Albert Zholi: Burrneshat, "Virgjëreshat e betuara" një rrëfim i shkurtër
Burrneshat, "Virgjëreshat e betuara" një rrëfim i shkurtër
Nga Albert Zholi
-Kam
patur fatin që në vitin 2008 të intervistoj njërën prej tyre-
Atë
ditë kisha marrë rrugën drejt një fshati të largët malor në verilindje. U nisa
herët, me një ndjenjë kureshtjeje që më shtynte përpara. Një mik më kishte
folur për të – një nga ato gra që jeta i kishte kthyer në legjendë të gjallë:
një "virgjëreshë e betuar". Rruga ishte e gjatë, e thyer, mes maleve
që dukej sikur ruanin histori të pathëna. Kur mbërrita, ajo më priti pa shumë
fjalë. Ishte veshur si burrat e malësisë: pantallona shajaku, bluzë e thjeshtë,
trup i drejtë dhe një bastun i bukur në dorë. Në qëndrimin e saj kishte diçka
të fortë, por edhe të heshtur. U ulëm përballë njëri-tjetrit. Nuk humba kohë.
-"Përse
u bëre virgjëreshë e betuar?" – e pyeta.
Ajo
ngriti sytë, sikur po kthente një kujtim të largët.
"Nuk
kishim djalë në shtëpi," tha qetë. "Ishim pesë vajza. Dikush duhej të
mbante mbi supe emrin dhe përgjegjësinë e familjes. Iu luta babait. Ai
pranoi... por më duhej të kaloja provën para këshillit, përpara pleqve të
fisit, përpara dymbëdhjetë burrave që përfaqësonin rendin dhe ligjin moral të
kohës"- E fitova besimin. Më pas shtoi, me një ton që nuk kërkonte as
mëshirë e as lavdi: "E bëra betimin në moshën 21-vjeçare. Tani jam 67.
Plot 46 vjet." Fjalët e saj nuk ishin thjesht një shifër. Ishin një jetë e
tërë. Në një shoqëri të ngurtë, ku rolet nuk lëviznin, kjo ishte rruga e vetme
për të qenë e lirë dhe njëkohësisht e lidhur pas detyrimit. Ajo jetonte si
burrë: me emër mashkullor, me të drejtë fjale në kuvend, me përgjegjësinë për
të mbrojtur shtëpinë dhe për të marrë vendime. Në pamje të parë kishte fituar
gjithçka që një gruaje i mohohej. Kurinë e duhanit e mbante në brez. Por koha
kishte rrjedhur ndryshe për të. 46 vjet pa një jetë personale si grua. 46 vjet
në një rol që nuk ishte zgjedhje e lirë në kuptimin e plotë të fjalës, por një
marrëveshje me fatin dhe shoqërinë. 46 vjet sakrificë e heshtur. Ajo nuk u ankua.
Nuk kishte pendesë në zërin e saj. Vetëm një qetësi e thellë, që të bënte të
kuptoje se kishte bërë paqe me jetën e vet. Kur u ngrita për t'u larguar, ajo
mbështeti bastunin dhe më hodhi një vështrim të gjatë, sikur donte të më
thoshte më shumë sesa kishte thënë me fjalë. Malet përreth dukeshin edhe më të
rëndë. Ika i mrekulluar.
*
"Virgjëresha
e betuar", nuk është thjesht një grua që ndryshon rolin e saj në shoqëri,
por një qenie që sfidon kufijtë e gjinisë, duke u bërë urë mes fatit dhe
zgjedhjes. Ajo nuk është thjesht një grua, por një betim i gjallë, një jetë e
kthyer në sakrificë. Në sytë e saj lexohet një botë ku liria fitohet me mohimin
e vetes. Dhe pikërisht aty nis rrëfimi i saj, mes dhimbjes, dinjitetit dhe
fatit.
Burrnesha
lind nga një betim. Një betim i rëndë, i pakthyeshëm, i bërë përpara pleqve të
fisit, përpara dymbëdhjetë burrave që përfaqësonin rendin dhe ligjin moral të
kohës. Ajo betohet për dëlirësi të përjetshme, për të hequr dorë nga jeta si
grua, nga dashuria, nga mëmësia. Në këmbim, fiton një identitet të ri: atë të
burrit.Sot, burrneshat janë gjithnjë e më të rralla. "Taboo e National
Geographic" vlerësoi se ka më pak se 102 burrnesha në botë. Bota ka
ndryshuar, rolet gjinore janë zbutur, dhe gratë nuk kanë më nevojë të mohojnë
veten për të qenë të lira. Megjithatë, figura e burrneshës mbetet një dëshmi e
fortë e një kohe kur nderi, zakoni dhe mbijetesa ishin më të forta se vetë
individi. Ajo mbetet një simbol i dyfishtë: i forcës dhe i sakrificës, i lirisë
dhe i mohimit. Një figurë që nuk mund të gjykohet lehtë, sepse brenda saj
bashkëjetojnë dhimbja dhe dinjiteti...










