Gani Qarri: Protestë kundër kryeministrit
Protestë kundër kryeministrit

Kryeministër,
në pozitën që tash e mbi një mandat ushtroni, nëse rastësisht nuk u ka ikur nga
mbamendja, keni ardhur me protesta, apo thënë më saktë për tu ngjitur në postin
e lartë aktual, parapërgatitjet dhe kalitjen i keni ushtruar mirë paraprakisht
me organizimin e demonstratave masive në rrugë, ku ka pasur edhe dy vdekje të
rinjsh, ndërsa ne, në të gjitha aktet tuaja me qëllime të pastra kombëtare dhe
shtetërore u kemi mbështetur pa rezervë në çdo kohët e situatë, me përjashtim
të dakordimit për humbjen e jetëve dhe plagosjen e pjesëmarrësve në protesta,
ndaj na habitni shumë se si brenda ("nate")-një mandati, u bëtë kaq
paqësor dhe nuk u intereson më për zhvillimet në FYROM dhe Shqipëri, megjithëse
kryekëput, që të dyja këto zhvillime, kanë të bëjnë pikërisht me të drejtat e
shqiptarëve dhe çështjen kombëtare, në të cilën ju gjithmonë jeni betuar, para
se të vinit në pushtet.
Prandaj
dhe habit shumë fakti se si ju nuk mbështetët dhe nuk thatë asnjë fjalë të
vetme qoftë edhe në shenjë të përkrahjes formale as për protestat paqësore të
para pak kohëve të thirrura nga studentët shqiptar të Iliridës, me kërkesat e
arsyeshme dhe plotësisht të drejta të tyre, për përdorimin e gjuhës amtare
shqipe në provimet e jurisprudencës, derisa populli dhe një pjesë e qytetarëve
u solidarizuan me ta, si dhe vet BE u dha të drejtë kërkesave elementare të
studentëve shqiptar Iliridas, por ju heshtët e heshtni edhe sot, sikur kjo
ngjarje ti përkiste ndonjë populli të largët që nuk na lidhë asgjë me te, nga
ishujt tejoqeanik, Bangladeshi, Burma apo shteti i vet-emërtuar si Myanmar, ku
sundon junta ushtarake dhe bëhet keqtrajtimi sistematik i pjesëtarëve të
popullsive joshumicë.
Në
protestat e thirrura prej jush, mjerisht kanë ndodhur edhe tragjedi dhe për fat
të keq, janë vrarë në moshën më të mirë të jetës nga policia rumune Mon Balaj e
Arben Xheladini madje Arbeni ishte vëlla i 4 motrave dhe djalë i vetëm në
familje, të cilët ranë më 10 shkurt 2007 derisa po shprehnin pakënaqësinë me
gjendjen në Kosovë dhe protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe
sot, pas gati 20 vitesh, kujtohen në mënyrë mjaftë të zbehtë e sipërfaqësisht,
sikur shuarja e tyre në lule të rinisë, të kishte ndodhur rastësisht apo nga
ndonjë veprim i ashtuquajtur "akt kolateral".
Por
pikërisht tani para zhvillimeve më madhore të kohës, kur protestat
mbarëkombëtare ka mese 23 ditë që organizohen pareshtur e aq mrekullueshëm në
Tiranë e qytetet tjera kryesore të Shqipërisë, ju gjeni kohë të merrni pjesë e
mbani fjalime pompoze në lojëra fëmijësh të fshatrave kufitare, sikur të ishit
kryetar i ndonjërës nga Bashkësitë lokale atje, apo përfaqësues i kulturës së
nivelit komunal dhe jo kryeministër i vendit, madje nuk gjeni as dy minuta
kohë, të shprehni mbështetje "virtuale" dhe thoni qoftë edhe dy-tre
fjalë të vetme në përkrahje të protestave të drejta mbarëkombëtare të rinisë
shqiptare të mbledhur nga të gjitha anët e trojeve tona etnike dhe diaspora
jonë patriotike, për çlirimin e vendit nga narkomafia, bandat e krimit të
organizuar dhe një kryemafioz i cili pasi dëboi mbi 1 milion shqiptar nga
Shqipëria, nuk hezitoi ta nxjerr në ankand publik edhe Shqipërinë, për ta
shitur pjesë,pjesë, sikur shteti amë i shqiptarëve të ishte pronë e tij private
dhe trashëgimi e lënë nga i ati Kristaqi.
