Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmeti: Nxënësit e vrarë në shkollën ''Isa Boletini''

| E enjte, 21.05.2015, 09:00 PM |


Opinione: Nga lufta e viteve 1998/1999

NXËNËSIT E VRARË NË SHKOLLËN E MESME EKONOMIKE “ISA BOLETINI” NË PODUJEVË

Nga Gani Mehmeti

Përse jemi të prirur të shtyhemi, të grindemi ndërmjetveti e jo edhe me armiqët tanë?

Po të shikosh fjalimet në dy Kuvendet Shqiptare, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, sheh e dëgjon vetëm britma, ofendime, sharje me fjalor shumë brutal nga të dyja palët – pozitës dhe opozitës. Këta shkojnë shumë larg dhje përdorin fjalë e shprehje aq vulgare sa në rrugë t’i dëgjosh të të vijë turp e jo në krye të institucioneve shtetërore! Këta dinë edhe të grushtohen ndonjëherë, duke mos mundur të durojnë njëri-tjetrin!

Mirëpo, ky fjalor, këto shprehje, akuza e kundërakuza të deputetëve shqiptarë mungojnë kundër armiqëve tanë, madje edhe kundër serbëve qe jo vetëm deri dje sa po luftohej, por edhe sot, në “paqë” jemi  në luftë, jemi të akuzuar prej tyre se ne, viktima të një dhjetëvjetëshi, paskemi bërë krime lufte ndaj serbëve!

Po, përse është kjo kështu, mund të pyesim?

Ne gjithherë, kur është fjala të vijë deri tek fitorja, ia lëmë stihisë, nuk e marrim me seriozitet, nuk e çojmë punën deri në fund dhe pas të gjitha atyre mundimeve, pas gjithë atyre të vrarëve, qofshin heronj, dëshmorë, civilë moshash të ndryshme, sikur i harrojmë dhe nuk merremi më me ta. U bë si u bë, shpëtoi kush shpëtoi – dhe tani duhet “pajtuar” me fatin e pafat të të gjithë të vrarëve, madje edhe të fëmijëve, duhet të pajtojmë  dhe të mos bëjmë asgjë tani më!

Kjo neglizhencë është duke në u hakmarrë, madje, mund të çuditen edhe vetë të tjerët se si ne nuk bëjmë asgjë në këtë drejtim, që të informojmë opinionin ndërkombëtar, duke  i regjistruar gjithë të vrarët dhe viktimat civile edhe sipas moshës, duke përfshirë nga ata të posalindurit e deri tek më të vjetrit. Kjo do të çonte peshë në opinonin ndërkombëtar ku edhe do të shihej se kush ka bërë krime. Nuk shqetësohet opinioni ndërkombëtar për të rënit e uniformuar, sepse ajo është luftë dhe nuk është shumë me rëndësi sa luftëtarë vriten nga njëra dhe sa nga pala tjetër. Civilët nuk duhet të vriten në asnjë luftë, prandaj është shqetësuese, prandaj do të duhej të kemi një statistikë edhe sipas moshave.

Kaluan 16 vjet nga mbarimi i luftës  me Serbinë dhe ne nuk e di se kemi kryer edhe shumë detyra, të cilat do të duhej t’i kishim kryer. Janë botuar mori tekstesh për luftëtarët dhe dëshmorët e rënë, por na kanë mbetur edhe shumë detyra tjera pa u kryer. Deri sa për luftëtarët  dhe dëshmorët e rënë është bërë regjistrimi i tyre, janë botuar monografi a enciklopedi, dukle shkruar për ta, për jetën e tyre, kjo punë nuk është bërë edhe në organizata, ente, komuna, shkolla, çerdhe e pjestarë apo anëtarë të të cilave kanë qenë të gjithë të rënit. Nuk është bërë një regjistër i fëmijëve të vrarë nga armiku sipas moshës, nuk është bërë regjistrimi i të vrarëve që kanë qenë në çerdhe, në parashkollorë, në cikle të ndryshme të shkollimit, duke përfshirë nga klasa e parë e shkollës fillore e deri në fakultet.

Sa kemi bërë në këtë drejtim ne që ta informojmë opinionin botëror lidhur me këtë – asgjë!

Çdo ent, institucion, shkollë, shoqëri, fabrikë, shoqatë qoftë, do të duhej të kishte regjistruar viktimat e veta, duke shkruar edhe jetëshkrimin e tyre bashkangjitur me nga një foto dhe do të duhej ta mbante në arkiv, do të duhej publikuar e vënë nëpër muret e objekteve ku kanë mësuar, punuar a zhvilluar aktivitete të ndryshme. Të gjitha këto do të duhej publikuar në një vend edhe në gjuhët e mëdha botërore që t’u ofrohej e të shihnin se çfarë kanë bërë serbët në popullin e pambrojtur që nga viti 1990 e pse jo, edhe më herët.

Kush do të besonte se në dy vitet e fundit të luftës, vetëm në një shkollë të mesme janë vrarë tetë nxënës, tre janë plagosur, një është i zhdukur dhe dy të traumatizuar, gjithsej 14 nxënës.

