Fadil Maloku: Pse protestat në Tiranë nuk kanë të ndaluar?
Pse protestat në Tiranë nuk kanë të ndaluar?

Duke
përcjellë me vëmendjen e një sociologu prononcimet e protestuesve dhe të
qeverisë, herëpashershme, të aktorëve të revoltës interesante, por edhe unike
për traditën dhe etnopsikologjinë shqiptare, kuptoj, por edhe po mësoj shumëçka
për lëvizjet "Made in Albania".
Andaj,
shanset që kjo protestë të eskalojë në një demonstrim të dhunshëm duken se janë
të ulëta dhe pa ndonjë ambicie për të ndryshuar në mënyrë radikale status
quo-në e kontestuar nga qytetarët shqiptarë. Dhe, kur ato nuk shkojnë në
drejtim të acarimit, ato ose përfundojnë me negociata, ose me zbehje graduale,
ose me ndryshime politike përmes zgjedhjeve të reja. Ndërkaq, kur marrin
"ngjyrën" e radikalizimit, që zakonisht vjen si pasojë e një
polarizimi ekstrem e afatgjatë midis palëve konfrontuese, apo e dobësimit të
institucioneve shtetërore dhe humbjes së aftësisë së shtetit për ta ruajtur
rendin, gjasat maksimalizohen dhe mundësitë për radikalizim shumëfishohen.
Në
rastin e Revolucionit Flamengo, pavarësisht stigmatizimeve dhe tensioneve
politike që kanë ekzistuar në periudha të ndryshme kohore, deri më tani
institucionet shtetërore gjithnjë kanë vazhduar të funksionojnë me ritmin e
tyre, ani pse "të breshkës".
Pra,
mund të supozojmë se, në rast se qeveria aktuale, që është kaq shumë e urryer
dhe e padëshiruar për brezat e shqiptarëve të ngopur me padrejtësi dhe dobësi
të sistemit autokratik të "ajatullahut" Edi Rama, nuk do t'i pranonte
kërkesat e protestuesve, skenarët më të mundshëm do të ishin: ose vazhdimi dhe
intensifikimi i protestave për një mosbindje më të gjerë qytetare, ose dialogu
e ndërmjetësimi për ta rishqyrtuar edhe një herë "kontratën qytetare"
të mëhershme, gjë që pak gjasa ka të ndodhë.
Megjithate,
këta skenarë hipotetikë, nga këndvështrimi sociologjik, mund të "bien në
ujë" në rast se "arkitektët", apo Këshilli Organizativ, nuk i
qartësojnë për publikun e gjerë (shkakun e masovizimit) objektivat e synuara
strategjike, pra, nëse nuk ka ndonjë plan konkret (A, B, C) që do të zbatohej
"step by step", në mënyrë që të ushtrohet një presion më i
"prekshëm" dhe më efektiv mbi institucionet e kalbura, atëherë gjasat
zvogëlohen.
Një
tjetër faktor që po ashtu mund ta rrisë influencimin e protestës mbi qytetarët
e zhgënjyer dhe të periferizuar nga "dora e ajatullahut" të
lartpërmendur, është mobilizimi i të gjitha shtresave të pakënaqura sociale,
sidomos i shtresës së mesme, që në rastin e Shqipërisë është diga më e trazuar
dhe më e kërcënuar nga fashitja sistematike sociale.
Po
ashtu, një faktor tjetër nxitës që e "ushqen" me sukses mirëmbajtjen
e protestës është mbështetja e grupeve të ndryshme sociale, si studentët,
punëtorët, profesionistët meritokratë, sindikatat që kanë kauzë punëtorin,
OJQ-të, që në këtë rast, sa po kuptoj, shumë pak janë aktive. Gjithë këtyre
faktorëve, nëse nuk u vjen në ndihmë faktori i mbulimit apo përkrahjes
mediatike, që do ta përçonte komunikimin publik, por edhe do ta qartësonte
perceptimin mbi protestat dhe synimet e mëtejme lidhur me insistimet e
arsyeshme për dorëheqje dhe largim definitiv të këtyre kastave senile politike
që kanë bërë dëme mbi Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
Por,
ajo që mund ta dobësojë narrativën e nevojës së ndryshimit të
"infrastrukturës" së stërkequr, të senilizuar, madje edhe të
korruptuar e të kriminalizuar shqiptare, padyshim është ajo që në sociologjinë
e njohjes njihet si "mungesa e një strategjie afatgjatë", që
nënkupton një organizim racional qytetar, një angazhim politik dinamik, një
iniciativë të përpunuar ligjore dhe forma të tjera të njohura të mosbindjes
qytetare.
