Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ermira Ymeraj: Era e diasporës përmes zërit krijues

| E premte, 08.11.2013, 07:44 PM |


Era e diasporës përmes zërit krijues të udhëtarit të botës

Dëshmi e gjallë është vepra e këtij njeriu dhe e kësaj pene krijuese në diaspore që s’reshti së punuari për ashtin e kombit të tij, si dhe për kanonizimin e shenjtërinë e gjuhës amtare, e vetmja pasuri e bekuar që na ka mbetur.

Nga Ermira Ymeraj

Parathënie: Kjo temë lindi si shtysë për të krijuar një përqasje të problemeve të shkrimtarëve në mërgim, problemeve me të cilat kjo letërsi dhe këta shkrimtarë që gjallërojnë në vende të ndryshme, larg atdheut, ndeshen me sakrificën sakrale që këta atdhetarë përballen në luftën e tyre vetëmohuese për identitet njerëzor, identitet etnik, identitet kulturor dhe identitet kombëtar.

Tema vetvetiu të shtyn të thellohesh në argumentat, që ato të mos mbesin në kuadrin e parashtrimeve a qasjeve të biografisë së tyre kulturore. Këndi i parë është aktualizimi i emrave të tyre, përkrah udhës së gjatë të letrave shqipe, si zëra jo periferikë, por si zëra që në ato udhë të errëta të kombit të tyre, me luftën e tyre këmbëngulëse, kërkuan që diskursi atdhetar, patriotik dhe estetik i veprave të tyre, të përcillte dhe të rriste ndërgjegjen atdhetare të bashkëkohësve emigrantë, madje, duke na frymëzuar edhe neve në Shqipëri, Kosovë e gjetiu. Ata punuan për afirmimin e jehonën e identitetit tonë shqiptar në dhe të huaj, për rritjen në vazhdimësi të  fizionomise së atdheut në sytë e botës, si një atdhe me asht kulturor e me fizionomi të drejtë, për të qenë një atdhe i lirë dhe me fytyrë autoktone.

Baki Ymeri. Me këtë punim modest do të dëshiroja që sadopak të kontribuoja që figura Baki Ymerit, me gjithë potencialitetin e veprës, të rreshtohej përkrah emrave të shqiptarëve të mëdhenj. Me talentin e tij, ai punoi pa u lodhur për pasurimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në shumë fusha të filologjisë. Me pasion, zgjuarsi e dashuri, ai jo vetëm shkruajti, botoi, kërkoi e zbuloi shkrime të vlefshme për historiografinë shqiptare, por edhe sqaroi e shtjelloi ide të reja për identitetin e atdheut në mërgim.

1. Si është realizuar afirmimi i letërsisë së ish-trojeve shqiptare përmes veprimtarisë letrare të Baki Ymerit? 2. A është ndërtuar një publik që ndjek këtë diskurs letrar? 3. Krijmtaria e tij a zbulon një botëkuptim të ri për lexuesin?

Nga jeta dhe vepra e Baki Ymerit

1. Jeta, shkollimi, aktiviteti. Sipas të dhënave, Baki Ymeri u lind në Shipkovicë (1 gusht 1949), nga një baba shqiptar, ish-veprimtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, dhe nga një nënë rumune. Kreu studimet e larta për Gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës (1982). Në bazë të rekomandimeve të dr. Latif Berishës, ndërlidhet me Bukureshtin, për afirmimin e diasporës shqiptare të Rumanisë. Duke qenë i ndjekur nga pushteti komunist i ish-Jugosllavisë, në vitin 1973 arratiset në Bukuresht. Vazhdon studimet dhe specializimin në Vjenë (1974) dhe Bukuresht (1975).

1. Si është realizuar afirmimi i letërsisë së ish-trojeve shqiptare përmes veprimtarisë letrare të Baki Ymerit?

- Në periudhën 1971-1979, si pasojë e botëkuptimeve demokratike dhe përhapjes së literaturës shqiptare në relacionin Tiranë-Bukuresht-Shipkovicë, ndiqet, arestohet dhe dënohet nga Gjykata (komuniste) e Qarkut të Shkupit me gjashtë vjet burg të rëndë, “për veprimtari armiqsore kundër bashkësisë sonë socialiste” (Qershor 1976).

