| E hene, 20.08.2012, 05:00 PM |
Letërsi
popullore: Studim
VENDI I MEHMET CENËS NË FUSHËN E PLEQNARISË DHE TË MENDËSISË POPULLORE SHQIPTARE
NGA DR. BESIM MUHADRI
Mehmet Cena u lind në Demjan të Hasit më 1908 dhe po në këtë vend ai vdiq në vitin 1984. U rrit në një mjedis familjar ku tirrej mendimi i hollë e fjala e mençur matej në kandarin burrërisë. Shumë shpejt arrin që të përvetësojë njohuritë që i ofronte oda dhe nga ndejat e shumta, nga bisedat që zhvilloheshin aty, ai arrin të përvetësojë jo vetëm njohuritë, por edhe oratorinë. Shumë shpejt ra në sy mprehtësia e tij për të mbajtur mend, për të interpretuar dhe për të gjykuar drejt. Thonë se kur dëgjonte një bisedë, një histori, etj., ishte në gjendje që me të parën ta regjistronte në memorien e tij dhe kurrë të mos e harronte. Përveç kësaj ai ishte edhe një humorist i përsosur.
Mehmet Cena në mes Xhemajl Abrisë dhe Dervish Goxhulit
Mehmet Cena një pjesë të mirë të jetës së tij e kaloi
duke u marrë ndarje pleqnie e pajtim gjaqesh. Pas vete la një veprimtari të
mirë edhe në fushën e frazeologjisë popullore dhe të anekdotave, shumica prej
të cilave ishin të vetat, por kishte edhe nga ato që i interpretonte dhe ju
jepte ngjyrën e realitetit kohor e hapsinor. Pra bëntë përshtatjen e tyre, në
mënyrë që t’i bënte sa më të afërta, sa më të kuptueshme dhe sa më të kapshme
për mjedisin. Duke parë gjithë opusin e veprimtarisë së tij, qoftë atë të
mbetur në formë kujtimesh nga bashkëkohësit, qoftë atë të shkruar përmes
folkloristëve të dëshmuar e të pasionuar siç ishte Anton Çetta, shtrohet pyetja
se cili është vendi i Mehmet Cenës në fushën e pleqnarisë dhe të mendësisë
popullore shqiptare? Pas shumë elaborimesh, dilemash dhe pyetjesh, përgjigjja
të shpie te konstatimi se Mehmet Cena përveç shumë elementeve dhe përqasimeve e
pikave përbashkuese që ka me plaqnarë e njerëz të tjerë të mençur të kohës së
tij dhe para tij, megjithatë përafrimet më të dukshme i ka me Xhemjal Abrinë
dhe me Dervish Goxhulin.
Po cilat janë karakteristikat e përbashkëta në mes Mehmet
Cenës dhe këtyre dy personaliteteve të mendësisë popullore shqiptare?
T’i shohim.
Mehmet Cena dhe Xhemajl Abria
Pleqnari dhe mendtari i Kosovës, Xhemajl Abria vdiq në
vitin 1908, mu në kohën kur lindi Mehmet Cena, ndërkaq humoristi, këngëtari dhe
mendimtari, Dervish Goxhuli ishte pothujase bashkëkohës i Mehmet Cenës. Që të
tre ishin njerëz që kontribuan në aspekte të ndryshme për të mirën e popullit
të tyre, qoftë duke i arkëtuar, qoftë duke i pajtuar, qoftë duke i këshilluar.
Përderisa Xhemajli dhe Dervishi ishin nga rajoni i Drenicës, Mehmet Cenai shte
nga një skaj tjetër i Kosovës, nga Hasi. Që në të dy këto rajone ka pasur burra
të mençur e të ndershëm, të cilët dijen e tyre e shkrinë në të mirë të kombit e
të vendit të tyre. Ka pasur burra që janë shquar për virtyte të larta njerëzore
e kombëtare, kështu që në saje të të gjitha këtyre kontributeve ata sot
kujtohen me pietet të lartë dhe kanë mbetur në kujtesën e popullit ashtu sikur
edhe ishin.
