Agron Tufa: Protestat - një epokë e re po fillon

58m më parë

PROTESTAT: NJË EPOKË E RE PO FILLON

Nga Agron Tufa

Është e pesta ditë që ndjek protestat civile në Tiranë, duke u përpjekur të lexoj mes rreshtash. Vajza e madhe në pyet: "Babi, pse nuk reagon?" Mendoj se ime bijë ka të drejtë; gjithkush duhet të reagojë. Dhe ja:

Do të doja që në shesh të dilnin të gjithë ata, që kanë qoftë dhe një arsye për të protestuar, të mundin frikën dhe të bëjnë të mundur rrëzimin e qeverisë së korruptuar, plaçkitëse, shpopulluese e diktatoriale të Ramës, por dhe më gjerë: t'i japin fund tranzicionit politik në emër të dinjitetit njerëzor e kombëtar. Frika se mos përçahet, manipulohet dhe shuhet dhe kjo protestë, që bën thirrje për revolucion - është e madhe. Nuk më pëlqejnë revolucionet (viktimat mes shqiptarëve), por nuk besoj se plaçkitësit e qeverisë do të mund të guxojnë të prekin jetën e cilitdo protestues. E njohin frikën

Do të doja shumë që drejtuesit e protestës të marrin parasysh në ecurinë e mëtejshme përvojën e lëvizjeve/protestave/revolucioneve të 15 viteve të fundit në peisazhin politik ndërkombëtar dhe fatin e kauzave të tyre. Konkretisht, disa shembuj të rëndësishëm:

1. Tunizia

Protestat e nisura në fund të vitit 2010 çuan në largimin e presidentit afatgjatë Zine El Abidine Ben Ali. Kjo ishte pika e nisjes së asaj që u quajt "Pranvera Arabe".

Rezultati: Regjimi u rrëzua, por pas shumë vitesh vendi përjetoi kriza të reja politike dhe ekonomike. Pra, fitorja fillestare nuk e zgjidhi plotësisht problemin.

2. Egjipti

Miliona protestues detyruan largimin e Hosni Mubarak.

Rezultati: Qeveria ra, por më pas vendi përfundoi sërish nën një regjim shumë të centralizuar. Kauza demokratike u realizua vetëm pjesërisht.

3. Armenia

Protestat paqësore detyruan dorëheqjen e Serzh Sargsyan.

Rezultati: Ky është një nga shembujt më të suksesshëm të dekadës së fundit. U arrit ndryshim real i pushtetit dhe reforma të konsiderueshme.

4. Sri Lanka

Protestat masive për krizën ekonomike detyruan largimin e presidentit Gotabaya Rajapaksa.

Rezultati: Presidenti iku, por problemet ekonomike vazhduan për një kohë të gjatë.

5. Serbia

Pas tragjedisë së Novi Sadit, protestat studentore u shndërruan në lëvizjen më të madhe qytetare të viteve të fundit. Kryeministri dha dorëheqjen, por pushteti kryesor politik nuk u rrëzua.

Çfarë mund ta bëjë lëvizjen e protestave të suksesshme në përmbushjen e një misioni të kauzës shoqërore e politike?

Shanset rriten ndjeshëm vetëm nëse kauza e Zvërnecit shndërrohet nga një protestë mjedisore në një lëvizje të gjerë kundër korrupsionit, shpopullimit, kapjes së shtetit dhe modelit të qeverisjes, duke tërhequr grupe, shtresa e interesa shumë më të gjera shoqërore. Kjo është ajo që ndodhi në Armeni.

Në Shqipëri ka shumë më tepër arsye për kauzën dhe domosdoshmërinë e fshirjes së klasës parazitare politike nga viti 1991 e deri më sot.

Prandaj pyetja vendimtare nuk është nëse protesta e Zvërnecit do të vazhdojë edhe një javë më shumë, por nëse protesta do të arrijë të kthehet në një lëvizje kombëtare me bazë shumë më të gjerë sesa mbrojtja e një territori të vetëm. Historia tregon se pikërisht aty fillon mundësia reale e ndryshimit të pushtetit.

Një epokë e re ka filluar. Padyshim. Duhet mbështetur kauza, por duhet pasur syçeltësi nga mjeshtërit e manipulimeve. Kryefjala duhet të jetë interesi dhe krenaria kombëtare e lënduar thellësisht. Dhe zbutja e kësaj fyerje e lëndimi është shporrja sa më parë e qeverisë Rama e Rilindja, si turpi më i ulët që duruan shqiptarët këto 13 vitet e fundit rrënimtare.