PËLLUMB GORICA: TEJ TIRANËS, KU HISTORIA ËSHTË E GDHENDUR NË GUR

1h më parë

TEJ TIRANËS, KU HISTORIA ËSHTË E GDHENDUR NË GUR

Gorica
NGA PËLLUMB GORICA

Jo çdo udhëtim është për të arritur në qoshe qetësie larg rrëmujës së qyteteve, dhe monotonisë së ditëve që kalojmë, të mësomë histori që kanë shumë rëndësi për ne, edhe pse mund të mos jenë interesante për të tjerët.

Nisemi në udhëtim dhe ngjyrat që preknin majat e maleve përhapin dritë mbi gjelbërime, në kodra e fusha, në të dyja anët e rrugës dhe ‘’xhunglës’’ së ndërtesave të shtrirë përgjatë saj, aq sa është e vështirë të dish se ku mbaron njëra dhe ku fillon tjetra, ku natyra duket se e ka humbur luftën me njerëzimin.

Rruga gumëzhin nga makinat që shkonin e vinin sikur je në pistën e garave. Tabelat pothuajse na drejtojnë në një mijë drejtime.

Zhurmat e qytetit zbehen ngadalë si muzikë e lehtë, ndërsa ngjitim ngadalë të përpjetën e Prezës, me një arkitekturë natyrore që vetëm Zonja Natyrë mund ta skalitë.

Preza është një tokë magjike, misterioze por është edhe një tokë e përzemërt me ata që e zgjodhën të jetojnë atje.

Brenda makinës, bisedat vërtiten rreth historive sikur secila fjalë të gjente jehonën e saj në peizazh, spërkateshin nga notat e këngëve të bukura.

Qielli blu, i përshkuar nga retë e bardha, vëzhgon këtë skenë paqësore ku asgjë nuk kërkon të shkëlqejë, dhe megjithatë gjithçka është e bukur. E megjithatë, pavarësisht këtij qielli nganjëherë retë japin një prekje të bardhë ngjyrës intensive blu të tij, pa u munduar të fshehin plotësisht malet. Na shoqëronte një ajër që vendosmërisht lëkund degët e ullinjëve me pëshpërima të lehta si një simfoni qetësuese, ndërkohë që dielli na ngrohte.

Të gjitha shqisat tona janë të dehura: ngjyra (toka, bar i gjelbër, gjethe të njoma, me erën e pemëve në lulëzim), kopshte, të mbjella për të mos harruar cicërimat e zogjve që na bëjnë shoqëri.

Pas çdo kthese një befasi e re, një pamje autentike e jetës së përditshme që të pushton, pa kërkuar leje, ashtu si ndërtimet prej guri shumë origjinale, nga të cilat nuk mund të mos admirojmë strukturën e zgjuar të mureve të rrugës.

Ndaluam te një çezëm me gurë dekorativ dhe freskuam duart në ujin kristal. Në heshtjen e natyrës, e ndjen trupin të lehtë, sikur çdo metër fshin një mendim të kotë, një shqetësim, apo zhurmat e qytetërimit.


Rruga rrotullohet kodrës së valëzuar. Gjithçka të fton të ngadalësosh, të marrësh frymë dhe të shikosh lule të verdha dhe të bardha, shkurre dhe pemë të panumërta ulliri, turma zogjsh që këndojnë dhe cicërojnë me zë të lartë. Por nuk është vetëm natyra që na lëviz. Është gjithashtu dëshira për të krijuar momente që kapërcejnë, për të ndarë të qeshurat dhe heshtjet, fjalët dhe vështrimet, ndërkohë që e lënë kohën të kalojë pa u nxituar...

