Hajro Hajra: Nënë Tereza na Bashkon

Fotoreportazh nga
NËNA TEREZE NA BASHKON

Nga Hajro Hajra
Pos Ditës së Flamurit dhe Ditës së Pavarësisë të Kosovës, prej disa vitesh është Nëna Tereze, është kujtimi i përjetshëm për këtë grua fisnike që i bashkon shqiptarët e Arizonës. E drejta, numri i atyre që vijnë çdo vit në “Parkun Nëna Tereze” (kështu kanë filluar ta quajnë shqiptarët parkun e Bazilikës së Shën Mërisë, ku është e vendosur shtatorja e Gonxhes shqiptare), është mjaft i vogël, po të kihet parasysh se në Arizonë, më mirë të thuhet në kryeqytetin e këtij shteti, në Feniks (Phoenix), sipas fjalëve të kryetarit të Komunitetit Shqiptar “Shqipja e Arizonës”, dr. Arben Laskut, jetojnë nja 500 familje me mbi 2 mijë shqiptarë, nga të gjitha trojet shqiptare. Për fat të keq, nuk është i vogël numri i shqiptarëve që jetojnë në Amerikë, punojnë e shkollohen në Amerikë, gëzojnë të mirat që ua ofron Amerika, hanë bukën e Amerikës, po shpirtin e mendjen, ndërkaq, i kanë në shkretëtirat e Azisë.
Sivjet ishte caktuar dita e diel, 16 tetor për t’u takuar e për ta përkujtuar figurën e pavdekshme të Nënës Tereze në 8-vjetorin e lumturimit. Në orën 11 në Bazilikën e Shën Mërisë, ku ishin vendosur një portret i madh i Nënës Tereze dhe një fotografi e Katedrales së Prishtinës, filloi mesha e drejtuar nga Atë Vincent Mesi, i cili nuk la pa përmendur praninë e dhjetëra shqiptarëve që kishin ardhur për të nderuar shenjtoren e ardhshme, njeriun e gjakut të tyre. Në fund Atë Mesit nxënësi Robert Zef Kalaj ia dhuroi një portret të Gonxhe Bojaxhiut veshur me kostume kombëtare shqiptare, dhuratë e përgatitur posaçërisht për pastorin Mesi nga zonja
Pas përfundimit të meshës, shqiptarët u drejtuan te shtatorja e Nënës Tereze, që prej tetë vjetësh është bërë një vend pelegrinazhi për shqiptarët e Arizonës. Në fillim parakaluan pranë shtatores, përreth së cilës ishin vendosur lule të freskëta. Në krye ishin fëmijët me portrete të Nënës Tereze dhe me flamuj shqiptarë e amerikanë. Solemnitetin e shpalli të hapur zonja Jeta Hajra, e cila me pak fjalë foli për figurën e madhe të Gonxhe Bojaxhiut, e cila një jetë të tërë ua kushtoi njerëzve në nevojë.
Më pas zoti Gjelosh Gegaj e tha uratën shqip të Nënës Tereze, ndërkaq fjalë rasti mbajtën zonjat Teuta Fleming, Kristina Këlliçi dhe Lule Lane (kjo e fundit është më meritorja për këtë manifestim). Poezi të Nënës Tereze recituan vogëlushja 7-vjeçare Princesha Anton Gegaj dhe Merilin Frroku. Pas përfundimit të ceremonisë që gjatë gjithë kohës u shoqërua me këngë kushtuar Nënës Tereze, pjesëmarrësit u shërbyen me ushqime e pije, që edhe kësaj radhe i kishte sjellë zoti Anton Gegaj dhe, në ndarje, urimi: mirupafshim në takimin e ardhshëm!



