Po cilat ishin karakteristikat e përbashkëta të Mehmet
Cenën më këta dy burra të mençur të Drenicës, të cilët kaluan përmasat e një
krahine dhe u shndërruan në simbole të mençurisë e të humanizmit
gjithëkombëtar?
Kur jemi këtu, atëherë duhet të ndalemi të
karakteristikat që e veçonin Xhemajl Abrinë për të bërë krahasime dhe për të
gjetur disa veçori të pëbashkëta të Mehmet Cenës me këtë pleqnar. Sipas asaj që
thuhet në librin e Xhemajl Bajramit, “Xhemajl
Abria-pleqnar i Kosovës”, i cili përpos që e thotë vet, i referohet edhe
studiueseve të tjerë të krijimtarisë dhe veprimtarisë së këtij pleqnari, del se
disa nga karakteristikat që e veçonin Xhemajl Abrinë janë:
-
Aftësia për të ndjekur
rrjedhat historike;
-
Prirja e jashtëzakonshme për
të pleqëruar raste enigmatike;
-
Drejtësia e palëkundur
-
Humanizmi
-
Guximi
-
Thjeshtësia dhe thellësia e
mendimit etj.
Por edhe karakteristika dhe veçori të tjera, të cilat në
këtë rast nuk po i përmend. I shënova këto, ngase edhe
Mehmet Cenën e karakterizonin të gjitha këto veçori. Mehmet Cena (ndonëse i
pashkollë, ashtu sikurse edhe Xhemajl Abria) ishte një personalitet që diti të
krijojë dhe të ruajë personalitetin e tij prej mendari dhe humanisti të
patejkalueshëm.
Ku fshihen këto virtyte të këtij burri?
Fshihen pikërisht në aftësitë e tij, që edhe i kishte të
lindura, por edhe të përsosura gjatë tërë jetës së tij të bujshme. Mehmet Cena
më shumë vëmendje kishte arritur të përcjellë rrjedhat historike dhe ishte në
gjendje të të fliste me orë të tëra për ngjarje të caktuara historike e me
theks të veçantë për ato kombëtare që kishin ndodhur shekuj me radhë. Në këtë
pikë ai ua tejkalonte edhe atyre që kishin studiuar në këtë lëmi.
Prirja tjetër, për të pleqëruar raste enigmatike dhe me
një drëjtësi të palëkundur e Mehmet Cenës koinçidon me atë të Xhemajl Abrisë,
jo se ky ishte i ndikuar nga Xhemajl Abria, por se natyra e tij, e karakterit
të tij njerëzor dhe familjar ishte e tillë. Kur kishte filluar të pleqërojë, ai
ishte betuar se nuk do të bënte asnjë punë që do të ishte jashtë karakterit të
tij, jashtë natyrës së tij, jashtë bindjes së tij. Pajtimet i bënte “Për Riza
të Zotit” që ishte edhe moto e punës së tij, sepse këtu ai gjente mbështetjen
shpirtërore, morale e njerëzore. Rastet që i pleqëronte Mehmet Cena zinin vend
dhe kurrë nuk kishte ndodhur që të përsëriteshin. Kjo kishte ndodhur edhe me
Xhemjal Abrinë. Pra, edhe në këtë pikë kemi pikëtakime interesante, ashtu
sikurse kemi edhe te veçantitë tjera si ajo e humanitetit, e thjeshtësisë dhe e
thellësisë së mendimit.
