| E enjte, 08.11.2012, 09:45 PM |
Disa aspekte të diplomacisë
zvicerane
Nga Zef Ahmeti[i], St. Gallen Shtator 2012.
a) Bazat e shtetit zviceran
Konfederata Zvicerane (franz. Confédération
suisse, ital. Confederazione Svizzera, rom. Confederaziun svizra,
lat. Confoederatio Helvetica) ka një traditë të lashtë historike. Bazat
e këtij shteti fillojnë në vitin 1291 ku me aktin e njohur si Rütlischwur[1]
vihet bazamenti i konfederatës zvicerane der
Eidgenossennschaft.[2]
Qëllimi kryesor i kantoneve të kësaj periudhe ishte rifitimi apo rikthimi i të
drejtave autonome që kishin pasur këto përballë Perandorisë Romake të kohës.
Dokumenti që lidhet ngushtë me rastin e themelimit të konfederatës së vjetër
zvicerane quhet der Bundesbrief.[3]
Ajo që ishte vendosur në vendin e quajtur Rütli ishte përmbledhur në dokumentin
më të vjetër të shtetit zviceran – pra në “Bundesbrief”.
Si hero kombëtar zviceran është i njohuri Wilhelm Tell.[4] Natyrisht
historia e mëvetësisë gjatë historisë plotësohet edhe me ngjarje tjera si pjesë
e identitetit zviceran e që kanë kalitur këtë vend në gjendjen që është sot. Ne
më tutje do t`i cekim disa nga ndodhitë historike më të rëndësishme. Si datë
tjetër e rëndësishme pas ngjarjes në Rütli kemi betejën e Morgarten (1315) e cila u zhvillua mes kantoneve të vjetra dhe
Habsburgëve. Pernadoria e Habsburgërve kishte trajtuar këto pjesë (kantone) si
pjesë përbërëse të perandorisë së tyre. Një akt tjetër që në historinë
zvicerane ka zënë vend është edhe zgjerimit kantoneve në tetë vendet e vjetra (Die Acht
Alten Orte )[5]
1332-1353. Ky zgjerim thekson edhe më heterogjenitetin e Zvicrës. E gjitha
zhvillohej me anë të marrëveshjeve mes kantoneve. Mëtutje pason beteja e Sempach-ut (1386), në kantonin e
Lucernit, që vlerësohet se ka qenë beteja kryesore dhe vendimtare që është
zhvilluar përsëri mes zviceranëve dhe habsburgërve.
Në vitin 1449-50 zhvillohet një luftë mes Kantonit të Cyrihut me shtatë
kantonet tjera. Këtu lufta u shkaktuar për arsye trashëgimie. Ishte fjala se
kush duhet trashëguar apo të sundoj në pjesët rreth liqenit të Cyrihut dhe
pjesëve tjera. Kantoni i Cyrihut kishte lidhë aleancë me Friedrih III-in e
Habsburgërve. Kjo aleancë i kishte dhënë luftës dimension jashtë regjionale. Më tutje në vitet 1474-78 vijojnë luftërat e
zhvilluara mes Zvicrës dhe dukës francez Burgund (Burgunderkriege). Në vitet 1481-1513 kemi një rritje të kantoneve në 13. Në kohën e
reformacionit (1519- 1541) edhe Zvicra kishte figurat e veta. Këtu për tu cekur
Ulrich Zwingli i njohur edhe si reformatori i Cyrihut.[6]
Në vitin 1648 në Paqen e Vestfallit (Westfälischen
Frieden) Zvicra ia arrin që me përfaqësuesin të saj Johan Wettstein të
fitoj sovranitetin nga Perandoria e Shenjt Romake. Nga kjo kohë kantonet
zvicerane e shikojnë vetën si republika të pavarura dhe fillojnë marrin
kontakte dhe të ngrehin marrëdhënie me shtetet tjera evropiane.
Republika Helvetike (1798- 1803) thirret pas okupimit të Zvicrës nga
ana e Francës. Pjesët e Zvicrës pas shpërthimit të Revolucionit Francez nuk ia
dalin që të ndërmarrin hapat që të përshtatin kushtetutat individuale të tyre
rrethanave të reja të krijuara. Njëjtë nuk arrihet që iniciativa e ndërmarrë
për përforcimin e federatës të korrë sukses. Një situata e përkeqësuar tashmë
kishte filluar të theksohet gjithnjë e më shumë pas vitit 1789. Këtë gjendje
brenda kantoneve të Zvicrës dhe situatës së
përgjithshme të përkeqësuar e kishte përkrahur fuqimisht “Ancien Régime”[7]
– forma e sundimit të vjetër përfshinë kohën dhe situatën e përgjithshme në
Evropën e para Revolucionit Francez e që lidhet ngushtë edhe me formën
monarkiste të sundimit. Në vitin 1798 në Bazel shpërthen një revolucion kundër
klasës së pasur. Revolucione të tjera më vonë shpërthyen edhe në kantonet
tjera. Pas këtij efekti fillojnë diskutimet lidhur me kushtetutën dhe rendin e
ri të vendit. Ishte diskutimi lidhur me formën shtetërore, të merret forma e
një shteti me sistem të centralizuar apo si subjekt me pjesë përbërëse nga
kantonet me autonomit e tyre. Me ndikimin francez imponohet kushtetuta dhe Republika
Helvetike ku më 12 prill proklamohet shteti i bashkuar. Pjesë të kantoneve të
pjesës qendrore dhe asaj lindore kishin refuzuar tendencën franceze. Pas një
procesi bisedimesh dhe në fund të një ultimatumi edhe kantonet e mbetura jashtë
futen në republikën helvetike. Raporti mes shtetit helvetik dhe Francës ishte i
rregulluar me një marrëveshje aleance të 19 gushtit 1798. Kjo periudhë lidhet
ngushtë edhe me figurën e Napoleonit dhe përforcimit të pushtetit të tij. Pasi
që eksperimenti i Republikës Hevetike kishte dështuar për shkaqe të ndryshme të
rrethanave të brendshme e të jashtme, pason rindarja tradicionale e pjesëve të
Zvicrës dhe hynë faza e ashtuquajtur “Médiation”
(1803–1813). Kjo fazë lidhet me bisedimet dhe ndërmjetësimet që bëhen lidhur me
të ardhmen dhe formën e re të shtetit të Zvicrës që bëhen në kuadër të bisedimeve
që zhvillohen me Napoleon Bonapartën. Pas dështimit të sistemit të centralizuar
shtetit të Zvicrës i rikthehet tradita e vjetër e autonomisë së kantoneve. Me “Acte
de Médiation” (1803)
Zvicrës i hapet rruga për një kushtetutë të re, e cila vlerësohet se ka qenë
një akt i diktuar nga Napoeloni, edhe pse ai e kishte mbajtur vetën si
mediator, ndërmjetësues. Me këtë akt vlerësohet se Zvicra edhe më shumë hynë në
varësinë franceze.[8]
