Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Revista "Shqipëria Etnike" Nr. 1/2012 (I)

| E diele, 25.03.2012, 05:58 PM |


SHQIPËRIA ETNIKE
Revistë e pavarur tremujore:
informative-kulturore-politike
Për:
-Shqipërinë Etnike në kufijtë e saj
-Riatdhesimin e Shqiptarëve
të dëbuar me dhunë
-Luftëtarët e Rënë të Kombit Shqiptar
Viti XI nr. 1/2012 Nistor-Shkurtor-Larcor 2012
Çmimi: për Mërgatë: 5 CHF, 3 €, 3 $
për Vend: ( Kosovë-Maqedoni-Shqipëri) 1.50 €
Prokredit Bank- Prishtinë-(Kadri Osmani)
Nr. i llogarisë:1110162085000136
Drejtor: Fazli Maloku

Kryeredaktor: Idriz Zeqiraj
Zv.Kryeredaktor: Zeqir Lushaj
Redaktorepërgjegjëse: Ajshe Rexhbogaj

Zv.Redaktorepërgjegjëse: Zyrafete Manaj

Redaktore: Fatjeta Muçolli
Lektor:  Kadri Mani
Redaktorteknik: Besnik Mehmeti
Anëtarë Nderi në Redaksi:
Rexhep Bunjaku, Ibrahim D. Hoxha,
Fetah Berisha dhe Ramadan Rexha
Simboli: Qamil Nivokazi
Adresa:
"Shqipëria Etnike"
c/o Kadri Osmani            
Rr. “Hasan Jashari” p. n.
10000 Prishtinë
etnike@gmail.com
Redaksia ka të drejtën e redaktimit
e të lekturës të punimeve
Shkrimet dhe fotografitë mund
të kthehen: me kërkesën dhe
shpenzimet e autorit.
________________________
Numri i parë i revistës tonë
"Shqipëria Etnike" doli më 10
Qershor 1999: në 121-vjetorin e Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit 1878-1999; prandaj
kjo Lidhje është busulla jonë orientuese

 

EDITORIAL

 

Me Beslidhje  Kastriotike drejt Shqipërisë Etnike,

apo mallin e  shkret e hanë kuajt e verbër

 

Nga Mr.sc.Nue Oroshi

 

Mallin e shkretë e hanë kuajt e verbër. Me këtë thënje filozofike të traditës sonë kombëtare po e filloj një shkrim analitik të gjendjes së përgjithshme që sot gjendet në trojet etnike shqiptare. Në vend që sot o kurrë ne shqiptarët të lidhemi rreth Beslidhjes Kastriotase, ne jemi më të përqarë se kurrë. Në vend që të gjithë së bashku pa dallim, partie, feje, krahine apo ideje -te lidhemi së bashku për t’i respektuar parimet e shënjta kombëtare, komb e fe, besë e burrni, dhe, për të lufutar në çdo moment që vendin tonë, Arbërinë e Kastriotit ta kthejmë tek ndërgjegjja Kastriotase, një pjesë bukur e madhe e shqiptarëve e bëjnë të kundërten.

 

