Argetina Tanushi Aquino: Sazani, historia dhe çelësat e bunkerit!

2h më parë

Sazani, historia dhe çelësat e bunkerit!

Sazani, aty ku historia rikthehet

Nga Argetina Tanushi Aquino

Tetëmbëdhjetë vjet më parë, paketova jetën time në dy valixhe dhe nisa një fluturim pa kthim. Si shumë shqiptarë të asaj kohe, po largohesha nga një shtet që ende po mësonte si të qëndronte mbi këmbët e veta! Po shkoja drejt një Amerike që dukej si një laborator i së ardhmes. Por disa vende nuk të lënë kurrë. Vlora nuk më la. Jo si koordinatë gjeografike, por si kujtesë: gjiri i saj i qetë që fsheh stuhi të vjetra, gryka e papërkulur e Vjosës, dhe mbi të gjitha, Sazani, ai ishull i heshtur që për dekada qëndroi si një rojtar që kishte harruar kush e kishte vendosur në atë post.

Sot, ai rojtar është zgjuar.

Sazani nuk ka qenë kurrë thjesht tokë. Ai është një nyje nervore ku historia, gjeografia dhe ambicia përplasen. Venedikasit, osmanët, italianët, sovjetikët, NATO, secili e ka lexuar atë si një hartë strategjike. Shqipëria nuk është thjesht një vend i vogël në hartë; është një prag, dhe pragjet nuk janë kurrë neutrale. Ato janë vende ku dikush hyn dhe dikush pret. Për gjysmë shekulli, regjimi komunist e ktheu Sazanin në një bunker gjigant, një arkitekturë frike e gdhendur në shkëmb. Tunelet nuk ishin vetëm mbrojtje; ishin një psikologji. Një bindje se rreziku do të vinte nga deti, se horizonti nuk ishte premtim, por kërcënim.

Ironia sot është pothuajse poetike.

Amerika nuk erdhi me flotë. Erdhi me projekte, me tendera 3D, me fjalor investimesh dhe turizëm elitar. Ajo që dikur imagjinohej si pushtim, sot quhet zhvillim.

Historia nuk përsëritet, por shpesh ndryshon kostumin.

Është e vështirë të mos buzëqeshësh me një hije skepticizmi kur dëgjon figura ndërkombëtare që flasin për “zbulimin” e Sazanit. Ishulli nuk u zbulua. Ai u riemërua. Nga pikë strategjike në aset financiar. Dhe ky transformim nuk është thjesht semantik, është filozofik. Tregon mënyrën se si një vend fillon ta shohë veten: jo si subjekt historie, por si produkt në treg.

Qeveria shqiptare e paraqet këtë si një hap drejt modernizimit, një hyrje në hartën e luksit global. Dhe ndoshta është. Por çdo hartë ka legjendën e vet, dhe pyetja është: çfarë po shkruajmë në legjendën tonë?

Kjo bëhet edhe më e ndjeshme kur kthehemi tek Vjosa, tashmë e shpallur park kombëtar, një fitore e rrallë për natyrën në një kontinent të tejndërtuar. Por paralelisht, diskutimi rreth saj për “zhvillim të kontrolluar” dhe “zona të veçanta” rreth saj vazhdon të zgjerohet si një hije në perëndim. Kapitali është si uji i kripur që futet në një deltë me ujë të ëmbël. Në fillim nuk duket. Pastaj ndryshon shija. Pastaj ndryshon jeta. Dhe kur e kupton, nuk ka më kthim në ekuilibrin e mëparshëm.

Shqetësimi më i madh nuk është vetëm mjedisor. Është institucional.

Në Shqipërinë e viteve të fundit, kemi parë një model të njohur: ligje që përkulen për projekte “strategjike”, procedura që shkurtohen për investitorë të mëdhenj, ndërsa qytetarët e zakonshëm mbeten në labirintet e burokracisë. Ky kontrast nuk ndërton besim, e gërryen atë, ngadalë, si kripa mbi metal, sepse një shtet nuk matet nga sa investime tërheq, por nga mënyra si i menaxhon ato. Sazani dikur ishte simbol i izolimit ekstrem: i mbyllur, i armatosur, i heshtur. Sot rrezikon të bëhet simbol i një tjetër ekstremi: i hapur pa kushte, i ofruar pa filtra, i shitur pa narrativë. Por Shqipëria nuk është e detyruar të lëkundet mes frikës dhe nënshtrimit. Ajo mund të ndërtojë një model të tretë: një vend që mirëpret botën pa u tretur në të. Një vend që negocion, jo që dorëzohet. Një vend që i përdor çelësat e vet,  jo që i dorëzon.

Sepse në fund, pyetja nuk është nëse porta e Sazanit u hap. Pyetja është: kush i mban çelësat tani?