| E hene, 04.03.2019, 09:22 PM |
Busti i Hodo Aliut
I SHKRETI HODO ALI
Shënime mbi një këngë-vaj
Nga Timo Mërkuri
1-Ra topi në Palavli[1]
"Ra
topi në Palavli[2],
Fush’ e Delvinës u nxi,
Me nizam’ e me deli,
Dhjetë mijë suvari
I shkreti
Hodo Ali[3],
I kish djemtë çilimi,
Bën me dor’e bën me sy:
O djema, t’u hidhemi,
Mos trëmbi se s’vritemi
Është nat’
e s’shihemi,
Me plumba s’goditemi,
Me palla do pritemi!...[4]
Për të kuptuar dhe ndjerë këtë këngë popullore duhet të njohësh historinë e lindjes së saj atë ditë
shtatori të vitit 1847 në betejën zulmëmadhe të Palavlisë, betejë që u shndrua në një kasaphanë
lemeritëse.
2-Ishte Qershor i vitit 1847 kur krerët e Shqipërisë së Jugut u mblodhën në Mesaplik. Kënga regjistron: Mesaplik te rrapi thatë/U mblodhën gjithë kazatë….dhe vendosën: Kurvelesh krye të ngrini/gra e burra armët vini,/nizam’ Turqis’ mos i ipni.. .duke shpallur në këtë mënyrë kryengritjen e përgjithëshme, të udhëhequr nga… Rrapo Hekali,,/Gjolek Kuçi me pallë/ Hodua që mban kalanë[5]…”
Rezultati i parë ishte marja e Delvinës dhe më pas Butrinti. Sulmi i Ismail Pashës më 18 Qershor 1847 mbi pozicionet e kryengritësve në Zhulat, Senicë dhe Palavli, u zbraps nga kryengritësit e udhëhequr nga Skëndo Tarja.
3-Në 27 shtator[6] të vitit 1847 teatri i luftimeve u zhvendos në Palavli, Vergo dhe Fushë të Delvinës. ...Por egzistonte një problem në këto fshatra. Nga luftimet e vazhdueshme, ishin vrarë të gjithë burrat që mund të mbanin armë në fshatrat Vergo, Kopaçez e Palavli. Këtu mund të gjëndeshin tre-katër burra tridhjetvjeçarë të cilët shiheshin si pleq të moshuar, të tjerët qenë fëmijë nën katërmbëdhjetë vjeç. Në këto kushte u dha orientimi që të pranoheshin në radhët e kryengritësve djemtë deri në katërmbëdhjet vjeçarë si luftëtarë fronti, ndërsa djemtë nga nëntë deri në trembëdhjetë vjeçarë do ishin në shërbim parapavije[7]. Kështu ndodhi që Hodo Aliut ju desh të udhëhiqte një ushtri me “fëmijë” dhe ju desh që luftën t’jua shpjegonte si një lojë-lufte[8]. Vetkuptohet që në ballë të frontit vendosi luftëtarët e tij lebër duke i lënë në skalion të dytë “fëmijët”. Lufta u zhvillua natën[9] e datës 27 shtator 1847 deri në të gdhirë të datës 28 me sulme e kundrasulme të njëpasnjëshme që thyen vijat e frontit, duke kaluar në përleshje trup me trup me thika.
Dukë qënë se kryengritësit “fëmijë” nuk kishin përvojë luftimi trup më trup, humbjet e tyre ishin shumë të mëdha. Kur panë këtë situatë, gratë labe që shërbenin në prapavijë, u sulën në fushën e betejës në mbrojtje të fëmijëve. Rrëmbenin armët e rëna për tokë ose shkulnin shpatat nga trupat e fëmijëve të vrarë dhe suleshin për hakmarje. Pas tyre u sulën edhe fëmijët e tjerë nën moshën katërmbëdhjetë vjeçare që shërbenin në prapavijë, të cilët nuk kishin asnjë njohuri luftarake. Pamja ishte lemeritëse. Fëmijë të vrarë e të plagosur, rënë pranë njeri tjetrit, me shikim të habitur, si të mos e besonin vdekjen që u erdhi nga kjo luftë që e morën si lojë. Gratë labe rënë përmbi ta, sikur donin ti pengonin në ikjen e pakthim. Dhe më tejë luftëtarët e Hodo Aliut duke sokëllitur egërsisht për hakmarje, tek çanin rradhët e dhjetëmijë suvarinjve, të cilët binin të vrarë nga thikat e shpatat, tek përpiqeshin të iknin.
