Albert Vataj: Juliette Drouet, gruaja që sakrifikoi gjithçka për një burrë të madh si Victor Hugo

45m më parë

Juliette Drouet, gruaja që sakrifikoi gjithçka për një burrë të madh si Victor Hugo

Nga Albert Vataj

Ajo ndoshta nuk konsiderohej “e denjë” për një burrë të madh si Victor Hugo, sipas moralit dhe paragjykimeve të kohës, por ishte pa dyshim një nga gratë më të rëndësishme në jetën dhe veprën e shkrimtarit të madh. Vinte nga një fëmijëri e vështirë dhe një rini e shpenguar, me histori dashurie dhe lidhje pasionante që e përfolën gjatë.

Tipike për kurtizanet pariziene të epokës, por ajo që mbeti nga jeta e saj ishte pothuajse gjysmë shekulli pranë Hugos. Edhe pse e shkuara e ndoqi si një hije e zezë, Juliette vezulloi në misionin e saj si shërbestare besnike e një gjigandi të letërsisë, i cili ndoshta u bë edhe më i madh falë zemrës, duarve dhe vullnetit të saj për t’i shërbyer me devocion e përkushtim.

Ndoshta Hugo nuk do të kishte mbërritur tek ne me gjithë madhështinë e penës dhe shpirtit të tij pa këtë grua, pa ndihmën dhe flijimin e saj të heshtur.

Juliette Drouet u lind më 10 prill 1806 dhe u shua më 11 maj 1883. Ishte një aktore franceze, e cila e braktisi karrierën në skenë pasi u bë e dashura e Victor Hugo-s, të cilit iu përkushtua si sekretare, bashkëshoqëruese dhe mbështetëse në udhëtimet e tij.

Juliette e shoqëroi Hugon për gati pesëdhjetë vjet dhe ndërtoi me të një univers të jashtëzakonshëm epistolar: i shkroi më shumë se 22 mijë letra gjatë jetës së saj.

E mbetur jetime nga nëna vetëm pak muaj pas lindjes dhe nga babai vitin pasues, Juliette, bashkë me vëllanë dhe dy motrat e saj, u dërgua në një manastir në Fougères, përpara se të rritej nga xhaxhai i saj, René-Henry Drouet, i cili u vendos në Paris. Atje studioi në shkollën fetare të konviktit të kanonikëve të Saint-Augustin në Saint-Mandé, nga viti 1816 deri më 1821.

Rreth vitit 1825, ajo u bë e dashura e skulptorit James Pradier, i cili besohet se e ka përdorur si model për statujën alegorike të Strasburgut në Place de la Concorde, në Paris.

Me Pradier-in pati një vajzë, Claire, të cilën ai do ta njihte vetëm dy vjet më vonë.

Juliette nisi karrierën si aktore në Théâtre du Parc në Bruksel dhe më pas në Paris. Në atë kohë mori mbiemrin e xhaxhait të saj. Aktore pa ndonjë talent të spikatur, ajo u fishkëllye nga publiku në premierën e dramës Marie Tudor, më 6 nëntor 1833, ndërsa kritika e “kryqëzoi” vetëm pak ditë më vonë në Courrier des Théâtres.

Megjithatë, Juliette ishte një bukuroshe marramendëse, që joshte shumë burra, mes tyre edhe kontin Anatole Demidoff, me të cilin përjetoi në Itali një lidhje të zjarrtë pasioni.

Ata që e njihnin e përshkruanin si të pavarur, impulsive dhe gjaknxehtë. Shoqëria pariziene e konsideronte një kurtizane tipike. Vishej me luks, shpenzonte pa kursim dhe zotëronte një bukuri mahnitëse. Juliette kishte sy të shndritshëm, një hundë të imët, një gojë të vogël dhe buzë flakë të kuqe. Të gjitha këto tipare harmonizoheshin në një fytyrë ovale, të rrethuar nga flokë të zinj me nuanca blu.

Në vitin 1833, ndërsa luante rolin e princeshës Négroni në vënien skenike të Lucrezia Borgia, ajo u takua me Victor Hugon, bashkëshortja e të cilit, Adèle, kishte ndërkohë një lidhje me kritikun Charles Augustin Sainte-Beuve.

Roli i saj i fundit në teatër ishte ai i Lady Jane Grey në Marie Tudor. Pas kësaj, Juliette hoqi dorë përfundimisht nga skena dhe ia kushtoi jetën të dashurit të saj. U bë sekretare, shoqëruese dhe mbështetëse e pandarë e Hugos. Për shumë vite jetoi pothuajse e izoluar, duke dalë nga shtëpia vetëm në shoqërinë e tij.

Më 1852, ajo e ndoqi Hugon në mërgimin e tij në Jersey dhe, më pas, në vitin 1855, në Guernsey. Letrat që i shkroi gjatë jetës dëshmojnë një talent të jashtëzakonshëm në të shkruar, siç ka vlerësuar edhe Henri Troyat në biografinë kushtuar asaj.

Çdo vit, nga 16 shkurti 1834 deri më 1883, ata kremtonin përvjetorin e natës së parë që kishin kaluar së bashku. Victor Hugo madje e përfshiu këtë kujtim intim në "Të mjerët", te nata e dasmës së Mariusit dhe Kozetës, e cila zhvillohet po në të njëjtën datë.

Juliette Drouet vdiq në Paris më 11 maj 1883, në moshën 77-vjeçare. Familjarët dhe të afërmit ia ndaluan Victor Hugos pjesëmarrjen në funeralin e saj, nga frika e asaj që mund të thoshte opinioni publik. Ishte Parisi i asaj kohe, me moralin e tij puritan dhe me rregullat mizore të paragjykimit.

Ndoshta Hugo, tashmë i plakur, nuk pati forcën të përballej me botën e hipokrizisë dhe të tregonte publikisht mirënjohjen ndaj gruas që kishte sakrifikuar gjithçka për të. Dhe kështu, ai pranoi të mos ishte i pranishëm në lamtumirën e fundit të Juliette Drouetit.