Thuhet se Xhemajl Abria shpesh rrinte më fëmijë dhe bënte
si ata. Këtë nuk e bënte se ai ishte i krisur, mirëpo e bënte që të hyrte dhe
depërtonte sa më thellë në shpirtin dhe mentalitetin e tyre. I këshillonte dhe
luante me ta. Një karakteristikë të tillë e gjejmë edhe te Mehmet Cena. “Mehmet
Cena kur rrinte me burra ishte burrë, kur rrinte me të rinj, bëhej i ri dhe kur
rrinte me fëmijë bënte si ata”, thonë të gjithë ata që e njohën. Mehmet Cena i
përshtatej moshave, sepse kishte këtë dhunti, gjë që tregonte për
shpirtmadhësinë e tij, për virtytet e larta të tij njerëzore e humane. Virtyti
i thjeshtësisë është virtyt i njerëzve të mëdhenj që nuk kanë nevojë të duken
të mëdhenj, ngase të tillë janë vetvetiu. I tillë ishte edhe Mehmet Cena që sot
ka mbetur edhe në kujtesën e pleqëve të sotëm, që dikur ishin burra të pjekur
në moshë, të burrave të sotëm, që në kohën e Mehmet Cenës ishin të rinj dhe të
të rinjve të sotëm që në kohën e Mehmet Cenës ishin fëmijë fare të vegjël.
Përqasime e pika përafruese në mes Mehmet Cenës dhe
Xhemajl Abrisë hasim edhe në shumë aspekte të tjera, si aspektin e gjeturisë
dhe menaxhimit të situatave, të cilave u përgjigjen përmes anekdotave të
ndryshme, përmes bejteve e fjalëve me “rrotulla”, siç janë të njohura në
popull, po ashtu edhe në aspektin e
thënieve, sentencave apo të porosive të ndryshme të tipit “Xhemajl Abria apo
Mehmet Cena ka thënë”. Të tilla ka mjaft, të cilat në vetvete ngërthejnë tërë
kompleksitetin e mençurisë dhe përvojave të tyre jetësore. P.sh sentencat e
Mehmet Cenës “Ta majmë veten se nuk
na man kush. Sepse vetëm të bashkum mundemi me e ruejt atë që kemi dhe më
mbërri atë që e duam...”, apo “Kurrë besë shkaut mos i zë, sepse shkau për
atdhe e për interesa të veta asht në gjendje me djegë e me masakrue edhe fëminë
e vet, po vendin e vet nuk e shet” koinçidon me atë të Xhemajl Abrisë që thotë
se: “Armiku më i madh i shqiptarëve është hasmëria” dhe të shumë të tjerave që
kanë të njejtat mesazhe.
Që të gjitha thëniet, qoftë të Mehmet Cenës, qoftë të
Xhemajl Abrisë kanë një porosi të qartë, të cilat janë të barabarta me
porosinë: Të ruhemi nga armiku që na ka përçarë e na ka shtyrë të vritemi në
mes veti. Sepse armiku kur dëshiron të të pushtojë dhe të të sundojë, së pari
të përçanë e pastaj e realizon pa mund të madh qëllimin e tij. Maksimën “përçaj e sundo” e kanë pasur si pikë të parë
të gjithë sunduesit e vendit tonë, ngase e kanë njohur shumë mirë mentalitetin
tonë e duke njohur mentalitetin e këtij populli ata e kanë ditë edhe pikën e
dobët të shqiptarëve- përçarjen. Dhe kjo ka jo rrallë në historinë e
shqiptarëve, si në atë të vjetrën ashtu edhe në të renë, që na u ka hakmarrë
vazhdimisht e vazhdon të na hakmerret ende edhe në ditët e sotme. Prandaj, si
Mehmet Cena, si Xhemajl Abria dhe si të gjithë pleqnarët dhe mendtarët tjerë të
Kosovës, e kanë ditë mirë vendin e dhimbjes së popullit tonë, që ishte një plagë
e vjetër, prandaj dëshironin që ta shëronin njëherë e përgjithmonë, në mënyrë
që të ecej përpara. Ata shpesh merrnin aksione të pajtimit të gjaqeve në mënyrë
vullnetare edhe pa i porositur askush. Organizonin tubime, kuvende pajtimesh të
gjaqeve, në mënyrë që të mundnin këtë të keqe. Dhe kjo ndodhte sa herë që duhej
të hyhej në luftë për liri. Edhe njëri, edhe tjetri shpesh ishin në krye të
pajtimit të gjaqeve.
