Hazir Mehmet: U promovua romani “Revolta e Sizifit” i autorit Bardhyl Mahmuti
U PROMOVUA ROMANI “REVOLTA E SYZIFIT”, I AUTORIT BARDHYL MAHMUTI
Prishtinë, 18 prill 2026.
“Errësira
mesjetare ishte ulur këmbëkryq mbi vendbanimet tona dhe kishte mbytur çdo
gjallëri.”
Romani botohet në
përkujtim të viktimave të gjenocidit në fshatin Poklek. “Të
gjitha personazhet e romanit dhe ngjarjet që kanë të bëjnë me shtëpinë kremator
në Poklek të Vjetër, ku u krye një ndër aktet më të rënda gjenocidale gjatë
luftës në Kosovë, janë personazhe dhe ngjarje të vërteta. Përgjegjësia për
aspektin artistik të rrëfimit bie mbi mua”- autori.
Romani i kushtohet krimit gjenocidi nga forcat serbe në fshati Poklek të
Vjetër para 27 viteve, u promovua në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në
Prishtinë. Organizimi u bë nga qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” në
bashkëpunim me Departamentin e Historisë së Universiteti “Hasan Prishtina” në
Prishtinë. Krim gjenocidi i kryer në Poklekun
e Vjetër është pjesë e gjenocidit serb mbi popullin shqiptar ku barbarisht u
masakruan 53 civil prej të cilëve 26 ishin fëmijë, 20 gra, 5 të rinj dhe 2
burra. Me moton NE NUK HARROJMË,
kërkohet bashkimi i forcave në aktivitete për ta bërë të njohur gjenocidin serb
në gjithë globin. Krimet gjenocidi nuk
harrohen kurrë, por shoqërisë shqiptare i duhet aktivitet i fuqishëm i bazuar
në fakte historike të cilat janë kudo.
Shembulli tipik i këmbëngulësisë deri në njohjen botërisht të gjenocidit
është Armenia e cila arriti të argumenton gjenocidin turk mbi armenët dhe pas
një shekulli i cili gjenocid u njoh botërisht.
Program promovimi u drejtua nga
Alketa Fazliu Gashi, e cila është njohëse e mirë e rrethanave dhe përmbajtjes
së romanit. Salla e mbushur, si rrallë
herë, dëgjoi vështrime rreth librit nga Ramadan Avdiu, Adnan Asllani, Fadil
Muqolli dhe autori i librit Bardhyl
Mahmuti.
Në fjalën e tij
rreth librit Ramadan Avdiu mes tjerash tha: “Revolta e Syzifit” nuk është
një rrëfim i zakonshëm. Është një ndërthurje e dokumentit dhe artit, e faktit
historik dhe ndjeshmërisë njerëzore. Bardhyl Mahmuti ka arritur të ndërtojë një
monument letrar, ku çdo fjali është një gur kujtese, çdo paragraf një dëshmi që
sfidon harresën.
Ky roman nuk
synon vetëm të tregojë çfarë ndodhi, por pse duhet ta kujtojmë. Në një kohë kur
e vërteta shpesh riaktivizohet, kur krimet tentohen të zbehen ose të mohohen,
kjo vepër vjen si një akt rezistence. Është një klithje, është një revoltë
ashtu siç sugjeron edhe titulli, kundër harresës, kundër padrejtësisë, kundër
heshtjes.”
Bardhyl Mahmuti
me përvojën e tij letrare ka arritur të ndërlidhë mirë faktet dhe dëshmitarët
natyrshëm me strukturën artistike me
gjithë dhembjet e tyre të cilat jenë prekëse deri në palcë. Revolta e drejtë e
Syzifit me emrin Fadil Muqolli, reflekton revoltë tek secili që ka ndërgjegje
njerëzore. Peripecitë e syzifit, jo vetëm nga koha e masakrës, por edhe pas saj
për të ruajtur gjurmët e krimit nga injorantët e ulët, janë tepër prekëse. Ato
flasin me porosinë e gjakut të derdhur në shtëpinë kremator e cila ngjason me
ato naziste, dhe më keq. “Jam plotësisht i zhgënjyer në drejtësinë
ndërkombëtare, ajo nuk ekziston” u shpreh i revoltuar Syzifi i romanit.