Në Kohën e restauracionit dhe Kongresit të Vjenës (1815) Zvicra kishte
proklamuar neutralitetin e saj dhe me këtë akt ajo kishte hapur derën
asnjanësisë. Neutraliteti i kishte mundësuar që Zvicra të merr premtime nga
fuqitë se ajo nuk do të sulmohet por njëkohësisht ajo obligohet që mos të lidhë
asnjë koalicion ushtarak me vendet tjera e trupa të huaja. Nga këtu fillon dhe
zhvillohet përherë principi i neutralitetit të Zvicrës që edhe sot ruhet nga
ana e këtij vendi. Në historinë e Zvicrës e hasim edhe luftën qytetare brenda
territorit të saj që kishte zgjatur 27 ditë që nga 3 nëntori deri më 29 nëntor
1847. Kjo ngjarje ishte edhe fundit si konflikt ushtarak në tokën zvicerane.
Arsyeja e shpërthimit të kësaj lufte qytetare ishte tendenca e kantoneve
katolike dhe themelimi i lidhjes së veçantë të njohur si “Sonderbund” që njihej edhe si aleanca mbrojtëse e kantoneve
katolike. Qëllimi ishte të rezistojnë forcat qytetare, protestante dhe
liberale. Ngritja e kësaj lidhjeje kishte ndikuar që të tensionohen frontet mes
forcave konservative dhe atyre liberale. Me kushtetutën e vitit 1848 për
historinë e shtetit të Zvicrës fillon një fazë e re dhe e veçantë. Me këtë
kushtetutë kantonet kane një shkallë mjaft të lart për të vendosur vet sidomos
në fushën e arsimit, mirëpo njëkohësisht edhe shumë kompetenca kalojnë në
federatë. Fillon një fazë e re në kuadrin e së drejtës dhe institucioneve.[9]
b)
Departamenti për Punë të Jashtme i Zvicrës
Në politikën e jashtme ngarkohet Departamenti për Punë të Jashtme që
fillimisht ishte i kufizuar në mjete. Kantonet humbin gati gjitha kompetencat
në fushën e politikës së jashtme. Me kushtetutën e re partner për bisedime
ishte qeveria federale, edhe në disa pika speciale bisedimet zhvilloheshin në
prezencën e treshes: shteti i huaj, qeveria zvicerane bashkë me kantonin. Si
pikë kryesore në politikën e jashtme zvicerane në këtë kohë e hasim
këmbënguljen për ruajtjen e neutralitetit, ashtu siç ishte proklamuar që në
vitin 1815, por edhe në theksimin e sovranitetit dhe pavarësisë. Kalimi i
kompetencave në qendër për shumë kantone ishte një çështje e cila nuk ishte
pranuar lehtë. Qeveria federale shpesh kishte rikujtuar kompetencat kushtetuese
sidomos në fushën e lidhjes kontratave me jashtë. Ishte përpjekja e theksimit
sa më shumë e konfederatës zvicerane që nga jashtë të paraqitej e prezantohej
si njësi e vetme. Më tepër diplomacinë zvicerane të kësaj kohe e përshkon
lidhja e marrëveshjeve ekonomike e tregtare e industri. Sa i përket përfaqësive
shtetërore Zvicra kishte hapë konsullatat e para që nga viti 1798. Deri në
vitin 1848 vendi kishte 45 konsullata: 30 në Evropë, 14 në Amerikë dhe një në
Algjeri. Brenda 15 vjetësh (1850-65) ngrihen edhe 33 tjera: 17 në Amerikë, 5 në
Azi, 2 në Afrikë, 2 në Australi dhe 7 në Evropë. Nxitës kryesor për hapjen e
këtyre konsullatave ishin diaspora zvicerane, dhomat ekonomike kantonale, apo
edhe shoqatat tregtare. Deri në 1865 konsullatat luajnë rolin kryesor në
avancimin e marrëdhënieve tregtare duke mos i përjashtuar as mbrojtjen e
interesave të diasporës. Tregtia dhe ekonomia për shtetin zviceran kishte
prioritet sepse kjo kohë në shumicën e kantoneve kishte varfëri masive e që
ishte problem i madh. Nga dokumentet diplomatike të kohës
Në kohën kur Evropa ndodhej në proceset e kthesave, edhe Zvicra kishte
kaluar në një formë të re shtetërore, kjo e fundit kishte vënë si pikë qendrore
në politikën e jashtë, tashmë siç theksuam, prioritet kishte përforcimi i pavarësisë
dhe neutraliteti. Këto dy principe zvicerane është dashur të kalojnë disa
provime tejet të ndjeshme. [11]
Vitet 1866-1872 vlerësohet se e mbyllin epokën fillestare të përforcimit
të federatës së Zvicrës. Me “kthesën
evropiane” hynë edhe një fenomen shumështresor i ndryshimeve strukturore
mes shteteve. Brenda pak vitesh kemi dy luftëra (1866, 1871) me peshë evropiane
dhe për vetë Zvicrën, pason edhe Koncili I i Vatikanit, unifikimet nacionale
dhe përpjekjet për ngritjen e organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Kemi një
kthesë nga rendi i Kongresit të Vjenës drejt një rendi të ri të imponuar nga Bismarku,
pra atij hegjemonial. Këto ndryshime të ndryshme në Evropë në aspektin
psikologjik ndikuan pozitiv tek populli zviceran. Ndikoi që të ngritët dhe
përforcohet bashkësia kombëtare-nacionale, ndërsa principi i neutralitetit
kishte prekë shumë thellë vetëdijen kolektive. Departamenti Politik (ministria
e jashtme) Zviceran përjeton për shtatë vite pesë drejtues të këtij
departamenti. Prapëseprapë kishte një politikë të jashtme të gjallë. Këtë kohë
mund ta përkufizojmë me: pakë politikë të madhe e shumë diplomaci përfituese.