Ne
nuk është se kemi harruar se dhe ju keni bërë mjaft gafa në karrierën tuaj
politike, duke filluar nga fushata për shamia, e madje caktuar edhe moshën, kur
vajzat minorene shqiptare në Kosovë, sipas jush "duhej", të
mbuloheshin, derisa gruaja juaj jetonte e jeton në Norvegji dhe vajzën tuaj e
shkolloni po në këtë vend nordik, larg simbolikave islamike dhe pa inskenimet
turko-arabe që ndodhin përditë në Kosovë, siç vepronit në kooketim me imamët,
duke zgjedhur orën12-të të ditës që bashkë me Arben Vitinë të nguroseshit në
këmbë si statuja në nderim të "ezaneve" të tyre.
Kryeministër,
ti je ai që na i ktheve së fundi edhe çallmat fetare në parlament dhe atë, pasi
qytetarët e Kosovës me votën e tyre të lirë, spastruan njëherë e mirë Kuvendin
nga shamitë turko-arabe, ndaj tani e ke obligim politik nga pozita të cilën e
mbani, që të inkorporoni sa më parë në parlament edhe një Sheh, Priftin katolik
dhe popin serb, ngase në emër të barazisë dhe respektit të ndërsjellë për të
gjitha fetë dhe besimet në vend, BE mund t`ua kërkojë apo vendos edhe si kusht
për pranimin në Këshillin e Evropës, të cilët të paktën për fillim ndoshta do
të qëndrojnë në seancat parlamentare edhe kur votohet për president, për dallim
nga deputetët e opozitës së inkriminuar, që veprojnë si robot të partisë dhe
largohen nga seancat e Kuvendit për ta prishur kuorumin e nevojshëm dhe
moszgjidhur këtë çështje kruciale për shtetin.
Gjithsesi
një gjë duhet ta keni gjithmonë parasysh dhe të mos harroni, se nuk ka
udhëheqës të paprekshëm as kryeministra të përjetshëm dhe kjo që po i ndodhë
sot Edi Ramës,i cili kishte krijuar një megalomani piramidale, sa ndihej zot i
padiskutueshëm i fronit të pushtetit, mund tu ndodhë shpejtë, apo në një të
ardhme të afërt edhe juve, sepse me apo pa vetëdije, ju vet jeni duke i
kontribuuar personalisht kësaj çështjeje dhe punuar pareshtur në atë drejtim.
Ti
dhe ministri juaj i mbrojtjes, keni humbur tërësisht drejtpeshimin zyrtar dhe
po shkelni çdo normë duke u lëshuar në veprime të palejuara dhe takuar edhe
njerëz të dyshimtë e gjysmëanalfabet të përfolur edhe për haraq, vjedhje e
hajni ordinere, familjet e të cilëve, pikërisht në vitet e pushtimit klasik të
Kosovës nga Serbia dhe vitet e luftës në Kosovë, me favorizime të
veçanta-zyrtare të shtetit serb, mbanin telefonat ajror të Serbisë në shtëpi
dhe në vend se si kryeministër i vendit, ta urdhëroni AKI-në si dhe organet
përkatëse shtetërore të hulumtojnë spiunët, që nxorën ushtarët e UÇK-së në prita
të ushtrisë dhe policisë okupatore serbe, ku u vranë dhjetëra apo edhe qindra
prej tyre, në fshatra e rajone të banuara vetëm me shqiptar dhe ku nuk jetonte
asnjë serb i vetëm, si në Lugishtë, Goden, Rugovë të hasit etj, sot e atëherë,
po ata ushtarë të vrarë me prita dhe tradhëti, bëhet sikur përkujtohen me shumë
buj, ku gravitojnë lirshëm dhe janë të pranishëm fizikisht edhe vet spiunët
shqipfolës, njëjtë si në kohën kur ushtarët e pafajshëm të UÇK-së, edhe në ato
ditë të vështira, pa asnjë brengë i kanë nxjerrë në pritë të forcave okupatore
serbe.
UÇK
është aset kombëtar dhe jo sinonim privat i askujt, ndaj përfundimisht duhet të
nxirret një vendim parlamentar nga Legjislativi i Vendit, si organi më i lart
ligjzbatues, që përkujdesjen për përkujtimin e të rënëve, manifestimin e datave
e ngjarjeve të shënuara, si dhe të shënimi i përvjetorëve të veçantë e
zhvillimeve tjera të mirënjohura historike të luftës e të paqes, të mirren
përsipër nga shteti, e jo edhe 27 vite pas çlirimit, të lejohet që pikërisht me
këto vlera kombëtare, të luaj kush të dojë, sipas tekeve të tij, pa qenë i
autorizuar zyrtarisht nga shteti, pa poseduar përgatitje të nevojshme shkollore
as nivel dytësor kualifikues dhe autoritet qoftë edhe minimal të prezantimit,
gjë që minimizon tërësisht edhe seriozitetin e organizimeve dhe zbehë në
maksimum prestigjin e ngjarjeve, ndryshe jeni duke ia gërditur këtij populli
edhe historinë dhe shkatërruar besimin në çdo gjë, akt i cili më së miri
dëshmohet edhe me rënien drastike të pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje dhe
tubimet tjera të organizuara nën slogane pompoze kuazi-"patriotike",
ndaj mjaft më, me këso sallamadish gjysmëprivate dhe fjalamani e takime të
inskenuara kaq neveritshëm nga vet ju, shkaku i të cilave edhe besimi në ju
personalisht, sa vjen e po bie çdo ditë e më tepër.
