Gjon Keka: Kodi gjeopolitik i orientimit perëndimor - nga Gjergj Kastrioti te Ibrahim Rugova
Kodi gjeopolitik i orientimit perëndimor: Nga Gjergj Kastrioti te Ibrahim Rugova

Historia e kombit tonë ka prodhuar dy figura të papërsëritshme,
të cilat mishërojnë të njëjtin mision ekzistencial: lirinë, paqen dhe
orientimin e palëkundur drejt familjes europiane. Presidenti
vizionar dhe i urtë i Dardanisë, Ibrahim Rugova, dhe Kryeheroi, udhëheqësi i papërsëritshëm i Arbërisë dhe mbrojtësi i civilizimit
perëndimor, Gjergj Kastrioti, ndajnë të njëjtën linjë gjenetike në strategjinë
e tyre kombëtare.
Ashtu sikurse Gjergj Kastrioti mbajti lidhje të
fuqishme me Papët e kohës, veçanërisht me Kalikstin III dhe Piun II – i cili i
dha titullin më të lartë që një arbëror ka mbajtur ndonjëherë, atë të Atletit
të Krishtit (Athleta Christi) dhe Komandantit
të përgjithshëm të ushtrisë së Europës – ashtu edhe Presidenti Ibrahim Rugova ndërtoi
një lidhje të pathyeshme e shpirtërore me Papa Gjon Palin II.
Ky nuk ishte thjesht një veprim
diplomatik i rastit, por një kod i qartë gjeopolitik. Udhëheqja e urtë e Dr.
Ibrahim Rugovës arriti ta mbante popullin të bashkuar rreth kështjellës së
identitetit europian, pikërisht atëherë kur mbijetesa jonë rrezikohej më së
shumti. Ky orientim bëri që bota perëndimore, e prirë nga Shtetet e Bashkuara
të Amerikës, të ndërhynte për të sjellë shpëtimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Si në epokën e Skënderbeut, ashtu
edhe në atë të Rugovës, vërtetohet se lidhja e natyrshme dhe jetike e kombit
tonë është ajo me Vatikanin, familjen europiane dhe ShBA-në. Sot, në një kohë
turbullirash gjeopolitike, mungesa e këtyre dy gjigantëve ndihet thellë.
Mbrojtja e qenies sonë përmes urtësisë intelektuale, drejtësisë dhe ruajtjes së
dinjitetit europian mbetet testamenti më i madh që ata na lanë.


