| E merkure, 13.01.2016, 08:36 PM |
«Anatomia e krimit»
(Fragment nga libri Mashtrimi i madh, Buzuku 2015)
Nga Bardhyl Mahmuti
Siç e përmenda në Prologun e këtij kapitulli, Prokurori serb për krime lufte, Vladimir Vuk?evi?-i, i deklaroi Agjencisë Tanjug se prokuroria që drejtohej prej tij kishte në zotërim dëshminë e një dëshmitari okular për nxjerrjen dhe trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë.[1] Tri ditë më vonë, Radio Televizioni i Serbisë transmetoi emisionin special të titulluar «Anatomia e krimit»[2] në të cilin, opinioni publik i Serbisë, pati mundësi të shihte intervistën që zhvilloi gazetari i saj me këtë “dëshmitar të mbrojtur”. Krahas “dëshmitarit okular”, si “mysafir special” i këtij emisioni ishte Zëvendësprokurori i Prokurorisë serbe për krime lufte, Bruno Vekari?-i. Kopje e spektaklit mediatik me Bekim Mazrekun! E njëjta logjikë, i njëjti skenar, vetëm personazhet ishin tjerë!
Megjithatë efekti u arrit. Në Serbi tërë javën vazhdoi “histeria mediatike” e provokuar nga deklaratat e dëshmitarit të Prokurorisë për krime lufte lidhur me tregtinë e organeve gjatë luftës në Kosovë. «Ia nxorën zemrën për së gjalli», «I kam nxjerrë zemrën serbit», «Ende i shoh në ëndërr piskamat e viktimave serbe»... janë vetëm disa nga titujt në ballinat e gazetave serbe![3]
Qëllimi i transmetimit të këtij “emisioni ekskluziv” nuk ishte vetëm sensibilizimi i opinionit publik të Serbisë. Prokurori për krime lufte, Vladimir Vuk?evi?-i deklaroi tri ditë pas transmetimit televiziv të “intervistës” se “priste reagimet e ekipit për hetime që udhëhiqej nga Clint Williamson-i lidhur me tregtinë me organe njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.“[4] Nuk vonoi shumë dhe mediat serbe njoftuan se “Shefi i ekipit të EULEX-it, që heton tregtinë me organe të njerëzve në Kosovë, informoi se do të udhëtojë për në Beograd që të njihet me pjesët e dëshmisë së dëshmitarit të Prokurorisë serbe për krime lufte[5]. Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe zëvendësprokurori serbe, Bruno Vekari?-i, i cili saktësoi se “gjatë vizitës së tij në Beograd, Williamson-i do të ketë mundësi të bisedojë edhe me ‘dëshmitarin e mbrojtur’.”[6]
Në Serbi, krahas reagimeve që bëheshin për të nxitur urrejtjen dhe për të shpërndarë gënjeshtrat e sajuara nga regjimi i Beogradit, nuk munguan as reagimet kundër kësaj forme manipulimi. Nga reagimet e kësaj natyre, që nuk ishin të pakta, po citoj shkrimin e gazetares Tatjana Tagirov. Kjo gazetare e të përditshmes serbe «Novosti», në shkrimin e titulluar “Marrëzitë e Prokurorisë për krime lufte”[7] “fyerje të inteligjencës së qytetarëve të Serbisë”[8] përshkrimin e “procedurave mjekësore” për të siguruar një organ njerëzor për tregun e zi të organeve. “Nuk ishte hera e parë që Prokuroria, përmes RTS-së, tallet me inteligjencën e qytetarëve”[9] deklaroi kjo gazetare.
Fatkeqësisht, këtë tallje me inteligjencën që bënte regjimi i “ri” i Beogradit, e që nuk dallonte nga logjika e vjetër e funksionimit, nuk e kuptonin ata që ishin verbuar nga «antiamerikanizmi».