Gjithashtu, Fadil Muqolli, falënderoi autorin e librit dhe parafolësit për
vështrimet e tyre.
Fadil Muqolli
është Syzifi i kohës i cili për dallim nga Syzifi antik, bartë gurët mbi supet
e tij me eshtrat e të masakruarve, fëmijëve e familjarëve të tij. Bartë
dhembjen e madhe që pëlcet dhe gurin, por Syzifi qëndron i revoltuar, përse nuk
po bëhet asgjë për dënimin e kriminelëve të cilët jetojnë të lirë. Barra e
gurit të dhembjes nuk largohet kurrë, ajo rritet e rritët kohëve me gjithë
porosinë e 53 familjarëve të masakruar.
“Mizoria e
ushtruar ndaj shqiptarëve në Poklek nuk paraqitet si një episod i izoluar, por
si pjesë e një vazhdimësie të gjatë dhune dhe shtypjeje që populli i Kosovës ka
përjetuar ndër shekuj në këto anë. Ky fakt e bën edhe më të rëndë këtë
tragjedi, duke e shndërruar në një simbol të gjenocidit dhe të përpjekjes për
zhdukje të një populli.”-Abaz Pllana.
Lexojmë:
“I thyer nga
pesha e thasëve mbi supet e shpirtit dhe i zhytur në mendime, dola në oborr dhe
u nisa për te “Zabeli i Idrizit”... Rrugës as fytyrat e luftëtarëve përpara, as
hapat prapa meje nuk më ngelën në kujtesë. Ishim një kortezh i heshtur, ku hiri
dhe kristalet mbi supet tona bartnin historinë e mijëra njerëzve të zhdukur”
Që nga qëndrimi
im prej tridhjetë vitesh në Austri, mësova mbi aktivistët austriakë shkrimtarë,
studiues e publicistë që përshkruan masakrat serbe me përmasa gjenocidi ndaj
popullit shqiptarë dikur dhe tani. Mes tyre lexova disa herë “Golgota Shqiptare”
(Albanische Golgotta” e shkruar nga publicisti austriak me rrënjë hebrenj, Leo
Freundlich. E përbashkëta e të gjitha masakrave gjenocidi është brutaliteti i
tyre, barbaria e tyre sa nuk mund ta kapërdinë mendja e njeriut normal, e përcjellë gjithmonë
me gënjeshtra serbe antinjerëzore që nga nivelet e larta qeveritare deri tek kisha
ortodokse dhe mediat e tyre fund e krye kriminale.
Revolta e
Syzifit është një libër i ri në letërsinë shqipe e ndërtuar në rrethana tepër
të vështira ekzistenciale në Kosovë që karakterizohet me rrëfime reale dhe
historike me porosi të fuqishme për zbardhjen dhe dënimin e kriminelëve.
Biblioteka
Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Kosovë rrallë ka përjetuar promovime veprash me
aq dhembje e mall, me aq porosi detyruese për secilin në rikujtim të viktimave
të pafajshme nga popullata civile në shtëpitë e tyre.
Të pranishëm ishin mërgimtarë veprimtarë, nga Maqedonia, Shqipëria.. Nga
Danimarka kishte ardhur veçan për promovim veprimtari dhe gazetari i njohur
Ibrahim Xhemajli, Takimi me mësuesin e Bardhyl Mahmutit ishte i pa harruar. Ai
në moshën e tij mbi nëntëdhjetëvjeçare
ndihej krenar me nxënësin e tij veprimtar dhe autor i disa veprave me
vlera kombëtare. Biseduam shkurt, por me
zemër.
Së bashku uruam
autorin.
Rrugë të mbarë librit!








