Idriz Zeqiraj: Anarkia shtetërore dhe falsifikimi i historisë
ANARKIA SHTETËRORE DHE FALSIFIKIMI I HISTORISË

Ndërhyrja e NATO-s, me tanket e saj,
çliruan Kosovën më 12 qershor. Këtë ditë merr fund robëria e Kosovës. Raporti i
forcave, tmerrësisht i pabarabartë në fushë betejë dhe sabotimi i luftës nga të
shantazhuarit nga Serbia, pamundësuan çlirimin e vendit nga vetë shqiptarët.
Rrustem Mustafa (Remi) me shokë më 11
qershor festoi ditën e "çlirimit" të Prishtinës. Ai me disa
komandantë rreth tij, vazhdon ta falsifikoje historinë. Kosova ka vetëm një
datë çlirimi - 12 Qershorin 1999.
Profesor Dukagjin Gorani, dëshmitar
okular, faktik dhe prishtinali të tjerë, i kanë demantuar bindshëm
falsifikatorët Rrustem Mustafa dhe Ahmet Isufin, për "çlirimin e Prishtinës"
nga ata. Atë ditë ka marshuar, shpengueshëm, kontigjenti ushtarak rus, përmes
Prishtinës në Aeroport.
Anarkia e komandantëve sfidojnë jo
vetëm shtetin, por edhe popullin e Kosovës. Njësoj siç bëjnë shefat e OVL me
eksponentët e tyre, në shërbim të PAN-it. Komandant Remi i fton sivëllezërit e
tij, ta harrojnë 12 Qershorin si datë faktike çliruese dhe të vazhdojnë me
festimin e datave fiktive, të rrejshme, nga 11 deri me 21 qershor! Anarki
neveritëse!
Deri në vitin 2021 në pushtet ishin
PAN-istët, abuzuesit dhe falsifikatorët e historisë. Ata synonin të hynin
dhunshëm në histori, ashtu siç morën dhunshëm e përgjakshëm pushtetin, duke
eliminuar politikisht dhe fizikisht kundërshtarët politikë.
Për çudë, komandantët pushtetarë dhe
shtetarë, hezitonin ta caktonin -12 Qershorin- datë çliruese. Ata donin një
datë, e cila do t`i identifikonte si çlirimtarë. Për fatin e keq të tyre kjo u
mungonte, sepse ata ishin "larg frontit të luftës", siç e kanë
pranuar publikisht e botërisht, madje as që ishin pjesë e luftës!
Për habinë e të gjithë neve, nëse
komandantët e Betejës fitimtare të Loxhes dhe të Luftës heroike të Koshares,
janë vrarë në luftim e sipër në fushë-beteja, por edhe janë ekzekutuar në paqe,
nga Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale. Përkundër, komandantët e sotëm mohues të
datës faktike çliruese -12 Qershorit- dhe falsifikatorë të datave tjera
çliruese, kanë mbijetuat luftën, "pa u hyrë ferrë në këmbë!"
Mërgimtarët e Mërgatës ishin të parët
ata që organizonin shënimin festiv të -12 Qershorit-. Në qytetet e
Kosovës po ndodhë, pothuaj se, heshtje për këtë krye-ngjarje të historisë të
Kosovës! Skajmërisht e turpshme dhe kriminale!
Pavarësisht disa krerëve të OVL, të
cilët të cytur nga shefat e tyre në PAN, akuzojnë qeverinë se "nuk ka bërë
dhe nuk po bënë asgjë për -vlerat e luftës-", ndërkohë që Kosova është
betonuar dhe mermerizuar me: Shtatore, buste, varreza dëshmorësh dhe të
viktimave të luftës, si memoriale numerike të kushtueshme, në përkujtim të
luftëtarëve të lirisë dhe të masakrave masive të luftës së fundit.
Përkundër, uzurpuesit e OVL, po i
falsifikojnë dhe konvertojnë masakrat e shqiptarëve, "në beteja fituese,
triumfuese dhe vrasje masiv të forcave të armikut", pa dhënë asnjë fakt,
asnjë viktimë nga pala armike. Me mburrje të tilla të dëmshme mburracake dhe
burracake, po përballën edhe grupi i të akuzuarve të Ndërmarrjes të Përbashkët
Kriminale, në Gjykatën Speciale në Hagë, të cilët kanë shkruar libra, madje
edhe doktoratura historike!
Për një luftë disa mujore, siç është
ajo e Kosovës, nuk bësoj që ka bërë kaq, qoftë në nderim moral apo trajtim
material, ekonomik, në rajon e më gjerë, se sa qeveritë e Kosovës, pavarësisht
përkatësisë partiake, për dëshmorët, kategoritë e luftës dhe vlerat e luftës në
përgjithësi.
Kosova ka përtej 400 masakrave.
Homazhet, nderimet për masakrat grupore e individuale, janë të shumta, pothuaj
se, të çdoditshme. Vendet me traditë shtetërore, i kanë të rregulluara me ligj
datimet përkujtimore zyrtare, për ngjarjet historike, përfshirë edhe masakrat,
ditën e dëshmorëve, ashtu siç ka bërë edhe Shqipëria.
Shqipëria përkujton disa data jubilare
të luftës, edhe pse për afro gjysmë-shekulli është thirrur në luftën
çlirimtare, por, në fakt, ka bërë luftë civile, qytetare. Andaj, është
ndëshkuar nga organizmat përkatëse ndërkombëtare, për trajtimin pas luftës, për
shtetet që luftuan kundër pushtuesit gjerman dhe u dëmtuan në Luftën e Dytët
Botërore (LDB), duke u shpërblyer dhe kompensuar materialisht.