- 1971-1990: Bashkëpunon me shtypin shqiptar të Kosovës dhe Maqedonisë; përkthen letërsinë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas. Jep kontribute publicistike, edhe për letërsitë e popujve tjerë të Ballkanit. Nëper vite ka botuar në revista të ndryshme mijëra vargje nga vepra e dhjetra shkrimtarëve rumunë klasikë e bashkëkohorë, në gjuhën shqipe, maqedone dhe sllovene. Nikita Stënesku (Ekspozitë e të palindurve, Prishtinë, 1986); Angjel Dumbrëveanu (Kënga e mullibardhës, Shkup, 1986); Sllavko Almëzhan (Xhuxhmaxhuxhët harruan të rriten, Prishtinë, 1989); Marin Sorescu (Eja të ta them një fjalë, Prishtinë, 1990), Halil Haxhosaj (Umbra cuvintelor/Hija e ëndrrave), Bukuresht, 2004), Karolina Ilika (Duke dashur në fshehtësi, Pogradec, 2004), Sali Bashota (Exilul sufletului/Ekzili i shpirtit, Bukuresht, 2004), Ibrahim Kadriu, N-a ramas timp pentru sarbatori (S'mbet kohë për kremte), Bukuresht, 2005). Bibliografi lirike: "Kaltrina" (botuar ne shqip-rumanisht, Bukuresht, 1994); Dardania (botim bilingv, Bukuresht, 1999; Zjarr i Shenjtë (Tetovë 2001); Lumina Dardaniei/Drita e Dardanisë (Muzeu i Letërisës Rumune, Bukuresht, 2004): Drumul Iadului spre Rai (Rruga e Ferrit për në Parajsë), Bukuresht, 2005. Etj.

- 1990-2003: Jep provimet dhe referatët e doktoratës me notën brio në Universitetit të Bukureshtit, dhe njëkohësisht afirmon dhe mbron me guxim publicistik, çështjen e shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë në shtypin rumun dhe atë shqiptar. I përfshirë në një disaporë aktive për çështjen kombëtare kundër ç’kolonializimit të Kosovës, ai merr meritën si një vazhdues i denjë i romantikëve dhe poetëve të Rilindjes që vepruan në emigrim në mbrotjen e çëshjtes shqiptare. Merr pjesë aktive në simpoziume ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Është veprimtar i dalluar i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, inisiator për themelimin e Shoqatës së Miqësisë Rumuno - Shqiptare, kryeredaktor i revistave “Shqiptari” dhe “Kosova” në Bukuresht, të gjitha aktivitetet duke i kryer vullnetarisht, pa kurrfarë të ardhurash.

- Është autor i tetë librave origjinalë e të përkthyer (poezi dhe monografi mbi diasporën shqiptare), njohës i një numri të konsideruar gjuhësh të huaja, autor i mbi njëmijë artikujve të botuar, zbulues i thesarit të shoqërisë “Drita”, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, i nominuar nga Instituti Biografik Amerikan si “Njeriu i Vitit 2001”.

Emigrantët shqiptarë në Rumani janë kryesisht të vendosur në qendrën më të madhe institucionele e kulturore të vendit, në Bukuresht, ata kanë vepruar dhe veprojnë në shërbim të çështjes shqiptare, duke krijuar në Bukuresht një ndër vatrat më të zjarrta të aktiviteteve të Çështjes Kombëtare Shqiptare. Traditë e krijuar nga Rilindasit tanë, e ruajnë edhe sot, të organizuar në Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, me qendër në Bukuresht, e drejtuar për disa dekada nga Dr. Xhelku Maksuti, një historian, studiues dhe publicist i njohur me prejardhje rumuno-shqiptare. Shkrimtari, botuesi dhe afirmuesi i çështjes kombëtare, Baki Ymeri, bëhet kështu afirmues i letësisë shqipe të ish – trojeve të atdheut mëmë.