Kjo e fundit lidhet me rrjetin e marrëdhënieve tregtare, pastaj me ndryshimet e
vogla kufitare, ndërtimi i infrastrukturës rrugore etj..[12]
Zvicra në “kohën e Bismarkut” (1873-1889) kishte bërë ndryshimet
kushtetuese (1874) me të cilat ndryshime, si element për tu cekur, ishte
referendumi në kuadër, në rangun federativ, pastaj ligji për fabrika vlerësohet
si hap po ashtu i rëndësishëm. Kemi edhe konfliktin e paraqitur në tërë Evropën
mes kishës dhe shtetit, shteti zviceran bëhet gjithnjë e më shumë vendstrehimi
për të ikurit sidomos nga vendet fqinje që përndjekshin nga regjimet e vendeve
fqinje. Në vitin 1873/74 ky vend përjeton një luftë kulturash[13]
që pati ndikimet e veta edhe në ndryshimet kushtetuese, një konvergjencë me
Gjermaninë, ndërsa në raport me Francën signalizohen tensione. Diplomacinë
zvicerane të kësaj kohe e preokupon sidomos tensionimet që shkonin drejt luftës
gjermano-franceze 1870-1871). Zvicra nuk e dinte çfarë do të ndodhte dhe kishte
frikën e mundësisë që ky vend të kaplohet nga konflikti.[14]
Në agjendën e politikës së jashtme bënte pjesë edhe aktivitetet e forcave
revolucionare në Gjermani, Austro-Hungari dhe Rusi. E thënë në formë
përmbledhëse tema kryesore e diplomacisë zvicerane e kohës 1873-89 përshinë
luftë mes kulturave, politika ekonomike, pastaj ndërtimi i tuneleve të
Gothardit dhe Simplonit, kodifikimi i së drejtës ndërkombëtare humanitare etj.[15]
Përveç ngjarjeve që lidheshin me fqinjët e afërt, diplomatët Zviceran në
fund të shek. 19 informojnë edhe për mundësit dhe strategjitë e fuqive jashtë
Evropës dhe Ballkanin. Raportime dhe vlerësime drejtuar ministrisë së jashtme
zvicerane vinin nga qendrat e ndryshme, si Vjena e Parisi etj. Raportet e tyre
flasin për marrëdhëniet e tensionuara mes Rusisë dhe Austrohungarisë si dhe
mundësinë e një konflikti ushtarak mes këtyre dy vendendeve që do të mund të
shkaktohej për shkak të Ballkanit dhe dominimit në këtë pjesë të Evropës.
Konsulli zviceran në Vjenë, A. O. Aepli, e njofton, pos të tjerash, shefin e
politikës së jashtme të vendit të tij, se në një bisedë të zhvilluar me
përfaqësuesin e Rumanisë në Vjenë, ky i fundit duhet t`i ketë thënë atij, se
ardhmëria e Ballkanit është ende e hapur. Mbase sipas vlerësimeve të diplomatit
rumun herët a vonë do të ketë një luftë mes Rusisë dhe Austrohungarisë. Kështu
që nëse do të fitoj Austrohungaria, vendet e rajonit do të gëzojnë edhe më
tutje mëvetësinë e tyre, po fitoi Rusia atëherë do të bien nën pushtetin e
tyre.[16]
Pra që nga kjo kohë edhe Ballkani bëhet gjithnjë e më shumë lëndë trajtimi edhe
në politikën e jashtme zvicerane. Ndërsa Shqipëria si vend, duke u mbështetur
në dokumentet e njohura diplomatike zvicerane, fillon të përmendet po ashtu në
fund të dekadës së fundit të shek. 19. Dhe kjo si shembull mund të cekim një
aneks[17]
të ministrit të Zvicrës, që përfaqësonte vendin e tij në Paris, dërguar
Ministrisë së Punëve të Jashtme Zvicerane – Departamentit Politik.
c)
Diplomacia e zvicerane e viteve 1890-1903
Vitet 1890-1903 në përgjithësi përfshijnë kohën mes fundit të Evropës së
Bismarkut dhe fillet e para të Entente
Cordiale. Gjatë kësaj kohe marrëdhëniet mes fuqive ndryshohen në mënyrë të
theksuar. E kishim dominimin gjerman që përpiqej ta mbaj të izoluar Francën në
aspektin diplomatik pastaj ngritja e një kundërsistemi që kryesisht ndërtohej
në aksin Paris-St. Petersburg dhe hyrja në lojë gjithnjë e më shumë e Anglisë.
Në këto rrethana kishte përpjekje nga fuqitë për të ndikuar në shtetin e
Zvicrës. Mirëpo ajo ia arrin që të mos përfshihet drejtpërsëdrejti. Kjo kohë
përshkohet nga ajo që quhet Diplomaci e Fshehtë
që dominonte në Evropë. Pastaj në këtë kohë kemi edhe periudhën më intensive të
ekspansionit kolonial. Diplomacia zvicerane kalon disa situata tejet të
ndjeshme në raport me Gjermaninë, Francën dhe Italinë ku arsyet ishin të
ndryshe në raport me secilin nga këto vende. Pastaj në decenien e fundit të
shekullit në fjalë gjithkund gjejmë agjitacionin e anarkistëve dhe atentateve
që prekin edhe Zvicrën. Politika e brendshme zvicerane konfrontohej më shumë se
kurdoherë më parë me numrin e madh të refugjatëve politik.[18]
Gjatë kësaj kohe hasim edhe njëherë në marrjen në trajtesë të
Shqipërisë. Për tu cekur është letra e përfaqësuesit zviceran në Romë drejtuar
Departamentit Politik të Zvicrës ku jepen mendime dhe njoftime lidhur me
rrethanat politike mes Italisë dhe Autrohungarisë, pra edhe për Shqipërinë ku
thuhet: “...4) qu`il nxiste, ainsi que je
Vous l`ai déjà écrit, une entente spéciale entre l`Italie et l`Autriche-Hogrie
sur la question de l`Albanie...”.[19]
Më 5 qershor 1902 në adresën e Ministrisë së Punëve të Jashtme Zvicerane
(Departamenti Politik) po ashtu vjen një letër nga i dërguari në Paris i cili
njofton për bisedën e zhvilluar me ambasadorin gjerman që ishte shprehur
rezervat e tija përballë Italisë lidhur me aleancën e tre vendeve Autrohungari,
Itali dhe Gjermani. Ai kishte deklaruar, pos të tjerash, se “... se çfarë (para)mendimi vërtetë ka Italia për
Shqipërinë neve nuk na është e njohur, e ka të ngjarë as vet njerëzve nuk u
është e çartë.”[20]
Në prag të Luftës së Parë Botërore çdo i shtati
banor i Zvicrës ishte i huaj- kuotë kjo që i printe në gjithë Evropën.
Shpërthimi i luftës dhe kombi i Zvicrës me gjuhë zyrtare gjermane, franceze dhe
italiane e vënë vendin para një sfide tejet delikate.[21]
Vitet mes 1914-1918 diplomacinë zvicerane e përshkon pozicionimi në shërbim të
politikës koherente të neutralitetit për ta ruajtur pavarësinë e vendit edhe në
raport me ndikimet nga fuqitë e luftës. Vërejmë një rrethanë që duhet
potencuar. Fuqitë e luftës nuk kishin për qëllim nënshtrimin e Zvicrës nën
politikën apo pushtetin ushtarak të tyre. Për më tepër fuqitë në luftë ishin të
interesuara që të pengojnë njëra-tjetrën që kjo mos të ndodhë. Lojë tjetër
luhej në aspektin ekonomik. Secila nga palët në luftë u përpoqën që të kenë ndikim
në infrastrukturën prodhuese të Zvicrës për të shfrytëzuar secila për vete.