Gati të gjithë autorët që ishin angazhuar në kumbarinë e nocioneve të krijuara nga Shërbimi Sekret Serb për t’i stigmatizuar shqiptarët e shfrytëzuan maksimalisht Raportin e Dick Marty-t dhe deklaratën e “dëshmitarit të mbrojtur” të prokurorisë serbe për krime lufte për të treguar me gisht “krimet e UÇK-së” që gjoja ishin kryer nën drejtimin e Hashim Thaçit, “kumbarës më të rrezikshme nga «kumbarët e oktapodit» të Kosovës!”[10]
Duke i marrë për të vërteta “provat” e sajuara në Beograd ata shfrytëzuan rastin që të akuzojnë “diplomacinë e SHBA-ve dhe fuqive tjera perëndimore, pa ndihmën e të cilëve Hashim Thaçi nuk do të kishte mundur të ngjitej në pozitën ku ishte.”[11]
Denoncimi i “ndihmës politike dhe diplomatike të SHBA-ve dhe fuqive tjera perëndimore për «mafien shqiptare»” përshkon shkrimet e shumicës së autorëve, veprat e të cilëve u trajtuan përgjatë tërë këtij libri. Nuk do t’i citoj të gjitha, sepse, fundi i fundit, nuk ndryshojnë nga njëra-tjetra. Po ndalem vetëm te pamfleti propagandistik i Pierre Péan-it, «Kosova: një luftë e “drejtë” për një shtet mafioz»[12]. Për këtë autor, lufta e Kosovës nuk është luftë e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, por është “një luftë e drejtë amerikane për krijimin e një shteti mafioz!”[13]
U kufizova në këtë vepër sepse ky autor e fillon angazhimin e vet në kumbarinë e nocioneve të sajuara në funksion të stigmatizimit të shqiptarëve në mënyrën më dramatike të mundshme. Ai sjell në “preambulë” të librit të vet dëshminë e “dëshmitarit të mbrojtur” të transmetuar nga Radio Televizioni i Serbisë, gjatë të cilës “një mjek shqiptar, ish-ushtar i UÇK-së” flet se si “një serbi të zënë rob ia nxori zemrën” për të bërë business.
Jo vetëm në preambulë, por më shumë se 1/3 e librit të tij i kushtohet “tregtisë me organe të organizuar nga UÇK-ja”[14].
Po sjell në tërësi publikimin që ky autor i bën kësaj “dëshmie”, sepse kjo nxjerr në shesh në mënyrën më të mirë të mundshme faktin se verbimi ideologjik nga «antiamerikanizmi» e ka sjellë edhe këtë autor në pozitën e propaganduesit të nocioneve dhe interpretimeve që u sajuan në kohën e Miloševi?-it dhe që vazhdojnë edhe nga regjimi i “ri” i Beogradit.
Në tekstin e deklaratës së “dëshmitarit të mbrojtur” të Prokurorisë serbe për krime të luftës disa nga fjalët do t’i shënoj me ngjyrë të theksuar për t’i dalluar nga teksti tjetër, me qëllim që të tërheq vëmendjen e lexuesit për kundërthëniet logjike të pohimeve të tilla, të cilat do të trajtohen më poshtë.
“Disa minuta më pas ata sollën një djalë të ri, përafërsisht 19-20 vjeçar, me duar të lidhura pas shpinës. Nuk ishte ushtar i UÇK-së dhe, kuptohet, unë nuk kisha të drejtë të bëja pyetje. Fundi i fundit, kush isha unë? Një i ri karshi eprorëve të vet. I burgosuri u zgjidh nga dy ushtarët që e sollën, pastaj e vendosën në tavolinë mjekësore ashtu siç vendosen pacientët. Pastaj i thirrën edhe dy persona të tjerë që t’i mbanin këmbët e të burgosurit që të mos lëvizte.