Botimet në shtypin e kohës

2. A është ndërtuar një publik që ndjek këtë diskurs letrar?

Baki Ymeri është i njohur si krijues, poet, publicist, përkthyes, eseist dhe editor. Ai është autor i shumë krijimeve e librave të botuara në gjuhën shqipe dhe atë rumune, si dhe në gjuhë të tjera. Me emrin e tij jemi ndeshur në shtypin e pas ’90 – ës për Shqipërinë post komuniste. Është ndër krijuesit e brezit të ri shqiptar, brez të cilit i ra si detyrë të ballafaqohet me ngjarjet tragjike që e tronditën Ballkanin. Errësirën serbo-sllave me tentativën të çfarosë popullin shqiptar në Ballkan, dhe qëllimin për t'ua marrë trojet etnike, apo për të ç’rrënjosur gjuhën dhe identitetin iu kundërvu ky brez i disporës shqiptare me në qendër Bukureshtin. Në këtë kohë, Baki Ymeri shfaq dhe proklamon qëndrime të rrepta kundër dhunës, duke bërë thirrje përmes fjalës së tij krijuese, gazetareske, publicistike, për paqë e vëllazërim, për drejtësi, liri dhe pavarësi. Për poezinë e tij kanë shkruar: Marin Soresku, Oktavian Soviany, Luan Topçiu, Radu Voinesku, Xhelku Maksuti...

Që nga viti 1971 përkthen letërsinë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, jep provimet e doktoratës në Universitetin e Bukureshtit, polemizon, afirmon dhe mbron çështjen shqiptare të Kosovës në shtypin rumun dhe atë shqiptar, merr pjesë në simpoziume ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, afirmon diasporën shqiptare, bashkëpunon me një varg revistash e gazetash në veri dhe jug të Danubit, vepron në kuadrin e Këshillit Udhëheqës të Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, themelon Shoqatën e Miqësisë Rumuno-Shqiptare, afirmon dhe përkrah bijtë dhe bijat e rilindësve tanë, të gjitha aktivitetet duke i kryer vullnetarisht, pa rrogë, pa pension dhe pa kurrfarë të ardhurash..

Në kuadrin e manifestimeve në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Athinë, Baki Ymeri nderohet nga ana e Klubit të Shkrimtarëve “Drita “me Çmimin “Pena e Artë” (9 dhjetor 2006), si dhe me një varg mirënjohjesh tjera në veri të Danubit. Jeton dhe krijon në Bukuresht, ku jep kontribut për afirmimin e vlerave letrare të Kosovës në gjuhën rumune. Sipas Dr. Luan Topçiut: “Baki Ymeri është njeriu që shkriu jetën për historinë e shqiptarëve të Rumanisë, dhe mbi të gjitha për poezinë, këtë dhuratë hyjnore, që e ka bërë, dhe vazhdon ta bëjë të frytshme. Baki Ymeri përbën një model jetësor që t’i përkujton modelet e Rilindjes Kombëtare, një jetë e martirizuar për një ideal të lartë. Do të përmëndja këtu ndihmesën e posaçme që ka luajtur për sensibilizimin e problemit të Kosovës në veri të Danubit, veçanërisht përgjatë dhjetëvjeçarit të fundit, në kohën kur Kosova kishte më tepër nevojë se sa kurrë -1989-1999”.

Vlerësime tjera për këtë thesar të mërgatës sonë: “Puna e tij është e çmuar dhe si e tillë duhet të vlerësohet, prandaj çdo ndihmë ndaj zotit Baki është ndihmë ndaj çështjes sonë” (Ali Podrimja). “Intelektual shqiptar si yll i pashuar në mërgim” (Nexhip Alpan). “Jeta dhe sakrificat e tij, përherë ma përkujtojnë Nikolla Naçon e madh” (Alush Kamberi). “Njeri patriot dhe çemërçelur” (Elida Petoshati). “Poet, përkthyes, gazetar dhe atdhetar i dëshmuar. Le të shkëlqejë çdo shqiptar me shembullin e tij!” (Iljaz Osmani). “Poet dhe Patriot” (Kopi Kyçyku), “Zjarri i Shipkovicës në diasporë” (Sali Bashota). “Baki Ymeri ka sakrifikuar rininë për një ideal të lartë. Është shqipërues i shkëlqyer i letërsisë, përhapës i zjarrtë i kulturës, bashkëpunëtor aktiv i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, dhe mbi të gjitha, mik besnik i revistës “Shqiptari” (Prof. dr. Xhelku Maksuti.

