Albert Vataj: Udha që të shpie te dija, sipas gjigandëve të mendimit filozofik

Udha që të shpie te
dija, sipas gjigandëve të mendimit filozofik, nga Sokrati, Platoni, Aristoteli
te David Hume
Përgatiti
Albert Vataj
Që
nga agimi i mendimit filozofik, udha drejt dijes ka qenë një udhëtim i
brendshëm dhe i jashtëm, një përpjekje për të zbuluar jo vetëm të vërtetat e
botës, por edhe të vetes. Filozofia, si art i të menduarit të kthjellët dhe i
të pyeturit pa frikë, ka qenë udhërrëfyesi më i besueshëm në këtë rrugëtim. Nga
hijet e shpellës së Platonit te skepticizmi i thellë i David Hume-it, çdo
mendimtar ka ndërtuar një gur në rrugën që na shpie te dija, një rrugë që nuk
është e sheshtë, por e mbushur me kthesa, dyshime, përplase, ndriçime dhe
përballje me të panjohurën.
Udha
drejt dijes është ndër sfidat më të qenësishme të jetës njerëzore, sepse ajo
është udha që i ka dhënë njeriut mundësinë të shohë përtej të njohurës, të
guxojë përballë të panjohurës, të sfidojë të keqen dhe t’i japë kuptim botës që
e rrethon. Dija ka qenë arma më e fortë për përparimin, për zgjidhjen e
problemeve, për ngritjen e civilizimeve dhe përmirësimin cilësor të jetës së
njeriut. Megjithatë, ajo kurrë nuk ka qenë një justifikim për urrejtje, armiqësi,
zili apo ego të sëmurë – veset që shpesh e kanë përshkuar historinë duke lënë
pas lumenj gjaku.
Sokrati
Sokrati,
babai i filozofisë perëndimore, e nisi udhën e tij me një pranimi të madh: “Unë
e di se nuk di asgjë”. Për të, dija e vërtetë lindte nga vetëdija e kufijve
tanë dhe nga guximi për të pyetur. Me metodën e dialogut dhe pyetjeve të
njëpasnjëshme (maieutika), Sokrati besonte se e vërteta nuk jepet, por lind
nëpërmjet bisedës, duke nxjerrë dritën e dijes nga brenda shpirtit njerëzor.
Platoni
Platoni,
nxënësi i tij, e ngriti këtë vizion në një sistem të tërë filozofik. Për të,
dija nuk kufizohej te shqisat, por kishte burimin e saj në botën e ideve – një
realitet i përjetshëm dhe i pandryshueshëm. Shembulli i famshëm i shpellës në
Republika është metafora e njeriut që jeton i burgosur në hijet e iluzioneve,
por që përmes arsyes filozofike mund të ngrihet drejt dritës së së vërtetës
absolute.
Aristoteli
Aristoteli,
dishepulli i Platonit dhe mësuesi i Aleksandrit të Madh, e ndryshoi radikalisht
qasjen. Ai i besoi përvojës shqisore dhe vëzhgimit empirik si themel të
njohjes. Për Aristotelin, mendja njerëzore është si një laborator i aftë të
renditë, klasifikojë dhe analizojë të dhënat që na sjell përvoja. Me këtë
qasje, ai vendosi themelet e logjikës, shkencave natyrore dhe metodës racionale
të kërkimit.
René Descartes
Shekuj
më vonë, në epokën moderne, René Descartes solli një kthesë të re: dyshimi
metodik. Fjalët e tij të pavdekshme, “Cogito, ergo sum” – “Unë mendoj, pra
ekzistoj” – e shënuan mendimin si themelin e dijes së sigurt. Për Descartes,
arsyeja ishte instrumenti suprem i së vërtetës, ndërsa çdo gjë tjetër duhej
kaluar në sitën e dyshimit përpara se të pranohej si e vërtetë.
Immanuel Kant
Immanuel
Kant, një nga mendjet më të ndritura të Iluminizmit, u përpoq të ndërtonte një
urë midis racionalizmit dhe empirizmit. Ai argumentoi se njohuria lind nga
ndërveprimi i mendjes me përvojën: shqisat na japin të dhënat, por mendja i
strukturon ato përmes kategorive të saj të brendshme. Megjithatë, ai paralajmëroi
se ekziston gjithmonë diçka e paarritshme për mendjen njerëzore – “vetë gjëja”
(das Ding an sich) – që ne nuk mund ta njohim kurrë plotësisht.
John Locke
Në
Angli, John Locke solli një tjetër këndvështrim. Për të, mendja e njeriut në
lindje është një tabula rasa – një tabelë e zbrazët, ku përvoja dhe ndërveprimi
me botën e jashtme gdhendin njohuritë. Kjo teori empiriste theksonte se përvoja
është burimi kryesor i dijes dhe se asgjë nuk hyn në mendje pa kaluar më parë
nga shqisat.
David Hume
David
Hume e çoi empirizmin edhe më tej, duke e bërë atë më kritik dhe skeptik. Ai
hodhi dyshime mbi mundësinë e arritjes së njohurive absolute. Sipas tij, mendja
nuk ka akses në të vërtetat e përjetshme; ajo mbështetet në zakon dhe përvojë
për të ndërtuar pritshmëri dhe besime. Për shembull, lidhja shkak-pasojë nuk
është një e vërtetë e domosdoshme, por një zakon që ne formojmë nga përsëritja
e ngjarjeve.
Nga
Sokrati te Hume, udha e dijes është një rrugëtim i gjatë mes dy poleve: arsyes
dhe përvojës. Secili prej këtyre mendimtarëve të mëdhenj na lë një trashëgimi
të çmuar mbi mënyrën se si mund ta kuptojmë botën dhe veten. Dhe ndoshta,
pyetja që mbetet e hapur për secilin prej nesh është: a e gjejmë të vërtetën në
mendimin e pastër, në përvojën shqisore, apo në një ndërthurje të të dyjave?















