Nexhmije Mehmetaj: Në Gjenevë u kujtuan dëshmorët e kombit dhe rruga e gjatë drejt lirisë

Në Gjenevë u kujtuan dëshmorët e kombit dhe rruga e gjatë drejt lirisë
“Larg
trojeve shqiptare, por gjithmonë pranë kujtesës kombëtare, shqiptarët e
mërgatës vazhdojnë të ruajnë me përkushtim historinë, gjuhën dhe amanetin e
dëshmorëve. Në këtë frymë, në Gjenevë u organizua një mbrëmje përkujtimore
kushtuar 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve të Kombit.”

Në një atmosferë të mbushur me emocion, kujtesë historike
dhe ndjenjë të thellë kombëtare, më 8 maj 2026, Shoqata Komuniteti Shqiptar në
Gjenevë organizoi një mbrëmje përkujtimore kushtuar 5 Majit – Ditës së
Dëshmorëve të Kombit. Aktiviteti u mbajt në sallën Centre de quartier de
l’Étang, ku u mblodhën bashkatdhetarë të shumtë nga Gjeneva dhe rrethina,
veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarë dëshmorësh, veprimtarë të
çështjes kombëtare dhe përfaqësues të shoqatave shqiptare në Zvicër.
Mbrëmja nisi me interpretimin solemn të Himnit të Flamurit,
duke krijuar që në fillim një atmosferë dinjitoze dhe përplot ndjenjë atdhedashurie.
Programin e hapi Linda Rexhaj Maliqi, e cila me kulturë dhe elegancë
përshëndeti të pranishmit dhe u uroi mirëseardhje në këtë aktivitet
përkujtimor.
Fjalën kryesore të mbrëmjes e mbajti kryetari i shoqatës,
Nasuf Nuhiu, i cili theksoi rëndësinë e kësaj date për kombin shqiptar. Ai u
shpreh se 5 Maji është dita kur shqiptarët, kudo që jetojnë, bashkohen për të
nderuar sakrificën e dëshmorëve dhe për të kujtuar ata që dhanë jetën për liri.
“Sot përulemi me respekt para dëshmorëve të kombit, të cilët
mbeten pjesa më e lavdishme e historisë sonë. Falë gjakut dhe sakrificës së
tyre ne sot gëzojmë lirinë. Emrat dhe vepra e tyre duhet të jetojnë përherë në
mendjet dhe zemrat tona”, tha ndër të tjera Nuhiu.
Një pjesë e veçantë e programit iu kushtua dëshmorit Kenan
Halimi, i cili nga Gjeneva ishte nisur drejt Kosovës për t’iu bashkuar luftës
çlirimtare. Të pranishmit ndoqën një fragment dokumentari kushtuar jetës dhe
heroizmit të tij deri në momentin e rënies. Përmes këtij prezantimi u rikujtua
vendosmëria dhe përkushtimi i brezit që iu përgjigj thirrjes së atdheut në
ditët më të vështira të Kosovës.
Për jetën dhe veprën e dëshmorit foli Hajrush Sadiku,
familjar i tij, i cili me emocione kujtoi rininë e ndërprerë nga lufta dhe
amanetin që dëshmorët ua lanë brezave – ruajtjen e lirisë dhe të kujtesës
kombëtare. Një moment veçanërisht prekës ishte prania në sallë e nënës së
dëshmorit Kenan Halimi, e cila emocionoi të gjithë të pranishmit.
Në vazhdim, Nerxhivane Sejdiu-Ferati, anëtare e kryesisë së
shoqatës, interpretoi një poezi kushtuar dëshmorit Kenan Halimi, duke i dhënë
mbrëmjes një dimension të ndjerë artistik dhe emocional.
Më pas, Avni Azemi, vëllai i dëshmorit Nijazi Azemi –
Komandant Mjekrra, foli për sakrificën e dëshmorëve dhe rrugën e tyre drejt lirisë.
Ai rikujtoi edhe një thënie të komandantit: “Nuk mund të rri i qetë në Zvicër
derisa ushtria serbe bën masakra në tokat tona”, fjalë që pasqyrojnë
vendosmërinë dhe idealin e luftëtarëve të lirisë.
Shkrimtari dhe ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Avni Azizi, solli para të pranishmëve një pasqyrë të rrugës historike të
përpjekjeve shqiptare për çlirim. Në fjalën e tij ai theksoi se Ushtria
Çlirimtare e Kosovës ishte rezultat i një organizimi dhe rezistence të gjatë
kombëtare, të mbështetur nga veprimtaria ilegale, burgjet politike, mërgata
shqiptare dhe sakrifica e brezave.