3. Krijmtaria e tij a zbulon një botëkuptim të ri për lexuesin? “Letërsia shqiptare ka pasqyruar fatet e popullit shqiptar nëpër shekuj, fatin e një vendi të vogël në një rajon të Evropës, i cili për arsye politike, historike, ekonomike dhe gjeografike ka mbetur më i pazhvilluari në këtë kontinent. Popujt më fatlumë të Evropës, kanë mundur t’i gëzohen shkëlqimit të kulturave dhe trashëgimisë së tyre kombëtare, të pasuruara e të kulluara nga shekujt, ndërsa historia e Shqipërisë ka qenë diçka më shumë se luftë për të mbijetuar.”1

SHIPKOVICA

Pas pesëmijë vitesh

Nga Parajsa erdha ta shoh

Se si e prisni dritën në vatër

Dhe si i lansoni ëndërrat

Në zemër të Dardanisë

Kur Zoti ishte Zot

Që i ndëshkoi barbarët

Me zjarr e barot.

.

Fëshferimë yjesh,

Thëllënxat shtojzavallet,

Engjëjt e librat,

Fran Kola e Mnjaku,

Vokallarët dhe Gjura,

Bishat e Vardishës

Dhe Përroi i Kishës.

 

Muret e shtëpive të vjetra

Porsi në çerdhe e mbajnë frymëmarrjen

Qenje e gjallë

Historia hyn dhe del nga dyert

Bebzat i drejton tejmatanë Kalasë

Ngazëllimin e mban mes oborresh

Qetësi mbëlton mes shtatoresh

Shtëpi lidh mes shtëpishë

Mure lidh mes muresh

 

Sulltani na i ndërroi emrat

Por jo edhe shpirtin

Naimi e mban të pashuar dritën në vatër

Historia merr frymë

Ndërmjet mureve

Ajo i shpërlan teshat

Teshat e bardha presin

Çfarë hijeshie!

Referencë e poezisë së tij është Uni lirik. „Nga Parajsa erdha ta shoh”. Kjo bën që poezia e tij të jetë më imagjinare dhe më universale. Mesazhi i mbivendoset kohëve mitike dhe biblike duke u realizuar si ç’kodim i ktëyre thellësive: Mure lidh mes muresh, duke luajtur me fjalën e fuqinë e saj si topos me imazh dhe përfytyrim, Shipkovica veçohet si kryefigurë dhe hyn ne lidhje të pashkëputshme konotative me parajsën, zotin, shtojzavallet, njerëzit, muret e shtëpisë, kalatë, kohën historike me të pathënat, farën e shpitarisë, kumtin e bardhësisë për të shijuar estetikisht të madhërishmen në vargun: Çfarë hijeshie!

Fjalët-çelsa të poezisë së tij janë: Parajsa, Dardania, barbarët, thëllënxat shtojzavallet, engjëjt e librat, bishat, Përroi i Kishës, muret, historia, kalaja, sulltani, Naimi, teshat e bardha. Trazon kujtesën përmes një enumeracioni me efekt të thyerjes së rrëfimit nga rrëfimi linear klasik. E nis nga pozicioni i kohës së tashme dhe rrëfen për të kaluarën siç dhe e kërkon rrëfimi postmodern, e kaluara vjen si refleksion kritik dhe jo si mall a nostalgji: “Sulltani na i ndërroi emrat/ Por jo edhe shpirtin”.

Dominues bëhet e tashmja që rrëfen për të tashmen: “Bebzat i drejton tejmatanë Kalasë” dhe përpiqet të drejtojë kodet kontekstuale drejt një hapësire e realiteti real të domosdoshëm për Shqiptarët, tejmatanë mureve, tejmatanë kalasë, mbylljes, izolimit. Autori procedon për forma të reja të hapjes drejt perëndimit. Njëherazi si bashkëkombasit e tij përmes nëntekstit, të paralajmëruara nga një paratekst kohor (koha mitike, biblike dhe koha Naimjane), që e nxisin të ketë identitet me fytyrë europiane. Autori këtë qëllim poetik e mban në realitetin poetik të fjalës duke e bashkuar me ndjeshmërinë dhe gjykimin e botës reale, të cilin ai duhet ta shndërrojë në Kumt dhe Ide: Teshat e bardha presin,/ Çfarë hijeshie!