Mjeku që më udhëzonte si të veproj ia grisi bluzën në dy copë duke e lënë lakuriq, siç e kishte lindur nëna! Një nga mjekët e pranishëm solli një çantë të zezë, të tillë siç e mbajnë mjekët. Ishte diçka e re për mua. Nga brendia e kësaj çante nxori instrumentet kirurgjikale. Ishte hera e parë që shihja skalpel, bisturi dhe çdo gjë që është e nevojshme për të kryer një operacion kirurgjik. Atëherë ndodhi një zënkë. Mjeku më i vjetër filloi të bërtiste dhe ta shajë mjekun më të ri, të cilit i thoshte: «biri im». E kuptova se ishin të afërt. Më zgjati një skalpel. Filloi të më vinte keq dhe të ndija përbuzje. Si në një ëndërr të keqe, një ankth pa fund. Edhe sot e kësaj dite më kujtohen skenat e asaj dite dhe më vijnë të njëjtat emocione. Mjeku që më udhëzonte më tha se çka duhej të bëja. Të bëja një vijë të drejtë në trupin e të burgosurit, që nga fyti e deri te fundi i brinjëve, dhe ta prisja duke ndjekur vijën. Mjeku tjetër kishte sjellë një kuti. Në të kishte fasha dhe një shishe qelqi të bardhë prej nga dilte erë alkooli, të cilën e vërejta kur filluam ta pastrojmë lëkurën. Pasi e pastrova atë pjesë të trupit ai më tha: «Shpejto, nuk kemi shumë kohë!»
E vërejta se djali i ri në tavolinë nuk ishte shqiptar. Si e vërejta këtë gjë? Kur iu afrova me skalpelin tim ai u mundua të çlirohej dhe atyre që e mbanin iu desht ta shtrëngonin edhe më fort. Filloi të ulërinte për ndihmë, ta thërriste zotin në ndihmë, të lutej: «zot, mos më prisni fytin, mos më vrisni!» Meqë isha një ushtar i ri, i nënshtruar urdhrave të një eprori të lartë, isha i detyruar t’ia filloja. Ia nisa ashtu siç kisha mësuar ta bëja gjatë stazhit (për kirurgji): vendosa dorën e majtë mbi gjoks për ta mbajtur dhe me dorën e djathtë mora skalpelin dhe fillova ta pres. Kur skalpeli mbërriti në pjesën e poshtme të trupit, gjaku filloi të rridhte rrëke. Kur mbërrita përafërsisht në mes të prerjes djali filloi të ulërinte që të mos e vrisnim dhe u alivanos. Isha aq i tmerruar sa nuk e di nëse shtirej apo kishte vdekur. Nuk e di nëse kishte vdekur, por ai nuk mbrohej më dhe nuk lëvizte. Kur e përfundova më thanë të bëja edhe një prerje transversale në pjesën e poshtme të trupit. Pastaj u desh të bëhet edhe një prerje në pjesën e sipërme të trupit. Këtë prerje e bëri mjeku sepse e hetoi se isha i tmerruar dhe më dridhej dora. Ai më tha: «Mos u mërzit, jam unë këtu». Para se ta merrte bisturinë – nuk ndihem mirë kur e kujtoj këtë skenë - plasi një zënkë tjetër mes mjekut dhe të afërmit të tij. Ky i fundit kishte harruar instrumentet për prerjen e brinjëve. Për të dalë sa më shpejt nga kjo situatë e mundimshme m’u kujtua se e kisha bajonetën e kallashnikovit që mund të kryente punë. Për ta përfunduar sa më shpejt dhe për t’i dhënë fund kësaj pune, e shndërrova bajonetën time në instrument kirurgjik.
Mjeku më tregoi se ku duhet t’ia prisja brinjët. I futi duart ndër brinjë dhe më tha:«Ndiqe shenjën që të tregon dora ime dhe preje. Të mbetet ta çosh përgjatë dorës sime». Për anën e djathtë ai tha: «do ta presim indin aty ku brinjët dhe pjesa tjetër e trupit janë një». Tërë kohën më thoshte të isha i vëmendshëm, të kujdesesha që të mos dëmtohet AJO. E «ajo» ishte zemra! Kështu veprova. Pastaj kaloi në anën tjetër të tavolinës dhe i futi duart në thellësi të kraharorit. Në atë moment erdhi një mjek tjetër i cili më tha: «duhet të përfundojmë shpejt. Nuk kemi shumë kohë.» Ky mjek solli një kuti, të cilën e vendosi pranë meje. Dhe aty për herë të parë pashë një organ njeriu. Më kaploi tmerri.
