Sabile Basha: Anatomia e krizës dhe demonstratat e 1981-it si artikulim i kërkesave kombëtare (12)
ANATOMIA E KRIZËS DHE DEMONSTRATAT E 1981-it SI ARTIKULIM I KËRKESAVE KOMBËTARE ( 12 )
(Broshura
e ilegales: Eksploatimi i egër nën prangat e rënda kolonialiste, Zëri i
Kosovës, Zvicër, 1987)

Propaganda
shoviniste e Beogradit nxit urrejtjen në mes punëtorëve
Në
trajtesën “Propaganda shoviniste e Beogradit nxit urrejtjen në mes
punëtorëve”, vëmendja vendoset mbi një mekanizëm të njohur të pushtetit
politik, përdorimin e propagandës për ta zhvendosur konfliktin nga sfera e
problemeve reale sociale dhe ekonomike te sfera e përplasjes etnike, duke e
bërë urrejtjen kombëtare një mjet për disiplinimin e pakënaqësive dhe për
neutralizimin e kërkesave të punëtorëve. Punimi e ndërton argumentin duke
theksuar se propaganda serbe ndaj shqiptarëve nuk duhet parë si produkt i
çastit, i kufizuar vetëm në dekadat e fundit të shekullit XX[1],
përkundrazi, ajo paraqitet si një vazhdimësi historike, e rrënjosur në periudha
më të hershme, ku diskursi denigrues dhe stereotipizues ka shërbyer si
instrument legjitimues për politika përjashtuese.
Në
këtë kuadër, punëtorët shqiptarë shfaqen si subjekt shoqëror i vendosur nën
presion të dyfishtë: nga njëra anë përballeshin me padrejtësi strukturore dhe
forma të ndryshme dhune e diskriminimi në vendin e punës, nga ana tjetër, kur
reagimi i tyre merrte formë kolektive-përmes protestave-atëherë ky reagim
përballej me një strategji të kundërpërgjigjes politike, e cila synonte të mos
lejonte që pakënaqësia të artikulohej si çështje e të drejtave të punës, e
barazisë dhe e dinjitetit social. Protesta, pra, nuk shihej vetëm si problem,
por si rrezik për rendin ideologjik: sepse ajo hapte mundësinë që punëtorët ta
artikulonin përvojën e tyre si përvojë shtypjeje dhe pabarazie.
Teksti
sugjeron se pushteti dhe qendra politike në Beograd, larg së qëndruari pasiv,
shfrytëzonin çdo valë pakënaqësie si rast për të ushqyer ndarje nacionale
brenda vetë klasës punëtore. Kjo është pika ku propaganda shfaqet me funksionin
e saj më të drejtpërdrejtë, ajo nuk synon thjesht të bindë, por të përçajë, nuk
synon të sqarojë shkaqet e varfërisë, të humbjeve ekonomike apo të kushteve të
rënda të punës, por të prodhojë një tregim alternativ ku “fajtor” bëhet tjetri
etnik[2].
Në një logjikë të tillë, problemet e jetës së përditshme—pagat, siguria në
punë, shëndeti, standardi jetësor—zhvendosen nga analiza sociale në mitologji
politike, ku armiqtë shpiken dhe konfliktet instrumentalizohen.
Në
mënyrë të nënkuptuar, ky mekanizëm e dobëson vetë mundësinë e solidaritetit
punëtor, sepse aty ku punëtorët do të mund të gjenin gjuhë të përbashkët për
kërkesa ekonomike dhe kushte më të drejta pune, propaganda ndërhyn për t’i
riorientuar emocionet nga kërkesa për drejtësi te ndjenja e armiqësisë. Kështu,
tensioni nacional bëhet një “zëvendësim” i debatit social, një perde tymi që e
mbulon thelbin e problemeve reale. Dhe në vend që institucionet të përballen me
shkaqet e pakënaqësisë, ato e kanalizojnë energjinë shoqërore drejt konfliktit
simbolik, duke e bërë të pamundur një front të përbashkët punëtorësh kundër
padrejtësive.
Autori,
sipas përshkrimit të tekstit, paraqitet me një njohje të hollë të realitetit të
ish-Jugosllavisë, pikërisht sepse nuk e sheh situatën “në sipërfaqe” si një
konflikt spontan mes punëtorëve, por si produkt të një politike të menduar: një
politikë që e përdor propagandën për të menaxhuar krizën, për të kontrolluar
narrativat dhe për të fragmentarizuar trupin shoqëror. Në këtë vështrim,
propaganda shoviniste nuk është thjesht fjalor urrejtjeje, por një teknikë
qeverisjeje, e cila përfiton nga frika, pasiguria dhe varfëria për të ngritur
mure mes atyre që, në kushte të tjera, do të kishin interesa të përbashkëta.