Rrëzë kodrinës së gjelbëruar, aty ku këndojnë si orkestër me shumë melodi zogjtë, një shtëpi e bukur dykatëshe, me avlli e me portë të madhe e të lartë, e gjitha skalitur me qoshe guri, por e heshtur dëshmon mungesën e frymës njerëzore. Disa herë trembesh nga një qen i zhurmshëm që lehte, por qentë me lehjet e tyre, në mënyrën e tyre këmbëngulëse, përbënin njëfarë shqetësimi për ne. Faleminderit Zotit për gardhin, por ata bëjnë punën e tyre, duke mbrojtur shtëpitë.

Preza shtrihej, e zhytur në pallton pranverore, me një dekorim kartoline, edhe nga rrugët e rregulluara, nga hapësirat e këndshme, që duken sikur kanë dalë nga një përrallë, në një shtrirje që nuk pushon së mahnituri dhe ende ka shumë për të thënë midis natyrës dhe historisë. Nuk janë vetëm pamje të shkëlqyera që bien në sy. Edhe detajet më të vogla tregojnë pasurinë e këtyre trojeve.

Për njerëz si unë që janë në kërkim të historisë, mes bukurisë së thjeshtë të natyrës, i hedhim një vështrim të shpejtë pusit të ujit me një arkitekturë unike, i cili sipas pllakatës së vendosur mbi të është ndërtuar në vitin 1187 hixhri (sipas kalendarit hënor), mbi 200 vjet më parë, nga osmanët.

I mbështetur në vëzhgimet e hollësishme të udhëtarëve në shekuj, dhe në përshkrimet etnografike të zakoneve të tyre, mund të rindërtojmë një pamje çuditërisht të pasur dhe të larmishme të kulturës së Prezës, sidomos arkitekturën tradicionale preziane që përmendet për origjinalitetin e shtëpisë së zjarrit me “mafil” (një ballkon druri që qarkonte dy faqe të murit).

Kalaja me një trup katror dhe kulla e lartë, dukej sikur ishte e qetësuar për shekuj me radhë në majë të kodrës. Rrënojat e saj, ende të dukshme sot, dëshmojnë për një të kaluar ku zotërit vendas sundonin mbi këto toka. Hyrja është si të shkelësh në një roman mesjetar, me sheshe të mbledhura, ndërtesa historike dhe një atmosferë që ndërthur gurin e lashtë dhe shpirtin modern.

Brenda, megjithatë, fortesa befason si një pikturë e gjallë, duhet parë ngadalë. Ajo dominon peizazhin urban dhe dëshmon rëndësinë strategjike të Prezës. Ecim me frymën e mureve të kalasë, të përkëdhelur nga dielli. Unë këtu gjeta pusin e kalasë. Ndalesh për të bërë fotografi, ndërsa kënga e zogjve ngjyros heshtjen me nota harmonie.

Sepse këtu, nuk vijmë vetëm për të ecur, të marrim kohën, të flasim, të kënaqemi vërtet, të kalojmë edhe disa çaste të qeta, dhe gjithmonë shfrytëzoj rastin të bëj disa foto si shpjegimi i saktë i pasionit tim për arkeologjinë dhe gjithçka nga e kaluara.

Një element themelor është kurioziteti, të kuptuarit se çfarë përfaqëson një moment në të kaluarën dhe kush e ndërtoi atë. Duke e parë atë në ambientin e saj, në sharmin e vet, ku natyra i vlerëson dhe u jep një pamje absolutisht mahnitëse. Pak e vështirë për t'u shprehur me fjalë, përveçse është sikur të hapësh derën dhe në një gur të gjesh kristalin më të bukur brenda.

Aty ngrihet edhe ndërtesa dy katëshe e xhamisë me arkitekturë të veçantë. E ndjen, duke e parë atë, se ajo nuk është thjesht një ndërtesë: ajo është një dëshmitare e vendbanimit. Fasada e saj prej guri, harku, tuneli, minarja e saj si shtizë në qiell, dera e saj, gjithçka këtu të fton në heshtje, në koleksion me emocione. Të kalosh pragun e saj do të thotë të hysh në një kohë tjetër.