Ata fatkeqësisht janë te zhytur thellë në bërjen e pabesisë, si, në korrupsion, krime të organizuem, antikastriotizem, e çka jo tjetër. Ngjarjet e fundit në trojet e Arbërisë gjithnjë e më tepër po tregon se liburnia shqiptare e ka marrë tatpjetën dhe krerët e politikës shqiptare në vend që të jenë në, krye të saj ata qëndrojnë dikund në bisht të saj, duke e pritur momentin që të hudhen në det, së paku që vetë të shpëtojnë, pa u interesuar fare për pasagjerët apo udhëtarët  që gjinden mbrënda saj.Në Iliridën shqiptare, sllavo maqedonasit vrasin dy të rinjë me të vetmin qëllim, se janë shqiptarë. Rrahin me dhjetëra të tjerë dhe djegin flamurin e Gjergj Kastriotit  me shqiponjën dykrenare, ndërsa udhëheqësi i liburnies shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmeti, bën sikurse këto ngjarje të kishin ndodhur në Kubë, Indi,Bangladesh apo në Australinë e largët.Duke mos e prishur fare muajin e mjaltit Politik, që po e kalon me shovenistët sllavomaqedonë, që s’u nginë asnjëherë me gjak shqiptari. Edhe në Dardaninë Antike, që pas betejës së Kosovës 1389, u emërua me emrin Kosovë, situata nuk është aspak më e mirë. Serbët e karpateve pas suksesit diplomatik të tyre, që arritën t’i fusin në rrugë pa krye  udhehqësit e Liburunies Shqiptare në Kosovë që të pranonjë humbjen e shtetësisë së Kosovës, duke pranuar rezolutën 1244, ata marrin hapin tjetër, duke paralajmëruar edhe zgjedhjet në Veri të Kosovës. Zgjedhjet në një shtet të huajin (për ta)  por që ata e konsiderojnë si të tyre. Këtë e bëjnë, sepse në veri të Kosovës shqiptarët e kanë lënë vendinë shkret. Dhe, këtë vend, tani të shkret, kanë filluar ta kullosin kuajt e verbër serbë. Dhe, ky vend që u la shkret nga shqiptarët dhe nuk po mbrohet fare nga politika e Kosovës, është një vend i cili ka nëntokën e pasur me minerale të shumta, që nga ato minerale do të nxirren: ari, argjendi, plumbi dhe shumë gjëra të bukura dhe me vlerë të tokës tonë të bekuar, që na i  fali i madhi zot, e që ne në tokë, nuk po mundohemi ti mbrojmë fare ato. E mos të flasim për Liqenin e Ujmanit (Gazivodës) i cili me ujë e furnizon gjysmën e më tepër të Kosovës. Në mendje më sillen  fjalët e mikut tim atdhetarit e studiuesit Avni Bilalli, i cili në një bisedë me të, më thotë:“O Nue Oroshi, nëse politika shqiptare në Kosovë lëshon pe dhe bën koncesione me këtë pjesë të Kosovës, atëherë ne dhe  pasardhësit tonë me miljona euro do ta blejmë ujin e krojeve tona të bekuara“. Politika shqiptare në Kosovë asesi nuk e mori parasyshë propozimin e mikut të madh të shqiptarëve, kroatit Stipe Mesiq, i cili para disa ditësh e dha një propozim shumë konkret dhe pa politikë. Ai ndër tjera tha, „Shqiptarët duhet të veprojnë me Veriun e Kosovës njejtë siç kishte vepruar Kroacia vite më parë me Kninin“. Ky propozim me vend, u la në harrresë, sepse udhehqësit politikë të Liburnies Shqiptare në Kosovë, nuk kanë kohë të mirren me veprime konkrete për Veriun e Kosovës, sepse janë të zënë me tenderin e Hotel Grandit në Prishtinë, se, cili do ta merr Grandin. Apo, me ndonjë tender tjetër në ndonjë pjesë tjetër të Kosovës. Po q’u bë me Malsinë e Madhe, -me Malsinë e Ded Gjon Lulit e Mehmet Shpendit, -me Malsinë e Prenk Calit dhe shumë atdhetarëve të tjerë. Pse heshtin sot Malsorët trima. Apo ndoshta vetëm iu mjaftojnë ti kujtojnë trimëritë e atdhetarëve të përmendur më lartë.

