Poezi nga Shahin Ibrahimi
Shahin Ibrahimi
Thellë në zemër mbeta Çam
Thellë në shpirtin tim të vrarë
Koha akuj ka skalitur
Qan një ëndërr dritë larë
Një kujtim me sytë përzhitur.
Udhëtoj e shkoj ndër vite
Shkel në shtigje të vështira
Prek balada edhe mite
Dhe krenar më ndrin fytyra.
Shumë dallgë më sulmuan
Herë për ballë e here nga pas
Por se kurrë s`më nënë shtruan
Nuk ma vranë të shpirtit gaz.
Mbeta gur në suferinë
Nëpër shekuj që pas lamë
Ndonëse kujt s`ja mbusha synë
Gjoksi im vjen era çam.
Valsi i vetëtimës
Aty pranë Jonit,në atë vënd poshtë reve
Ju prishën ëndërrat qelesheve të bardha
U trondita shumë nga vetëtima e një rrufeje
Pash fotografitë e të parëve,kur u hap dritarja.
Kujtimet mu zgjuan me mjegull pagjumësie
Për eshtrat e atyre që ngelën pa varrre
Dhe ku shërbëtorët kapardisen,në çilte zotërie
Duke vënë në fytyrë,një maskë delje-manare.
Dhe tallen pa fund me kujtimet e tim eti
Duke vënë para tij posoblloqe mesjetare
Në sytë e Europës po vdes amaneti
I kockave atyre që po shkrihen pa varre.
Çdo fjalë që ndëgjojmë si surum e marrim
Shpresën ushqejmë në dekadat që do vijnë
Se shirat që do bien të drejtën tonë do lagin
Mëngjezet e kthjellta,një ditë do të gdhijnë.
Koha na kaliti,mbijetuam midis ferrit
Pa kërkuar hua me shijen e fantazisë
Sot kjo vetëtimë shpresën time e përndezi
Që shkërmoqi prangat,hapi rrugën e lirisë.
Një krahinë në shuarje
Ah Çamëri,meraku ynë të breu
I bëre ballë furtunave të natyrës
Buzëqeshjen dhimbja ta mbërtheu me
Hipokrizi dhe thonjtë e egërsirës.
Ta fshinë emrin nga kujtesa
Kulturën tonë këngët dhe vallet
Hartën tënde e rrethuan me tel me gjëmba
Dhe bijtë e tu i mbytën hallet
Të hoqën gurët nga themeli
Në kryq mbërthyen gjuhën tonë
Habitur gjithë bota ngeli
Por askërkujt nuk ju bë vonë.
Na çuan larg prej dheut nënë
U shemb kujtimi i të parëve
Bastardët qeshin nënë hënë
Dhe politika e tradhëtarëve.
Të lanë të digjesh e shkretohesh
Ç`mallëkim të zunë ty o nënë
Por ti për jetë sdo harrohesh
Në zemrat tona ke zënë rrënjë