Do t’ju shpjegoj pse pati grindje në mes të mjekëve. Njëri prej tyre kishte harruar pinceta që ndërpresin rrjedhjen e gjakut nga venat dhe enët e tjera të gjakut. Për të bërë lidhjen në dy vende ne filluam të përdorim fije najloni në vend të tyre. Të najlonit që përdoret për peshkim. I bëmë tri herë nga dy lidhje dhe u ndalëm. I premë venat dhe kur e mora në duart e mia, zemra vazhdonte të rrihte. I lamë duart dhe shpejt e shpejt hapëm frigoriferin vogël që mund të mbahet në dorë. Në fund të tij kishte një vend të rregulluar apostafat për këtë gjë. Mjeku nxori një kuti plastike, të llojit të njëjtë si ato që përdoreshin gjatë stazhit tim. Pastaj e vendosëm kutinë që kishte zemrën, lëng dhe akull dhe e mbyllëm me lloj-lloj penjsh, llastika dhe lidhëse tjera, që nuk mund t’i përshkruaj me saktësi, me qëllim që të mos përmbysej kutia. Pas disa minutash më ftuan që të shkoj në një sallë ku ishin eprorët e mi. Një komandant i UÇK-së, nga më të njohurit, më tha: «Ta heq kapelën! Në Kosovë kemi nevojë për ushtarë si ti! Pikërisht kështu do të ngadhënjejmë!» Dhe më dha urdhër të merrja frigoriferin e dorës që kishte zemrën dhe ta vendosja pranë një veture. «Vendose te Volvo-ja»-më tha ai. Volvo-ja kishte ngjyrë të gjelbër të mbyllur. Shoferi e hapi gepekun dhe më tha ta vendosja frigoriferin në anën e majtë, në një skaj të izoluar afër rrotës ndihmëse. Pasi e vendosa frigoriferin, e lidha mirë që të mos lëvizte gjatë udhëtimit.
Kur më pyetët më parë sesi dhe kur e kuptova se transplantimi nuk ishte i destinuar për ndonjë përgjegjës të lartë të organizatës (...)[15] Mendoja se zemra ndoshta i është dedikuar ndonjërit me grada të larta, të cilin e kishim dërguar në spitalin ushtarak dhe i cili kishte vdekur gjatë transferimit të tij. Mendoja se zemra do të shkonte në Tiranë. Por, jo! Nuk ndodhi kështu! Vazhduam udhëtimin deri në aeroportin e Rinasit, afër Tiranës. Kur kemi mbërritur atje dhe, kur u hap porta, pamë ushtarë shqiptarë në uniforma. Aty pamë një aeroplan. Një person doli prej tij, me pamje të hijshme dhe me mjekër të mbajtur mirë. Nuk ishte shqiptar. Aeroplani privat kishte ngjyrat turke! Atëherë e kuptova se bëhej fjalë për biznes e jo për mbrojtje të atdheut. Tregti me organe. Para të mëdha. Asgjë të përbashkët me idealet që mbroja. Por, bëhej fjalë për diçka të tmerrshme.”[16]
Pasi e përfundon dëshminë e “dëshmitarit të mbrojtur”, të këtij “mjeku shqiptar, ish-ushtar i thjeshtë i UÇK-së” i cili pohon se “ka marrë pjesë në këtë krim të urdhëruar nga eprorët e tij”, Pierre Péan-i shtron pyetjen nëse ishte kjo “dëshmi e montuar nga shërbimet sekrete serbe, ashtu siç pohojnë një numër i protagonistëve të Çështjes shqiptare”?[17]
Rreth kësaj dëshmie, Pierre Péan-i deklaron se nuk mund të gjejë fjalë që do të mund të komentonin fjalët e kësaj dëshmie që të rrëqeth. Krejt ky tmerr është bërë për biznes![18]
Ndërsa, sa i përket vërtetësisë së kësaj dëshmie ai është i bindur se “lexuesi do ta krijojë opinionin e vet sapo ta mbyllë librin e tij.”[19]
Libri i Pierre Péanit mund të jetë me interes që të studiohet si shembull i kumbarisë së nocioneve të përpiluara nga shërbimet sekrete serbe e sidomos shembull i shpërndarjes së raporteve të sajuara mes nocionit «mafia shqiptare» dhe ambicieve politike të shqiptarëve të Kosovës. Por, mendoj se lexuesi nuk ka nevojë ta lexojë tërë librin e Pierre Péan-it për të vërejtur kundërthëniet e mëdha që përmban kjo dëshmi.