 

Po vet ç’bëjnë. Ata fatkeqisht janë strukurë në strehën e pasardhësve të Knjaz Nikollës dhe dita ditës janë pranë asimilimit, zhdukjes dhe humbjes së trojeve Arbërore. Po pse edhe sot e asaj dite në Malsinë e viganëve kreshnikë nuk dual asnjë Ded Gjon Lul e Mehmet Shpend? Ku janë sot Tuzi, Kraja e Ulqini; Plava e Gusia. Më kujtohen sot e gjithë ditën fjalët e një miku tim, i cili më tregonte për një politikan nga Malsia, i cili në një kremte të Shqiptarëve në Amerikë dha një intervistë për nj medium shqiptar, me mjaft pompozitet, por, pa kaluar as edhe një orë i hëngri falët e veta, duke e lutur gazetarin që mos ta prezentoi atë që e ka thënë, se, mund t’i dalin telashe me pasardhësit e Knjaz Nikollës.Ah, Malsi e madhe, edhe 100 vjetorin e Kryengritjes së Malsisë ta bënë me himnin e Knjaz Nikollës  (me hymnin zyrtar të Malit të Zi), e para këtij hymni fatkeqsisht qëndruan gaditu përveç shumë malsorëve intelektualë, të ardhur anë e kënd trojeve Etnike dhe Diaspora  edhe dy historianët  nga Instituti i Historisë në Prishtinë, dhe disa të tjerë nga fakultetet e Prishtinës, pa lënë anash studiues  të tjerë nga Institutet dhe Fakultetet  Shqiptare në Shqipëri. Po, zëri i Kosovës lindore pse ka hasur në vesh të shurdhët. Ata, ka kohë që kërkojnë bashkimin e tyre me Kosovën. Por, kjo kërkesë e tyre ka hasur në vesh të shurdhët, madje politikanët shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri s’e marrin guximi as edhe një vizitë të vetme, që ti bëjnë kësaj toke shqiptare të mbetur jashtë kufijve të Dardanisë. Po me Qamërinë ç’po ndodhë. Ajo sot është loti dhe varri që thërret që nga bregu i tingëllimës ti dalin zot bijtë e vet. Ti dalim zot ne shqiptarët. Ne do ti dalim zot të gjitha trojeve etnike vetëm atëherë kur tek ne shqiptarët te kthehet ndërgjegja Kastriotase. Dhe kjo ndërgjegje duhet të kthehet fillimisht tek shteti ynë amë. Tek kjo pjesë e Shqipërisë Etnike e cila duhet të luaj rolin e Shqiponjës dykrenare, e cila me qëndresën, guximin dhe trimërinë duhet ti mbledhë të gjithë zogjët e saj të cilët ia nxorën me dhunë nga foleja dhe ti bëj bashkë. Edhe në këto momente të vështira që po kalon kombi ynë duhet të dalë një organizim i mirëfilltë gjithëshqiptar me ndërgjegjjen Kastriotase. Është ardhur koha që, sot ose kurrë, shqiptarët ti kthehen vetvetes, t’i kthehen orientimit Evropian dhe Amerikan,  jo me fjalë por me vepra, pikërishtë ashtu siç na pat porositë i madhi Hasan Prishtina,”Veprim e jo fjalë/ bashkim e jo përqamje/ Liri pa gjak nuk ka”.

 

ME RAS TIN E 100-VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

 

ISMAIL QEMALI, PAVARËSIA E SHQIPËRISË DHE GRUAJA SHQIPTARE

 

Nga Prof.Dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

 

Një ndër periudhat që ndërruan kahet e historisë së popullit shqiptar, pa dyshim se është Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila me programet e saja angazhohej për të siguruar autonomin e pavarësinë e Shqipërisë, dhe për të ruajtur tërësinë e trojeve shqiptare nga lakmuesit shovinist grabitqar. Këto dy detyra të mëdha të programit kombëtar të saj, ishin në bazë të programit që pati edhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare, që u zhvillua pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deri në kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912. Realizimi i këtij programi shqiptar, nuk do të ishte i plotë, sikurse të mendohej e të realizohej pa angazhimin e madh të intelektualëve, diplomatëve e luftëtarëve shqiptarë që iu printe i madhi patrioti- Ismail Qemal-Vlora, krahas të cilit kontribut të çmueshëm dhanë edhe: Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Idriz Seferi, Hasan Prishtina, Murat Toptani, Mehmet Deralla e shumë të tjerë. Të gjithë këta trima, të pajisur me botëkuptime përparimtare dhe me një përvojë të bujshme historike, i diskutonin shtruar problemet e Lëvizjes Kombëtare dhe për to bashkërisht merrnin vendime përkatëse në Kuvendet popullore.

