Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Çelësi i shpirtit dhe shpirti i fjalës

| E enjte, 01.01.2009, 03:18 PM |


Çelësi i shpirtit dhe shpirti i fjalës

Nga Baki Ymeri (Bukuresht)

Si kontinuitet i serisë së antologjive Ishulli i pavdekësisë, Bukuria e bukurive, Vullkani i durimit (me poetë nga Kosova) dhe Altri Mondi, Tensione sentimentale dhe Ekzili i ëndrrave (me ëndërrimtarë shqiptarë e të huaj), këto ditë e pa dritën e botimit në Bukuresht antologjia Çelësi i shpirtit/Cheia sufletului, pas së cilës pason të dalë edhe një album i ri poetik: Shpirti i fjalës/Sufletul cuvântului. Edhe ky libër del në dritë nën përkujdesjen e Shoqatës së Gruas Italo/Shqiptare Camminiamo Insieme (Ecim së Bashku) dhe Redaksisë së revistës Albanezul/ Shqiptari, duke patur për autor të parathënies poetin Visar Zhiti me moton e tij: Tek sa shpërndahemi, vendtakim kemi poezinë, sipas të cilit „Shqiptarët janë në një udhëtim të madh. Të paduruar tani që Evropa të vijë sa më parë tek ata, një pjesë kanë ikur ta gjejnë ata sa më parë Europën. Nuk është fjala thjesht për kontinentin e vjetër, se trualli i shqiptarëve në Europë është i patjetërsueshëm aty, por nënkuptohet dhe metafora e Europës së qytetërimit dhe mirëqenies, e vlerave dhe e virtyteve, e thënë hapur, e Poezisë”.

Në këtë vëllim të bukur prej 110 faqesh, defilojnë në të dy gjuhët vlerat antologjike të katër poeteshave rumune dhe gjashtë poetëve shqiptarë. Librit i prin Adnan Mehmeti (me origjinë nga Lugina e Preshevës), anëtar i Shoqatës së Poetëve Amerikanë, i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro/Amerikane dhe PEN Qendrës Amerikane, sipas të cilit, Në dashuri nuk ka moshë/hyhet e dilet si në banjot e nxehta, apo: Gruaja ilire për çështjen e nderit/martohet me valët e detit. Pason Alma Papamihali (me prejardhje nga Shqipëria), poete, publiciste, pedagoge dhe moderatore e revistës www.zemrashqiptare.net. Aktualisht jeton me familje në Gjermani, ku mallin e shuan për atdheun me një hallkë të fortë të lidhjes sentimentale, siç është poezia. Ka botuar përmbledhjen poetike me 100 poezi Nën tingujt e natës, si dhe një spektër poezishë me vlera të veçanta, në gjirin e të cilave pasqyron mallin, dashurinë dhe nostalgjinë. Interviston personalitete të shquara shqiptare, është anëtare akitive e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Gjermani, dhe arsimtare në shkollën shqipe Iliria, në Aschaffenburg të Gjermanisë. Poetët sipas saj, Lindin të dashuruar/ dhe vdesin beqarë.

Një vend me rëndësi në faqet e antologjisë gëzon Arqile V. Gjata nga Shqipëria (me banim të përkohshëm në Greqi), poet i harlisur brigjeve të fjalës, publicist dhe eseist, pjestar aktiv i stafit të revistës Pegasi, që e drejton Gligor Jovani në Athinë, autor i librave Arvanitas me shumë emër, Kur trazohet Jeta, Kurorë me ngjyra, Qyteti që kërkon muzikë, Duke soditur gratë e poetëve (që së shpejti do dalë nga shtypi), sipas të cilit: Vijnë Gratë  e poetëve/palë-palë,/ mbushur shpirtin me këngë./ Këto gra me Lug të ndryshuar/ ditë e natë përtypin ëndrra për burrat e trullosur nga psherëtimat. Florica Bud, nga Maramureshi i  Rumanisë, praktikon një gjini të rrallë në letërsinë bashkëkohore. Shkrimi i saj është në përkufizim ndëmjet fikcionit, eseut dhe publicistikës. Eksperienca e vëllimeve paraprake të saj, dedikuar sfëmijëve dhe të riturve, ia shtojnë vlerën teksteve që bëhen të kapshme dhe të brishta. Sipas eseistikës rumune, Florika është një shkrimtare që përpiqet t’i përvetësojë të gjithë përmes brishtësisë. Në botën letrare ajo manifeston plotësisht vokacionin kulturor, ngase ka talentin  për ti afruar artistët dhe për të mediatizuar me delikatesë krenarinë e tyre. Shkrimtarja nga Baia Mare është një Madame de Recamier e vitit 2000 që i mbron artistët nga pasojat e tranzicionit. Në kuadrin e prozës poetike shkruan për “adoleshentet që e përzjejnë dashurinë me joshjen fizike dhe sidomos në përkujdesjen e atyre të rejave që dëshirojnë të bëhen nëna para se të jenë gra. Edhepse fenomeni mund të kuptohet nga njerëzit përreth tyre, pesha e keqardhjes mbetet vetëm mbi supet e tyre të papregaditura për jetë”.

