë konfrontim. Pala që akuzohet për tradhëtare, nuk po e përdor forcën e
pushtetit (policinë) e kjo është pozitive, por as pala që kërkon “vdekje
tradhëtarëve” deri këtu nuk ka kryer akte vandalizmi e shkatërrimi, duke
manifestuar një kulturë evropiane në mënyrën e të protestuarit. Pala fuqiplotë,
sigurisht e demostron forcën duke qëndruar ulur në karrige e ndjekur kreun -
artist që performon në skenë, si në ndonjë teatër veror. Po kush janë më
konkretisht palët, dhe ku takohen ato?
Pala
në pushtet, ose Rilindja aspak socialiste, kremton 35 vjetorin e lindjes së
asaj partie që e ka vra me duart e veta, Partisë Socialiste, me lule e fjalime
kortezie, si për t’i treguar palës tjetër se “ne nuk jemi si ata socialistët e
Pëllumbit, Nanos, Dades, Meksit, Dokles e deri diku Majkos e ndonjë tjetri, që
për hir të shtetit lëshojnë pushtet, por ngjajmë deri diku me Metën, më shumë
me Berishën, që i venë zjarrin gjithçkaje për pushtet, ndaj mos shpresoni kot!
Aty, festimi është kthyer prej kohësh në one - man show, dialogu ka mbaruar e
është varrosur që përpara ardhjes në pushtet, institucionet apo strukturat
partiake janë përqëndruar e njëjtësuar me monologjet e kreut të shtetit, krimi
e pushteti janë bërë familjarë me njëri - tjetrin dhe me korrupsionin gjenerik,
duke marrë tiparet e një familjeje tipike mafioze. Si e tillë kjo familje ka
vetëm gojë për të gëlltitur miliardat, e (me nder lexuesit) by…, për t’ia futur
por… e mpirë mendt tona pafundësisht nëpër spektakle të organizuara bukur, aq
sa kur t’na dalë gjumi, sigurt do të ndjehemi se paskemi qenë në ëndërr, në mos
në koma, pas një aksidenti historik ku toleruam ngritjen e kësaj klase politike
në pushtet absolut. Aty ka vetëm duartrokitje frenetike të artistit të cirkut
që përformon, duhet thënë si prestidigjiator profesionist, dhe asgjë më shumë.
Ne jemi baballarët e Shqipërisë, thonë këta nga goja e njëshit, dhe do të
jepnim gjithçka nga vetja që Shqipëria të mbetet e jona. Po kush ua rrezikon
këtë?
Pala
tjetër, ekzaltohet me protesta popullore laramane që nisën në Zvërnec e
mbërritën në New York, që nisën me laraska (ndjesë flamingove bukuroshe!) e
përfundoi me “vdekje tradhëtarëve”, që nisi me mbrojtjen e mjedisit dhe vazhdon
me “Shqipëria e shqiptarëve”, s’ka shoqe në historinë tonë për nga mosha rinore
e protestuesve, qetësia, mosdëmtimi i asgjëje, qëndrueshmëria e përhapja e saj.
Por është e pashoqe edhe për një fakt tjetër: Ndërsa thuhet se është spontane,
del perfeksionisht e organizuar, me parulla të shkruara e me një skenar për t’a
patur zili. Kur lejohet ndonjë dalje nga skenari e shfaqet ndonjë tip “TQR-je”,
dikush kujdeset menjëherë të bëj detyrën, sa për të thënë se këta nuk jemi ne!
Por në fakt parullat e tyre pa krye, të tilla janë: vdekje, burg, mu…,
tradhëtarë e atdhetarë, miq e zuzarë, komunizëm e kapitalizëm bashkë,
antievropë e antiamerikë. Janë si vetë pjesëmarrësit: pak patriot e shumë
pseudo patriot, që vijnë në Shqipëri njëherë në vit, shumë shqiptarë të
zhgënjyer e inatosur por edhe pak serb, pak grek, pak kosovar shqiptarë që nuk
e dinë se çfarë kërkojnë, qeveritarë të maskuar e antiqeveritarë, opozitarë të
maskuar e antiopozitarë realë, të gjithë anti kujtdo, por fatkeqësisht jo pro askujt.