Në
përmbyllje, punimi e shtron qartë se nxitja e urrejtjes nacionale mes
punëtorëve nuk ishte aksident i rastësishëm, por strategji e cila shërbente për
t’i larguar punëtorët nga zgjidhja e problemeve të tyre konkrete. Ajo e
zëvendësonte kërkesën për barazi me dyshim, solidaritetin me armiqësi dhe protestën
sociale me polarizim etnik. Në këtë mënyrë, propaganda e Beogradit, siç e
paraqet punimi, funksiononte si një instrument që e stabilizonte pushtetin jo
duke i zgjidhur plagët sociale, por duke e zhvendosur vështrimin e shoqërisë
drejt një konflikti që e ushqente vetë.
Si
rrjedhojë e kësaj propagande të vazhdueshme, marrëdhëniet brenda botës së punës
u deformuan thellësisht dhe u mbushën me një klimë mosbesimi e armiqësie, ku
punëtori shqiptar i Kosovës u shënjestrua si “tjetri” brenda hapësirës jugosllave.
Në vend që ta shihnin si bashkëvuajtës në një rend ekonomik që prodhonte
pabarazi, shumë punëtorë serbë dhe jugosllavë filluan ta perceptonin punëtorin
shqiptar si një konkurrent që, gjoja, rrezikonte mirëqenien e tyre dhe “uljen”
e standardit të jetesës. Kjo logjikë konkurruese—e ushqyer nga diskursi
politik—e zhvendosi fokusin nga shkaqet reale të krizës ekonomike dhe sociale
te një figurë e rreme fajtori, duke e bërë punëtorin shqiptar objekt të një
fajësimi kolektiv[3].
Kështu,
në vetëdijen e një pjese të punëtorëve të tjerë u kultivua ndjenja se ata i
përkisnin një “kombit sundues”, pra një pozicion i supozuar privilegji brenda
hierarkisë politike dhe shoqërore të shtetit. Kjo ndjenjë, megjithëse u
shërbente interesave të pushtetit, ishte në thelb një iluzion politik, sepse
privilegji i pretenduar nuk buronte nga fuqia reale ekonomike e punëtorit, por
nga identifikimi ideologjik me qendrën sunduese. Në këtë mënyrë, punëtorët
serbë e jugosllavë, të nxitur nga propaganda, rrezikuan të mos e shihnin më veten
si pjesë e një klase që gjithashtu përballej me shfrytëzim, por si “mbrojtës”
të një rendi që u dukej se i mbronte.
Në
këtë terren të mjegulluar ideologjikisht, ata mund të shndërroheshin në instrumente
të verbra të një projekti më të gjerë politik, të përshkruar në tekst si
interes i borgjezisë serbomadhe kundër Kosovës. Kjo është një tezë me rëndësi
analitike, propaganda nuk synon vetëm urrejtje, por synon mobilizim-jo
mobilizim për të drejta sociale, por mobilizim kundër një “armiku” të
brendshëm, në mënyrë që të konsolidohet pushteti. Paradoksalisht, duke vepruar
kundër punëtorit shqiptar dhe kundër Kosovës, këta punëtorë përforconin edhe
sundimin që rëndonte mbi vetë ata, sepse një sistem që arrin ta ndajë klasën
punëtore sipas vijave etnike e ka shumë më të lehtë ta kontrollojë atë, ta
dobësojë rezistencën e saj dhe ta mbajë të fragmentuar.
Kësaj
situate i shtohej edhe pesha e paragjykimeve sociale dhe kombëtare, të cilat e
shndërronin punëtorin shqiptar jo vetëm në “konkurrent ekonomik”, por edhe në
një figurë të stigmatizuar, të cilës i mohohej barazia morale dhe shoqërore[4].
Këto paragjykime nuk lindnin vetvetiu, ato prodhoheshin dhe riprodhoheshin
përmes ligjërimeve publike, përmes mediave, dhe përmes një kulture politike që
e shpjegonte krizën jo me politika të gabuara e struktura pabarazie, por me
“fajin” e të tjerëve. Kjo logjikë e stigmatizimit shërbente si justifikim për
margjinalizimin e shqiptarëve dhe për zgjatjen e statusit të Kosovës si
hapësirë e nënshtruar politikisht.
