Preng Gjok Lleshi: Kontributi shumëplanësh i Gjon Markut në ndriçimin e vlerave të Mirditës

1h më parë


Kontributi shumëplanësh i Gjon Markut në ndriçimin e vlerave të Mirditës

Nga Preng Gjok Lleshi

Në një kohë kur fjala shpesh humbet peshën e saj dhe kujtesa rrezikon të zbehet, ka ende njerëz që e mbajnë gjallë historinë, traditën dhe identitetin përmes penës. Të tillë janë ata që nuk shkruajnë vetëm për të treguar, por për të ruajtur, për të ndriçuar dhe për t'i dhënë brezave një pasuri shpirtërore që nuk shuhet. Në këtë rrugëtim të gjatë e të përkushtuar, një vend të veçantë zë edhe Gjon Marku, një emër që lidhet ngushtë me Mirditën, me historinë dhe me fjalën e shkruar me përgjegjësi e dashuri.

Krijimtaria e gjerë, e shtrirë në të gjitha fushat e letërsisë - pra në poezi, ese, tregime, romane, monografi, publicistikë e studime - e Gjon Markut, por mbi të gjitha mënyra e të shkruarit në këto gjini, të bën të mendosh se kemi të bëjmë me një njeri me këmbëngulje dhe vullnet të madh, me një përkushtim dhe dëshirë të pashuar për dije, si dhe me aftësi krijuese të jashtëzakonshme. Ai, si mjeshtër i fjalës artistike, shfaqet si një letrar dhe personalitet i spikatur, krijues e kontribues i shumëfishtë, por mbi të gjitha origjinal, me një profil individual të papërsëritshëm.

Mirdita është një krahinë që historikisht ka luftuar për mbrojtjen dhe çlirimin kombëtar, duke mbetur e pamposhtur si rrallë ndonjë trevë tjetër në territorin shqiptar. Që në kohën e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, kjo trevë shfaqi një qëndresë unike dhe i dha atdheut jo vetëm luftëtarë besnikë, por edhe figura të shquara si gjeneralët Pjetër Perlarti e Pal Kuka, si dhe ambasadorët e njohur, vëllezërit Gazulli (Gjon, Palë e Andre).

Edhe pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, kjo trevë dhe banorët e saj, trima dhe të mençur, mbetën të pandryshuar në karakterin e tyre: atdhetarë e fetarë, mikpritës dhe bujarë. Ata arritën të ruajnë territorin e tyre nga pushtuesit osmanë, duke gjetur mënyra të organizimit përmes kuvendeve krahinore e ndërkrahinore, të cilat shërbyen për organizimin e qëndresës dhe mbrojtjen e trojeve. Në këtë mënyrë, ata ruajtën gjuhën, fenë dhe traditat, por mbi të gjitha ndërtuan një sistem vetëqeverisës, të mbështetur në institucionin e kuvendit, duke e bërë Mirditën vatër të rëndësishme të qëndresës kombëtare shqiptare.

Gjon Marku lindi në Gëziq më 13 qershor 1967. Që herët, kjo trevë mbartte një trashëgimi të pasur historike: në Gëziq princët arbër ndërtuan Abacinë e Shën Premtes, duke e bërë atë kryeqendër të Principatës së Arbërit. Në portën e saj u muros mbishkrimi epigrafik i Gëziqit dhe stema e Arbërit, që më vonë u bë edhe stema e Dukagjinit. Ky mbishkrim u zbulua fillimisht nga Teodor Ipen, ndërsa më pas u studiua dhe u argumentua nga akademiku Dhimitër Shuteriqi. Këto fakte historike duket se e kanë nxitur që herët Gjon Markun, i cili jo vetëm i ka njohur, por edhe i ka sistemuar me kujdes në librin e tij "Ndërfana", duke i kushtuar një studim me vlerë vendlindjes së tij, Gëziqit të Arbërit, si kryeqendër e kësaj principate në vitet 1160-1216.

Si studiues, Gjon Marku, i mbështetur në dokumente arkivore dhe burime të shkruara, i grumbullon, i analizon dhe i ballafaqon ato, duke i pasuruar me të dhëna të reja dhe duke arritur në përfundime të qarta, logjike dhe të argumentuara.

Me një notë humori, po shtoj edhe disa vargje:

Në Gëziqin e bukur, në ato kodra,

Lind një djalë, shkruan për Mirditën.

O Gjon Marku, ty nder të pastë votra,

Si shkrimet e bardha, të ndritshme si ditën.

Unë dy vargje po shkruaj me shpirt,

E pena jote mos thaftë, u ndala.

E ajo ty kurrë mos t'u zhbiftë,

E ndër mote të zërë vend fjala.

Por le të kthehemi sërish te Mirdita, një reliev kodrinor-malore me njerëz që për pesë shekuj rresht luftuan pa ndërprerje kundër pushtimit osman. Kjo qëndresë tërhoqi vëmendjen e vizitorëve, udhëpërshkruesve dhe studiuesve të huaj, të cilët e përshkruan Mirditën si një trevë me tradita të forta, me njerëz të zgjuar, besnikë, mikpritës e bujarë. Ata i panë nga afër këto vlera në kullat e moçme, në odat e burrave dhe në rendin e jetës së rregulluar nga Kanuni.