Nuk ka nevojë të lexohet tërë libri për të parë absurditetin e pohimeve se “një mjek” që ka bërë një “stazh në kirurgji” “sheh për herë të parë një organ njeriu!” Dhe tmerrohet!!! Është e tmerrshme se, në të njëjtën mënyrë siç “tallej prokuroria serbe për krime lufte me inteligjencën e qytetarëve”[20] të Serbisë, në të njëjtën mënyrë, Pierre Péan-i, mundohet të tallet me inteligjencën e lexuesve frankofon.
Cili lexues do ta gëlltisë gënjeshtrën se një mjek, që ka bërë edhe stazh në kirurgji, sheh për herë të parë skalpel, bisturi dhe instrumente tjera që përdoren për operacione! Cili lexues do të besojë se një mjek, sado i tronditur që të jetë, nuk mund ta dijë nëse “pacienti shtiret apo është i vdekur”! Cili mjek do të pohonte se zemra e nxjerrë vazhdon të rrahë[21]!
Nëse dikush nga lexuesit mund të besojë se një operacion aq i ndërlikuar mund të bëhet pa anestezi, nuk ka lexues që mund ta gëlltisë absurditetin që fillimisht pacientit i zgjidhen duart e pastaj angazhohen dy vetë për t’i mbajtur këmbët që të mos lëvizë!!! Është e qartë se një gjë e tillë i duhej skenaristit të këtij “produksioni” për të krijuar imazhet ku “pacienti përpëlitet dhe hedh shkelma për t’i shpëtuar copëtimit”!
Të mos flasim për pretendimet për harrimin e picetave dhe përdorimin e najlonit të peshkatarëve për t’i mbyllur enët e gjakut! Najlon peshkatarësh! Ndoshta mendonin të gjuanin në ujërat e turbullta mediatike që krijoi publiciteti i Raportit të Dick Marty-t! A ka më absurde se të “humbet kohë” për t’i mbyllur enët e gjakut një personi që i është nxjerrë zemra! Aq më tepër kur “dëshmitari i mbrojtur” dëshmon se eprorët e urdhërojnë disa herë të shpejtojë se nuk kishin kohë!
Prerjen e brinjëve me bajonetë kallashnikovi! Kush e beson? Këtë po e lë për fund! Çka mund të thuhet për shprehjen se pacientit “ia grisën bluzën në dy copë duke e lënë lakuriq, siç e kishte lindur nëna!” Nuk përjashtohet mundësia që këtë shprehje tipike serbe ta përdor edhe ndonjë shqiptar, por, gjatë përshkrimit të zhveshjes së pacientit, nuk u përmendën pantallonat dhe nga dëshmia e “dëshmitarit” del se nëna e kishte lindur këtë “pacient” me pantallona veshur!
Së paku gjatë leximit të kësaj dëshmie lexuesi mësoi se dikush mund ta njohë një aeroplan në bazë të ngjyrave, madje ta identifikojë nëse është aeroplan privat apo jo! Mësoi se ekzistonin ngjyra turke! Shpresoj se lexuesi nuk është habitur nga ky zbulim! Është e qartë se ai që ia qep me najlon peshkatarësh enët e gjakut personit të cilit i është nxjerrë zemra, është në gjendje t’i identifikojë edhe ngjyrat turke!