4-Beteja u fitua, por askush nuk brohoriti.
Askush nuk këndoi[10] këngë për fitoren dhe asnjë valle nuk u hodh pas betejës. Ndoshta ishte e para fitore që kishte shijen e humbjes. Kjo dukej te sytë me lotë të grave labe, që tundeshin sa majtas djathtas gjatë momenteve të varrimit të të rënëve fëmijë, thua se do futeshin ato vetë në vare, vetëm që fëmijët të ngriheshin e të shkonin të loznin lojrat e tyre. Amani djemo, jo më lojë lufte a të keqen, se na zhuritet shpirti. Humbje tregonin edhe sytë e luftëtarëve të Hodo Aliut, se për sa i përket Hodo Aliut vetë, asnjëri nuk ja pa sytë ato çaste. I ulur në një shkëmb pak më tejë, me kokën zënë me duar, dukej sikur e kishin zënë dyzetë palë ethe.
-Ç’bëre Hodo- dukej sikur i hakërehej vetes, duke tërhequr deri në shkulje leshërat e zeza bërshimë[11] - ku i shpure fëmijët. Qysh ua takse[12] vdekjen more i zi kur u the….Me palla do pritemi .... Të rofshin luftërat që ke bërë, se do kujtohesh për gjithë jetën si komandanti që shpuri fëmijët në kasaphanës. …Nëmat[13] do të vijnë pas e pemët do të bëjnë paçet[14] me hijen e degëve…
4.1-…I shkreti Hodo Ali…dëgjoi pranë veshit zërin e përvajshëm të një gruaje që kishte zënë vajin dhe u pataks. Ngriti kokën dhe atëherë pa që ishte rrethuar nga një grup grashë labe të vendosur në formë rrethi, duke e lënë atë në mes. Shamitë i kishin të ulura mbi sy dhe kishin filluar ritin mortor që niste me vajtimin. Ato nuk kishin vajtuar gjatë varimit, sepse të rënët për atdhe nuk vajtohen po u këndohen këngë. Vërtet që nuk vajtohen heronjtë të rënë në luftë por vallë a rrihet pa vajtuar fëmijët-o. Lufta e bëri të sajën. Nënat do bënin të tyren.
Nuk vajtuan për fëmijët e vrarë, por nisën vajin për Hodo Aliun, siç mund të vajtonin për një prind[15] në mortin e të birit. Vajtuan dhimbjen e prindit pa përmëndur vdekjen e fëmijës.
4.2-Realisht kjo është e veçanta e kësaj kënge –vaj. Nuk vajtohet për të vrarët, nuk përmënden ata, as plagët e as gjaku i derdhur. Asgjëkundi nuk flitet për vdekjen, por përkundrazi jipet një ambient tepër idilik familjar, Një baba që i kishte fëmijët çiliminj, të vegjël, dhe si çdo prind me fëmijët e vegjël lozte me ta kukafshehti (Bën me dorë e bën me sy) që t’ua bënte më të bukur jetën. Ua ktheu luftën në një lojë lufte (Është natë e s’shihemi,Me plumba s’goditemi). E vetmja gjë që e tradhëton këtë idil loje –luftash është vargu….Me palla do pritemi. Por edhe ky varg nuk është aq i zi sa duket. Këta fëmijë ishin fëmijë barinjsh dhe sigurisht që të gjithë kishin thika dhe biçakë të vegjël, me të cilët qenë prerë në gishta sa herë. Pra nuk qe ndonjë gjë e panjohur për fëmijët prerja me thika dhe as aq e rezikëshme, sa që ti trëmbte ata.
Nuk vajtohet për fëmijët por vajtohet për komandantin e tyre, që trajtohet si një prind për ‘ta. Dashuri të madhe ka patur populli për këtë prijës që ja gdhënd portretin me këtë vajtim brilant, parë nga një këndvështrim i papërsëritshëm në asnjë rast tjetër. .
….I kish djemtë çilimi….vajtoi vajtorja kryesore dhe Hodua ngriu. Jo vetëm që nuk e dënonin në vaj, por i atribonin atësinë metaforike të fëmijëve të vrarë.
