Ardian Ndreca: Arti në epokën e AI

53m më parë

Ardian Ndreca:

Nji kangë e para pesë dekadave e Pjetër Gacit apo Zef Çobës vijon me u këndue ende, kangë tjera që e kanë kalue shekullin vijojnë me u këndue në dasma qytetare apo në festivale.

Sot ka dalë trendi i kangëve me AI ku vistra rimash që ngjallin nji sentimentalizëm tym-e-avull bashkë, plus melodi që shkrihen si sahati i Salvador Dalì-së i pëlqejnë nji lloj veshit, atij të cilit gjanat komplekse i shkaktojnë otit.

Asgja e keqe, tue qenë se janë produkte kulturore që pasqyrojnë kohën tonë. Lind pyetja pse nuk këndohet, as në festa, as në darsma. Duket sikur koha jonë refuzon me u marrë seriozisht me vetveten!

Ndoshta formalina e AI i pengon me u riprodhue në mënyrë spontane.

I mungon “aura” do të kishte thanë Walter Benjamin, të qenit diçka unike, e shenjtë, e lidhun me nji përshpirtni e me nji “genius loci”.

Goethe tek Fausti paraqet nji krijesë në epruvetë që quhet Homunculus, të cilit i mungon trupi, i mungon harta biologjike, përkundër, po aty, Euforioni, djali i Faustit dhe i Helenës së Trojës, paraqitet si krijesa ideale, ai që guxon, që rrëzohet, fryt i nji shpirti të gjallë dhe jo i alkimisë (lexo: algoritmeve).

AI mundet me na ndihmue në miliona gjana, tue nisë tek ma të ndërlikuemet e tue përfundue tek veprimi i thjeshtë me gjetë nji rrugë. Dyshoj ama se mundet me na ndihmue me gjetë rrugën drejt vetvetes, artin e vërtetë.

Prandaj edhe letërsia e jonë e sotme, që ma së shumti paraqitet me pompozitetin e nji anije kozmike të bame me gjeth plepash, do të duhej të kërkonte nji Euforion, që edhe etimologjikisht ndjell mirë, e jo nji “packaging” inxhenjerie mendore, ndryshe, vështirë se ka me fluturue përtej kodrinave të Tironës!