Nexhmije Mehmetaj: Dygjuhësia – një urë mes gjuhës amtare dhe gjuhës së shkollës
Dygjuhësia – një urë mes gjuhës amtare dhe gjuhës së shkollës
Gjuha shqipe nuk është pengesë
për fëmijët tanë - përkundrazi, është një nga përfitimet e tyre më të mëdha.
Megjithatë, shumë prindër vazhdojnë të kenë dilema lidhur me përdorimin e saj
në familje dhe me dërgimin e fëmijëve në shkollat e mësimit plotësues të gjuhës
shqipe.

Në familjet
e emigrantëve, fëmijët rriten mes dy botëve gjuhësore: gjuhës shqipe apo gjuhës
së zemrës dhe gjuhës së shkollës që u hap rrugën integrimit dhe suksesit në shoqërinë
ku jetojnë. Shpesh, kjo situatë shihet si një sfidë. Por a është vërtet kështu?
Përvoja ime
shumëvjeçare si mësuese e gjuhës shqipe në Zvicër, së bashku me hulumtimet në
fushën e dygjuhësisë, tregojnë të kundërtën: dygjuhësia nuk është pengesë, por një
pasuri e çmuar.
Ne kemi vënë re se shumë prindër
shqiptarë, me qëllimin më të mirë, fillojnë t’u flasin fëmijëve shqip në vitet
e para të jetës, por me hyrjen në shkollë kalojnë pothuajse tërësisht në gjuhën
e vendit ku jetojnë. Frika se shqipja mund t’i “pengojë” fëmijët ose t’ua
vështirësojë mësimin e gjuhës së shkollës i shtyn drejt kësaj zgjedhjeje.
Megjithatë, studimet bashkëkohore dëshmojnë se kjo dilemë është e pabazuar
shkencërisht.
Rreziku real për fëmijët tanë është
humbja e shqipes. Mos zhvillimi i gjuhës amtare ndikon drejtpërdrejt edhe në
zhvillimin e gjuhës së dytë.
Kur shqipja
nuk flitet më në familje dhe nuk mësohet në mënyrë të rregullt në shkollë, ajo
fillon të humbas. Me të zbehet edhe lidhja me rrënjët, kulturën dhe
identitetin.
Ndërkohë, e
kundërta është po aq e vërtetë: një bazë e fortë në gjuhën amtare e ndihmon
fëmijën të mësojë më mirë edhe gjuhët e tjera.
Gjuha shqipe
ndihmon edhe në suksesin e përgjithshëm shkollor. Hulumtimet e pedagogut dhe albanologut zviceran Basil Schader e
vërtetojnë qartë këtë. Duke folur për rëndësinë e mësimit plotësues, ai
thekson:
“...mësimi plotësues forcon jo vetëm themelet në
gjuhën amtare, por e mbështet gjithashtu integrimin dhe socializimin shkollor
në një kuptim më të gjerë.”
Sipas tij, mësimi plotësues zhvillon jo vetëm
gjuhën dhe kulturën shqipe, por edhe aftësi të rëndësishme si teknikat e të
punuarit dhe strategjitë e të mësuarit—kompetenca që ndikojnë drejtpërdrejt në
suksesin shkollor.
Ai thekson gjithashtu:
“Nxënësit që e ndjekin mësimin plotësues shqip
arrijnë nota pak më të mira edhe në lëndën ‘gjuha gjermane’. Notat e tyre,
mesatarisht, janë më të larta se ato të nxënësve që nuk e ndjekin këtë mësim.
Nga mbështetja e kompetencave gjuhësore në gjuhën amtare del edhe një përçues pozitiv
në mësimin e gjermanishtes.”
Dygjuhësia (bilingualizmi), sipas J.B. Marcellesi,
është aftësia për të përdorur dy gjuhë. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërish një
nivel të barabartë në të dyja gjuhët, por një funksionim të natyrshëm të tyre
në situata të ndryshme. Ky fenomen lidhet ngushtë me zhvillimin kognitiv,
identitetin dhe integrimin social.
