Blerim Rrecaj: Film dramatik për plagën e madhe të papunësisë
Film dramatik për plagën e madhe të papunësisë

Filmi
"Shame and Money" i regjisorit Visar Morina pos që është një film që
paraqet një prej plagëve të mëdha siç është papunësia, një prej problemeve të
njohura e që vazhdon të mbetet proplem i pazgjidhshëm, sidomos në trojet
shqiptare. Duke qenë një problem shumështresor për shekuj të tërë, ky film
paraqet shkaqet dhe pasojat në Kosovën e pasluftës që përmbledhin tri dekadat e
fundit.
Rrëfimi
fillon kur njëri nga anëtarët e një familjeje në pjesën qendrore të Kosovës në
një fshat të Drenicës, më saktësisht Çikatovë e vjetër merr rrugën e mërgimit
për mungesë perspektive, e pas tij pjesa tjetër e kësaj familjeje mërgon brenda
vendit po për të njejtat arsye duke u vendosur në kryeqendër, në Prishtinën e
kaosit e transformimeve të mëdha, ku edhe këtu perspektiva për një jetë të
dinjitetshme vazhdon të mbesë e vrazhdë, e egër e dërmuese, një luftë e
përditshme për ekzistencë, pa e ditur se si do shkojë dita e si do të agojë
ajo. Dy personazhet kryesore të filmit, bashkshortët Shabani dhe Tixhja që
s'lënë vend pa kërkuar, e që s'lënë punë pa provuar për të mbajtur familjen,
përballen me lloj llloj sfide, për fitimin e ca të hollave për ta shtyer jetën
nga dita në ditë e na java në javë. Pasi që duhen para për gjërat elementare
për ta mbajtur familjen me bukë, ujë e
nevojat e domosdoshme, për pagesën e banesave ku jetojnë me qera, të cilat
detyrohen t'i ndërrojnë aq shpesh, për nënën e fëmijët.
Jeta
e mezipërballueshme vazhdon me shumë
ndodhi, çaste e detaje dhe është një maratonë e gjatë përpjekjesh, vuajtjesh,
mundimesh, rropatjesh marramendëse e të
njëpasnjëshme.

Personazhi
i filmit Shabani së fundmi zë vend si rojtar nate në një lagje luksoze dhe
biseda që zhvillohet në kabinën e rojës së natës, mes tij dhe një punëtori që
së shpejti do ta lë punën këtu për t'u kthyer në një qendër tjetër, në
vendlindjen e tij, më saktësisht në Pejë, dhe këtë ai e bën për shkak të rrogës
së vogël e kursimit që do bëjë nga mjetet e udhëtimit, tregon krizën e rëndë që
vazhdon e kushedi se kur mund të duket ndonjë shteg, e ndonjë dritë në
horizont.
Filmi
përfundon kur Shabani mbyll laurën ku hyn njëra nga veturat në këtë lagjeje.
Dhe është muzg. Me këtë mbyllje porte ai sikur mbyll plagët e papunësisë...
Pos tjerash ky film është një pasqyrë e madhe realiteti e fshati Çikatovë e vjetër dhe kryeqyteti Prishtina janë dy na pjesët e kësaj pasqyreje në të cilat secili prej nesh mund ta shohim veten, edhe të kthehemi për ta parë këtë gjëmë të madhe që na ka rënë hise dhe me të cilën përballemi përditë...