Pavarësia e Shqipërisë dhe ngritja e flamurit në Vlorë është e lidhur ngushtë me emrin e Ismail Qemalit. Ismail Qemali, kjo figurë e ndritur e historisë kombëtare u lind me 24 janar të vitit 1844 në Vlorë, ku 68 vjet më vonë do të shpallë pavarësinë e atdheut. I ati, Mahmut Bej Vlora, ishte një patriot i shquar dhe mbante lidhje të ngushta me udhëheqës popullor, si me Zenel Gjolekën e Rrapo Hekalin dhe bashku me ta  mori pjesë si organizator i kryengritjes  së madhe të vitit 1874 kundër ushtrisë osmane. Pra, patrioti i madh u lind në një epokë nga më të rëndësishmet në historinë e Perandorisë osmane si pjesë e së cilës ishte e aneksuar edhe Shqipëria. Perandoria Osmane në këtë kohë kishte hyrë në fazën më të rrezikshme  të rënies dhe të dekompozimit të saj. Duke e parë shkatërrimin e saj, klasa sunduese u angazhua për sjelljen e disa reformave, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet. Këto reforma ata u munduan t’i venin në jetë edhe në Shqipëri, ngase rrezikun e parandienin nga vendi i Skënderbeut. Pra, në këto rrethana shoqërore e politike u lind dhe u zhvillua si personalitet Ismail Qemali, dhe të tëra këto trazira historike lënë gjurmë të pashlyera në veprimtarin e mëvonshme.

Pas dështimit të kryengritjes, ata arrestuan krerët e saj dhe shumë fshatar, në mesin e tyre edhe baban e Ismailit të vogël. Pas kësaj, në shtëpinë e tyre erdhi urdhri që e tërë familja të internohej për në Stamboll, si: nëna Hedije Hanmi, vajzë nga një familje e njohur Alizoti nga Gjirokastra, i vëllai e motra dhe vet Ismail Qemali, që të tre fëmijë dhe gjyshja e tyre plakë. Kjo rrugë e gjatë që mori familja Vlora me 50 përcjellës të tjerë, ishte një rast sa i trishtueshëm aq edhe pikëllues për vet ata dhe familjen e tyre. Fëmijët duke mos ditur se çfarë po ndodhte dhe shkakun e udhëtimit, pandehnin në një aventurë thjesht fëmijërie. Por, ky imazh i aventurës nuk iu zgjati shumë e në rrugë e sipër, në një han në vendin e quajtur Jenigje, iu vdes gjyshja që ata shumë e kishin dashur. Me arritjen e tyre në Selanik, vdes edhe vëllai –Sylejmani që për të gjithë ishte një dhembje e madhe dhe e pa kompensueshme. Ditët për familjen Vlora ishin të vështira dhe plotë zymtësi. Në kujtimet e veta shumë më vonë, Ismail Qemali shkruan se “Edhe sot e kësaj dite, saherë vete në Selanik, gjithnjë e vizitojë varrin e tij të vogël prej mermeri në varrezat e Xhamisë Ortaj” rrëfehen me dhembshuri patrioti i madh.