Pikërisht
për këtë arsye, teksti nënvizon një nevojë thelbësore: sqarimin e masave të
gjera punonjëse të popujve në Jugosllavi mbi realitetin e Kosovës dhe mbi
pozitën e shqiptarëve. Ky sqarim nuk paraqitet thjesht si detyrë morale, por si
kërkesë strategjike e emancipimit shoqëror. Ideja qendrore është se zgjidhja e
çështjes së Kosovës nuk do të ishte vetëm akt drejtësie për shqiptarët, por
edhe një formë çlirimi social, politik dhe shoqëror për vetë punëtorët e
popujve të tjerë, sepse do ta dobësonte mekanizmin shtypës që i mbante të
gjithë nën kontroll, një mekanizëm që përfitonte nga përçarja, frika dhe
urrejtja për të ruajtur rendin ekzistues.
Mirëpo,
një perspektivë e tillë nuk i leverdiste shtetit okupues, sepse një
ndërgjegjësim i gjerë punëtor do të rrezikonte themelet e sundimit. Një punëtor
që e kupton se armiku kryesor nuk është bashkëpunëtori i tij i një etnie
tjetër, por struktura që e shfrytëzon dhe e përdor urrejtjen si armë, është më
i vështirë për t’u manipuluar. Prandaj, sipas tekstit, pushteti nuk kishte
interes të dëgjonte për popullin e shtypur shqiptar, as të pranonte se
padrejtësia ndaj Kosovës ishte pjesë e një rendi më të gjerë dominimi.
Në
përmbyllje, ky punim e përshkruan propagandën si një proces që e kthen
solidaritetin në armiqësi dhe bashkëjetesën punëtore në rivalitet të rremë.
Punëtori shqiptar i Kosovës paraqitet si viktimë e dyfishtë: i shtypur në
planin politik e social, dhe njëkohësisht i demonizuar si “shkaktar” i
problemeve të të tjerëve. Ndërsa punëtori serb e jugosllav, i ngarkuar me
ndjenjën e kombit sundues, rrezikon të bëhet bashkëpunëtor i pavetëdijshëm i
një sistemi që, në fund, e shtyp edhe atë. Kështu, zgjidhja e çështjes së
Kosovës, në logjikën e këtij argumenti, paraqitet si çlirim i ndërsjellë:
çlirim nga dominimi politik dhe çlirim nga mashtrimi ideologjik që e ushqen
dominimin.
Ishte
e njohur gjerësisht—dhe në fakt pothuajse e padiskutueshme—se brenda
ish-Jugosllavisë, Kosova përfaqësonte rajonin më të pazhvilluar ekonomikisht,
si në treguesit e prodhimit, ashtu edhe në standardin e jetesës dhe
infrastrukturën shoqërore. Megjithatë, pikërisht mbi këtë realitet të
pamohueshëm, politika qendrore e Beogradit ndërtonte një diskurs publik të dyfishtë,
nga njëra anë pranohej retorikisht “nevoja” për zhvillim të shpejtë të Kosovës,
nga ana tjetër, në praktikë, ruhej një logjikë e qartë dominimi e shfrytëzimi,
e cila e mbante këtë hapësirë në një gjendje varësie ekonomike dhe
margjinalizimi politik. Kjo kontradiktë—midis fjalës dhe veprës—nuk ishte e
rastësishme, por pjesë e një strategjie: të paraqitej një politikë e padrejtë
si e drejtë, duke e mbështjellë me fjalor modernizimi, premtime për investime
dhe thirrje për “barazi” formale.
Në
këtë kuptim, autori nënvizon se klika sunduese në Beograd nuk kursente
deklaratat për “zhvillim” e “përparim”, por këto deklarata shfaqeshin si mashtrime
dhe demagogji, të dizajnuara për të krijuar përshtypjen e një kujdesi
institucional që realisht mungonte. Retorika e zhvillimit shërbente si mbulesë
e politikave shfrytëzuese: një lloj justifikimi moral dhe politik, që synonte
të amortizonte pakënaqësinë, të qetësonte opinionin dhe, nëse ishte e mundur,
të prodhonte bindjen se gjendja e prapambetur ishte diçka që “po përmirësohej”
gradualisht. Pikërisht këtu del në pah fuqia e propagandës: ajo nuk mohon
domosdo realitetin, por e riciklon atë në formë premtimesh dhe narrativash,
duke u përpjekur ta kthejë padrejtësinë në normalitet.
