Kur do ti thotë Egjipti Po Pavarësisë së Kosovës?
Qendra Jafa për Studime dhe Kërkime mbajti një seminar nën titullin "Kosova dhe vendet arabe". Në këtë seminar ishin të ftuar 26 pjesëmarës, gazetarë, analistë, publicistë, analistë ushtarakë dhe akademikë. I ftuar nderi për të referuar në këtë seminar ishte Prof. Dr. Beqir Ismaili. Drejtor i kësaj Qendre, Prof. Dr. Rifat Essejid Ahmed, pasi falenderoi Prof. Ismailin për pranimin e ftesës, paraqiti para të pranishmëve një biografi të shkurtër, të këtij të fundit.
Në fjalën e tij, Prof. Dr. Ismaili, bëri fillimisht një përmbledhje të shkurtër historike për Kosovën e më pas u përqëndrua në marrëdhëniet e jashtme të Kosovës, veçanërisht ato me botën Islame.
Në vazhdim të fjalës së tij, ai bëri një pasqyrë të rrugëtimit të vështirë të Kosovës, duke treguar për vuajtjet e popullit të saj, dhunën, torturat dhe genocidin që serbët kanë ushtruar në vite ndaj popullsisë së Kosovës. Rruga deri në paravarësi është larë me gjakun e bijve tanë më të mirë-tha Prof. Ismaili, i cili e mbylli ligjërimin duke bërë thirrje për njohjen e Kosovës nga Egjipti.
Pas diskutimit, të pranishmit shtruan pyetje të shumta. Interesi i tyre ishte përqëndruar në kërkesën për të sqaruar Rezolutën 1244, rolin e shteteve fqinje dhe marëdhëniet e Kosovës me to, qëndrimi i vendeve të BE si dhe qëndrimi i Rusisë kundrejt rajonit dhe pozicioni i tyre në mbështetje të Serbisë.
Duke e mbyllur diskutimin për çështjen e Kosovës, Prof.Dr.Rifat Essejid Ahmed, theksoi se regjimi i mëparshëm nuk e ka njohur Kosovën, për shkak të presionit të jashtëm dhe të interesave politike e ekonomike me Serbinë dhe Rusinë. Tashmë-tha ai-pritet nga ata që do ta marrin në duar pushtetin, të mbështesin Kosovën dhe të njohin pavarësinë e saj.
Punimet e kësaj tribune ishin në qëndër të vëmendjes së mediave vizive dhe të shkruara.