Ishte kohë kur bota shqiptare ndodhej në udhëkryqin e historisë, e zhytur në pellgun e paditurisë e të robërisë. Nëna Hedije merr hapin më të madh dhe më të mirë në jetë. Ajo u angazhua që djali i saj së paku të kryente e të merrte një arsimim sa më të mirë që të bëhej “shqiptarë i plotë”, thoshte ajo, se vetëm njeriu i shkolluar është i zoti t’i dali zot atdheut të robëruar. Me ndihmën e nënës u angazhua që të mësonte sa më shumë gjuhë të huaja, si turqishten nga shkolla, e më vonë nga një refugjat italian mësoi edhe gjuhën italiane. Si dhe rilindësit tjerë të mëdhenj, Ismail Qemali Vlora, përhapjen  më të shpejt të arsimit te shqiptaret e shihte si një levë të rëndësishme  të përparimit të shpejt të Shqipërisë. Ai ngulte këmbë që me listën  e kërkesave të Lëvizjes kombëtare vendin kryesor të zinin kërkesat për lulëzimin e gjuhës shqipe amtare për zhvillimin e arsimit kombëtar shqip. Ja, se si e formulonte  ai këtë çështje në thirrjen drejtuar bashkatdhetarëve të vet “Për të shkuar  përpara në udhën e qytetërimit e të përparimit, kemi nevojë për të ditur, për të fituar dituri kemi nevojë për mësim. Pra kemi nevojë të ngrehim në të gjithë Shqipërinë shkolla kombëtare për ta përhapur dhe për të lexuar kudo gjuhën shqipe. Kjo nevojë e shkollës është e para e reformave që kemi detyrë të kërkojmë. Kur një komb nuk  mund të rritet në vete pa shkolla dhe pa mësim...” dhe nga këtu mund të kuptohet edhe porosia e madhe e Ismail Qemalit, e që përherë e mbëlton me kërkesë, bazë për harmoni  kombëtare. Grindjet thoshte ai e grijnë Shqipërinë.

Një kohë të gjatë të jetës së vet Ismail Qemali e kaloi në Stamboll, ku kreu me sukses studimet në shkencat juridike. Punoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kreu detyra të ndryshme në Perandorin Osmane, ku pati rast të njihej më shumë njerëz të rëndësishëm në jetën politike të kohës, që më vonë i shërbeu për ngritjen e çështjes kombëtare shqiptare në nivele më të larta në shtetet perëndimore. Për 35 vjet, sa qëndroi në Perandorin Osmane, krahas detyrave zyrtare, veprimtaria e tij u mbëltua me aspiratat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Edhe pse jetoi e veproi jashtë atdheut, ai asnjëherë nuk pushoi së menduari dhe së punuari për kthimin e tij në atdhe. Më 1900, i plotësohet “dëshira e kamotshme”, arratiset nga Perandoria Osmane, dhe prej atij momenti u bë ideologu dhe udhëheqësi i shpirtit liridashës i popullit shqiptar në rrugën e historisë. Populli shqiptar, te ky trim i devotshëm gjeti jo vetëm ndjenjën e vetësakrificës, por edhe atdhetarin, diplomatin dhe organizatorin në luftën për pavarësi të Shqipërisë.

 

“Në asnjë vend të botës gruaja nuk gëzon atë nderim që ka në vendin tim”.

 

Si çështjes së arsimit, ashtu edhe pozitës dhe emancipimit të gruas i jep vend meritor në shoqëri dhe familje. Si grua, shpesh thoshte atdhetari “qenia e saj është e lidhur ngushtë pas fuqisë së burrit, megjithëse në veprimet e hapëta publike ajo nuk del në shesh. Në çështjet e brendshme familjare dhe që kanë të bëjnë me vendin, ajo merr pjesë dhe mendimi i saj peshon. Po sikur vendi të jetë në rrezik qoftë nga ndonjë pushtues ose për shkak të ndonjë vepre të njëanshmërisë që qeverisë, gratë janë ato që ngrenë zërin të parat dhe nxisin burrat të mbrojnë vendin ose të ngrenë krye, andaj duke i ditur virtytet e tyre të larta rilindësi i ynë vjen në përfundim se “në asnjë vend të botës gruaja nuk gëzon atë nderim që ka në vendin tim”.

