Kastriot Dervishi: Desantët e djegur

2h më parë

Në Luz të Vogël u vendos dje një bust kushtuar të ndjerit Sejdin Lusha (1898-1951). Pothuaj askush nuk dinte më shumë se fjalët "i vrarë pa gjyq". As datën e ndarjes nga jeta nuk e kishin të saktë.

Së pari, ai ishte efektiv i Kompanisë nr.4000, formuar nga amerikanët, me qëndrim në Mynih. Kjo kompani është dekoruar nga presidenti i vendit me dekretin nr.10013, datë 20.2.2017.

Në kuadër të operacioneve të kompanisë, më 15.10.1951 u hodhën me parashutë në zonën e Lushnjes desantët Sejdin Lusha (nga Luzi), Dilaver Kucuqi (nga Libohova), Kalem Xhepexhiu (nga Lushnja). Duke mos gjetur terren të përshtatshëm, iu drejtuan kufirit nga lindja. Më 7.12.1951 ata kërkuan qëndrim disaorësh në një shtëpi në Rrajcë të Librazhdit. I zoti i shtëpisë i strehoi, por me dinakëri u mbylli dyert e dritaret, doli jashtë dhe i vuri flakën shtëpisë. Të tre desantët u dogjën.