Programi artistik vijoi me interpretimin e poezisë “Bijtë e
humbur” nga Blerim Bunjaku, e cila u prit me emocione nga publiku dhe solli një
tjetër moment reflektimi mbi dhimbjen dhe krenarinë kombëtare.
Një pjesë e rëndësishme e mbrëmjes iu kushtua edhe
promovimit të librit “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar” të Prof. Dr. Xhevat
Hasani. Në prezantimin e tij, profesori trajtoi çështje që lidhen me
identitetin kombëtar shqiptar, rolin e gjuhës, flamurit dhe kujtesës historike
si themele të pandashme të qenies sonë kombëtare.
Para të pranishmëve, fjalën e mori bashkatdhetari Jakup
Halimi, një ndër mërgimtarët e brezit të parë shqiptar në Gjenevë. Ai kishte
lënë Kosovën në vitin 1974 dhe kishte ardhur në Zvicër si pasojë e përndjekjes
politike nga regjimi serb. Për shkak të veprimtarisë së tij patriotike në
kuadër të grupit të Hidajet Hyseni, ai kishte vuajtur pesë vite burg politik në
burgjet e ish-Jugosllavisë.
“Kam qenë pjesë e treshes”, u shpreh ai ndër të tjera, duke
rikujtuar periudhën e rezistencës dhe sakrificës së veprimtarëve shqiptarë të
kohës.
Në fjalën e tij, Jakup Halimi dëshmoi për rrugën e gjatë dhe
të mundimshme të përpjekjeve për lirinë e Kosovës, duke sjellë para të
pranishmëve kujtime dhe përjetime nga një periudhë e rëndë, por krenare e
historisë sonë kombëtare.
Në përmbyllje të programit artistik, grupi “Hareja”, nën
udhëheqjen e solistit Bardh Ramadani, interpretoi këngën “Mora fjalë”, një nga
këngët më emblematike të repertorit patriotik shqiptar, e cila tashmë është
kthyer në simbol të kujtesës dhe nderimit për Adem Jashari dhe gjithë
sakrificën e bërë për lirinë e Kosovës. Interpretimi u përcoll me emocione të
forta nga të pranishmit, të cilët në heshtje dhe respekt përjetuan vargjet e
këngës që rikujtojnë heroizmin, qëndresën dhe idealin e luftëtarëve të lirisë.
Në sallë u krijua një atmosferë e veçantë krenarie, mallëngjimi dhe bashkimi
shpirtëror, ku shumë bashkatdhetarë iu bashkuan këngës, duke e kthyer atë në
një moment kulmor të mbrëmjes përkujtimore.
Organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit,
familjarët e dëshmorëve, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
përfaqësuesit e shoqatave shqiptare dhe bashkatdhetarët që me praninë e tyre i
dhanë kësaj mbrëmjeje një dimension të veçantë njerëzor dhe kombëtar. Ata
theksuan se aktivitete të tilla nuk janë vetëm ngjarje përkujtimore, por edhe
ura që lidhin brezat me historinë, sakrificën dhe identitetin kombëtar
shqiptar.
Pas përfundimit të programit, të pranishmit vazhduan
bashkëbisedimin në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore gjatë një aperitivi të
organizuar nga Shoqata Komuniteti Shqiptar në Gjenevë. Takimet, kujtimet dhe
bisedat mes bashkatdhetarëve dëshmuan edhe një herë forcën e lidhjeve që
mërgata shqiptare ruan me atdheun dhe me njëri-tjetrin.
Mbrëmja përkujtimore në Gjenevë dëshmoi se, edhe larg
trojeve shqiptare, mërgata vazhdon të mbetet e lidhur ngushtë me kujtesën
historike, me vlerat e luftës çlirimtare dhe me amanetin e dëshmorëve të
kombit. Përmes organizimeve të tilla, Shoqata Komuniteti Shqiptar në Gjenevë
synon që kujtimi për dëshmorët të mbetet i gjallë dhe të përcillet te brezat e
rinj si pjesë e pandashme e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, duke ruajtur
kështu frymën e unitetit, respektit dhe dashurisë për atdheun.
Nexhmije Mehmetaj
Gjenevë 09.05.2026