Sipas studiuesit zviceran Laurent Gajo, dallohen dy
forma të dygjuhësisë:
- Dygjuhësia shtuese, kur
gjuha e re e pasuron dhe nuk dëmton gjuhën amtare;
- Dygjuhësia zvogëluese, kur
gjuha e re zëvendëson gradualisht gjuhën amtare.
Ai thekson ...”në shumë raste të fëmijëve shqiptarë
në Zvicër, vërehet rreziku i dygjuhësisë zvogëluese: shqipja mësohet në
fëmijëri, por më pas humbet për shkak të mungesës së përdorimit dhe mbështetjes
në shkollë”. Mungesa e gjuhës shqipe sjell jo vetëm humbje gjuhësore, por edhe pamundësinë
për të krijuar një dygjuhësi tek fëmijët. Në vend që fëmija të edukohet me dy
gjuhë shqip dhe një gjuhë tjetër ata mbesin me një gjuhë duke humbur gjuhën
amtare.
Mësimi i
gjuhëve - zhvillon të menduarit
Shkenca ka vërtetuar se mësimi i gjuhëve të
ndryshme zhvillon trurin e fëmijës. Zona të caktuara të tij aktivizohen për të
njohur tinguj të rinj dhe për të menaxhuar përdorimin e dy gjuhëve. Kjo do të
thotë se fëmijët nuk i pengon përkundrazi, ata mësojnë të kalojnë me lehtësi
nga një gjuhë në tjetrën.
Natyrisht, gjendja e dygjuhësisë ajo që shpesh
quhet “përzierje gjuhësh”, si kur një fëmijë përdorë fjalë nga gjuha e dytë në
një fjali në gjuhën amtare është një dukuri krejtësisht normale. Në gjuhësi
quhet alternim i kodit ( code-switching )dhe është dëshmi e një mendjeje aktive
që përdor të gjitha burimet gjuhësore për të komunikuar.
Si mund t’i
ndihmojmë fëmijët tanë ?
Sipas gjuhëtarit zviceran François Grosjean,
ekzistojnë disa mënyra të thjeshta dhe efektive për të rritur fëmijë dygjuhësh:
- Një prind – një gjuhë:
secili prind i flet fëmijës në një gjuhë të caktuar.
- Një gjuhë në shtëpi, një tjetër jashtë saj: në familje përdoret gjuha amtare, ndërsa jashtë gjuha e vendit ku
jetoni.
- Fillimisht gjuha amtare, pastaj gjuha tjetër: ndërtohet fillimisht një bazë e fortë në gjuhën amtare, mandej
ndërtohet një gjuhë e dytë.
Këto strategji nuk janë rregulla të ngurta, por
udhëzime që ndihmojnë prindërit të krijojnë një mjedis të pasur gjuhësor.
Përfitimet
që zgjasin gjithë jetën
Fëmijët dygjuhësh kanë përparësi të shumta: ata
janë më sigurt në të menduar, më krijues dhe më të aftë në zgjidhjen e
problemeve. Dygjuhësia rrit gjithashtu dëshirën dhe besimin në vetvete, duke i
ndihmuar fëmijët të ndihen të sigurt në identitetin e tyre.
Edhe Këshilli i Evropës e vlerëson shumë gjuhësinë
si një çelës për suksesin në botën e sotme, duke nxitur dialogun ndërkulturor
dhe mundësitë për arsimim dhe punësim.
Një mesazh
për prindërit
Mos kini frikë nga gjuha
shqipe. Ajo nuk i pengon fëmijët tuaj—përkundrazi, i ndihmon në suksesin e
përgjithshëm shkollor. Flisni me ta, lexoni, tregoni histori dhe mbajeni gjallë
gjuhën e zemrës. Megjithatë, familja nuk mund ta zëvendësojë shkollën; prandaj,
dërgojini fëmijët në shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Duke
përvetësuar dijet si në gjuhën amtare, ashtu edhe në gjuhën e shkollës, fëmija
zhvillohet si dygjuhësh. Shqip- gjermanisht, shqip frëngjisht etj.
Dygjuhësia nuk
është një barrë për fëmijën.
Ajo është një urë—që e lidh me familjen, me shkollën dhe me botën.
Nexhmije
Mehmetaj
Gjenevë, 30.04.2026










