Gjekë Gjonaj: Uniteti politik – sfida dhe shpresa e shqiptarëve në Malin e Zi
Bashkimi si mesazh për elektoratin shqiptar
Uniteti politik – sfida dhe shpresa e
shqiptarëve në Malin e Zi

Shqiptarët
në Malin e Zi po hyjnë gradualisht në
një fazë të re të organizimit dhe vetëdijesimit politik, ku gjithnjë e më shumë
po shfaqet nevoja për unifikim rreth interesave kombëtare, qytetare dhe
zhvillimore. Bashkimi i tri partive politike shqiptare në Malin e Zi – Alternativa Shqiptare, Lidhja
Demokratike Shqiptare dhe Unioni Nacional Shqiptar, javën e kaluar në Tuz, në një subjekt të vetëm politik me
emrin Forumi Shqiptar, paraqet një nga
zhvillimet më domethënëse politike për shqiptarët në Malin e Zi në vitet e fundit. Ky proces nuk duhet
parë vetëm si një marrëveshje e zakonshme politike apo si një kalkulim
elektoral afatshkurtër, por si një përpjekje serioze për tejkalimin e
fragmentarizimit politik shqiptar, për forcimin e zërit kombëtar dhe për
ndërtimin e një përfaqësimi më të qëndrueshëm dhe më dinjitoz në institucionet
shtetërore të Malit të Zi.
Në
rrethanat aktuale politike dhe shoqërore, bashkimi politik i shqiptarëve nuk
është luks, por nevojë strategjike. Për vite me radhë skena politike shqiptare
në Mal të Zi është karakterizuar nga ndarje të shumta partiake, rivalitete
personale, mospajtime idesh dhe interesa të ngushta grupore, të cilat shpesh
kanë dobësuar fuqinë e përgjithshme politike të shqiptarëve. Edhe pse
pluralizmi politik është vlerë demokratike, përçarja e tepruar në një komunitet
numerikisht të vogël ka prodhuar pasoja të dukshme negative. Copëzimi i votës
shqiptare ka ndikuar në dobësimin e fuqisë negociuese të shqiptarëve në raport
me pushtetin qendror dhe partitë e mëdha politike malazeze. Në shumë raste
energjia politike është konsumuar më tepër në rivalitetet e brendshme sesa në
mbrojtjen e interesave kombëtare, ekonomike, kulturore dhe arsimore të
shqiptarëve.
Pasojat
e kësaj gjendjeje janë reflektuar në përfaqësimin më të dobët institucional, në
zhvillimin e ngadalshëm ekonomik të trevave shqiptare, në emigrimin e
vazhdueshëm të të rinjve, në mosshfrytëzimin e potencialeve turistike dhe
bujqësore, si dhe në zhgënjimin e një pjese të elektoratit shqiptar ndaj politikës.
Pikërisht për këtë arsye unifikimii politik shihet si një reflektim i pjekurisë
së re politike dhe si një përpjekje për të rikthyer besimin e qytetarëve te
politika shqiptare.
Çdo
bashkim politik kërkon maturi, përgjegjësi dhe vizion afatgjatë. Historia
politike e popujve të vegjël ka dëshmuar se sukseset më të mëdha arrihen
atëherë kur interesat kombëtare vendosen mbi interesat individuale apo
partiake. Për shqiptarët në Malin e Zi
kjo nënkupton tejkalimin e egoizmave politike, kultivimin e kulturës së
dialogut, ndërtimin e besimit të ndërsjellë dhe fokusimin te interesat
strategjike kombëtare. Krijimi i subjektit të përbashkët politik, Forumi
Shqiptar, mund të shërbejë si platformë
bashkuese e të gjitha energjive politike, intelektuale dhe qytetare shqiptare
në Mal të Zi dhe njëkohësisht si mundësi për të ndërtuar një përfaqësim më
serioz dhe më të organizuar.
Ky
subjekt i unifikuar do të ketë potencial
më të madh për të fituar më shumë mandate, për të negociuar më fuqishëm me
pushtetin, për të mbrojtur më mirë të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe për
të ndikuar më shumë në politikat shtetërore. Në të njëjtën kohë, ky unitet
politik do të mund të shërbejë
si mekanizëm më efikas për avancimin e çështjeve që lidhen me ruajtjen e
identitetit kombëtar, përdorimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, zhvillimin e
arsimit dhe kulturës shqiptare, si dhe zhvillimin ekonomik të Malësisë,
Ulqinit, Anës së Malit, Krajës, Plavës dhe
Gucisë. Po ashtu, ai do të mund
të ndikojë më fuqishëm në kërkesat për përfaqësim proporcional në administratë,
polici, gjyqësor dhe institucione të tjera shtetërore.
Elektorati
shqiptar prej kohësh ka shprehur nevojën për më shumë unitet politik. Qytetarët
shqiptarë janë lodhur nga konfliktet e panevojshme, retorikat përçarëse dhe rivalitetet
që kanë dobësuar pozitën kolektive të shqiptarëve në jetën politike të vendit.
Për këtë arsye, ky hap i bashkimit perceptohet si shenjë përgjegjësie
politike, reflektim i pjekurisë kombëtare dhe përpjekje për rikthimin e besimit
te përfaqësimi politik shqiptar. Një subjekt i përbashkët do të mobilizojë më
mirë elektoratin shqiptar, një pjesë e të cilëve në jo pak raste janë distancuar nga politika
pikërisht për shkak të përçarjeve të vazhdueshme.
Natyrisht,
procesi i bashkimit në periudhën e kaluar
të pluralizmit politik nuk ka qenë i lehtë sepse kërkon kompromis, durim
dhe gatishmëri për të ndërtuar një kulturë të re politike. Përveç kësaj është
dashur të tejkalohen sfida të
ndryshme në harmonizimin e strukturave
partiake, në ndarjen e përgjegjësive politike, në ruajtjen e balancave të
brendshme dhe në tejkalimin e mosbesimeve të vjetra. Aftësia për t’i menaxhuar
këto sfida dëshmon seriozitetin dhe pjekurinë e këtij projekti politik.
Bashkimet e qëndrueshme ndërtohen mbi interesa afatgjata dhe vizion të
përbashkët, jo mbi emocione momentale apo kalkulime të ngushta politike.
Shqiptarët
në Mal të Zi historikisht kanë dëshmuar kulturë politike perëndimore, orientim
euroatlantik dhe rol konstruktiv në proceset demokratike të shtetit malazez.
Ata kanë qenë faktor stabiliteti, bashkëjetese dhe integrimi. Një subjekt i
bashkuar shqiptar do ta forcojë edhe më shumë këtë rol, duke kontribuar në
forcimin e demokracisë shumetnike, në proceset integruese evropiane të Malit të
Zi dhe në ruajtjen e harmonisë ndëretnike. Një përfaqësim më i fuqishëm
shqiptar nuk duhet parë si kërcënim për askënd, por si garanci për një Mal të
Zi më demokratik, më të barabartë dhe më funksional. Vetëm përmes bashkimit,
maturisë politike dhe bashkëpunimit mund të arrihet një përfaqësim më i fortë,
më dinjitoz dhe më efektiv për shqiptarët dhe për gjeneratat që do të vijnë.