Koha për të pirë një kaf në kala, që të shijon aq shumë, me sytë në muret dhe kullat. Çdo gllënjkë bëhet një ritual i vogël që bashkon të shkuarën. Kafja është e zezë por e bën muhabetin e bardhë mes njerëzve. Aty takon njerëz që të flasin për Prezën, për territorin e saj, emocionet, duke rrëshqitur nëpër palosjet e historive të pëshpëritura të kalasë, ku historia bëhet e prekshme. Po të hysh thellë në shekujt e saj mëson shumë gjëra.

Ulur në karriget e drunjta të kafenesë vështrimin e hedhim në brendinë e saj, që ndihet më pak si një muze i vogël arkeologjik, historik dhe etnografik, ku ruhen artefakte të çmuara nga Preza e kohëve të shkuara, të mbledhur me përkushtim, dashuri dhe respekt për paraardhësit: qeramikë, gur të gdhendur në epoka të largëta, punime hekuri, bakri, druri, zile dhe kumona bagëtish, etj.

Një familje mbledhur rreth një tavoline të gjatë. Të tjerë fëmijë luanin përjashta në sheshin e kalasë futboll, duke u endur midis të qeshurave. Ata vijnë këtu të gjejnë para së gjithash heshtje, paqe, dhe ndonjëherë pak më shumë për të “shpëtuar nga Tirana e zhurmëshme”, kaotike.

Ndalojmë ne ballkonin natyral të kalasë, askush nuk flet. Nga atje lart, peizazhet hapen para nesh si faqet e një encikolpedie të lavdishme: katër pikat e horizontit ishin si të qenë dritaret e çelura enkas për të. Autostrada e re gumëzhin nga makinat që nxitojnë drejtë veriut të Shqipërisë. Tanimë Shqipëria është e gjitha më pranë, Tirana dhe Shkodra, Prishtina dhe Dibra e Madhe, Elbasani dhe Korça, Kukësi dhe Vlora. Zbardhte terminali i Rinasit, ku si skifterë gjigandë ulengrihen avionët e linjave ndërkombëtare, ndërsa Pellgu i Tiranës nën një qiell blu të veshur nga retë baroke që endeshin si gravura, të ngjante si ndonjë favelë në Amerikën Latine. Shihnim çatitë e kuqe të Krujës, shumë larg në distancë, kodra të gjelbra të pafundme; Mali i Skënderbeut, Dajti, Petrela, Krraba. Në hapësirat e saj syri sheh larg, përse jo deri tej e më tej Lezhën, Shëngjinin, Laçin...

Por përtej natyrës këtu historia buron nga çdo gur, me gjurmë të së shkuarës, me dëshmi të reduktuara në ndonjë pikë fotogjenike, atë që është jetuar këtu. Historianët kanë shkruar faqe të tëra, në të cilat kujtesa humbet në kohë me magjinë e një vendi historic dhe njëkohësisht jashtëzakonisht të bukur.

Kalaja shtrihet nga Jugu në Veri. Ana perëndimore e saj është e mbrojtur nga vetë terreni i thyer, kurse në perëndim është rafshnaltë dhe vëzhgon përreth, një bukuri mahnitëse mbi një pllajë të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqëndruar pikërisht në këtë pjesë. Sigurisht kishin shfrytëzuar pikën strategjike mbi rrugët e lashta që lidhnin Shkodrën me Durrësin dhe Krujën. Në kohën e sulmeve Otomane ajo ka shërbyer si qënder ushtarake ku vendoseshin luftëtarët, duke kontrolluar rrugët në Pellgun e Tiranës, si mikpritëse për Gjergj Kastriotin për sulme të befasishme dhe tërheqjeje taktike për t’u mbrojtur.