…Bën me dorë e bën me sy…i erdhi në vesh vaji i vajtores dhe këtu Hodua nuk duroi dot. Ju kujtua si lozte me fëmijët e tij në shtëpinë në Nivicë, në ato të pakta raste që kishte kohë të lirë, ndajë shpërtheu në dënesa të rënda që i dilnin nga thellësia e shpirtit. Zuri kokën me duar e nisi të lëkundej…tërë sy e veshë duke dëgjuar ligjërimin e grave. E dinte që ai vajtim ishte historia e asaj beteje dhe e vlerësimit të tij, histori dhe vlerësim që askush nuk e ndryshonte dot sa të jetë jeta. Në qoftë se vajtimi e dënonte, më mirë të mos rronte në këtë botë se s’kishte lumë e det që e lante.
….O djema t’u hidhemi/Mos trëmbi se s’vritemi/Me plumba s’goditemi…vajtonte me nënë zë plot ngashërime edhe Hodo Aliu bashkë me gratë…
….Me palla do pritemi… klithi vajin me një zë të thatë e të egër vajtorja që ligjëronte ndërsa vajtorja pranë lëshoi një ulërimë ngjethëse duke ngritur kokën lart, thua se i sokëllinte zotit që bënte sehir aty ku rinte, te ato retë e bardha mbi Kamenicë. Hodua u hodh përpjetë si i goditur befasisht nga një topuz, kaq shumë dhimbje ndjeu në gjoks. Pa njëherë majtas e djathtas luftëtarët që dëgjonin të heshtur vajin e grave, ktheu kokën nga vajtoret duke i parë me një sy të përlotur, sikur u kërkonte ndjesë dhe …iku me nxitim duke lënë prapa dënesat.
5- …I shkreti Hodo Ali… Epiteti “I shkreti” i mbeti gjithë jetën si një mbiemër i dytë dhe Hodua s’dinte ç’të bënte, të mërzitej apo të gëzohej. Për të dya kishte arsye. Të mërzitej se nga ky epitet gjithmon i kujtohej ajo masakër mbi fëmijët në Palavli ,duke nënkuptuar kështu ndonjë gabim të mundshëm në drejtimin e luftës prej tij, por nga ana tjetër edhe mund të krenohej, se ishte i vetmi komandant që populli e cilësoi në këngë si prind i dhëmshur për luftëtarët e rënë në betejë, pa çka se ishin luftëtarë-fëmijë. Populli ja fali fëmijët se ata ranë në luftë për atdhe dhe Hodo Aliu s’kishte asnjë faj apo gabim.
Por thellë në shpirt ai ndjente një brengë që i rëndonte sa Këndrevica[16] ndaj në luftimet e mëvonëshme dilte fare hapur, thua se kërkonte vdekjen. Ose diçka të afërme a të ngjashme me të. Ndaj kur Mehmet Reshit Pasha ai i ftoi krerët e kryengritjes në Fushën e Zhulatit ku do t’u komunikonte amnistinë, ai e nuhati që kjo amnisti ishte e rreme, por nuk e dëgjoi këshillën e Zenel Gjolekës dhe shkoi në takim bashkë me 84 krerë e komandantë të kryengritjes. U ndje i qetë kur Reshit Pasha i arestoi të tërë dhe i internoi në Adana. Ndoshta mendoi se duke qënë larg do ta haronte ai dhe do ta haronin dhe të tjerët epitetin “i shkreti” që ju ngjit si hije.
Nuk ndjeu ndonjë gëzim edhe kur, i detyruar nga situata, Sulltani i fali në 1849 të gjithë krerët e kryengritjes së 1847 që kishte arestuar dhe internuar. Madje dhe ju përgjigj ftesës për pjesmarje në luftën e vitit 1852 me malazeztë, të cilët sulmuan rrethinat e Shkodrës. Madje edhe aty kënga popullore i rikujtoi epitetin e vjetër…i shkreti…kur i këndoi:- I shkreti Hodo Nivicë,/Bën dyfek në Podgoricë[17]/ Bam e bum e dot s’e vrisnë/Plumbatë më të s’kolisnë/Setrën e shkretë ja grisnë ... madje duke ja zgjeruar diapazonin e epitetit edhe te veshjet (setrën e shkretë).