Fatmir F. Salihu vjen në gjuhën rumune nga Gjilani i Kosovës. Aktualisht, punon, jeton dhe krijon në Zvicër. Për bindjet e tij demokratike, para 30 vitesh ka qenë i persekutuar politik nga ana e autoriteve komuniste jugosllave. E ka dashur poezinë, të cilën e ka kultivuar që nga periudha e përkohshme e studentërisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Në ndërkohë, vjershat me vlera të padiskutueshme letrare, i ka përfshirë në vëllimet Valle (Rozafa, Prishtinë, 2002) dhe Lumina cuvintelor / Drita e fjalëve (Bukuresht, 2008). Sipas eseistit Marius Chelaru, pa marrë parasysh faktin se shkruan pak, poezitë e përfshira në vëllimin Drita e fjalëve, e ngrejnë Fatmir F. Salihun në rangun e një autori që ka resurse për t’u bërë një zë intersant i lirikës së sotme shqiptare.  Lirikën e tij e kanë vlerësuar me medalione esistike Ali Podrimja dhe Sali Bashota. Zotërinjtë që harta bëjnë, Boema, Qielli, Enigma, Udhëkryqet (që i kujtojmë të pikëllar/ Vetëm si simbole tragjike/ Të ndarjeve), apo Rrugët që puqen për të këmbyer përvojë dhe krijuar miqësi),  janë disa nga vargjet dhe titujt e poezive që ia shtojnë vlerën Çelësit të shpirtit. Sokol Demaku, poet kosovar me banim në Suedi, prozator, pedagog, publicist, redaktor. Studjon Pedagogjinë në Universitetin e Gethenborgut, ushtron profesionin e mësuesit dhe drejton revistën e përmuajshme "Dituria" dhe një radio lokale me emrin "Radio Dituria". Njëherit punon si gazetar i lirë i programeve në gjuhën shqipe „Jehona” të Radio Suedisë. Që në moshë të njomë e kultivon poezinë, sipas të cilit Ka kaluar koha e lajkatarisë// Tani jetojmë në një botë të shfrenuar,/ Në një botë plotë ankth/ Plot sketerrë e vuajtje në shpirt. Sokoli Demaku është poeti i Drenicës kosovare që shkruan për engjëllin e bardhë “Që fashit dhëmbjen/ Me një shikim”.

Pason Ioana Trica nga Rumania, poete, përkthyese, profesore e gjuhës rumune, sekretare e redaksisë së revistës Biserica de lemn (Kisha e drurtë), bashkëpunëtore e revistës Shqiptari, autore intervistash, lektore e disa veprave të poetëve të Kosovës të përkthyer në gjuhën rumune, prezente me poezi origjinale dhe përkthime, brenda dhe jashtë Rumanisë. Poezia e saj është përfshirë (në gjuhën shqipe) në antologjinë Poezi bashkëkohore rumune (Tetovë, 2005). Është autore e vëllimeve me poezi, si Tjetërkush (2005), Kontinente të suspenduara (2007),  Koha me faqe të huaj/ Il tiempo con rostro extraño (2008), autore që shkruan për Gruan e detit që e përfshin me krahët plot shkumë/ bregun dhe plazhin, për flutrat që hedhin valle mes dritës dhe mëkatit, duke e konsideruar veten si një foshnje në detin e pafund!, si „motra e mendimit tim të madh.

Bahtir Latifi, nga Vushtria e Kosovës, poet, prozator dhe publicist. Ka kryer shkollën e lartë, përkatësisht fakultetin e gazetarisë në Prishtinë. Aktualisht jeton dhe punon në Borås të Suedisë, ku jeton një komunitet i fuqishëm prej rreth 2.500 shqiptarësh. Ushtron profesionin e gazetarit në revistën shqipe "Dituria", ku funksionon edhe një radio lokale me emrin "Radio Dituria". Edhe ky, që nga mosha rinisë shkollare merret me poezi. Shkruan vargje zhanresh të ndryshme, e don kohën Sepse na bën të jetojmë, ngase sipas tij, Koha jonë është jeta jonë. Shkruan për vendlindjen që të këndell, për mërgimin që të shkatërron, i fshikullon ata që s’i besojnë Zotit, i admiron ata që e duan atdheun, drejtësinë dhe të vërtetën. Roxana Sava, poete e re rumune, studente e Universitetit Ovidius të Konstancës, e stërmbesa e shqiptarit Serafim Silko nga Elba sani (i emigruar në Rumani në kohën e Asdrenit), njohëse e anglishtes, spanjolishtes dhe rumanishtes. Admiron librin, filozofinë, dashurinë dhe Zotin. Sipas saj, Sa më shumë ta njohim Zotin, aq më shumë mund të bekojmë sytë dhe shpirtin me bukuri. Ky është mendimi i saj në fillim të kësaj rruge të shtruar me ëndërra të bukura që ndërlidhen me shpirtin e fjalës, duke shpresuar se me kohën poezia e saj do të përfshijë më shumë thellësi dhe vlera estetike. Për ta trimëruar, jo vetëm për hirë të prejardhjes së saj shqiptare, redaksia e revistës Shqiptari ia ka botuar këto ditë vëllimin e parë poetik: Vis de iubire (Ëndërr dashurie). Roksana shkruan për hijet e argjenta që depërtojnë në hapsirat e zbrazta të shpirtit të saj, ajo krijon portret duke e fshehur në vetvete fshehtësinë e pavdekësisë, shkruan për stinën e engjëjve dhe buzët e zhurritura për dashuri, digjet nga dashuria ngase në krahët e saj lind përsëri. 

Poetesha e fundit e antologjisë Çelësi i shpirtit është Anita Steryu nga Maqedonia. Ka prejardhje vllahe (arumune), është e bija e poeteshës Vanghea Steriu nga Shkupi, ka botuar disa libra me poezi, shkruan për flutrat, yjet dhe hënën, për kristalet dhe botën e pakuptuar të ëndrrave, për dhembjen tonë që fshihet në dritën e ëndrrës, për ndjenjat si do kodrina të larta, për murin e brendshëm që s’ka themele, dhe të fton kur dielli do të fshihet pas maleve/ kur terri do të më mbështjellë/ eja// dhe ma jep dorën/ ngase zemra ime të përket ty/ kur yjet do ta paralajmërojnë natën.