 

Heroizmi dhe harmonia skënderbegase

 

Ideja e autonomisë, apo e pavarësisë shqiptare nuk ishte e re. Epopeja çerekshekullore e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, në të cilën u mbrojtën me plotë heroizëm trojet amtare duke i dhënë një  kontribut të vyer për shpëtimin e Shqipërisë dhe të qytetërimit evropian.

Për Pavarësinë e Shqipërisë shkruante më vonë Ismail Qemali “nuk ishte thjesht ngritja e flamurit në Vlorë, por se Kuvendi Kombëtar sanksionoi juridikisht pavarësinë kombëtare, me një akt të nënshkruar nga përfaqësuesit e kombit”. Dhe për të arritur gjerë te kjo, ekzistonte një udhë e gjatë dhe shumë e vështirë. Karakteristikë e përgjithshme e mendimeve dhe e vendimeve të kuvendeve që iu paraprinin qëndrimeve  të Lëvizjes ishte, mbizotërimi dhe mbrojtja e pikëpamjeve, se duke kaluar nëpër stadin e autonomisë do të realizohej më lehtë pavarësia. Më vonë, nga tetori i vitit 1912 deri në nëntor, mendimet dhe vendimet e kuvendeve dhe mbar Lëvizja Kombëtare në përputhje me kushtet e reja, që u krijuan me shpërthimin e luftërave  ballkanike, kaluan përfundimisht nga platforma e autonomisë së Shqipërisë në atë të pavarësisë. Në ato rrethana, qarqet atdhetare shqiptare brenda dhe jashtë vendit ishin para një detyre shumë të vështirë.

Prandaj, vendosën që të organizohej sa më parë thirrja e Kuvendit Kombëtar që do të siguronte të drejtat kombëtare shqiptare.

Në fillim të nëntorit 1912, Ismail Qemali i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi e disa patriot të tjerë, u nis nga Stambolli për në Bukuresht, për në mesin e kolonisë shqiptare që llogaritët si bazë më e fortë dhe më e përshtatshme për takimin. Të vendosur në hotelin “Kontinental”, në qendër të qytetit Bukuresht, ata zhvilluan një konsultim të gjithanshëm me përfaqësuesit e të gjitha  shoqërive të Bukureshtit dhe të Konstancës.

Në fund të mbledhjes historike, nga gjiri i kolonive shqiptare u zgjodh delegacioni që të shkoi në Vlorë, ku do të shpallet Pavarësia e Shqipërisë dhe do të ngrihet Flamuri i Skënderbeut në vend të atij me gjysmëhënë.

 

Faik fisnik Konica,

Gjeniu dhe Ati i kombit modern shqiptar

 

Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe 70 vjetorit të vdekjes së Faik Konicës

 

Ekskluzive nga Fotaq Andrea

 

Viti 2012 përkon me tri data të shënuara në Historinë e kombit shqiptar: u çel me 130 vjetorin e lindjes së Fan Nolit, këtij titani të mendimit dhe të veprimit; do vijojë me 100 vjetorin e ndritur të ditës së flamurit dhe të shpalljes së pavarësisë, si ngjarja më madhore që e lartoi popullin shqiptar në piedestalin historik të lirisë, mëvetësisë dhe të dinjitetit kombëtar; do përfundojë me 70 vjetorin e vdekjes së Faik Konicës, gjeniu shqiptar i të gjitha kohërave, që lëvroi me erudicion të thellë dhe veprimtari të gjithanshme patriotike në krejt fushat e botës dhe të jetës shqiptare, për një komb e qytetari përherë e më moderne, përherë e më dinjitoze.

 

Vetëm djalosh 20-21 vjeçar dhe i vetëm, më 1896-1897, Faik Konica çel në Bruksel, në kërthizë të kontinentit të lashtë, revistën e ndritur “Albania”, në rrugën “Albania”, me identitetin e tij nga “Albania”. Krenar që përfaqësonte një nga kombet më të lashtë në Evropë, Konica djaloshar tërhoqi me sukses vëmendjen e botës së qytetëruar se populli i tij, që kishte dhënë aq shumë historikisht për tërë atë qytetërim, meritonte më në fund drejtësi, liri, pavarësi, meritonte të mirëpritej denjësisht në bashkësinë e kombeve të zhvilluara.