Çka ka pasur në mendje ai që e sajoi një shprehje aq të palogjikshme si pohimi për ngjyrat turke? Nëse ka menduar për ngjyrat e flamurit turk, i cili përbëhet nga ngjyra e kuqe dhe ajo e bardhë, ngjyra që nuk janë monopol identifikimi i asnjë kombi dhe i asnjë flamuri, atëherë shtrohet pyetja pse ky “ish-ushtar i UÇK-së” nuk deklaroi se kishte njohur “ngjyrat zvicerane” të aeroplanit “privat”! Sepse edhe flamuri i shtetit të Zvicrës, si dhe i dhjetëra shteteve tjera përbëhet vetëm nga këto dy ngjyra! T’i atribuohej ky aeroplan “privat” Zvicrës do kishte qenë edhe më koherent me propagandën serbe, sepse autoritetet e Zvicrës u akuzuan nga Shërbimi Sekret i Serbisë se gjoja i paskëshin lejuar “kampet paramilitare private, sallat e gjuajtjes me armë dhe klubet e sporteve luftarake për nevojat e UÇK-së.”[22]
Në këtë kontekst, përpiluesit të dëshmisë që u shfaq në emër të “dëshmitarit të mbrojtur” nuk e sheh të udhës të kalohej përtej Adriatikut, por ishte më e lehtë në drejtim të Detit të Zi! Ndoshta në kërkim të ujërave të turbullta për të peshkuar, krijuesit e këtij rrëfimi kishin nevojë për ngjyrën e Detit të Zi!
Por, nuk është koha e peshkimit në ujëra të turbullt! Ata që dëshirojnë të informohen objektivisht kanë mundësi ta bëjnë këtë. Pikërisht për shkak “të mundësive të mëdha që ofron interneti”, edhe pse Dick Marty tërhiqte vërejtjen se “asnjëherë nuk kemi qenë më të rrezikuar të shndërrohemi në viktima të helmimit nga informatat.”[23] Ndoshta për shkak se, siç thotë një shprehje popullore shqiptare, «e ka mizën nën kësulë»!
Ata që kanë dashur të informohen objektivisht kanë pasur dhe kanë mundësi të shohin se përballë kësaj propagande absurde as intelektualët serbë nuk mbetën pa reaguar. Më lart përmenda rastin e gazetares serbe Tatjana Tagirov, e cila veprimet e mësipërme i cilësoi si “marrëzi të Prokurorisë për krime lufte”[24]. Kjo gazetare nuk ishte e vetmja që reagoi kundër manipulimit me opinionin publik. Humanistja e njohur serbe, Nataša Kandi?, në intervistën që dha për Radion Evropa e Lirë, hodhi dyshime rreth tregimit të këtij “dëshmitari”. Për drejtoreshën e Fondit për të drejtën humanitare në Serbi, është e pabesueshme të ketë ndodhur ashtu. As edhe në filmat e zhanrit horror, që kanë çmimin fare të lirë, një skenar i tillë nuk mund të shihet[25].
Reaguan edhe avokatë si Dragoljub Todorovi?-i dhe ?or?e Dozet-i të cilët theksuan se kjo formë manipulimi dhe sidomos nxjerrja e « dëshmitarit të mbrojtur » para kamerave paraqet shkelje të rëndë të procedurave legale. Aq më tepër kur Prokuroria serbe për krime lufte nuk ishte e ngarkuar të zhvillonte hetime për këtë rast.”[26]
Vërejtje të shumta u bënë lidhur me shpjegimin që “dëshmitari i mbrojtur” u bëri procedurave të nxjerrjes së organit për transplantim! Operimi nga ai që kishte bërë vetëm stazh kirurgjie, përderisa mjeku me përvojë asiston operacionin, mungesa e anestezisë, mungesa e instrumenteve kirurgjikale dhe zëvendësimi i tyre me bajonetë, lidhja e enëve të gjakut me najlon që përdorej për peshkim[27] ishin vetëm disa nga vërejtjet që bënin rreth besueshmërisë e këtij rasti!