Në emër të nacionalitetit ai pajtohet me dashurinë që riprodhohet: Naimi e mban të pashuar dritën në vatër. Patriotizëm modern, tone deklarative, luan me arketipet e rrahura. Përdor elemente biblike dhe mitologjike, të gërshetuara me elemente moderniste, ku dominon figuracioni i pasur i cili mëton shpesh herë të kthehet në imazh/apo/përfytyrim. Shenjat e vargëzimit modern ndërthuren me vargëzimin tradicional. Pra, teksti nuk është njësi e përbërë prej shenjave të grumbulluara rastësisht dhe dosido. Përkundrazi, ai është një raport i ndërligjshëm dhe i caktuar i shenjave gjuhësore, që shndërrohen në kuptime të ndryshme. Lotmani do pohonte se “Teksti ka fillimin dhe mbarimin e vet, por edhe gjithë atë që gjendet midis këtyre dy pikave të skajshme të tërësisë së tij.” Me një përbërje të këtillë ai merr funksione të veçanta nga fakti se, siç do të pohojë Lotmani: “Shndërrimi i jetës në tekst nuk është spjegim, por inkuadrim i ndodhive (në rastin përkatës nacional) në kujtesën (mendimin) kolektive.2

Në këtë poezi dominon metafora. Autori luan me shtegtimin në kohë duke përmbledhë në një këndvështrim poetik diakronik konvencione madhore kombëtare. Ka elemente të zhanrit të himnit, plot ekzaltime poetiko-emocionale që rezonojnë aspirata kombëtare që flejnë në shpirtin e çdo individi. Kuptimi asnjëherë nuk është i mbyllur ai mund të zbërthehet nga këndi i tematikës, motivit, kodit, figuracionit, rrjedhës së veprimit, trajtës së heroit lirik. Kuptimi është lëvizje e përhershme midis gjuhës, tekstit dhe nëntekstit, që përbëjnë thelbin e të kuptuarit. Në këtë mënyrë teksti poetic, Shipkovica përftohet, lexohet dhe receptohet nën ndikimin e kodit estetik që përcakton, qoftë kodin atdhetar, qoftë procesin e perceptimit të kodit biblik dhe mitik. Ndikimi dhe përjetimi i këtyre kodeve ndryshojnë, ndaj edhe përjetohen në mënyrë të mëvetësishme.

Vatra per shqiptarin është një mrekulli e historisë. Me prirje të theksuara perëndimore, përkrahës i çështjes shqiptare në diasporë, krijuesi Baki Ymeri, para së gjithash shqiptar në gjak. Siguron ekzistencën duke u mbështetur në vlerat njerëzore ku ai matet me penën e tij atdhetare. I gjithë programi i tij etnogjuhësor dhe kulturor, është programi i një njeriu, që jetën e nis në mërgim, e që nuk rresht së përthithuri vlerat e saj të cilat si një pamflet poetik i qenësishëm shfaqen në poezinë Shipkovica, vendi i qendresës dhe i krenarisë së krijuesit të dalë nga gjiri i këtij vendi me histori të bujshme dhe me gjak patriotik.

Duke u larguar nga vendlindja

U zgjova duke u thënë se po largohem ngase bëhet vonë. Kështu, unë u çova i pari nga tryeza dhe ata u çuan një nga një dhe nisa të hapi derën për tu nisur për në Tetovë, i mora për gryke motrat dhe vëllezerit, nënën dhe babën dhe kur hapa derën nëna me hodhi një shtambë me ujë duke më përcjellëm ky ishte një zakon i vjetër për të cilin as sot e kësaj dite nuk e di se çdo të thotë, nëna më porositi *Nana të la amanet kokën e perulet shpata nuk e pret. Mos u habit ka do shkojsh së në derë të huej shqiptar nuk do të gjejsh. Verbërakët le të vazhdojnë të duan të huajën me shumë se gjanë e vet! Le të vazhdojnë me citomaninë e mbështjëllë më origjinalitetin e rrejshëm! Le te veshin veshje të huaja, se s’ka më mjegullnajë kur kërkushët ngrihen e shkojnë në Prishtinë e në Tiranë e ta mësojnë si të jetojë e të besojë. Sot të tërë e dinë se ç’është e shenjta, e drejta dhe e shëmtuara, shkenca dhe pseudoshkenca, virtyti i mirfilltë dhe ç’është mjerimi.