Ndërsa vendet aleate u përpoqën që Zvicra të mos jetë vrimë e hapur përballë
embargos së vendosur kundër Gjermanisë. Për Zvicrën sfidë nuk ishte vetëm
ruajtja e kufijve por edhe e stabiliteti i brendshëm duke u përballur me
ruajtjen e vendeve të punës dhe furnizimin e popullatës me ushqim të
mjaftueshëm. Rrethanat e krijuara ndikojnë që ky vend të kaloj nga strategjia e
mbrojtjes drejt një diplomacie neutrale aktive. Kjo formë do të reflektohet më
së miri në fushat me karakter humanitar.[22]
Nga korrespodenca mes përfaqësuesve diplomatik
të vendit dhe shefit të politikës së jashtme zvicerane vëmendje i kushtohet “Le drame de Sarajevo” – dramës së
Sarajevës,[23]
vlerësimet për pasojat e mundshme etj. Përfaqësuesi zviceran në Paris në letrën
e 12 korrikut 1914, përveç që jep informacione të ndryshme, ai shkruan edhe për
Shqipërinë me sa vijon: “De se côté
encore, il paraî qu`il ne faut pas s`inquiéter, pas même por lÀlbanie; l`Europe
ne se battra pas por l`Albanie; il est possible que l`anarchie s`y aggrave,
qu`on doive chercher d`autores combinaisons; que l`Europe, par l`organe de la
Commission internacionale, doive s`occuper encore longtemps de ce malheureux
pays; qu`il faille y étudier un système fédérativ. Tout cela ne compromettra
pas la paix cette année.”[24]
Për tu informuar me qëndrimet e ministrisë së
jashtme gjermane, përfaqësuesi i Zvicrës në Berlin ishte takuar me nënsekretarin
për të diskutuar pos të tjerash edhe për “çështjen
e Ballkanit”. Sipas nënsekretarit qëndrimi i Austrohugarisë është ende i
panjohur, ai kishte potencuar se kishte vetëm informacione se Autrohungaria do
të nisë një notë në adresën e Beogradit.[25]
Këtu ishte diskuar edhe rasti i Shqipërisë. Nënsekretari deklarohet: se “nuk duhet të pritet aksion kolektiv shpëtues
në të mirë të monarkut të Shqipërisë nga ana e aleancës së treshes dhe nga fuqitë
e Antantës.” Ai kishte deklaruar po ashtu se, Gjermania që nga fillimi nuk
e kishte përkrahur von Wied-in. Meqë ishte vetëaktivizuar tani ai duhet edhe
vetë që t`i bart konsekuencat. “E vetmja
shpresë për monarkun e Shqipërisë që ende ekziston është vetëm nëse Austria dhe
Italia vendosin që atij t`i sigurojnë një ndihmë të fuqishme”. Sipas
nënsekretarit kjo nuk përjashtohet pasi që fuqitë e mëdha kishin heqë dorë të
aktivizohen në këtë drejtim, e kështu që u mbeten duart e lira të veprojnë
sipas dëshirës Austria dhe Italia.[26]
Përfaqësuesi zviceran në Paris në letrën datës
27 korrik 1914 e informon Departamentin Politik të vendit të tij, se në adresën
e Beogradit kishte arritur një ultimatum: “La
Serbie a, samedie soir, avdant six heures, accepté presque tous les points de
l`ultimatum autrichien...”[27]
Në letrën tjetër ministri zviceran në Berlin
njofton shefin ministrinë e jashtme të vendit të tij: “Sot bisedova prapë me nënsekretarin, ai përsëriti atë që më kishte
thënë më herët lidhur me qëndrimet e Italisë... Politika italiane në Shqipëri
në njëfarë mase është politikë “de chantage”!” Megjithë kësaj ai i kishte
sqaruar ministrit zviceran “se nuk pritet sulm armiqësor nga ana e Italisë”.[28]
Në letrën e 16 janarit 1915 përfaqësuesi
zviceran në Vjenë e njofton ministrinë e vendit që përfaqësonte me sa thuhet: “Son rôle fans la crise balkanique se
caractérise par les sympathies bulgares, par l`opposition aux tendances
expansives de la Serbie et par la création de l`Albanie, enfant terrible dont
la naissance pénible et l`existence précaire n`ont guère donné de satisfactions
à ses auteurs.”[29]
Një korrespodence tjetër që vjen nga ministri
zviceran në Vjenë në Adresën e Departamentit Politik të datës 20 dhjetor 1917
lidhur me Shqipërinë ai ia bashkëngjitë shkresës së tij një manuskript të W. von
Wied, e cila “nuk ishte për publik”. Ministri shënon në letrën e tij: “A titre de curiosité je joins à cep li une
broshure Denkschrift über Albanien «als Manuskript gedruckt! Nicht für die
Öffentlichkeit» fans laquelle le prince
d`Albanie et de Wied revendique ses droits tout en se montrant prêt à accepter
une sorte de protektorat autrichien, mais se plaint en attendant de ce que ses
futurs protecteurs l`empêchent de recevoir les visites de ses fidèles sujets ou
de correspondre avec eux.”[30]
d)
Politika e jashtme zvicerane e viteve 1918-1920
Vitet 1918-1920 njihen si vitet e fazës kaluese në të cilën ndodhej Evropa
e që kërkonte rrugën nga lufta nëpërmjet bisedimeve paqësore drejt një rendi të
ri ndërkombëtar. Diplomacia zvicerane kishte dy sfida: e para lidhej me
kërkimin e argumenteve për ta arsyetuar pjesëmarrjen e saj në Lidhjen e Kombeve
si kompatibël me politikën e neutralitetit zviceran, ndërsa në politikën e
brendshme kjo duhej t`ju dëshmohej edhe qytetarëve të saj edhe për rëndësinë e
anëtarësimit të saj në këtë Organizatë. Përveç kësaj me një aftësi Zvicra
kishte arritur ta tërheqë Lidhjen e Kombeve në gjirin e saj, në Gjenevë. Pos
kësaj në arenën ndërkombëtare, por edhe në Evropë, kemi një lindje të shteteve
të reja me të cilat është dashur të merret po ashtu politika e jashtme
zvicerane përkitazi me problematikën e njohjes zyrtare të tyre, apo edhe
qeverive të reja.[31]
Prej 1920 deri më 1924 diplomacia zvicerane pos të tjerash preokupohet ngushtë
edhe me ngritjen e Lidhjes së Kombeve. Gjeneva dhe Lozana janë qytete ku mbahen
konferencat ndërkombëtare. Zvicra u përpoq që edhe më tutje të ruaj neutralitetin
e saj, edhe pse ishte pjesë e procesit të ngritjes së Lidhjes së Kombeve.
Veprimet e diplomacisë mbesin prapëseprapë të rezervuara. Kjo edhe për arsye se,
qysh herët ishin hetuar mangësitë dhe mungesa e universalitetit të kësaj
pararendëse të OKB-së. Pas vendosjes së LK në Gjeneve (1921) organizata e vënë
diplomacinë zvicerane para një sfide tejet të vështirë. LK kishte kërkuar nga
Zvicra që të lejohet marshimi i trupave të Organizatës nëpër territorin e saj.
