Ag Apolloni: Në emër të popullit të Kosovës
NË EMËR TË POPULLIT TË
KOSOVËS

“In
the name of the people of Kosovo, the Panel finds you guilty”, kështu i tha
secilit nga katër të akuzuarit shqiptarë gjykatësi Charles Smith III, i cili
nuk e njeh gjuhën e popullit të Kosovës, por ia lejon vetes pa pikë turpi të
flasë në emër të këtij populli. Ky gjykatës ka qenë pjesë e EULEX-it gjatë
viteve 2010-2013. Pikërisht më 2013 Andrew Radin (shkencëtar i lartë politik në
RAND dhe zëvendësdrejtor i programit Master në Politikën e Sigurisë Kombëtare
në RAND School of Public Policy) ka shkruar artikullin “Analysis of current
events: towards the rule of law in Kosovo: EULEX should go”, që është publikuar
një vjet më vonë, më 2014, në revistën The Journal of Nationalism and
Ethnicity, që botohet nga Cambridge University Press. Lidhjet bëjini vetë!
Është
e çuditshme që EULEX erdhi në Kosovë në vitin e shpalljes së pavarësisë (2008),
pra pikërisht atëherë kur Kosova u shpall e pavarur dhe më s’kishte nevojë për
kurrfarë misioni të tillë. Ardhja e EULEX-it ka qenë kufizim i pavarësisë.
Ishte sikur të na thoshin: ju jeni të pavarur, por ne ju kontrollojmë, ju
sigurojmë, ju arrestojmë e ju dënojmë. Duket sikur Evropa nuk e dinte ç’kuptim
ka fjala shqipe “pavarësi”, as fjala greke “demokraci”, sepse na vunë nën
monitorim: Big Brother is watching you. Por, ky Big Brother jo vetëm që
s’arriti ta luftojë korrupsionin, por përfundoi disa herë me akuza serioze për
marrje ryshfeti. Gjithashtu, u kritikua për rezultate të dobëta në “luftën”
kundër krimit të organizuar, për gjyqësor të dobët, për mosvendosje të ligjit
në veri të Kosovës, për paqartësi objektivash, dhe, në përgjithësi, për dështim
në vendosjen e ligjit.
Më
2010, masha serbe, Dick Marty, raportues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit
të Evropës, hetoi pretendime për krime të rënda të lidhura me ish-pjesëtarë të
UÇK-së, përfshirë pretendimet për trafikim organesh. Ky “njeri” që ka emrin si
organ gjenital, aktivizoi EULEX-in, pra edhe Charles Smith III, për të hapur
një hetim paraprak. Më 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Dhomat e
Specializuara. Më 2018, një tjetër Smith, Jack Smith, mori frenat e Prokurorit
të Specializuar, pastaj më 2020 njoftoi aktakuzën kundër katërshes shqiptare të
Kosovës. Në fund të vitit 2022, ai Smithi me numrin romak III, u caktua
kryegjyqtar i trupit gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët, dhe, meqenëse
kishte ndenjur nja tri vjet në Kosovë, kujtoi se mund të dënonte njerëz në emër
të popullit të Kosovës. Ai, dhe krejt bota, duhet ta kuptojnë që asnjë shqiptar
i Kosovës nuk e ka mbiemrin Smith. Ndoshta, populli i Kosovës, sikur të kishte
mundësi, ata katër të akuzuarit do t’i rrihte me kamxhik për do punë nga viti
2000 e këndej, por jo për periudhën e luftës. Prandaj, është cinizëm i
patolerueshëm që gjykatësi i huaj t’i dënojë tanët në emrin tonë. Ata mund të
dënoheshin me këtë formulë: Në emër të EULEX-it..., Në emër të spiunëve të
Kosovës,... Në emër të ndonjë familjeje të dëmtuar, ... Por, kurrsesi në emër
të Kosovës. Charles, Jack, Dick e të tillë të tjerë, mund të na akuzojnë, mund
të na njollosin, ndoshta edhe mund të na vrasin, por në emrin tonë nuk mund të
flasin. Kosova është e pavarur dhe është e shqiptarëve. Minoritetet dhe miqtë i
trajtojmë mirë, sepse mikpritja dhe mirësjellja është e shenjtë për ne, por
s’lejojmë që të tjerët të flasin në emrin tonë, sidomos jo ata që as gjuhën
shqipe s’e dinë.
Kjo
farsa e sotme duhet t’ua hapë sytë shqiptarëve të Kosovës që t’i forcojnë
institucionet e veta dhe t’i besojnë shtetit të vet. Partitë duhet të bashkohen
dhe ta zgjedhin presidentin, e të mos e dëmtojnë buxhetin me shkuarje kot në
zgjedhje. Kosova është çliruar më 1999, kurse më 2008 është pavarësuar. Tash
është koha të bëhemi bashkë, t’i mbledhim forcat, t’i forcojmë institucionet,
ta forcojmë shtetin. Kosova është shtet dhe të huajt mund t’i ndihmojnë këtij
shteti, por s’mund ta dënojnë askënd në emër të këtij shteti, në emër të këtij
populli.
Në
emër të popullit të Kosovës do të flasë vetëm populli i Kosovës.
https://www.facebook.com/profile.php?id=100094275043325


