Kastriot Dervishi: Eshtrat e të ekzekutuarve të revoltës së Spaçit
Eshtrat e të ekzekutuarve të revoltës së Spaçit

Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me
veprim në Spaç, me vendimin nr.1, datë 23.4.1975, i deklaroi fajtorë dhe i
dënoi me pushkatim, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për
5 vjet shtetasit:
-Skënder Qemal Daja, 23 vjeç
-Dervish Enver Bejko, 27 vjeç
-Hajro Zenel Pashaj, 29 vjeç
-Pal Gjergj Zefi, 33 vjeç
Ishte 24 maji i vitit 1973. Gjatë qëndrimit në birucat e
Degës së Punëve të Brendshme Mirditë, të katër personat ishin torturuar
barbarisht. U morën zvarrë dhe u çuan në vendin e ekzekutimit, në afërsi të
urës së Fanit në Rrëshen. Ishte kërkuar që pas ekzekutimit kufomat të çoheshin
për eksperiment mjekësor në Tiranë. Prokurori u kërkoi fjalën e fundit dhe ata
e thanë: “Poshtë komunizmi! Rroftë Shqipëria e lirë! Ju e keni vendin këtu”.
Këto thirrje, revoltuan grupin operativ. Polici i ngarkuar për ekzekutim me
pistoletë në dorë, mori urdhër të tërhiqej. I vranë barbarisht me kallashnikov.
I hodhën kufomat në një makinë dhe i dërguan në Tiranë për t’u përdorur për
kadavër. Fakulteti i Mjekësisë refuzoi t’i marrë në dorëzim pasi ishin dëmtuar
tmerrësisht. Mund të varroseshin në Tufinë, por nuk ndodhi ashtu. U komunikua
me referentin e zbatim-vendime penale të Drejtorisë së Punëve të Brendshme
Tiranës, i cili mori kufomat dhe i çoi diku në Krrabë, afër vendit ku është sot
tuneli i rrugës Tiranë-Elbasan. Referenti i kohës, me nismën e vet, në vitin
2011 kontaktoi me Institutin e Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë. U
shkua në vendin e dyshuar, bashkë me vëllain e njërit prej të ekzekutuarve, por
nga kalimi i viteve, ish referenti nuk u orientua dot në terren, megjithëse u
gërmua. Ngjarja u dha si lajm në atë kohë në televizione.











