Ilir Çumani: Zëra që përbashkonin një komb
ZËRA QË PËRBASHKONIN NJË KOMB
(Në
kujtesë dhe nderim për Andon Mazrekun, Ismet Bellovën, Skifter Këlliçin, Ahmet
Shqarrin dhe Vladimir Grillon, etj.)

Shqipëria
e dekadave të izoluara ishte një nga ato hapësira ku realiteti shpesh merrte
ngjyrë gri, nën peshën e një shoqërie kolektive të lodhur dhe të paorientuar
drejt së ardhmes, ndërsa shpresa përpiqej të gjente forma të tjera mbijetese,
të heshtura, por këmbëngulëse. Ishte një kohë kur horizontet ngushtoheshin jo
vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht, dhe kur çdo dritë, sado e vogël, merrte
përmasat e një shprese të madhe për shpëtim.
Pikërisht
në këtë realitet të kufizuar, në atë terr të butë e të përditshëm, ku jeta
rridhte nën një ritëm të kontrolluar dhe shpesh të zymtë, u ngritën disa zëra
që nuk i përkisnin thjesht spikerimit radiofonik, por një dimensioni shumë më
të thellë: shpirtit të një populli që kërkonte, ndoshta pa e artikuluar
plotësisht, të çlironte vetveten nga një makth i gjatë dhe i pafund.
Atëkohë
spikatën disa emra të shquar të një plejade të rrallë, që i përkisnin një brezi
që e kuptoi me intuitë dhe përgjegjësi se mikrofoni nuk ishte vetëm një mjet
teknik komunikimi, por një urë e ndërlikuar dhe e çuditshme emocionale, përmes
së cilës nuk transmetoheshin thjesht ndeshje futbolli, por mesazhe të
shumëkuptimta, nëntekste të heshtura dhe sinjale të një zgjimi të brendshëm
kolektiv. Ishte një komunikim që kapërcente kufijtë e fjalës dhe hynte
drejtpërdrejt në përjetimin emocional të dëgjuesit.
Zërat
magjepsës, plot timbre, nuanca dhe gjallëri, të Andon Mazrekut, Ismet Bellovës,
Skifter Këlliçit, Vladimir Grillos, Ahmet Shqarrit etj, që përhapeshin përmes
valëve të radios dhe përthitheshin me etje nga fushat e blerta e deri në skajet
më të largëta të vendit, krijuan një simfoni të pambarimtë dhe të
pazëvendësueshme të shpirtit të lirë dhe të paepur në kujtesën kolektive
shqiptare. Ata nuk ishin thjesht zëra – ishin përjetime, ishin energji, ishin
një lloj muzike e brendshme që shoqëronte një shoqëri të tërë.
Ata
nuk ishin vetëm transmetues dhe përshkrues të lojës përmes fjalës. Në thelb,
ishin krijues të një bote paralele, një universi alternativ, ku fusha e blertë
nuk ishte thjesht një terren sportiv, por një hapësirë simbolike e lirisë. Në
një vend ku kufijtë ishin të mbyllur dhe horizontet tkurreshin dita-ditës, ajo
fushë e blertë shndërrohej në një metaforë të hapjes, të lëvizjes, të mundësisë
për të ëndërruar, për të shpresuar dhe për të fluturuar përtej kufizimeve të
realitetit – lart, shumë lart, në qiejt e paanë të lirisë së munguar.
Zëri
i tyre kishte një funksion që edhe sot mbetet i vështirë për t’u riprodhuar në
të njëjtën mënyrë. Ata zëra nuk transmetonin vetëm teknikën e lojtarëve apo
zhvillimin e aksioneve në fushë, por përkthenin emocionin në një gjuhë të
përbashkët, të kuptueshme për të gjithë, duke krijuar një ndjesi uniteti që
rrallëherë mund të arrihet përmes mjeteve të tjera.
Kur
topi afrohej drejt portës, nuk ishte më thjesht një moment sportiv. Ishte një
çast i përbashkët ankthi dhe shprese, një ndërthurje e brishtë mes triumfit të
mundshëm dhe zhgënjimit të menjëhershëm, një puls i vetëm që rrihte në mijëra
zemra dhe në mijëra shtëpi, nga qyteti në fshat, nga jugu në veri.
Në
ato çaste, Shqipëria e izoluar nuk ishte më një territor i fragmentuar në
hapësira të ndara, por bëhej një trup i vetëm, një organizëm i gjallë që
dëgjonte një zë… një zë të vetëm, që shndërrohej në zërin e ndërgjegjes
kolektive, të kurajos, të sakrificës dhe triumfit.