Kur është fjala te kontributi i Xhemajl Abrisë që shprehet përmes
harmonizimit të normave të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe Sheriatit, që ishte
shndërruar në fenomen për zgjidhje të shpejta e të drejta, duke futur risi të
domosdoshme, këtë mund ta themi edhe për Mehmet Cenën, me të cilin kemi
pothuajse të njejtën situatë”.
Në një rast mund të hasim një vlerësim të profesor Anton
Çettës në lidhje me figurën e Xhemajl Abrisë përmes gojës së popullit të
Drenicës që thonë: “Sa për Drenicë, burrë mendar, t’nershëm e t’pahile
n’mezhliz, si Xhemajl Abrinë s’kemi pasë!” Të njejtat fjalë e vlerësime hasim në
Has për Mehmet Cenën. Ja disa nga opinionet dhe cilësimet e hasjanëve që i
bëjnë këtij pleqnari e burri të mençur të kohës: “Mehmet Cena ishte plak i së
drejtës”, “Njeri i mençur, i urtë dhe i drejtë”, “Njeri i meçëm dhe bujar”,
“Fjalët e tij kanë çue peshë dhe janë pranuar”, “Mehmet Cenën nuk ka pasë agë,
as bajraktar, as filozof e as fetar me mujt me fjalë e me men”, “I afërt me të
gjithë”, “Njeri që ka ditë me amëlzue njerin e jo me qitë n’mal”, “Njeri që i
kishte hije me nejt n’ballë t’oxhakut”, ” Njeri me të cilin njerëzit kishin
dëshirë me e ndie kah fliste”, “ Njeri që me hi nër nimijë burra i ka pas
hije”, “Ku ka shkue e ka ba ka ni shpi”, “Njeri që nuk i ka lanë punët me
vegëza”, “Njeri i ndershëm që ka ditë me i respektue të tjerët”, “Njeri që dijen
e kishte vu në shërbim të çështjeve të rëndësishme për kombin”, “Njeri që nuk
nënçmojke askënd”, “Njeri që e kërkonte vendi dhe kuvendi”, “ Edhe i mençur, edhe guximtar”, “Njreri që njeriun e
çmonte njeriun për kah takati i dijes e jo i pares” si edhe shumë e shumë
mendime e thënie të tjera, përmes të cilave shihet qartë publiciteti i tij në
popull.
Shumë flitet për Mehmet Cenën e pak ka mbetur nga opusi i
tij, ngase ata që kanë ndenjur me të dhe që kanë ndërruar fjalë e muhabete me
të kanë vdekur. Janë edhe të tjerë që e kanë njohur, por përveç fjalëve të mira
për të, shumë pak anekdota dhe fjalë të Mehmet Cenës dinë t’i tregojnë. Shumica
thonë se Mehmet Cena ka qenë njohës i mirë i Kanunit të Lekë Dukagjinit, nga i
cili mësoi të pleqëronte raste të rënda dhe enigmatike. Moto e tij gjatë
pajtimit të gjaqeve dhe ngatërresave të ndryshme, sidomos të atyre më të
rëndave, ishte “Për Riza të Zotit”. Kjo ishte karakteristika e veçantë e tij
gjatë pajtimeve, që nuk i linte asnjë hapësirë për t’u korruptuar dhe ta ndante
drejtësinë pa hile. Në bazë të kësaj motoje dhe kërkese në formë të lutjes që
kishte Zotin në mes, pajtimet e tij, të të gjitha llojeve, kanë zënë vend dhe
nuk ka pasur kurrë nevojë të ndërhyhej përsëri. Kur shohim rrugëtimin e tij
jetësor e humanitar, vlerësimi na shpie te kontstatimi se Mehmet Cena ishte
njeri që kishte një rrem gjinie.
Mbante mend shumë dhe dinte t’i interpretonte në mënyrë perfekte. Ishte edhe
artist i lindur.
Te Mehmet Cena, ashtu sikurse edhe te Xhemajl Abria, në
zgjidhjen e problemeve jo vetëm të atyre të pajtimit të gjaqeve dhe
ngatërresave të ndryshme, por edhe të kontesteve të ndryshme familjare gjejmë
të gërshetuara mençurinë me praktikën.