Pra,
Revolucioni Flamengo nuk mund të themi se ka dështuar, ani pse numri i
protestuesve është reduktuar, por është në një krizë, të themi, të kërkimit të
një identiteti të profilizuar, që do të merrte përgjegjësi konkrete për hapat
shtesë, si gjetja e mënyrave të reja kreative të ndërgjegjësimit publik, krijimi
i rrjeteve të reja qytetare, ndryshimi i debatit publik ose ushtrimi i
presionit për ndryshime në të ardhmen, etj. E themi kështu edhe për shkakun se
pushteti autokrat i Edi Ramës veç i ka në tavolinë opsionet afatshkurtra të
komprometimit, reduktimit, por edhe kontestimit të frymës dhe shpirtit të
protestës. Dhe këtë narrativë e kemi parë javën që shkoi, kur ofroi
"dialog" përmes monologut ofertues.
Tani,
nëse i bëjmë një analizë më subtile sociologjike këtij monologu ofertues, do të
shohim se, përveç që nuk është i rastësishëm, nuk është fare i sinqertë dhe
premtues. Ja disa arsye:
E
para, strategjitë dhe sidomos taktikat autokratike, gjithnjë kur gjenden
përballë kërkesave të tilla kategorike (dorëheqje të parevokueshme, qeveri
teknike, ndryshime kushtetuese, etj.), gjithnjë bëjnë ftesa për kinse dialog të
hapur, me qëllim që ta ruajnë, siç thotë populli, "fytyrën" (në fakt
privilegjet dhe monopolin mbi shtetin e uzurpuar) e qeverisjes dhe pushtetit
"demokratik".
E
dyta, ndërmarrja e "dialogut" përmes monologut ofertues duhet parë si
një përpjekje për të ulur tensionet, për ta kanalizuar pakënaqësinë drejt
negociatave dhe për ta shmangur përshkallëzimin e protestave, që në faza
afatgjata gjithsesi e kërcënojnë pushtetmbajtjen "alla Hezbollah"!?
E
treta, në gjykimin sociologjik, një "dialog" i tillë do të ngrinte
shumë pyetje të tjera, por pyetja kryesore ka të bëjë me dilemën: nëse ky
"dialog", në formën dhe përmbajtjen e parashtruar, është vërtet një
proces real për t'i pranuar kërkesat e protestuesve, apo është një taktikë
mashtruese për të fituar kohë, për ta fragmentuar protestën, për ta
komprometuar krejt arkitekturën e frustrimit, pakënaqësisë dhe mllefit që ka
shkaktuar koalicioni pushtetar, oligarkik dhe grupet kriminale. Një trekëndësh
i tillë "bermudian" s'ka gjasa të rrëzohet vetëm me protesta
paqësore.
Ndërkaq,
poçese tani e shtrojmë atë dilemën "hamletiane"se; A duhet
protestuesit tiranas ta pranojnë blanko apo ta refuzojnë kategorikisht
"dialogun" e monologut ofertues të inicuar nga Edi Rama?
Në
gjykimin sociologjik, nuk mund të themi se ka ndonjë përgjigje të vetme dhe të
saktë po edhe funksionale e dobiprurëse, ngase kjo varet shumë nga objektivat e
protestuesve, që ende nuk po i di publiku i gjerë, pastaj, nga niveli i besimit
mes palëve, si edhe nga kushtet dhe ambienti i dialogut.
Dhe,
nëse bëjmë një kalkulim ad hoc, kuptojmë se:
a.
Nëse e pranojnë ofertën, mund të krijojnë mundësinë për t'i paraqitur kërkesat
e tyre drejtpërdrejt dhe për të testuar nëse ekziston vullnet për zgjidhje. Nëse
dialogu është serioz dhe transparent, ai mund të prodhojë rezultate konkrete.
b.
Nëse e refuzojnë ofertën, mund të argumentojnë se dialogu nuk ka kuptim nëse
mungojnë kushtet që e bëjnë atë të besueshëm (p.sh. mungesë garancish, përvoja
të mëparshme negative ose mungesë veprimesh konkrete nga pala tjetër).
Megjithatë, refuzimi mund të perceptohet nga një pjesë e publikut si mungesë
gatishmërie për kompromis të denjë. Nga këndvështrimi i sociologjisë së
lëvizjeve shoqërore, një ofertë për dialog nuk pranohet apo refuzohet vetëm në
parim; ajo vlerësohet sipas faktit nëse rrit ose dobëson aftësinë e
protestuesve për të arritur objektivat dhe qëllimet e tyre fisnike dhe në
interes të shtetit e kombit. Por, përfundimisht mendoj se për t'a arritur
shkallën e një katarsisi moralopolitik e pse jo edhe social e ekonomik,
protesta apo siç që ka identifikuar vetën si Revolucioni Flamengo, duhet ta
aktivizoj planin rezervë; B, C, D... të
mosbindjes totale qytetare...