Unë mbaj mend me rastin e ngushëllimeve të vrasjes të nxënësit Hazbi Veliu, në ngushëllime familjes i qe thënë se do të mbetet i paharruar për shokët, mësimdhënësit, shkollën! Vërtet kështui do duhej të ishte, por, me t’u kthyer nga lufta në vendin tonë, fatkeqësisht, askujt nuk i ra më ndërmend të bëjë diçka në këtë drejtim për këta nxënës të shkollës në fjalë! Sekush u përpoq vetëm për vete, pë e kthyer kokën nga asnjëri, sa shkoi deri në harresë. Për të gjithë këta do të kishte mundësi të shkruhet, të merren foto të tyre o nga familja o nga shokët dhe shkrimi për ta të vendosej në muret e shkollës, ku do ta lexonin gjeneratat e reja, duke u informuar se ishin vrarë nxënës nga armiku  ynë, i cili nuk kishte zgjedhur se kë po e vriste. Më kot i flet gjeneratës së re, ata kërkojnë fakte, dhe nuk do të ketë nevojë t’u flitet.

Ne po japim, të paktën vetëm emrat dhe mbiemrat e nxënësve të vrarë të SHME “Isa Boletini” në Podujevë. Shkrimet biografike  u mbetet drejtorisë  së shkollës t’i plotësojnë bashkë me fotografi.

Ja edhe të varët e kësaj shkolle:

1.    Besnik Ademi, klasa I4, i vrarë më 9. I. 1999, nga Bradashi

2.    Ferat Aliu, klasa II4 , i vrarë më 9. I. 1999  , nga Dumnica

3.    Florindë Kopalla, klasa III3, e  vrarë më 1. V. 1999, nga Obrtança

4.   Ahmet Shabani, klasa III7, i vrarë më 25.V. 1999, në Zhiti, pjesëtar i  UÇK, nga Reçica.

5.    Bekim Lushaku, klasa IV6, nga Hertica

6.    Mirsad Abdullahu, klasa  IV6, i vrarë më 24. XII. 1998 në Gllamnik, në aksionin që kishe marrë ushtria serbe nga Gllamniku e deri në Llapashticë

7.    Hazbi Veliu, Bradash, klasa III8

8.    Abedin Fejzullahu, klasa IV8, , nga Llapashtica

I zhdukur:

1.    Hazir Bajgora, III7,

Të plagosur:

1. Isuf  Osmani, klasa  IV7

2. Fazli Imeri, klasa I9, në Grashticë. Fazliut i bijnë me thikë në prani të familjes. Është për t’u çuditur se si ka mundur t’u mbijetojë atyre dhjetë plagëve që i ka pasur në trupin e tij më thikë. Ai kishte mbetur aty për i vdekur, por fati e kishte dashur që ai, ndoshta edhe si i ri, t’u qëndrojë të gjitha atyre plagëve dhe shërohet e sot jeton, madje është maruuar e ka edhe fëmijë!

3. Besnik Ismaili, i plagosur , pjesëtar i UÇK

Të traumatizuar:

1.    Isuf Imeri, klasa  II4, i traumatizuar, nga Pollata

2.    Agron Maloku nga Bellopoja

Në ngushëllime familjes të Hazbi Veliut, me rastin e vrasjes së tij:

Në emër të Shkollës së Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë; nxënës i të cilës shkollë qe Hazbiu, familjes së tij i shprehim ngushëllimet më të thella!

Njëherit, ju sigurojmë se Hazbiu do të jetë i paharruar dhe i pâvdekshëm nga shokët, mësimdhënësit dhe drejtoria e kësaj shkolle[1]!

Hzbiu qe nxënës i sjellshëm, i dashur, i rregullt dhe i dalluar në mësime e me ide patriotike që aq shumë e deshti Kosovën e Lirë. Prandaj, armiku edhe i zgjedh të tillët dhe ua merr jetën mu në lulen e rinisë. I morën jetën, duke mos e lënë t’i shijojë  ditët e Lirisë, që nuk janë të largëta, për çka u derdh gjaku i Hazbiut dhe dëshmorëve të tjerë.

Qoftë e mallkuar ajo dorë mizore që të ndau nga ne; në pragun e pranverës dhe të Lirisë!

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Bradash,

më 16 mars 1999

Shumë shpejt po ik koha, njerëzit ndërrohen, sepse shkojnë gjeneratat e vjetra e vijnë te rejat, që duhet të informohen si ka qenë dikur.

Nuk e di përse, qyëh gjatë luftës, kur nxënësit po vriteshin, unë kisha mbajtur shënimet se kush kur ishte vrarë nga pushtuesi. Dhe, duke marrë përdorë këto shënime, më doli se vetëm në këtë shkoillë ishin vrarë  tetë nxënës, ishin plagosur tre dhe ishin traumatizuar dy e një konsiderohet i zhdukur.

Ata janë gjithherë të rinj, ata janë të moshës kur u vranë, dhe kurrë nuk do të plaken, edhe pse, bota mund të plaket, ata janë gjithherë në lulen e RINISË apo të FËMIJËRISË, gjithherë të bukur e të dashur për të gjithë, jo vetëm për familjarët. Ata nuk u përkasin sot vetëm familjeve të tyre që t’i qajnë, që t’i kujtojnë, por gjithë shoqërisë e sidomos edhe shkollës, ku përgjysmë iu ndërprenë mësimet, ashtu sikur edhe jeta.


[1]  Kemi menduar se vërtet nuk do të harrohen, por as sot e kësaj dite nuk është bërë asgjë nga drejtoria dhe shkolla në përkujtim të nxënësve të vrarë nga dora e armikut. Nëse asgjë, kanë mundur të mbledhin biografitë e tyre me nga një foto dhe t’i shkruajnë në një gazetë muri!