Në kapitujt paraprakë lexuesi pati mundësi të njihej me angazhimin e “ekspertëve të mjekësisë ligjore”, në shërbim të regjimit të Miloševi?-it. Ndyshe nga praktika e regjimit të vjetër, kur patologët dhe ekspertët e forenzikës si Slaviša Dobri?anin-i, Vujadin Otaševi?-i, Dušan Dunji?-i, Miloš Tasi?-i përpiqeshin t’i fshihnin krimet, regjimi i ri i Beogradit, gjeti një ekspert mjekësie, një kirurg, për t’ia atribuuar krimin shqiptarëve.
Për t’i dhënë fuqi besueshmërisë së deklaratave të “dëshmitarit të mbrojtur”, skenaristët e emisionit special “Anatomia e Krimit” intervistuan edhe kirurgun, Dragoš Stojanovi?-in. Në bazë të asaj që u tha para se t’ia jepnin fjalën, qëllimi i kësaj interviste ishte të merrnin mendimin e një eksperti të kirurgjisë nëse ishte e mundur të kryhej nxjerrja e organeve në mënyrën se si e kishte përshkruar “dëshmitari i mbrojtur”.
Dragoš Stojanovi?-i, i cili e kishte parë intervistën ende pa u transmetuar nga Radio Televizioni i Serbisë, në cilësinë e “ekspertit të njohur”, deklaroi se “përshkrimi i dëshmitarit të mbrojtur është i besueshëm (...) Në parim, teknikisht dhe teknologjikisht është e mundur që të bëhet ashtu. ”Edhe rreth vendosjes së zemrës në frigorifer dhe transportimi i duken të besueshme dhe autentike. Parimisht të gjitha këto i përkasin disa aspekteve procedurale, që natyrisht bëhen në një mënyrë specifike. Në parim, çdo gjë që thuhet në këtë dëshmi përputhet me metodat se si bëhet një gjë e tillë, kur duhet të bëhet në bazë të metodave të sofistikuara.”[28]
Të gjithë kirurgët e dinë se, nëqoftëse zemra e nxjerrë nga një pacient nuk transplantohet menjëherë apo nëse nuk vendoset në aparaturë speciale që do ta mbanjë në funksionim deri në momentin e transplantimit, ajo zemër, mund të bëhet e pa përdorshme!
Edhe në qarqet mjekësore serbe u shpreh habi se si ishte e mundshme që dikush nga mjekët të deklarojë si të besueshëm versionin e dëshmitarit se mund të nxirret zemra pa anestezi, nga një stazhier kirurgjie, me bajonetë … !”[29]
Arsyet pse nuk do të vazhdoj me citimet e të gjitha reagimeve do të dalin në shesh nga përmbajtja e epilogut të këtij kapitulli. Jam i bindur se ky epilog do ta sqarojë lexuesin për shumë aspekte të “anatomisë së krimeve” që i visheshin UÇK-së.
