Ilir Muharremi: Eksodi si kujtesë e gjallë
Nga
Ilir Muharremi, kritik i artit
Ekspozita
“Eksodi Bllaca ‘99”, e organizuar nga Jahja Lluka, e hapur javë më parë në Galerinë “Flori Gallery” vendoset si një akt i rëndësishëm
kulturor dhe memorial, që synon rikthimin e një prej ngjarjeve më dramatike të
historisë së fundit të Kosovës. Në këtë ekspozitë, çmimi i parë i është dhënë
artistit Haki Xhakli, çmimi i dytë Esat Valla, ndërsa çmimi i tretë Merita
Myderrizi Maloku, duke dëshmuar një gamë të gjerë qasjesh artistike ndaj së
njëjtës temë bosht: eksodi i vitit 1999.
Tematika
qendrore e punimeve është përqendruar në përvojën e shpërnguljes masive, ku
fytyrat e trishtura të njerëzve, portretet e fëmijëve, rrugët e gjata të ikjes
dhe situatat rrëqethëse të kolapsit human krijojnë një narrativë vizuale të
fuqishme dhe të dhimbshme. Këto imazhe nuk funksionojnë vetëm si përfaqësim i një
ngjarjeje historike, por si gjurmë emocionale të një kolektivi të tërë që ka
përjetuar humbje, frikë dhe pasiguri. Ekspozita “Eksodi Bllaca ‘99” artikulon
një hapësirë të ndërmjetme mes kujtesës individuale dhe asaj kolektive, duke e
shndërruar përvojën historike në një strukturë vizuale që reziston harresës.
Ajo nuk paraqitet si një rikthim linear në ngjarje, por si një proces i
vazhdueshëm i rishkrimit të traumës, ku arti funksionon si medium i ndërgjegjes
dhe dëshmisë. Në këtë kontekst, ngjarja e vitit 1999 nuk trajtohet vetëm si
fakt historik, por si një prani e përhershme që rikthehet përmes gjuhës së
formës, ngjyrës dhe gjestit piktural. Spektri kromatik që lëviz nga tonet e
ngrohta në ato të ftohta dhe neutrale krijon tensione emocionale dhe psikologjike,
duke reflektuar kontrastet e përvojës së eksodit: dhimbjen dhe shpresën,
humbjen dhe qëndresën, zbrazëtinë dhe mbijetesën.
Qasjet
stilistike janë të shumëfishta, por të bashkuara në një sensibilitet të
përbashkët ekspresiv. Ekspresionizmi i theksuar shfaqet si reagim i
drejtpërdrejtë ndaj traumës, ku deformimi i figurës dhe intensiteti i ngjyrës
bëhen bartës të një të vërtete të brendshme. Në anën tjetër, dimensioni surreal
krijon një hapësirë të ndërgjegjes së trazuar, ku realiteti dhe kujtesa
ndërthuren në imazhe që sfidojnë logjikën lineare. Abstraksioni, si reduktim i
formës në esencë, shërben si mënyrë për të artikuluar atë që është e
pashprehshme përmes figuracionit, duke e zhvendosur vëmendjen nga narrativi
drejt përvojës së pastër emocionale.
Një
pjesë e veprave bartin peshën e kohës së krijimit, të realizuara në vetë vitin
1999, duke funksionuar si dokumente të drejtpërdrejta të një realiteti të
përjetuar në moment. Të tjerat, të krijuara në distancë kohore, dëshmojnë një
proces reflektimi dhe sedimentimi të kujtesës, ku trauma nuk zhduket, por
transformohet në një gjuhë më të përpunuar artistike. Kjo bashkëjetesë e kohëve
krijon një dialog kompleks mes përvojës së menjëhershme dhe rikujtimit, mes
dëshmisë dhe interpretimit. Në këtë mënyrë, ekspozita tejkalon funksionin e saj
përfaqësues dhe bëhet një akt etik. Ajo kërkon nga shikuesi jo vetëm të shohë,
por të përfshihet në një proces të ndërgjegjësimit dhe të përgjegjësisë ndaj
historisë. Fytyrat e njerëzve të lodhur, trupat në lëvizje, fëmijët në gjendje
pasigurie dhe rrugët e shpërnguljes krijojnë një arkiv vizual të dhimbjes
kolektive, që nuk lejon neutralitet estetik.
Kujtesa
këtu nuk është një arkiv statik, por një energji aktive që kërkon të mbahet
gjallë përmes formave artistike. Në fund, kjo ekspozitë nuk synon të japë
përgjigje të mbyllura, por të hapë një territor reflektimi, ku e kaluara
vazhdon të flasë në të tashmen. Ajo na kujton se kujtesa është një akt i
vazhdueshëm përgjegjësie, ndërsa arti mbetet një nga format më të fuqishme të
dëshmisë njerëzore. Në një nivel më të thellë filozofik, kjo ekspozitë e vendos
dhimbjen si kategori ekzistenciale, jo vetëm si ndjenjë. Dhimbja këtu nuk është
momentale, por një gjendje e qenies që shtrihet përtej kohës lineare. Ajo bëhet
kujtesë e trupëzuar, një prani që nuk zhduket, por transformohet në imazh. Në
këtë kuptim, eksodi nuk është vetëm lëvizje fizike e njerëzve, por një
përmbysje ontologjike ku njeriu përballet me kufirin e vet, me humbjen e
shtëpisë, identitetit dhe sigurisë. Filozofia e kësaj ngjarjeje qëndron në
faktin se dhimbja nuk mbetet private; ajo kalon në kolektive dhe shndërrohet në
vetëdije historike. Arti, në këtë rast, nuk e shëron plotësisht dhimbjen, por e
bën të mendueshme, të komunikueshme dhe të përbashkët.
Disa nga artistët pjesmarrës: Aferdita Merovci, Agron Mulliqi, Ahmet Gashi, Alma Brajshori, Anila Hetoja, Anxherka Mexelxhiu, Arbenita Kërgeli, Arianit Lakna, Ari Thaqi, Arsim Kajtazi, Artan Xhakli, Avni Behluli, Avni Islami, Bardha Buza, Bedrije Hamiti, Bije Jasiqi, Bislim Elshani, Dioneta Kabashi, Driton Kastrati, Dusi Sadri, Enver Rakovica, Faton Mazreku, Merita Myderrizi Maloku, Vjosa Bujari Maliqi...