Nisur nga kjo trashëgimi, Gjon Marku gjen një mënyrë origjinale për të sjellë në pah këto vlera. Krahas hulumtimit arkivor dhe dokumentimit gojor në terren, ai ndërmerr iniciativa për të takuar dhe intervistuar personalitete të shquara kombëtare e ndërkombëtare: akademikë, profesorë, shkrimtarë, gazetarë, artistë, instrumentistë, këngëtarë dhe klerikë të lartë. Me ta ai bashkëbisedon për Mirditën, për historinë, traditat dhe identitetin e saj.

Është e vështirë të përmenden të gjithë, por ndër ta spikasin: Dhimitër Shuteriqi, Ismet Elezi, Mark Tirta, Gjovalin Shkurtaj, Rexhep Meidani, Rexhep Qosja, Xherak Karaiskaj, Shefqet Hoxha, Hysen Kordha, Valter Shtylla, Fatmir Sulejmani, Zef Mirdita, Ahmet Osja, Moikom Zeqo, Pëllumb Xhufi, Kolec Topalli, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Peter Bartl, Mariana Graf, Clarissa de Val; si dhe klerikët Rrok Mirdita, Zef Simoni, Angelo Massafra, Kristoforo Palmieri, Dom Lush Gjergji, At Zef Pllumi e shumë të tjerë.

Janë rreth 200 intervista me personalitete të rangut të lartë, ku dallohen pyetjet e menduara me kujdes dhe të balancuara, duke sjellë dëshmi të vyera, shpesh të pathëna më parë, për Mirditën. Këto intervista janë përmbledhur në veprën "Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën", në dy volume, me rreth 1500 faqe, një kontribut i rëndësishëm dokumentar dhe studimor.

Në këto punime trajtohet roli i Mirditës në historinë kombëtare, në ushtrinë dhe diplomacinë e Skënderbeut, në ruajtjen e besimit dhe identitetit, si dhe në traditat e saj të veçanta. Po ashtu, në këtë "sofër" dijeje përfshihen edhe figura të spikatura mirditore, si Mark Tirta, Pal Nikolli, Luigj Gjoka, Ndue Dedaj, Nikoll Loka, Gjok Bci, Vitor Gjikola etj.

Gjon Marku ndriçon gjithashtu figura historike si vëllezërit Gazulli, Pjetër Perlati, Pal Kuka, si dhe personalitete të mëvonshme si Pashko Vasa, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Abat Doçi, Preng Bib Doda, Anton Çetta, Gjergj Rrapi e të tjerë.

Një nga veprat më të rëndësishme të tij është libri "Mirdita, vend i kuvendeve vetëqeverisëse", ku paraqiten kuvendet nga viti 1570 deri në vitin 1945, si institucione të qëndresës dhe të ruajtjes së identitetit kombëtar. Këto kuvende dëshmojnë për një organizim të lartë shoqëror dhe për një unitet të fortë ndërmjet 12 bajrakëve tw Mirditws.

Në këto kuvende trajtohen vendime të rëndësishme për jetën dhe organizimin e shoqërisë, duke përfshirë edhe kuvendet e mbledhura nga Bajrakwt e Ohrit apo ato të drejtuara nga Kol Toma qw quhen bajrakwt e mawsive tw Lezhws. Në to morën pjesë edhe krahina si Mati, Dibra, Kruja, Tirana e Malësia.

Këto institucione shërbyen si bazë për moszbatimin e ligjeve osmane në Mirditë, duke ruajtur si themel Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe kuvendin e burrave si institucionin kryesor të vetëqeverisjes.

Shkrimtari dhe studiuesi Gjon Marku, me penën e tij të artë, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ndriçimin e historisë dhe vlerave të Mirditës. Librat e tij ngjallin emocion, forcojnë ndjenjën e krenarisë dhe ushqejnë patriotizmin.

Ai është gjithashtu një filatelist i spikatur, i cili me përkushtim grumbullon, studion dhe publikon materiale me vlerë për filatelinë. Ndër veprat e tij dallohen "Mirdita në vizionin filatelik" dhe "Nënë Tereza në pullat postare të 118 shteteve të botës", kjo e fundit një punë e rrallë dhe e papërsëritshme.

Me një punë të palodhur, Gjon Marku ka botuar 36 libra, duke mbuluar fusha të ndryshme të krijimtarisë dhe studimit. Që nga viti 1990, ai ka arritur të botojë mesatarisht një libër në vit, duke ndërtuar një opus të pasur dhe të qëndrueshëm në kohë.

Do të dëshiroja që ai të vazhdojë me të njëjtin ritëm dhe përkushtim, duke na dhënë edhe në të ardhmen vepra me vlera të mëdha.

Për gjithë këtë kontribut, propozoj që Gjon Marku të nderohet me titullin "Qytetar Nderi i Mirditës".

Në fund, ajo që mbetet nuk janë vetëm librat e shkruar, por gjurma që lë pas një jetë e përkushtuar ndaj dijes, historisë dhe vendlindjes. Gjon Marku ka arritur ta bëjë këtë me dinjitet dhe këmbëngulje, duke lënë pas një trashëgimi që do të flasë gjatë për të. Dhe ndoshta ky është nderimi më i madh për një krijues: që fjala e tij të jetojë më gjatë se vetë koha. Prandaj, vlerësimi dhe mirënjohja për të nuk janë vetëm të merituara, por edhe një detyrim ndaj kontributit që ai i ka dhënë Mirditës dhe kulturës sonë kombëtare.

Prill 2026

Admin