Duke u mbështetur në mungesën e solidaritetit përbrenda LK dhe në parimet e
Deklaratës së Londrës (1920) ku thuhet se Zvicra ishte e zgjidhur nga gjitha
sanksionet e marra nga Lidhja e Kombeve, kërkesa refuzohet.[32]
Në letrën e datës 28 nëntor 1920 përfaqësuesi i Zvicrës në LK kishte njoftuar
rreth ecurive dhe punëve të komisioneve të ndryshme që po bënin punët e tyre
brenda Organizatës. Ai duke u mbështetur në Komisionin për Pranimin e Shteteve
të reja në LK njofton se “Shqipëria nuk
do të pranohet”.[33]
Vitet e një ç`tensionimi të situatës, përkatësisht të një qetësie në Evropë
vlerësohen të jenë vitet 1925-1929. Nënshkruhen marrëveshjet e Lokarnos,
Gjermania pranohet në Lidhjen e Kombeve – pra u duk se kishte filluar një kthim
i normalitetit edhe në marrëdhëniet mes shteteve. Në diplomacinë zvicerane kemi
një numër të madh kontratash tregtare e qëndrimi me shtete të ndryshme.
Raportet me Rusinë sovjetike edhe më tutje për Zvicrën mbeten të ngarkuara.[34]
Në kudër të këtyre ngjarjeve dhe rrethanave
politike në rajon dhe në raport me politikat ndërkombëtare të kohës kishte ende
shtete që hezitonin njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe njohjen e saj. Këtu
hynë edhe shteti i Zvicrës, që gjatë procesit të mëvetësisë së Shqipërisë është
marrë si shembull për disa fusha të funksionimit të sferave të ndryshme të
shtetit dhe ligjit shqiptar. Wilhelm von Wied me ardhjen e tij në Shqipëri (7
mars 1914) atë e priste një situatë e tensionuar nga interesat ndryshme të vetë
shqiptarëve por edhe të tendencave të fqinjëve. Përveç detyrave që kishin të
bënin me konsolidimin dhe ngritjen e organeve të shtetit të Shqipërisë, ai u
përpoq që me kërkesat e tij të fitoj njohjen në postin e Princit të Shqipërisë
edhe nga shtetet që ende qëndronin me rezerva përballë ngjarjeve në Ballkan.
e)
Diplomacia zvicerane përballë nacionalsocializmit
gjerman
Vitet 1937-38 në historinë e Evropës lidhen me
krijimin e Boshtit. Armët e
Gjermanisë nacionalsocialiste kishin filluar të bëjnë “rojë nate”. Në nëntor të vitit 1937 Hitleri para këshilltarëve të
tij deklarohet, se “për zgjidhjen e
çështjes gjermane ekziston vetëm rruga e dhunës”. Më 6 nëntor 1937 Italia i
bashkëngjitet paktit në anën e Gjermanisë dhe Japonisë. Më 1938, pasi kishte
zgjidhur Gjermaninë nga kufizimet që kishte pasur nga marrëveshja e Versajës, Hitleri
aktivizohet dhe fillon të modifikoj kufijtë e Evropës sipas dëshirës së tij. Në
këto rrethana diplomacia zvicerane mbetet e ngujuar mes fqinjëve të saj në veri
e jug. E vetmja rrugëdalje në këtë situatë ishte zgjidhja e strategjisë së
mbijetesës dhe mundësisht dëmet përballë (humbjeve të mundshme) sovranitetit
shtetëror të mbahen sa më të ulta. Si asnjëherë më parë principi i
neutralitetit bëhet si çelësi kryesor në politikën e jashtme zvicerane. Vendi
në këto rrethana krejt të reja u përpoq të bindë partnerët e saj në Lidhjen e Kombeve
se është e rëndësishme që Zvicra të lirohet nga kërkesa nëse do të kërkohej që
ajo të ngrehë sanksione ekonomike. Diplomacia zvicerane me sukses e arrin këtë
qëllim.[35]
Me largimin e Italisë nga Lidhja e Kombeve
qeveria e Zvicrës fillon të marrë distancë gjithnjë e më të madhe ndaj
Organizatës së LK. Vendi fillon ti afrohet Italisë. Zvicra ishte i pari vend që
kishte njohur në fund të vitit 1936 sovranitetin italian mbi Abesinë. Nga kjo,
në rrethanat e reja të krijuara, Zvicra mbledh frytet. Përballë Gjermanisë
frika ishte më e madhe sepse programi i nacionalsocializmit gjerman
parashikonte bashkimin e gjithë gjermanëve në një shtet, pra këtu hynte edhe
pjesa gjermanofone e Zvicrës. Përderisa politika e qeverisë përpiqet të tejtheksoj
neutralitetin e vendit, në media të Zvicrës bëhej beteja kundër qëllimeve
gjermane.[36] Duke e
parë rrezikun e kanosur Zvicra e njeh aneksimin e Austrisë nga Gjermania “për të sinjalizuar politikën e fqinjësisë së
mirë”. Ky hap i politikës zvicerane bëhet në emër të asaj që me çdo kusht
të ruhej sovraniteti i vendit. Aneksimi i Austrisë hapë edhe një kapitull të
dhimbshëm në politikën zvicerane për çështjen refugjatëve dhe kjo sidomos
përballë hebrenjve. Me rritjen e numrit të refugjatëve hebrenj Zvicra kishte vlerësuar
se, ky vend nuk mund të shërbente më si vend transit, andaj edhe kishte marr
vendimin për mbylljen e kufirit. Me iniciativë të palës zvicerane nga organet
gjermane kërkohet që hebrenjve t`ju jepet një lloj pasaporte ku do të mund të
identifikohej përkatësia hebreje, e me këtë atyre t`ju pamundësohet hyrja në
Zvicër. Bisedimet përfundojnë me “sukses”. Pala gjermane vendosë që në
pasaportën e hebrenjve të shënojnë shkronjën «J» për t`i identifikuar se janë