Një
gjë duhet ta keni parasysh se përkundër të gjitha "tejkalimeve", për
të mos thënë gafave të lartcekura, duke qenë se Qeveria juaj çliroi veriun e
Kosovës nga bandat kriminale serbe dhe bashkë me organet e rendit e të ligjit,
shuat oazën e krimit të organizuar kooketuese serbo-shqiptare, shtritë
sovranitetin shtetëror në të gjitha pjesët e vendit dhe ndaluat me ligj
organizatat terroriste serbe të mbështetura nga Serbia e Aleksandër Vuçiq, deri
më tani gabimet tuaja, i kemi kaluar "hatërsisht", duke shikuar
përmes gishtërinjve, sepse Trepça, Ujmani e Mitrovica dhe shtrirja e shtetësisë
së Kosovës në pjesën veriore, ishte shumë e rëndësishme për ne si popull i
vogël dhe shtetin tonë të ri dhe ende të pa-konsoliduar tërësisht.
Por
të heshtni tani e mbi tre javë, ju dhe gjithë ministrat e qeverisë tuaj, qoftë
edhe kështu si jeni aktualisht-"qeveri në detyrë", për protestat
masive në Shqipëri, sikur të ishte çdo gjë normale dhe të mos ndodhte asnjë
zhvillim i jashtëzakonshëm pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët, kjo është
vërtetë e pafalshme, për çfarë ju e keni detyrim moral e kombëtar, obligim
shtetëror dhe nga vet funksioni që keni, mbani përgjegjësi politike, tu jepni
shqiptarëve një përgjigje të qartë, se pse silleni kështu dhe çfarë prisni më,
që ende nuk dilni në mbështetje të protestave të drejta të të rinjve progresist
në shtetin amë-Shqipëri, të cilët tash e mbi 23 ditë me radhë po dëshmojnë se
meritojnë mbështetjen e parezervë të të gjithë shqiptarëve.
Për
fund ,ju lutem shumë, na thoni kur u
bëtë ju kaq paqësor, se vërtetë na duket ndryshim i madh, e i pazakontë dhe
kemi filluar të mos ju kuptojmë më, apo ndoshta po prisni që Edi Rama, pas
projektit të parë sekret të "zajednicës" serbe, të përpiluar pas
shpinës së Kosovës dhe kokë më kokë, me Aleksandër Vuçiqin, të cilin ia dërgoi
pa konsultim dhe pa dijeninë e Qeverisë tuaj Makronit dhe BE-së për imponimin
nga BE, të një "republika srpska" edhe në Kosovë, ti dorëzoj tani një
projekt të dytë, edhe më konspirativ të "zajednicës" serbe,
presidentit Makron, zonjës Meloni dhe Bashkimit Evropian për miratim në
Bruksel, i cili siç u dëshmua para pak javëve në gazetën gjermane
"FAZ" (Frankfurter Allgemeine Zeitung), edhe sot vazhdon të mbajë
editoriale të përbashkëta me Aleksandër Vuçiqin, dhe pas inatosjes së serishme,
për mos-faljen e veriut të Kosovës, Serbisë fashiste, ti vendos përsëri i pari
në Evropë-sanksione Kosovës, siç i pati vendosur dhe anuluar edhe takimin e dy
qeverive të paraparë të mbahej më 13 qershor të vitit 2023 në Gjakovë, ta quaj
përsëri Mitrovicën dhe veriun e vendit tonë, "tokë të askujt", si dhe
pasi ti "ri-ofendojë" në mënyrë alegorike ish kryetarët shqiptar të
komunave në veri, se koha e Oso Kukës-ve shqiptar ka përfunduar, ta paraqes
serish Kosovën në hartat e konstruktuara enkas prej tij, si pjesë të territorit
të Serbisë?!
Të fala me shëndet dhe
dëshirën për kthjellim!
Gani Qarri, Cyrih