Mehmet Cena dinte për mrekulli të menaxhonte situatat në
oda, në tubime dhe në ndeja të ndryshme. Ishte orator dhe fjalët e tij
pëlqeheshin nga masa. Kështu ishte edhe me Xhemajl Abrinë dhe “natë konak ku ka
shkue Xhemajl Abria, asni mashkull s’ka punue, edhe n’koft kanë pika e verës,
po janë tubue, m’e e ngue kah flet e me marrë m’sim pej fjalëve t’tij[1]”.
Raste dhe thënie të tilla gjejmë edhe për Mehmet Cenën, ndërkaq shembulli më i
mirë janë shprehjet që thonë se: “Mehmet Cenës i ka pas hije me nejt n’ballë
t’oxhakut”, apo ”Njerëzit kishin dëshirë me e ndie kah fliste Mehmet Cena”.
Për shkak të krijimit të besimit dhe të respektit në
popull, në shumë raste të pajtimeve, veçanërisht në raste më të rënda, nuk
bëhej pajtimi pa qenë prezent edhe Mehmet Cena. Raste të tilla kemi mjaft,
mirëpo një është më i veçantë. Është
fjala për rastin e Landovicës ku duhej të pajtoheshin dy familje që kishin në
mes vete disa gjaqe e disa plagë. “ Qajo punë nuk po kryhet pa kanë ti”,
kujton sot njëri nga dëshmitarët[2]
e atij momenti të ketë dëgjuar t’i thonin Mehmet Cenës disa burra që kishin
ardhur herët në mengjës ta merrnin e ta dërgonin në atë pajtim. Raste të tilla
kishte ende që i kishin ndodhur Mehmet Cenës, por edhe Xhemajl Abrisë vite e
vite më parë. Këtë e dëshmon edhe thënia “U shty pleqnia, se nuk erdh Xhemajl
Abria.”
Fjalët e burrave të mençur kishin domethënie të mëdha dhe ishte vështirë të zbërtheheshin nga njerëz që nuk kishin dije paraprake e përvoja të duhura të muhabeteve të odave, që i karakterizonte të folurit alegorik e metaforik shumë i pasur dhe i veçantë. Kishte raste që shumë veta në odë nuk i merrnin vesh, prandaj shkonin ditë të tëra dhe diskutoheshin se cili ishte kuptimi i tyre i vërtetë. Kështu kishte ndodhur edhe me Xhemajl Abrinë, por edhe me Mehmet Cenën: “N’i javë jam përmeqatë me ni fjalë t’Xhemajl Abrisë, me dijtë se çka tha, po s’mujta”, ishte një thënie e një drenicasi pas dëgjimit të fjalëve që Xhemajl Abria kishte folur në një odë. Kështu kishte ndodhur edhe me Mehmet Cenën, fjalët e të cilit kishin domethënie të mëdha. Këtë e hasim te rrëfimet e Dan Temajt me titull “Me tri fjalë u morën vesh”, apo rasti i Kolës së Mirditës që “vdiq i ri” duke u munduar t’i merrte qershi të kuqe nuses që e donte shumë, etj,. etj.
Mehmet Cena dhe Dervish Goxhuli
Një tjetër personalitet i mençurisë dhe i dijes është
edhe Dervish Goxhuli nga Makërmali i Drenicës, fjalët plot humor të të cilit
dëgjoheshin dhe kënaqnin masën. ”Dimrit
ndër ndeje apo dasma, njëqind burra të ishin në odë, zëri i Dervishit dëgjohej
më së shumti dhe, kur fliste ai, plaste gazi. Gjithmonë ai ishte shpirti i ndejës
dhe i mbledhjes. Me hokat e tij dinte t’i japë akordin, dinte t’i japë një
frymë gazmore çdo tubimi burrash[3].