judë.[37]
Zvicra e dinte se pa përkrahjen franceze e
britanike ajo nuk do ketë sukses për ta ruajtur integritetin e vendit. Përballë
SHBA-ve, në anën tjetër, u përpoq që mos të ndërmjetësoj përshtypjen se, Zvicra
po i largohet frymës liberale. Vërtetë Zvicra ia doli t`i ikë përfshirjes
drejtpërdrejtë në LDB. Mirëpo kjo atëherë për banorët e saj ende nuk ishte e
njohur e nuk dihej se a do të shpëtoj a jo, andaj vendi kishte bërë edhe
përgatitjet e nevojshme në rast se ajo do të detyrohej të përdorë forcën
ushtarake për vetëmbrojtje.[38]
Pas fitores së Gjermanisë nacionalsocialiste kundër Francës dhe hyrjes së
Italisë në luftë në qershor 1940 Zvicra, për dallim nga Lufta e Parë, kësaj
radhe ishte e rrethuar tërësisht nga fuqitë e Boshtit.[39]
Për të siguruar popullatën me ushqim dhe për ta
siguruar furnizimin e vendit dhe ekonomisë vendore me lëndë të para Zvicra
ishte e obliguar t`i shfrytëzoj territoret e fqinjëve të saj. Italia ishte
tejet burokratike por e qartë, Franca vlerësohej si shikane dhe e luhatshme,
kurse gjermanët kërkonin shërbim të ndërsjellët.[40]
f)
Politika e jashtme zvicerane gjatë LDB
Në vitet 1941-9143 në Evropë kemi disa ngjarje
vendimtare të zhvillimit të LDB. Në qershor 1941 përfundon bashkëpunimi
sovjetiko-gjerman, pason hyrja e SHBA-ve në luftë (dhjetor 1941), formohet
koalicioni i kombeve të bashkuara (1942), ndodhë humbja e parë e madhe gjermane
në Stalingrad (shkurt 1943), Italia kapitullon (1943), në jug të kontinentit të
Evropës hyjnë trupat e aleancës. Gjitha këto shikohen si ngjarje të rëndësishme
të LDB. Politika zvicerane ishte e detyruar që permanent të orientohet sipas
rrethanave e ndodhive në arenën ndërkombëtare. Edhe pse situata i impononte Zvicrës
një politikë tejet të matur e të kujdesshme përballë Gjermanisë, me kohë fillon
të shprehet shpresa se vendi do të mbetet pa u prekur drejtpërsëdrejti nga
lufta.[41]
Në pyetjen e shtruar nga shumë studiues, pse Hitleri nuk e kishte
okupuar ushtarakisht Zvicrën, përgjigja ka mbetur deri më sot e rrethuar me
legjendë. Një mit tejet i përhapur thotë se jo okupimi është meritë e
strategjisë vetëmbrojtëse të gjeneralit zviceran Guisans që shprehet në kërkesën e tij për ngritjen e një bastioni
në pjesët e Alpëve të vendit, dhe se kjo strategji thuhet se ka qenë e pamundur
të mundet nga gjermanët. Ndërsa pozicioni tjetër thotë, se Zvicra ka shpëtuar
meqë ajo i ka kryer shërbime Gjermanisë në fushën ekonomiko-financiare dhe duke
e ndihmuar atë me furnizime. Zvicra duhet t`i ketë siguruar kredi të cilat
duhet të kenë shërbyer edhe për blerjen e armëve. Kjo ndodhë paralelisht duke
mbajtur marrëdhëniet tregtare me vendet Aleate.[42]
Sipas një komisioni i ngritur në vitet e `90ta të shek. 20 në bankat
zvicerane dëshmohen 54.000 konto që kanë pas lidhje edhe me viktimat e
holokaustit. Bartja e arit nga Gjermani në bankat zvicerane gjatë LDB sipas
komisionit kishte shumën prej 1,6 deri në 1,7 miliard franga zvicerane, mes
kësaj pasurie edhe ari të konfiskuar nga hebrenjtë. Kurse për këtë bankat duhet
të kenë qenë në dijeni që nga viti 1940.[43]
Bashkimi sovjetik që kishte dalë fituese e po merrte gjithnjë e më shumë formë
e ndikim në politikën botërore në nëntor 1944 kishte refuzuar vënien e
marrëdhënieve diplomatike me Zvicrën “pro-fashiste”.[44]
Me humbjen e Gjermanisë në frontin me rusët, reduktohet maksimalisht
rreziku dhe kërcënimi i sulmimit të Zvicrës nga ana e fqinjës së saj. Në
aspektin diplomatik Zvicra në vitet 1943-45 kishte marrëdhënie me gjithsej 25
shtete që mbante raporte me intensitete të ndryshme. Marrëdhëniet me Gjermaninë
fillojnë të reduktohen gjithnjë e më shumë në vitin 1944. Nga këtu fillon një
afrim gjithnjë në rritje me Amerikën. Gjatë kësaj kohe hetohet në diplomacinë
zvicerane “politika humanitare” që demonstrohet në bisedime dhe intervenime.
Edhe politika përballë hebrenjve fillon të ndryshoj me njoftimin se Gjermania
naziste kishte ngritur kampe të përqendrimit. Ndërsa raportet me Kryqin e Kuq
ndërkombëtarë bëhen më të theksuara.[45]
Me përfundimin e LDB (1945) në Evropë fillon një epokë e re. Si vendi i
vetëm fqinjë i Italisë dhe Gjermanisë mbetet Zvicra që shpëton pa u okupuar apo
pa u futur në mënyrë të drejtpërdrejt në luftë. Neutraliteti mbetet edhe pas
luftës si nocion i theksuar në diplomacinë zvicerane – pra edhe përballë
OKB-së. Sfidën kryesore të politikës së jashtme të vendit e bënin rrethanat e
reja. Evropa dhe bota ishte në një fazë transitore edhe cila përcillet edhe me
ngritjen e një rendi të ri botërorë. Fillon rivendosja e marrëdhënieve
diplomatike me shtetet që iu kthehet suvereniteti pas përfundimit të luftës.
