Ilir Sefaj: Amerikë, më fal! Sot për "mua" po proteston Igballja!
Amerikë, më fal! Sot për "mua" po proteston Igballja!

Tash
kur janë bërë plot 27 vjet që kur forcat e KFOR-it zbarkuan në Kosovë, pas një
fushate bombardimesh prej 78 ditësh nga ana e NATO-s mbi caqet e ish-ushtrisë
serbe (jugosllave), seç më shpërfaqen pamjet e gëzimit të madh që shpërtheu në
masën e qytetarëve, të cilët deri në datën e 12 qershorit 1999 ishin mbyllur në
zgavrën e miut në përpjekje për ta shpëtuar kokën nga forcat kriminale serbe,
të cilat në luftën e Kosovës nuk kursyen fëmijë, gra e pleq.
Sa
herë vjen 12 qershori, në rrjetet sociale, në media elektronike e mediume
online, (për fat të keq vetëm në vendin tonë nuk kemi gazetë ditore), shfaqen
pamje të afër tri dekadave më parë, ku një popull i vuajtur, të cilin okupatori
serb nuk e linte të shiste as qese plastike në treg për të mbijetuar në vitet
'90, të shpërthejë në entuziazëm teksa forcat e Aleancës Veriatlantike futeshin
si fitimtare në Kosovë, falë edhe luftës tokësore me përmasa titanike që bënin
ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e konsideriuar si guerilja më e
suksesshme në botë.
Është
një burrë atje teksa hedhet mbi autoblinden e ushtarëve e gazetarëve
ndërkombëtarë, duke shfaqur kështu gëzimin që po shpëtonte nga një masakër
lehtë mundshme, sikur forcat paqeruajtëse të mos ndërhynin në Kosovë. Pastaj
është një tjetër atje që ia puth çizmen ushtarit britanik të KFOR-it në Prishtinë,
vetëm pak orë pas zbarkimit të tyre në kryeqendrën e Kosovës. Janë këto ditë
gëzimi e shprese që erdhën nga veprimet luftarake të UÇK-së në tokë, e bombave
të NATO-s nga qielli që ia kthyen shpresën këtij populli të shumëvuajtur.
E
sot?! Sot flamurin e shenjtë të UÇK-së e valëvit Igballe Huduti në Tiranën
time! E valëvit këtë flamur në Tiranën shqiptare, një grua që mund përfaqësojë
gjithçka përveç interesave të vendit tim.
Amerikë,
Shqipëri, Tiranë, më fal! Unë nuk jam ajo, ne nuk jemi ajo!
Sot
protagonistë protestave në Shqipëri janë igballet e hudutët që hapur dalin
kundër aleatit tonë të përjetshëm, Amerikës. E tmerrshme. Më shumë se e
tmerrshme.
Për
më keq, hudutka krijon edhe opinion në vendin tim, ajo është fytyrë e njohur
televizive në Kosovë. Xhaxhai im gazetar e shkrimtar i njohur, i cili ka
shkruar shumë pë Shipërinë tonë të bukur, do të thoshte, medet, medet me M të
madhe.
Kam
edhe shumë për të thënë, por po e mbyll me kaq, se në fund të fundit çfarë mund
të thuash tjetër pas fjalës MEDET!