Kalaja e Prezës nuk ishte e banuar për shkak të dimesioneve të vogla 50x80 megjithëse ka 3000 m2 tokë. Është e rethuar me mure të trasha guri (1.3m – 1.4 m), të ndërtuar nga guri lokal. Ajo ka 4 kulla vrojtimi dhe mbrojtje me kullë në hyrje. Kjo kala ka pasur brenda saraje, garnizone dhe ambiente të një jete aristokratike dhe kjo duket qartë nga struktura solide dhe organizimi perfekt.

Në shekujt pasues u kryen zgjerime dhe rikostrukturime të ndryshme dhe themelore që, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ndryshuan strukturën e saj. Këto monumente përbëjnë një kolektiv arkitektonik me vlerë të madhe, i cili tregon evolucionin e kalasë ndër shekuj. Ruhet një pjesë e mureve me trashësi.

Kulla e lartë me gjatësi 80 metra dhe gjerësi 50 metra paraqet karakteristika tipike të fortifikimeve mesjetare. Pozicioni i ngritur kishte një funksion ushtarak dhe simbolik që nga njëra anë ishte vend vëzhgimi në rast sulmi, me kalanë e Petrelës, me kalanë e Ishmit dhe me atë të Krujës, por përgjithësisht, shiheshin nga njëri- tjetri për të dhënë sinjal kur sulmonte armiku (një strategji e tmerrshme ushtarake për kohën), nga ana tjetër përfaqësonte pushtetin feudal mbi territorin përreth.

Historiani Marin Barleti, tregon se ajo duhet të jetë ndërtuar para rrethimeve të Krujës nga osmanët, ku shprehet “se në rrethimin e parë të Krujës, kalaja u rrënua”. Po në vitin 1466, sipas Barletit, ishte kthyer në një gërmadhë: “Që të arrinte këtë gjendje të shkatërrimit ajo duhet të jetë braktisur shumë kohë më parë, pra që në fillim të luftërave të Gjergj Kastriotit. Arsyeja e braktisjes mund të ketë qënë paaftësia e saj për ti rezistuar luftimeve dhe rrethimeve të gjata. Si kohë e mundshme e ndërtimit të Prezës mund të ketë qënë fillimi i shek. XV nga principata e Topiasve, e cila ishte zotëruese e kësaj zone”. Kështu duke ndërtuar kala, ku ndihej më i mbrojtur nga sulmet e armikut.

Preza është e veshur me mjegulla gojdhënash. Ajo ishte aq e madh sa macja kalonte çati me çati. Është një histori e treguar brez pas brezi që flet për madhësinë e këtij territori.

Albanologu dhe eksploratori Hahn kur kaloi në këtë Prezë e përshkroi: “Vetë kalaja ndodhet në majën më të lartë të vargut kodrinor që shtrihet ndërmjet këtyre dy luginave. Pjesa e këtij vargu kodrinor që takohet fillimisht në këtë majë quhet Varosh dhe thuhet se këtu të ketë qenë vendosur qyteti në kohët e lashta”. Hahn J. “Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit”.

Prifti françeskan, mbledhës folklori, arkeolog  dhe shkrimtar, Shtjefën Gjeçovi shkroi novelën “Mnera e Prezës“. Nëpër rreshtat e saj gjen informacione si: “Madje jo për një qytet të çfarëdoshëm, por për një qytet që realizonte dhe synonte nivele të larta emancipimi të vajzave dhe të grave shqiptare”.

Kohërat me luftrat rrënuese i kanë fshirë shumë gjurëm. Nga këndvështrimi, e vërtetahistorik e kalasë së Prezës e ende nuk është shprehur plotësisht, ka ende shumë për të shtuar në historinë e saj.

Ishim atje për orë të tëra, duke parë jo vetëm me sy, duke dëgjuar, duke nuhatur ajrin e këtij vendi të jashtëzakonshëm, duke parë çdo gur, duke rikujtuar çdo imazh të ngjashëm dhe duke pasur emocione të ngatërruara nga mendja. Tashmë je i dehur me historitë dhe peizazhet e gjelbërta të Prezës.

* Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejen e autorit.






Alma