Sot shpirti i shqiptarëvë e dinë se kush është kajmaku i kombit dhe e dinë se kush është. Çdo kohë i ka njerëzit e vet të besueshëm, për t’i orientuar se si të veprojë një popull. Njeriu nuk duhet të mohojë të kaluarën e lashtë dhe hershmërinë tonë dhe nuk duhet të shkëlim mbi gjakun e qindramijerave heronjëve. Sot shqiptarit si falet që të denigrojë fjalët që si duron, fjalori i gjuhës së perëndisë që zoti e fali për shqiptarët. Dëshmi e gjallë eshte vepra e këtij njeriu dhe e kësaj pene krijuese në diaspore që s’reshti së punuari për ashtin e kombit të tij, si dhe për kanonizimin e shenjtërinë e gjuhës amtare, e vetmja pasuri e bekuar që na ka mbetur. 

BOX

KONFLIKT DIPLOMATIK” PËR MBROJTJEN E KOSOVËS NË RUMANI

Nuk është hera e parë kur autori i këtij shkrimi sulmohet në shtyp si pasojë e përpjekjeve permanente për demaskimin e propagandave serbe në massmedian rumune. Pas shembjes së dikaturës komuniste në këtë vend (dhjetor, 1989), Rumania ra në kthetrat e dy diktatorëve të ri me experiencë neokomuniste: Ion Iliescu dhe Traian Basescu. I vetmi president korekt i këtij vendi në fushë të respektimit të demokracisë parlamentare euro-amerikane ishte Emil Constantinescu (1996-2000), në kohën kur parlamenti rumun miratoi kërkesën e NATO-s për shfrytëzimin e hapsirës ajrore të këtij vendi për bombardimin e infrastrukturës terroriste të Millosheviqit (1999). Iliescu e mashtroi elektoratin për të përfituar votat e pamerituara duke shkelur Proklamatën e revolucionarëve të Timishoarës sipas të cilës kërkohej qeverisje demokratike pa komunistë. Iliescu i solli minatorët “kryengritës” në Bukuresht për të thyer selitë e instituicioneve demokratike, rast me të cilin qenë sulmuar qindra qytetarë të pafajshëm, duke rënë edhe viktima si pasojë e sulmeve bestiale të minatorëve të mashtruar. Iliescu lansoi në kohën e tij idenë retrograde gjoja se “të vetmit miq të Rumanisë janë Deti i Zi dhe Serbia.” 

Në kohën e shërbimeve sekrete të Iliescut (shkurt 2001), gazetari filoserb Razvan Voncu, ishsekretar i Shoqatës së Miqësisë Rumuno-Serbe, në të përditshmen Cronica Romana e sulmoi revistën Albanezul/Shqiptari duke shpifur gjoja se bëka politikë irredentiste, duke e akuzuar edhe autorin e këtij shkrimi gjoja se qenka “ultranacionalist shqiptar që militon për krijimin e Shqipërisë së Madhe”, duke kërkuar madje që qeveria rumune të marrë masa kundër nesh. Po këtë politikë perfide me konotacione antishqiptare e zhvillon sot gazetari filoserb Florin Silisteanu, ishkorespondent lufte që promovon politikën serbe në massmedian rumune. Të lansosh shpifjen gjoja se Bakiu qenka “fundamentalist islamik”, siç pat lehur Razvan Voncu më 2001, apo gjoja se “Baki Ymeri e ka hedhur një grenadë nga e cila kanë vdekur më shumë serbë” siç leh Florin Silishteanu sot, don të thot të veprosh sipas direktivave terroriste të shërbimeve të fshehta me karakter antishqiptar. Mos të na habitë ndaj fakti pse qe likuiduar Naum Veqilharxhi në kohën e tij, varri i të cilit nuk dihet sot e kësaj dite. Aleanca serbo-rumune është një aleancë perfide pas së cilës fshihen komunistë dhe bij komunistësh që kanë alergji ndaj NATO-s, Amerikës dhe Kosovës. Në kuadrin e pamfletit “Konflikt diplomatik që shkon duke shpërthyer” (Curierul, Arxhesh, 12 korrik 2010), Florin Silishteanu që lanson gënjeshtra, shpifje dhe trillime fantasmagorike kundër meje do të shkruajë:

“Ja një që shqiptar mundohet ta rindezë armiqësinë! Gjatë kësaj jave po mbyllet porta e edicionit të XIV-të të Festivalit Ndërkombëtar Netët e Poezisë. Desha të hesht por nuk mundet. Ndër të ftuar ishte edhe një individ që tentonte ta ndezë shkëndijën, të na shtyjë të kuptojmë se Republika e Kosovës është indipendente dhe se ekziston si shtet i pavarur. Në momentin kur rrëfeja për agresionin kundër Serbisë, individi që është shqiptar përnga etnia, reagoi në zë të lartë kundër meje. E dëgjova dhe nuk ia fali, ngase ai është njëri nga ata që e kanë nxitur luftën në të cilën humbën njerëz të pafajshëm. Në esencë, duke qenë i ftuar, u rrëfeja të ftuarve në festival një episod të shkurtë nga periudha e bombardimeve kundër Serbisë. Pasi e mbarova eksponimin tim, Baki Ymeri, fiks brenda një sekonde e lansoi një brohoritje HUOOO!, dhe atë tre herë. Mu dje e mora vesh nga një diskutim me Aurel Sibiceanu, sipas të cilit Baki Ymeri e ka hedhur një grenadë nga e cila kanë vdekur shumë serbë, se shqiptari ynë që ka banuar kohëve të fundit në më shumë vende, faktikisht është një kosovar... Sa i përket Kosovës, e kuptova nga miku im Sibiceanu se rumunët nuk e kanë njohur Kosovën nga frika se hungarezët mund ta kalërojnë Transilvaninë. Është e mjerushme dhe e palejueshme të flasim pas perdesë... E thirra dje në telefon Adam Puslojiçin në Beograd, akademik dhe përkthyes, poet dhe publicist me renome mondiale, dhe më tha se “Baki Ymeri nuk ka çka të kërkojë në festival ngase nuk është poet por patriot, dhe po qe se është kaq patriot, le të shkojë në atdheun e tij, në Kosovë, ngase atje ka shtëpi. Tani, kohëve të fundit, gjithnjë e më shumë po e kritikon Traian Basescun pse Rumania nuk e njeh Kosovën. Bakiu le të na lejë të qetë!” Unë po i them diç tjetër: Shko e shaje presidentin tënd në atdheun tënd, e jo në atdheun tim! A po dëgjon mor patriot!”

Presidenti, qeveria, ministritë dhe klasa politike e këtij vendi është viktimë e propaganve serbe në massmedian rumune. Gazetarë me përvojë komuniste si Ion Cristoiu, poeti komunist Adrian Paunescu, Cristian Tudor Popescu, Razvan Voncu, udbashi Adam Pusllojiç, Florin Silishteanu i Akademisë së Miqësisë Serbo-Rumue, si dhe disa korrespondentë lufte (Raico Corena etj.), janë ata që e kanë marrë në qafë opinionin e pafajshëm të këtij vendi. Sidoqoftë, rumunët e rëndomtë, madje edhe kuadro diplomatike dhe qeveritare, nuk kanë alergji ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, por përkundrazi na duan dhe respektojnë, siç na kanë repsektuar në kohën e Mbretërisë, kur Rumania konsiderohej si “Franca e Lindjes dhe vendi i të gjitha lirive”, kur në këtë vend mikpritës të një populli tolerant vepronin mbi 40 mijë shqiptarë që e siguronin ekzistencën me tregti, duke dhënë kontribut të pashoq mbarëvajtjen e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si dhe për krijimin e shtetit shqiptar dhe shpalljen e pavarësisë. (Baki Ymeri, 2010)

1 Robert Elsie, “Histori e Letërsisë Shqiptare“, Tiranë-Pejë, 1997

2 Lotman, Jurij M. (1974). Ogledi iz tipologije kulture (Essays on the Typology of Culture). Treci program 23: f. 446.

Baki Ymeri i shpifur në shtypin rumun nga serbofili Razvan Voncu (2001)

Le të shkëlqejë çdo shqiptar me shmbullin e tij

Një sulm i pështirë kundër revistës Shqiptari (2001)

Qeveria rumune mbron Bakiun nga shpifjet e Razvan Voncut