Ngrihen marrëdhënie të reja me vendet e reja. Në raport me Bashkimin Sovjetik
nuk kishte pas marrëdhënie edhe mes dy luftërave botërore për shkak se Zvicra
kishte refuzuar ideologjinë komuniste. Me vendet aleate –sidomos me SHBA-të,
Zvicra konfrontohet me hapjen e çështjeve ekonomike të cilat kishin nevojë të
sqaroheshin. Si pikë kryesore ishte fati i pasurisë gjermane dhe pasuritë e
Zvicrës në SHBA. Pra qëllimi ishte edhe i shpalosjes së pasurive të mundshme të
nazistëve. Sepse, sipas aleatëve, kjo pasuri shikohej si kërcënim për paqen në
të ardhmen. Kjo çështje e shpien diplomacinë e Zvicrës në një sprovë tejet
delikate e të ndjeshme. Ndërsa në anën tjetër kjo diplomaci kishte nuhatur qysh
herët se si Lufta e Ftohtë po merrte formë.[46]
g)
Periudha e pas LDB dhe ndarja Blloqeve
Vitet 1947-1949 vlerësohen si vitet e keqësimit të marrëdhënieve
ndërkombëtare dhe kjo për shkak të rivalitetit mes Bllokut të Lindjes dhe
Perëndimit. Me iniciativën e konstituimit të planit Marshall fillon edhe ndarja
e Evropës dhe e Gjermanisë. Puçi i Pragës në shkurt të 1947 dhe bllokimi i
Berlinit nga Stalini në qershor 1947 kanë kontribuar që të ndihen ndikimet e
para të Luftës së Ftohtë jo vetëm në kokat e njerëzve por edhe në realitetin
politik. Në kuadër të kësaj ndarje operonte diplomacia zvicerane me politikën e
saj të njohur të neutralitetit, e cila nuk ishte edhe politike e lehtë.[47]
Në vitet 1949-1952 në arenën ndërkombëtare kemi prezencën e një
tensionimi gjithnjë e më të theksuar mes Lindjes dhe Perëndimit. Tensionimet e
arrijnë kulmin me luftën e Koresë. Këto rrethana ndërkombëtare e vënin
politikën e neutralitetit të shtetit zviceran para një sfide të madhe. Vendi
nuk mund të injoronte e të izolohej nga ecurit e politikës ndërkombëtare të
kohës. Shtrohej çështja se a duhej të merret hapi drejt afrimit të Bllokut të
Perëndimit bashkë me kërkesat që kishte të cilat nuk përshtateshin me politikën
e neutralitetit, por edhe marrëdhëniet me Bllokun e lindjes lidheshin me një
numër pyetjesh. SHBA-të kishin nxjerrur një listë të zezë të produkteve të
cilat nuk guxonin t`iu shiteshin Bashkimit Sovjetik. Ndërsa në politikën
zvicerane ishte e një rëndësie të madhe që ajo të mos kufizohej në ndërtim e
marrëdhënieve tregtare me të dy Blloqet. Megjithë theksimit të neutralitetit
Zvicra i afrohet proceseve që ndodheshin brenda Bllokut të perëndimit por me
rezerva. Me rritjen e Organizatave me qendrat e tyre në Gjenevë vendi fillon të
jetë në lidhje gjithnjë e më të ngushta me OKB-në. Si sfidë ishte politika
ekonomike ishte çështja e pasurisë së gjermanëve në Zvicër. Ndërsa edhe më
komplekse për diplomacinë zviceran ishte ngritja dhe marrëdhëniet me dy
Gjermanitë – pjesës demokratike dhe asaj komuniste. Fillimisht Zvicra i ishte
ikur njohjes së Gjermanive të “reja”. Me pranimin dhe marrjen mbi vete të
borxheve dhe obligimeve tjera, të Gjermanisë pararendëse, nga Gjermania Perëndimore
vendoset që nga ana e Zvicrës të njihet si shtet. Ndërsa raportet me Gjermaninë
Komuniste mbaheshin kontakte “për zgjidhje praktike” që të mund të mbroheshin
interesat e mijërave zviceranëve që ndodheshin në zonën sovjetike.[48]
Me vdekjen e Stalinit (mars 1953) në Evropë kemi një fazë të
ç`tensionimit. Gjeneva në diplomacinë ndërkombëtare merr vend të rëndësishëm
sidomos me mbajtjen e konferencave të ndryshme lidhur me konfliktet në Azi.
Politika e jashtme zvicerane përgjithësisht fiton nga këto rrethana dhe vejnë
“marrëdhënie të privilegjuara me burrështetas nga gjithë bota”. Me angazhimin e
Zvicrës në Komisionin Mbikëqyrës Neutral i caktuar për të mbikëqyrur
armëpushimin në konfliktin e Koresë i hapë mundësinë politikës së jashtme
zvicerane që të kërkoj njohjen e politikës së neutralitetit të vendit nga te dy
blloqet. Përballë NATO-s Zvicra mban qëndrim të rezervuar. Në OKB përfaqësohet
me një të dërguar si përgjues. Aspekti ekonomik në politikën dhe diplomacinë e
këtij vendi zënë përherë e në formë permanente vend të rëndësishëm dhe vihet si
pikë me prioritet. Gjatë këtyre viteve ajo kërkon tregje të reja. Fillon një
normalizim tregtar me Gjermaninë, Italinë, Francën. Marrëdhëniet me dy Blloqet
ishin të ndryshme. Me BS pengesat ishin krejtësisht politike. Rezervat e
shprehura të SHBA-ve përballë politikës së neutralitetit që aplikohej nga ky
vend fillojnë të shkrihen duke iu falënderuar “shërbimeve të mira” të dëshmuara
me angazhimin e saj në rastin e Koresë.[49]
Me mbajtjen e konferencës së katër fuqive, e cila u mbajt më 18 deri më
26 qershor 1955, fillon mbajtja e një sërë konferencash tjera në Gjenevë mes
fuqive. Kështu në gusht të vitit 1955 mbahet konferenca ndërkombëtare për
shfrytëzimin paqësor të atomit. Te dy këto konferenca që patën jehonë në gjithë
botën ndikuan që të fuqizojnë edhe pozitën e Zvicrës në arenën ndërkombëtare.
Gjatë krizës në Hungari, e cila shpërthen në kohën e Krizës së Suezit, qeveria
zvicerane bën një hap të dallueshëm humanitar. Ajo pranon mijëra refugjat
hungarez. Konflikti mes Dy Blloqeve mbetet ende i tensionuar. Vitet 1955-1958
përshkruhen edhe me procesin e dekolonizimit. Dhe konfliktet që shpërthejnë si
rezultat i këtij procesi, preku edhe disa interesa dhe përfaqësi zvicerane në
pjesën e Afrikës Veriore. Gjithnjë e më shumë rritej numri i shteteve të reja
në këtë pjesë të botës. Për Zvicrën shtrohet pyetja a duhet të ngriheshin
marrëdhëniet diplomatike më këto shtetet të reja, dhe nëse po, si duhet
vepruar. Një aspekt tjetër i zhvillimeve i cili kishte vënë diplomacinë
zvicerane para një pozite të vështirë për të vendosur, ishte trendi i
përpjekjeve afruese që po merrte formë gjithnjë e më shumë në pjesën
perëndimore të Evropës. Zvicra nuk dëshironte që t`i largohet përpjekjeve
perëndimore për ngritjen e zonës së lirë tregtare, por njëkohësisht ajo nuk
dëshironte t`i humbte as partnerët dhe tregjet që i kishte me vendet e Bllokut
të Lindjes.[50]
h)
Fundi i politikës së jashtme të udhëhequr nga Petitpierre (1958-1961)
Petitpierre
është personi që ka udhëhequr Departamentin e Politikës së Jashtme të Zvicrës
që nga shkurti i vitit 1945 deri në korrik të vitit 1961. Dhe kjo periudhë
vlerësohet edhe si fundi i periudhës së Petitpierre-it. Nëse shikojmë ngjarjet
e viteve 1955-1958 në Evropë mund të themi se ato ishin të përshkruara me
shpresën për paqësim të marrëdhënieve ndërkombëtare. Vitet vijuese (1958-1961)
karakterizohen me tensionimet mes dy Blloqeve që nxiten me krizën e Berlinit,
Kubës dhe përshpejtimit të dekolonizimit të vendeve të Afrikës. Pastaj kemi
edhe luftën Algjerisë, mëvetësia e Kongos. Në këto ngjarje politike
ndërkombëtare që lidheshin ngushtë edhe me konfliktin lindje-perëndim,
diplomacia zvicerane përpiqet edhe më shumë të theksoj politikën neutrale
përkatësisht neutralitetin e vendit, por gjithnjë duke i bërë përpjekjet ma të
mundshme për t`i ikur izolimit. Si sfidë e politikës së jashtme zvicerane
paraqesin edhe ngjarjet e kohës që lidhen me ngritje e organizatave evropiane
si Këshilli i Evropës, OEEC, EWG-ja, pastaj themelimi i EFTA-s dhe OECD-së,
raporti me shtetet e krijuara të reja etj. Në politikën e brendshme diskutohet
për pozicionin e Zvicrës në raport me shtetet komuniste por edhe për antarsimin
e vendit në OKB. Sa i përket pikës së fundit, Zvicra mbante linjën njëzëri se,
ajo nuk donte të hynte në OKB për shkak të vijës politike të neutralitetit. Pra
sipas Ministrit për Punë të Jashtme, Petitpierre, “Zvicra duhet të mbetet e pavarur dhe e hapur”. Neutraliteti i
shtetit zviceran nuk nënkuptonte pasivitetin përballë ngjarjeve që ndodhnin.