Ju ngjit ky epitet deri në momentin e vdekjes: -Të enjten e të xhumanë/Hodo trimi e dha xhanë/Qaj e qaj moj Këndrevicë/Qaj drërin e Shqipërisë/Të shkretin Hodo Nivicë…
Sarandë, më 4 Mars 2019
[1] Kënduar nga grupi i këngës popullore “Kaonët” Delvinë. Marrës Ajet Duka, kthyes Krenar Duka, hedhës Nuei Hamzai, iso Riza Pula, Fatmir Muzhai, Artan Muzhai, Fejzo Duka.
[2]Fshat në Fushën e Delvinës ku më shtator 1847 u bë beteja midis forcave kryengritëse shqiptare dhe ushtrisë turke
[3] Hodo Ali Beqohiti i njohur në popull me emrin Hodo Aliu dhe Hodo Nivica. Lindur në Nivicë të Kurveleshit më 1805, Vdekur në Shpuzë të Podgoricës, Mali i Zi më 1852
[4] Kjo këngë ndodhet edhe te Mbledhës të folklorit 5, Këngë popullore nga rrethinat
e Kardhiqit dhe të Rrëzomës fq 60 me titull “Zunë malet e rënkojnë”
rregjistruar në fshatin Kopaçez të Delvinës në vitin 1963 dhe ka gjithsejt 26
vargje. Por siç do shohim në analizën
tonë, kësaj kënge i janë shtuar vargje që u takojnë këngëve të tjera për Hodo
Aliun ose jo, madje edhe vargu i parë “Zunë malet e rënkojnë” është huazuar nga
një tjetër këngë popullore (Zunë malet e
rënkojnë/Bolen e Kuçi u dogjnë). Regjistrimi i parë i kësaj kënge
figuron te libri i A. Dozon i vitit 1879 me titull "Manuel de la
langue Chkipe", kënga me nr 57 dhe prej këtej është përfshirë në Librin
Mbledhës të Folklorit viti 1961 në faqen 313 (Vënë
në dispozicion nga A.Duka) dhe ka këtë tekst: "Ra topi në
Palavli,/Fush’ e Delvinës u nxi, /Me nizam’ e me deli,/Gjithë djem
delikalli/ Të shumtë në Gegëri/ Gjoleka s’u ndodh aty /I shkreti Hodo
Ali,/Vetë e bëri beli/ O burra, t’u hidhemi, /Mos druani se s’vrite-mi
/ As me plumb goditemi…
[5] Rrapo Hekali drejtonte kryengritjen në Mallakastër e Berat, Zenel Gjoleka në Kurvelesh, Labëri e Bregdet dhe Hodo Aliu në Gjirokastër e Delvinë.
[6] Aposto Pango “Enciklopedia e Delvinës dhe Sarandës” Botimet TOENA fq 225… Mexhit Kokalari ”Trima të kryengritjeve popullore”… Shtëpia Botuese “8 Nëntori” 1979 fq 126
[7] Mexhit Kokalari ”Trima të kryengritjeve popullore”… Shtëpia Botuese “8 Nëntori” 1979 fq 142
[8] Bën me dorë e bën me sy dëshmon kënga
[9] Është natë e s’shihemi thotë kënga
[10] Realisht nuk egziston asnjë këngë e till për këtë betejë.
[11] Të gjata e të pa krehura.
[12] Ua caktove, ua zgjodhe
[13] Mallëkimet
[14] Gjesti i shtrirjes së pëllëmbës së hapur në drejtim të personit që mallëkohet
[15] Është e zakonëshme të vajtohet për dhimbjen e prindërive që humbasin djalin.Madje shpesh herë këtë vajtim e nisin vetë prindërit.
[16] Mali i Këndrevicës
[17] Te “Mbledhës të folklorit 5, Këngë popullore nga rrethinat
e Kardhiqit dhe të Rrëzomës fq 60 me titull “Zunë malet e rënkojnë” thuhet: Në
sheshe, në Kamenicë, /Të shkretit Hodo Nivicë, /Ju vesh nizami
galicë, /Bam’ ja bëjn’ e dot s’e vrisnë, /Plumatë më të s’kolisnë….Duket që këto vargje janë marë nga kënga për
luftën në Podgoricë, sepse variant i sipërcituar ka më përpara vargjet .. Dhe
malazeztë bezdisnë/Nga koshadhet që gjezdisnë… apo
vargjet e tjera:O
Hodo, Hodo Nivica, /I lartë si Këndrëvica; /O Hodo Beu, o
nurë, /Fora me këllëç desturë…që
janë në një tjetër këngë për Hodo Aliun, por për luftën në veri.