Anton Marku: Dita e parë pas zgjedhjeve

Nga
Anton Marku
Votuesit kosovarë nuk kanë shumë arsye për të qenë entuziastë për të
nesërmen duke marrë parasysh faktin se si shoqëri ende bashkëjeton me të
djeshmen. Disa prej liderëve të tyre politikë deficitet e shtetdashurisë i kompensojnë
duke baltosur gjithçka dhe çdokënd: fqinjët, mediat dhe oponentët politikë. Përderisa
qeveritarëve aktualë askush nuk mund t’ua mohojë talentin që nga miqtë të
krijojnë armiq duhet theksuar se, nga zgjedhjet në zgjedhje, edhe opozita e ka
luajtur rolin e portierit të dytë: ai është gjithmonë aty por nuk luan
pothuajse asnjëherë.
Shpëlarja e duarve
Si zakonisht edhe
kësaj radhe kryetarët e grupimeve minore politike, të cilët sillen si pronarë
të tyre, lidhën koalicione pa përfillur vullnetin e anëtarësisë duke shkelur
kështu me të dy këmbët mbi të gjitha parimet dhe aktet themeluese. Sa herë që
ata godasin rrënjën thahet një degë.
Në anën tjetër gjatë
fushatës parazgjedhore kryetarët e partive të mëdha përsëritën premtimin se idealeve
do tu mbesin besnik përjetë por jo dhe se këtë do ta bëjnë çdo ditë. Në natën e
zgjedhjeve, menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, ata do të bëjnë të ditura
rezultatet e tyre duke i interpretuar secili në mënyrën e vet dhe duke i shitur
si fitore. Do të thonë se morën më pak se sa që pritën por më shumë se sa që
shpresuan. Sheshet e qyteteve do të zhurmojnë nga surlet e tupanët e nuk do të
mungojnë as fishekzjarrët apo ndonjë krismë arme sa për të plotësuar
atmosferën. Të nesërmen, atëherë kur bëhet balanci real i një dite më parë të
gjithë do të kuptojnë se, pak a shumë, qëndrojmë aty ku ishim dje.
Kompromisi nuk është fjalë e huaj
Betejat zakonisht
i humbin ata që të parët e tërheqin këmbëzën. Kësaj radhe partia në pushtet nuk
u vet rrëzua me pahir, ajo e rrëzoi veten qëllimshëm. Për të ecur përpara duhet
gjetur mënyrën e përshtatshme të komunikimit i cili shpie në dialog të mirëfilltë
dhe të sinqertë mes akterëve të skenës politike. Rruga përpara mund të jetë
bashkëqeverisja mes dy e më shumë partive të cilat duhet lënë anash dallimet
dhe të takohen në të përbashkëtat. Ndryshe prapë do të kemi zgjedhje këtë vit. Duket
se ajo që na pret është shtegtim, jo ecje.
Ata që nuk i hapin
sytë jetojnë të verbër. Kushdo qofshin. Humbësit e sotëm mund të jenë fituesit
e së nesërmes. Zhytje nuk do të thotë fundosje. Jo gjithnjë udhëtimi përfundon
në fund të rrugës.
Turbonacionalistët e Ballkanit
Lumenjtë e mëdhenj
nuk mund t’i turbullojnë guralecët e vegjël. Liderëve të vetëshpallur kombëtarë
të këtij rajoni, të cilët i grahin retorikës së luftës, kohët e fundit treni i
historisë i ka lëvizur nga binarët dhe atyre po u kalon afati i skandencës. Ky
trend filloi me Dodikun në Bosnjë për të vazhduar me Vuçiçin dhe ardhur në jug.
Në tryezën e
gjeopolitikës nuk paguan ai që vjen i pari por ai që largohet i fundit.
Vjenë, 6 qershor 2026