[1] Ve?ernje novosti, «Imamo svedoka o uzimanju organa» (Kemi dëshmitarë për nxjerrjen e organeve)
[2] RTS 1- «Anatomia zlocina-Trgovina organima srba sa Kosmeta», 10.09.2012
http://www.youtube.com/watch?v=yYgj4JH-_Ag
[3] E-Novine, «Medicinski i pravni stru?njaci osporavaju Vuk?evi?eve dokaze - Svedo?enje o va?enju organa je budalaština» (Ekspertët e mjekësisë dhe drejtësisë kontestojnë provat e Vuk?evi?-it. Dëshmi për nxjerrjen e organeve është marrëzi), 14.09.2012
http://www.e-novine.com/srbija/srbija-tema/71372-Svedoenje-vaenju-organa-budalatina.html
[4] BLIC, «Vuk?evi? ocekuje reakciju me?unarodnog tima i Vilijamsona», (Vuk?evi?-i pret reagimet e ekipit ndërkombëtar të Williamson-it), 13.09.2012
http://www.blic.rs/Vesti/Hronika/342578/Vukcevic-ocekuje-reakciju-medjunarodnog-tima-i-Vilijamsona
[5] Kurir, «Tužilac Vilijamson stiže kod Vuk?evi?a» (Gjykatësi Williamson mbërrin te Vuk?evi?-i)
12.09.2012
http://www.naslovi.net/2012-09-12/kurir/tuzilac-vilijamson-stize-kod-vukcevica/3850263
[6] «Tužilac Euleksa Vilijamson uskoro u Beogradu» (Hetuesi i EULEX-it së shpejti në Beograd), 12.09.2012
http://www.naslovi.net/2012-09-12/mondo/tuzilac-euleksa-vilijamson-uskoro-u-beogradu/3849173
[7] Novosti, Nr. 666, «Budalaštine Tužilaštva za ratne zlo?ine» (Marrëzitë e Prokurorisë për Krime Lufte)
http://arhiva.novossti.com/2012/09/budalastine-tuzilastva-za-ratne-zlocine/
[8] Po aty
[9] Po aty
[10] Raporti i Dick Marty-t, paragrafi 67
[11] Po aty, paragrafi 60
[12] Pierre Péan, vepra e cituar, Kosovo : une guerre «juste» pour un Etat mafieux
[13] Po aty, f.366
[14] Sidomos dhjetë kapitujt e fundit (kapitujt 21-30) dhe 40 faqe aneks!
[15] “Dëshmitari i mbrojtur” e ndërpret rrëfimin!
[16] Pierre Péan, vepra e cituar, Kosovo: une guerre «juste» pour un Etat mafieux f.9-13
[17] Po aty, f.13
[18] Po aty, f.13
[19] Po aty, f.13
[20] Shprehje e gazetares serbe Tatjana Tagirov
[21] Përveç disa shtangimeve që mund të shfaqen gjatë sekondave të para e që nuk mund të definohen si rrahje zemre !
[22] Versioni në gjuhën frënge i librit të cituar « Le terrorisme au Kosovo.... », f. 209, Versioni në gjuhën angleze f.204, ndërsa versioni elektronik në gjuhën serbe, f.9
[23] Réseau Voltaire, intervista e cituar, «Dick Mary, L’indépendance du Kosovo n’a pas été décidée à Pristina»
[24] Novosti, artikulli i cituar, «Budalaštine Tužilaštva za ratne zlo?ine»
[25] Radio Slobodna Evropa, «Sumnje u uverljivost svedoka navodne trgovine organima» (Dyshime për vërtetësinë e dëshmitarit lidhur me gjoja tregëtinë me organe)
http://www.slobodnaevropa.org/content/sumnje-u-uverljivost-svedoka-navodne-trgovine-organima/24706268.html
dhe http://www.hlc-rdc.org/?p=21038
[26] Artikulli i cituar, «Sumnje u uverljivost svedoka navodne trgovine organima»
http://www.slobodnaevropa.org/content/sumnje-u-uverljivost-svedoka-navodne-trgovine-organima/24706268.html dhe http://www.hlc-
rdc.org/?p=21038
[27] Slobodna Evropa, «Sumnje u uverljivost svedoka navodne trgovine organima» (Dyshime për vërtetësinë e dëshmitarit lidhur me gjoja tregëtinë me organe)
http://www.slobodnaevropa.org/content/sumnje-u-uverljivost-svedoka-navodne-trgovine-organima/24706268.html dhe http://www.hlc-
rdc.org/?p=21038
[28] RTS, emisioni special i cituar, «Anatomija Zlocina»
[29] Artikulli i lartpërmendur «Sumnje u uverljivost svedoka navodne trgovine organima»