Njerëz të tillë janë të rrallë dhe lindin në kohë të
caktuara të historisë. Njerëz që dinë të argëtojnë masën, që dinë të shuajnë
problemet edhe përmes humorit, kanë shpirt të pastër prej artisti të lindur. I
tillë ishte edhe Mehmet Cena, që përveç oratorisë shumë të zhvilluar, të
mençurisë së lindur e të kultivuar, ai kishte dhunti edhe humorin, që e bënte
atë edhe më të veçantë, edhe më të dashur, edhe më kërkuar. “Mehmet Cena dasmën
e ka hijeshue e dekën e ka lehtue”, shprehet njëri nga të intervistuarit tanë
në lidhje me ndërtimin e figurës së Mehmet Cenës. Nëse Dervish Goxhuli ishte
edhe këngëtar, edhe humorist, por edhe mendar, këto veti i kishte edhe Mehmet
Cena, i cili edhe pse nuk njihet si këngëtar ai dinte të këndonte dhe të luante
me çifteli, mirëpo ka ditur të vallëzoje për mrekulli, por edhe të bëjë humor.
Humori i tij ka qenë i lehtë dhe është përdorur në forma të ndryshme, që masën
e ka argëtuar, apo siç e thotë edhe Marjan Gjon Markaj, e ka hijeshue dasmën.
Ky hijeshim është bërë qoftë me fjalë humori, qoftë me fjalë të tjera që kanë
qenë me interes për kohën kur janë thënë. Anekdotat e Mehmet Cenës: “N’tri
fletë më shkoi në bark pasuli”, “Kosi i Ymer Sufës”, “Tek asht rrëknye vekshi
prej Pushtrigut e paska gjetë kapakunn n’Demjan”, “Tri sene s’po ma lanë vendin
me ardhë n’Rogovë”, etj. etj., janë anekdota plot sharm humoristik, të cilat
koinçidojnë me disa anekdota të Dervish Goxhulit, të cilit ashtu si Mehmet
Cenës i kishte hije kur i tregonte apo edhe kur i sajonte aty për aty, sepse i
përdornin atëherë kur duhej dhe nuk iu hidhërohej askush. Nuk iu hidhërohej,
sepse edhe i thonin “hishëm”, por edhe vetëm për të bërë humor e jo për të
ngacmuar apo rënduar dikënd.
Prandaj, duke parë këto dy krahasime, por edhe të tjerat
si dhe duke lexuar anekdotat e Mehmet Cenës që trajtojnë probleme të ndryshme,
por edhe duke lexuar rrëfimet e bashkëkohësve të tij, mund të vijmë deri të
konstatimi se Mehmet Cena, përveç ndikimeve që kishte nga pleqnarë dhe mendtarë
me zë të kohës së tij dhe para tij, ai ishte edhe një njeri që kishte dhe dha
shumë nga vetvetja, sepse nga mendja e tij e ndritur dhe e përkryer dolën shumë
mendime, që po të zbërthehen sot me vëmendje, shohim se ato ngërthejnë në vete
tërë kompleksitetin e një dijetari të lindur. Mehmet Cena, qoftë si pleqnar,
qoftë si pajtimtar, qoftë si orator e qoftë si prind e kryefamiljar ishte i
përkryer.
Duke u shikuar, qoftë nga prizmi i kujtimeve të
bashkëkohësve, qoftë të analistëve, etnologëve dhe njerëzve të tjerë kompetentë
të këtyre çështjeve, Mehmet Cena pa dyshim që hyn në mesin e njerëzve të shquar
të pleqnarisë e të mençurisë shqiptare, të njerëzve të cilët në mungesë të institucioneve shtetërore e
kombëtare, me aq sa mundën dhe ditën, dhanë kontributin e tyre shumë në
zgjidhjen e problemve të ndryshme të kohës të paraqitura brenda përbrenda
arealit familjar, por që kishin edhe konotacione dhe peshë të madhe e të cilat në momente të caktuara u reflektuan
drejtpërdrejtë edhe në ngjarje madhore kombëtare.
Prandaj, njerëz si Mehmet Cena dhe të tjerët që mbeten një visar i çmuar i kulturës sonë shpirtërore, janë të rrallë dhe, si të tillë, doemos se me plotë meritë mbeten në kujtesën e pavdekshmërisë së popullit.