Lekë Mrijaj: Vehbi Miftari dhe dinjiteti diplomatik i Kosovës në Selinë e Shenjtë-Vatikanit
Vehbi Miftari dhe dinjiteti diplomatik i Kosovës në Selinë e Shenjtë - Vatikanit
Shkruan: Lekë MrijajUshtruesja
e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, duhet
të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme në raport me përfaqësuesit diplomatikë të
Kosovës të akredituar në shtetet e botës demokratike, e në mënyrë të veçantë në
raport me përfaqësimin tonë pranë Selisë së Shenjtë – Vatikanit.
Lirimi
nga detyra i ambasadorit Vehbi Miftari, i cili gjatë mandatit të tij dyvjeçar
është dëshmuar me punë, përkushtim, dinjitet dhe kulturë diplomatike, nuk duhet
të mbetet një akt formal administrativ, pa shpjegim publik dhe pa arsyetim
institucional. Në diplomaci, sidomos në raport me Selinë e Shenjtë, çdo veprim nuk
vlerësohet vetëm sipas germës së dekretit, por edhe sipas hijes që ai lë pas në
kujtesën politike, kulturore dhe ndërkombëtare.
Republika
e Kosovës, si shtet i ri në botë dhe ende në kërkim të njohjeve të plota
ndërkombëtare, ka nevojë për shumë kujdes, maturi dhe fisnikëri institucionale.
Sidomos kur bëhet fjalë për Vatikanin, ku Kosova ende nuk është njohur
zyrtarisht nga Selia e Shenjtë, çdo hap duhet të bëhet me ndjeshmëri të lartë
diplomatike. Aty nuk përfaqësohet vetëm një zyrë, një mandat apo një emër, por
aty përfaqësohet kujtesa jonë historike, dhimbja jonë kombëtare, shpresa jonë
shtetërore dhe kultura jonë evropiane.
Ambasadori
Vehbi Miftari, si shefi i parë i Misionit të Republikës së Kosovës në Vatikan,
ka bartur mbi vete një përgjegjësi të veçantë. Ai, në detyrën e tij, nuk ka
qenë vetëm përfaqësues administrativ i shtetit, por edhe urë e parë zyrtare
ndërmjet Kosovës dhe njërit prej institucioneve më të rëndësishme morale,
shpirtërore dhe diplomatike të botës. Ura të tilla nuk ndërtohen lehtë. Ato
ndërtohen me qëndresë, me kulturë, me fjalë të matura dhe me praninë e qetë të
njeriut që di ta përfaqësojë vendin e vet pa zhurmë, por me dinjitet.
Prandaj,
znj. Albulena Haxhiu, në pozitën që mban, duhet të veprojë konform me
profesionalizëm të plotë, me transparencë dhe me një etikë kulturë të lartë
shtetërore. Vendimet e saja politike dhe institucionale nuk guxojnë të duken si
veprime të ngutshme, as si akte që krijojnë hije të panevojshme mbi imazhin e
Republikës së Kosovës. Një shtet serioz nuk e peshon fuqinë e vet me mënyrën se
si i ndërpret mandatet, por me mënyrën se si i nderon shërbëtorët e tij publikë
dhe se si e ruan vazhdimësinë e marrëdhënieve të ndërtuara me mund.
Kosova
ka nevojë për diplomaci të pjekur dhe të urtë, jo për gjeste papjekurie që mund
të lexohen si nervozizëm politik. Ka nevojë për kulturë republikane
euroatlantike, jo për vendime që lënë pas paqartësi. Pikërisht ka nevojë për
njerëz që dinë ta ruajnë kredibilitetin e shtetit nga hijet e përçarjes dhe ta
ngrisin atë në dritën e seriozitetit ndërkombëtar.
Në
këtë rast, nuk është fjala vetëm për një ambasador. Është fjala për mënyrën se
si Republika e Kosovës sillet me vetveten. Është fjala për fytyrën që ia
tregojmë botës. Është fjala për kujdesin që duhet ta kemi ndaj Selisë së
Shenjtë-Vatikanit, një adrese ku fjala, heshtja, gjesti dhe simboli kanë peshë
të madhe.
Prandaj,
lirimi nga detyra i ambasadorit Vehbi Miftari duhet të shoqërohet me arsyetim
të denjë, me respekt institucional dhe me kujdes të veçantë, në mënyrë që të
mos dëmtohen raportet e ndërtuara me aq mund. Sepse në diplomaci, si në kulturë
dhe në histori, jo çdo gjë që bëhet me dekret mbetet vetëm në letër. Disa
vendime mbeten si gjurmë në kujtesën e shtetit.
Republika
e Kosovës nuk duhet t’i japë vetes hije të zezë në një vend ku ende kërkon
dritë njohjeje. Ajo duhet të ecë me dinjitet, me maturi dhe me përgjegjësi,
sepse në Vatikan nuk shkohet vetëm me protokoll diplomatik, por edhe me
kulturë, me përulësi dhe me vetëdijen se atje përfaqësohet një popull, siç janë
shqiptarët, që ka vuajtur shumë, por që dëshiron të njihet si popull i paqes, i
qytetërimit dhe i dinjitetit evropian.
Klinë, 30 prill 2026