Njerëz të panjohur që rrëmbejnë mikrofonin dhe thonë ç’të duan para turmës,
deri edhe thirrje për revolucion, besoj shumica pa e kuptuar as ç’thonë nën
ekzaltimin që të jep podiumi, megafoni e thirrjet e turmës..
Dy
ngjashmëri të pështira:
-
Mitingje e antimitingje masive të dominuara nga çirrjet e folësve e
duartrokitjet frenetike të pjesmarrësve;
-
Secila me pretendimin e shpëtimit të Shqipërisë; ok. Po nga kush? Kush e
rrezikon ekzistencën e vendit sot, kur ajo ka prestigjin më të lartë ndërkombëtarë,
është anëtare e NATO - s e në paradhomën e BE - së!
Ngjashmëria
mes të dyja grumbullimeve, njëra “in memoriam” pa ngjyra jete, e tjetra
protestë laramane, më thotë se ato kanë të njëjtën regji. Pyetja shtrohet: -
Kush është regjizori?
Nuk
mund t’a di ekzaktësisht këtë, pasi kjo do të ishte përgjigje milionëshe, por
duke qenë artist i regjur në skenat politike, dyshoj sot fort tek Rama, pa
përjashtuar ndihmësa të tij të dytë e të tretë, brenda e jashtë vendit. Arrij
deri këtu se mënyra e zhvillimit të ngjarjeve aktuale në këtë vend dhe
perspektiva e afërt e tyre, i shkon përshtat vetëm Ramës dhe oborrit të
pushtetit të tij. Ndoshta edhe Berishës, prej kohësh oborrtar pa pagesë në
bahçen e Ramës.
Ja,
ndonjë tezë e imja si argument.
-
E zëmë se Rama do të detyrohet të japë dorëheqjen, e u zëvendësua nga një
tjerër rilindas. Askush atje, as Spiropali e Braçe po të doni, “s’merr dot
frymë” pa bekimin e tij. Çfarë fituam ne (edhe protestuesit) përveç Ramës, kur
në vend që ai të zbresë “me kokë” nga froni, e ulim poshtë me të butë dhe me
ashensor?
-
E zëmë se Rilindja shpall zgjedhjet e parakohëshme. Rama e rilindja, aureola
zbukuruese e tij, do t’i fitonte ato edhe më thellë se të parat, se partitë e
vjetra e kanë dëshmuar prej kohësh tredhjen e tyre, e ndonjë parti të re, në
emër të virgjërisë politike protesta po vonon ta sjell në skenë. Prap Rama
riciklohet bashkë me enturazhin e vet rilindaso - mafioz, më autoritar se
ç’është (diktator është fjalë e madhe!).
E
gjitha ngjet me një lojë kukafshehtas, sipas parimit të njohur: Ku ishim -
hiçgjëkundi, ça bëmë - hiçasgjë!, apo teorisë së maocedunidesë, “duhet
turbulluar që të kjartësohet!”. E kjo sepse historia ka dëshmuar më se njëherë,
se çirrjet e turmave pa krye prodhojnë diktatorë, e duartrokitjet pa fre të të
qeverisurve ndaj qeveritarëve të vet, pjellin e konsolidojnë diktatura. Ne e
kemi provuar këtë gjatë, por s’jemi të vetmit.
Dhe
një shënim të fundit rreth temës: Desha t’u drejtoja një thirrje socialistëve
të ndershëm brenda rilindjes, si shpresa e vetme që mund t’a sillnin
ndryshimin, por shpejt u kujtova se ata nuk i pyet sot më njeri e s’kanë asgja
tjetër në dorë përveçse të duartrokasin “vrasësin” e vet, ndaj u them atyre: I
gëzofshi medaljet e 35 vjetorit!, duke ju kujtuar edhe ato të “40 vjet PPSH”,
që mbeten të fundit e këtij lloji.
Lezhë, më 9 qershor 2026