Përkundrazi, ajo ofronte shërbimet e saja si në rastin e krizës së Algjerisë,
mirëpo gjithnjë duke qenë të vetëdijshëm se, ky vend ishte i vogël për të
filluar një nismë për një zgjidhje paqësore të konfliktit global që ekzistonte.
Në këto vite
që po i trajtojmë, fillon një politike më aktive e politikës së jashtme
zvicerane e cila jep kontributin e saj edhe në Kongo, fushën e ndihmave
humanitare por edhe duke trajtuar politikën e neutralitetit të vendin me
integrimet ekonomike që fillojnë në Evropën e ndarë. Në aspektin e sigurisë së
vendit e cila lidhej edhe me blerjen e armatimit, shpesh vihet në diskutim
harmonia e politikës së neutralitetit përballë tregtisë me armë. “Politika e
shërbimeve të mira” e shtetit të Zvicrës atë e avancon shumë në fazën që po e
trajtojmë. Zvicra kishte bërë shërbime në politikën ndërkombëtare, sa ajo
përforcon edhe më shumë pozitën e saj. Megjithëkëtë kishte fërkime të
herëpashershme me Amerikën dhe Bashkimin Sovjetik.[51]
[1] Rütli vendi
ku është mbajtur lidhja zvicerane dhe është vënë gurthemeli i ngritjes së
shtetit zviceran. Rütlischwur është një mit kombëtar zviceran ku marrin pjesë
tri kantonet si Uri, Schwyz dhe Unterwalden. Shih më shumë në: Reinhardt
2006:6-10
[2] Zvicra është marrë shpesh si shembull nga shqiptarët. Në këtë rast Lidhjen
e Prizrenit E. Vlora e krahason si një
qeveri popullore e ngjashme me besëlidhjen që krijuan në vitin 1291 kantonet
zvicerane. Vlora 2003:159.
[3] Tektsi
është i përpiluar në pernagment ka format 320 x
[4] Xoxi, 1995:
26. Vepra “Wilhelm Tel” (1804) e shkruar nga Schiller është përkthyer në gjuhën
shqipe në vitin 1932 nga S. Laurasi.
[5] Bëhet fjalë
për bashkëngjitjen që i bëhet nga pesë kantone (Cyrihu, Berna, Lucerni, Glarusi,
Cugu) tre kantoneve të vjetra.
[6] Reinhardt 2006:51:57.
[7] Reinhardt 2006:74-82.
[8] Khs.
Reinholdt 2006:82:92.
[9] Khs.
Reinholdt 2006:92-100.
[10] DDS 1 1848-1865:XVIII-XXV.
[11] DDS 1 1848-1865:XXVIII.
[12] DDS 2
1866-1872:XVI-XIX.
[13] Kulturkampf:
këtu bëhet fjalë për një luftë që shpërthen mes forcave konservative katolike
kishtare dhe forcave radikale.
[14] DDS 3 1866-1872:677.
[15] DDS 3 1866-1872:XIII-XV, 677.
[16] DDS 3 1866-1872:787.
[17] 4 mars 1897 në: DDS 4 1890-1903:542-544 „…il est à craindre que les Italiens n`aient certaines ambitions, soit en
Crête, soit en Albanie…”
[18] DDS 4 1890-1903:XVII-XX.
[19] Letra e
datës 12 qershor 1901 në: DDS 4 1890-1903:803-805.
[20] DDS 4 1890-1903:883-884.
[21] Reinhardt 2006:106.
[22] DDS 6 1914-1918:XVI-XVIII.
[23], Letra e 20
qershorit 1914 e ministrit të Zvicrës në Vjenë dërguar Ministrisë së Punëve të
Jashtme Zvicerane, në DDS 6 1914-1918:1.
[24] DSS 6
1914-1918:2-5.
[25] Letra e
përfaqësuesit zviceran në Berlin (21 korrik 1914), dërguar shefit të
Departamentit Politik të Zvicrës. DDS 6
1914-1918:7.
[26] DDS 6 1914-1918:7-8.
[27] DDS 6 1914-1918:59.
[28] DDS 6 1914-1918:136.
[29] DDS 6 1914-1918:138.
[30] DDS 6 1914-1918:654.
[31] DDS 7 1918-1920:XV.
[32] DDS 8 1920-1924:XVII-XX.
[33] DDS 8 1920-1924:7.
[34] DDS 9 1925-1929:XIII.
[35] DDS 12 1937-1938:XXI.
[36] DDS 12 1937-1938:XXI-XXI.
[37] DDS 12
1937-1938:XXIII. Khs. Reinhardt 2006:112. Dokumenti i marrëveshjes i
publikuar në: dodis.ch/15384.
Me thellësisht shiko po ashtu edhe: Die Schweiz, die Flüchtlinge und die Shoah in: http://www.dodis.ch/de/themendossiers/dossier-die-schweiz-die-nationalsozialistischen-verfolgungen-und-die-shoah.
[38] DDS 13
1939-1940:XVIII-XIX.
[39] Reinhardt
2006:110.
[40] DDS 13
1939-1940:XX.
[41] DDS 14
1941-1943:XV. Në një letër nga përfaqësuesi zviceran në Ankara dërguar
Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës më 2 qershor 1943 për Shqipërinë ai
shkruan një fjali të vetme: “Quant à l`Albanie, l`Italie entendait bien la
conserver, mais c`était simplement par nécessité élémentaire de sécurité”, po
aty fq. 1159.
[42] Reinhardt 2006:110-111.
[43] Reinhardt 2006:112.
[44] Reinhardt 2006:113.
[45] DDS 15 1943-1945:XVI-XVIII.
[46] DDS 16 1945-1947: XVII-XIX.
[47] DDS 17 1947-1949; www.dodis.ch.
[48] DDS 18 1949-1952; www.dodos.ch
[49] DDS 19 1952-1955; www.dodis.ch.
[50] DDS 20 1955-1958, www.dodis.ch
[51] DDS 21 1958-1961, www.dodis.ch