Autori
thekson se pushtetarët e Beogradit e ushtronin këtë demagogji në mënyrë të
rafinuar, në hapësira ku fjala politike fiton autoritet formal: mbledhje,
plenume, kongrese dhe tubime të ndryshme[5]. Aty, fjalimet
prodhonin një lloj teatri politik, ku frazat “përparim”, “barazi”, “bashkim”,
“zhvillim” dhe “kujdes” përsëriteshin me aq mjeshtëri, saqë një pjesë e
njerëzve mund të binin lehtësisht në grackën e këtij diskursi. Kjo nënkupton se
propaganda nuk funksionon vetëm mbi padijen, por edhe mbi shpresën, në kushte
varfërie dhe pasigurie, premisa se “po vjen zhvillimi” mund të kthehet në një
strehë psikologjike, duke e shtyrë shoqërinë të tolerojë gjendjen e rëndë me
pritjen se nesër do të jetë më mirë.
Mirëpo,
sipas këtij rrëfimi, pas viteve ’70, realiteti i popullsisë shqiptare në Kosovë
u përkeqësua dukshëm, sidomos në planin ekonomik—ndërsa në planin politik,
gjendja paraqitej edhe më e rëndë. Kjo periudhë karakterizohet si kohë e
katandisjes graduale, ku shpresat për përmirësim u zëvendësuan nga përvoja
konkrete e varfërimit. Në vend që standardi të rritej, niveli i jetesës u
përkeqësua vazhdimisht; në vend që pagat dhe të ardhurat të ndjekin zhvillimin,
të ardhurat mesatare u zvogëluan me shpejtësi[6]. Këto shenja nuk janë
vetëm tregues ekonomikë, ato janë shenja të një krize shoqërore, sepse rënia e
të ardhurave nuk do të thotë vetëm më pak konsum, por edhe më pak shpresë, më
pak mundësi arsimimi, më pak qasje në shëndetësi dhe më shumë tension në jetën
familjare.
Në
këtë mënyrë, hendeku midis Kosovës dhe republikave të tjera jugosllave-qoftë në
“thellësi” (cilësia e zhvillimit), qoftë në “gjerësi” (përhapja e tij)—jo vetëm
që nuk u ngushtua, por u rrit në përmasa të mëdha[7].
Ideja e hendekut këtu është vendimtare: ajo tregon se prapambetja nuk ishte
thjesht një nivel më i ulët zhvillimi, por një distancë që po zmadhohej, duke e
bërë Kosovën gjithnjë e më të paaftë të konkurrojë, të modernizohet dhe të
integrohet në mënyrë të barabartë. Ky zgjerim i hendekut prodhoi pasoja të
drejtpërdrejta sociale: plagë të rënda për popullin shqiptar, të cilat mund të
kuptohen si varfëri e strukturuar, papunësi e maskuar, migrim, tension social
dhe ndjenjë e përgjithshme përjashtimi.
Në
një lexim më të thelluar, kjo pjesë sugjeron se prapambetja e Kosovës nuk ishte
thjesht rezultat i mungesës së resurseve apo i ndonjë paaftësie të brendshme,
por lidhej ngushtë me një raport politik qendër-periferi, ku periferia mbahej
në gjendje varësie dhe kontrolli, ndërsa qendra e justifikonte këtë raport
përmes fjalimeve dhe demagogjisë. Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i kritikës,
kur politika e shfrytëzimit maskohet si politikë “e drejtë”, atëherë
padrejtësia bëhet dyfishe-sepse përveçse prodhon varfëri, prodhon edhe
manipulim, duke e kthyer propagandën në instrument të normalizimit të
pabarazisë.
Në
përfundim, teksti e paraqet periudhën pas viteve ’70 si një kohë kur premtimi i
zhvillimit u përdor si gjuhë pushteti, ndërsa realiteti i jetesës së
shqiptarëve në Kosovë shkonte drejt përkeqësimit. Për pasojë, hendeku ekonomik
me pjesët e tjera të federatës u thellua dhe u zgjerua, duke lënë pas jo vetëm
statistika të zymta, por edhe pasoja të ndjeshme shoqërore—“plagë” që e
shoqërojnë një popull kur zhvillimi i mohohet jo vetëm në praktikë, por edhe në
të drejtën për t’u trajtuar me sinqeritet.