E vetmja Shqipëria u përjashtua nga
reparacionet, dëmshpërblimet, sepse u faktua se krimi ndodhi brenda-shqiptar,
luftë qytetare.
Shteti t`i jep fund anarkisë
falsifikuese
në numra dhe të caktojë data
përkujtimore
Shteti komunist shqiptar, më saktë,
qeveria moniste sunduese, me elemente të bollshme të fashizmit, ka proklamuar
shifrën 28 mijë dëshmorë. Ndërkohë që studiuesit e asaj lufte llogarisin vetëm
300 të vrarë nga pushtuesi në Shqipëri!
Krejt ngjashëm ka ndodhur në Kosovë:
Historianët thonë se Kosova ka afro 800 dëshmorë faktikë, ndërsa falsifikuesit
i kanë shumëzuar në 3.000 dëshmorë dhe kjo shifër sa vjen e rritet. Njëjtë kanë
vepruar me veteranët: Nga 12.700 veteranë të pranuar ligjërisht, kanë shtuar
edhe 45.000 "veteranë" të rrejshëm, për të cilët deri në qershorin e
vitit 2025, janë paguar nga buxheti shtetëror 206 milionë euro!
Një shtet, një qeveri që shantazhohet,
kërcënohet, frikësohet nga grupe halabakësh, zuzarësh, horrakesh, banditësh,
vihet në pikëpyetje ekzistenca qoftë e shtetit apo qeverisë. Andaj, është koha
për të bërë ligje dhe rregulla.
Tashmë, në disa komuna, rast për t`u
përmendur është ajo e Istogut, e cila vitin e shkuar përuroi -Varrezat e
Dëshmorëve-, në nivel komune. Tani mbetet të përcaktohet -Dita e Dëshmorëve-.
Shqipëria e ka përcaktuar -5 Majin-,
ditën e vrasjes të sekretarit të Rinisë Komuniste, Qemal Stafës-, me tradhtinë
denoncuese të eprorit të tij Enver Hoxha.
Datimi bashkues i Ditës të Dëshmorëve,
mund të bëhet -5 Maji" i viti 1999, në datën e masakrimit të Familjes
Jashari. Me ç´rast reduktoheshin tri ditët përkujtimore, në një ditë të vetme,
tek varrezat e Familjes Jashari në Prekaz.
Në këtë datë pushtetarët vendorë,
lokalë, do të nderonin dëshmorët dhe viktimat e luftës anekënd Kosovës.
Kështu do të kurseheshin mijëra ditë
dhe orë të humbura nga të punësuarit publikë e privatë dhe shkollarët e të
gjitha niveleve.
Ndarja e qëllimshme dhe kriminale e
vëllezërve Hamëz dhe Adem Jashari!
Nëse individë dhe grupe interesi bëjnë
krime, shteti duhet të ndërhyjë, për të korrigjuar. Ose edhe nëse dikush ka
përfituar nga amullia dhe anarkia shtetërore, është përsëri shteti që duhet të
ndërhyjë, me ligjet e tij, të shpëtojë atë çka mund të shpetohet.
Vazhdon heshtja pse dhe kush i ndau
vëllezërit Hamëz dhe Adem Jashari, nga përjetësimet së bashku në emërtimet
të rrugëve, shesheve, institucione, si dhe në ngritje të busteve dhe shtatoreve
së bashku? Kur dihet se asnjë pushkë nuk ka shkrepur Ademi më shumë se sa
Hamza.
Për këtë ndarje nuk mund të fajësohen
fëmijët e Hamzës, Bekimi e Besarta. E, ndoshta, as Rifat Jashari, i cili ka
qenë dhe mbetet shtylla kryesore e Familjes Jashari. Pa atë nuk do ta kishin
madhështinë që kanë sot as vëllezërit Hamza dhe Ademi. Sepse edhe në luftë nuk
vriten të gjithë. Ndoca edhe e mbijetojnë atë, luftën.
Këtë padrejtësi mund ta përmirësojë
vetëm shteti. Lokacioni dhe tenderimi për ngritjen e shtatores të Adem Jasharit
në Prishtinë është siguruar. Shteti dhe qeveria e Kosovës duhet të ndërhyjë,
për ta shtuar edhe figurën dhe emrin meritor, të derdhur në bronz të Hamzës
përkrah Ademit. Këtë autoritet e ka vetëm shteti dhe assesi pazarxhinjtë, të
cilët e kanë bërë ndarjen kriminale, duke lënduar zemrat gjithë-shqiptare.
Shteti obligohet ta mbrojë historinë nga falsifikimet groteske.
Është koha që kjo të realizohet në
Prishtinë, për të vazhduar në vend-ndodhjet tjera, ku është ngritur shtatorja e
vetmuar e Ademit.
Ndërsa në Skënderaj duhet të
kompletohet trinomi: Shaban Jashari në mes të dy djemve të tij, Hamzës dhe
Ademit.
Një shtatore e përbashkët për Saliun,
Ademin,
Zahirin, Ahmetin - në Prishtinë!
Kryeqytetit do t`i bënte nder edhe
shtatorja e katërshes, të përgatitur ushtarakisht në Surrel të Tiranës: Sali
Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Ahmet Haxhiu, të cilët themeluan çetat
guerile, respektivisht, në: Dukagjin, Drenicë, Llap e Gollak dhe Anamoravë.
Tashmë, të katërtit janë Heronj të
Kosovës.
Nderimi për ata, do të ishte edhe
nderimi për të gjithë të flijuarit në luftë, shokët e tyre të mbijetuar nga
grupet ushtruese në Shqipëri si dhe ngushëllim dhe mirënjohje për të
mbijetuarit tjerë.