Këta
ikona të spikerimit, të këtij arti të veçantë, magjepsës dhe thellësisht
kreativ, krijuan një mekanizëm të rrallë identifikimi. Dëgjuesi nuk mbetej më
spektator pasiv; ai shndërrohej në pjesëmarrës aktiv, madje në një protagonist
të brendshëm të lojës, pa qenë fizikisht në fushë, por duke e përjetuar atë në
mënyrë të plotë dhe intime.
Zëri
i tyre depërtonte thellë në imagjinatë dhe ndërtonte pamje që shpesh ishin më
të gjalla dhe më të fuqishme se vetë realiteti vizual. Kjo ishte fuqia e tyre e
jashtëzakonshme: ta bënin çdo ndeshje, sado të largët në hapësirë, të ndodhte
brenda teje, në një teatër të brendshëm emocional, ku çdo aksion merrte kuptim
personal.
Roli
i këtyre spikerëve radiofonikë, në të vërtetë ishte shumë më i thellë sesa
dukej në pamje të parë. Ata sollën një formë të pastër dhe të sinqertë gëzimi
në një shoqëri që kishte shumë pak hapësira për ta shprehur atë lirshëm.
Futbolli, i transmetuar nga këta zëra, nuk ishte thjesht një disiplinë në
sport, por një formë çlirimi emocional, një kanal për të shkarkuar tensionet e
grumbulluara të përditshmërisë.
Një
gol nuk ishte vetëm një rezultat në rrjetë, por më së shumti ishte edhe një
shpërthim kolektiv, një çarje e përkohshme në murin e heshtjes dhe të rëndesës
së realitetit, një moment kur emocionet lejoheshin të dilnin në sipërfaqe pa
frikë.
Dhe
pikërisht këtu qëndron edhe dimensioni antropologjik i këtij fenomeni. Këta
spikerë ishin, në thelb, tregimtarë modernë – pasardhës të një tradite të
lashtë njerëzore: nevojës për rrëfim, për ndarje përvojash dhe për ndërtimin e
një ndjenje përbashkësie.
Në
mungesë të shumë formave të tjera të komunikimit, ata u shndërruan në “zjarrin”
simbolik rreth të cilit mblidhej komuniteti. Në vend të miteve dhe legjendave
të dikurshme, ata rrëfenin ndeshje futbolli me të njëjtin pasion, me të njëjtin
intensitet dramatik dhe me të njëjtën aftësi për të krijuar identitet kolektiv.
Fusha
e blertë, në këtë këndvështrim, ishte shumë më tepër sesa një hapësirë loje.
Ajo ishte një dritare e vogël, por e çmuar, drejt botës së jashtme, ishte edhe
një mundësi për shqiptarët që të ndiheshin pjesë e një ritmi më të madh, më të
gjallë, më universal. Dhe këta zëra, si Mazreku, Bellova, Këlliçi, Grillo,
Shqarri, etj, ishin ata që e mbanin hapur këtë dritare, çdo herë që niste një
ndeshje.
Sot,
në një epokë të mbingarkuar me imazhe, tinguj dhe përmbajtje virtuale, është e
vështirë, madje shumë e vështirë të kuptohet plotësisht pesha dhe ndikimi i
asaj që ata përfaqësonin në kohën e tyre. Teknologjia ka sjellë afërsi vizuale,
por jo domosdoshmërisht thellësi emocionale.
Megjithatë,
kujtesa kolektive mbetet e gjallë. Ajo i ruan këta zëra si bartës të një drite
të veçantë, si figura që nuk ishin vetëm profesionistë të shkëlqyer, por edhe
krijues të rrallë emocionesh, arkitektë të padukshëm të gëzimit dhe të shpresës
në një kohë të vështirë.
Sepse,
në fund të fundit, ajo që mbetet në kujtesën tonë nuk janë thjesht ndeshjet e
panumërta që ata transmetuan, por ndjesia që ndezën në zemrat dhe në shpirtrat
e njerëzve kudo ata mdodheshin.
Dhe
kjo ndjesi vazhdon të jetojë ende sot, si një jehonë e largët, por e ngrohtë,
që na rikthen në një kohë kur një zë i vetëm kishte fuqinë të ndriçonte një
komb të tërë…
Mirënjohje
e pafund për këto emblema të spikerimit, që përmes zërit të tyre nga fushat e
blerta nuk përcollën vetëm lojën e sportistëve tanë, por mbollën në çdo shtëpi
shqiptare emocionin, krenarinë dhe ndjesinë e rrallë të përkatësisë.
Tiranë, e martë - 28
prill, 2026