Tri herë, siç thotë Apolineri, i dënuar me vdekje nga sulltani që në moshë të re, në polemikë të ashpër parimore e atdhetare me tërë forcat, qarqet dhe rrymat shoviniste e regresive të kohës, të brendshme e të jashtme, Faik Konica – poligloti, eruditi, enciklopedia lëvizëse, fisniku me prejardhje nga dera e lartë e Tepelenit dhe e Delvinës, zbuluesi i flamurit të Skënderbeut, diplomati emblematik, politikani i zhdërvjelltë e largpamës –, hodhi bazat e mendimit modern, estetik e filozofik shqiptar, në krejt fushat shoqërore, për një shndërrim rrënjësor të botës shpirtërore dhe konceptuale kombëtare, si dhe për një emancipim të lartë shoqëror. Në vargun e përndritur të Rilindësve tanë të Mëdhenj, ai shfaqet si një meteor gjigand në qiellin e zi të pushtimit osman të vendit dhe mbetet përherë e përjetësisht aktual, sepse vetë mendimi dhe veprimi i tij qëndrojnë në themel të botës shqiptare, si rrezatim i përhershëm i ardhshmërisë së saj.

Shquhet për gjithçka e në gjithçka, dhe albanologë e historianë janë në unison për të thënë që është Ai Ati dhe themeluesi i gjuhës letrare dhe të njëjësuar të shqipes, kësaj dekorate të artë të identitetit kombëtar, është Ai krijuesi i kritikës, estetikës, stilistikës e publicistikës shqipe, pa lënë mënjanë rolin e tij të shquar si bibliograf, sociolog, përkthyes, etnograf, novelist, poet e deri muzikant dhe estet. Është kësisoj portreti i gjeniut shqiptar të plotë e të përplotë, si krejt vepra e tij e shkruar dhe e pashkruar, e në radhë të parë si vetë kryevepra e tij “Albania” (1896-1909) me 121 numrat e saj, që përbëjnë 121 libra më vete, me tematikë gjithpërfshirëse, bashkëkohore e atdhetare.

E kush nga Rilindësit tanë të djeshëm dhe penat e mprehta të sotme nuk ka dhënë për të një përkufizim të saktë e origjinal? Ai është “gjeniu letrar” dhe “i vetmi njeri gjenial tek Shqiptarët” (Gj. Muzaka e G. Petrota); ai është “shkrimtar e udhëheqës kombëtar” dhe “kryelëronjës i shqipes”, “dekan i veteranëve të çështjes shqiptare” (F. Noli); ai “ngjalli kulturën kombëtare” dhe “çoji më lart çështjen shqiptare” (S. Hamiti); ai “përuroi një vetëdije të re të jetës qytetare, ideologjike e kombëtare” (A. Karjakdiu); ai është “Figura qendrore e epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare” (I. Sheme); ai është “intelektuali dhe krijuesi i parë shqiptar i afiniteteve dhe dimensioneve evropiane” (N. Jorgaqi); ai është “një nga princat e letrave shqipe dhe një nga Shqiptarët më të kulturuar të të gjitha kohërave” (I.Kadare), teksa Apolineri e cilëson si “Shqiptari më erudit i Evropës” dhe Rémy de Gourmand “Mjeshtër i frëngjishtes, frankofon dhe frankofil i tërbuar”. Fishta e shenjtëroi “arbitër të elegancës së letrave shqipe”, ndërkohë që Zogu e cilësoi “luan të letërsisë e të diplomacisë” dhe A. Pipa e vendos “në fronin ma të naltin të mendjes shqiptare”. Namik Resuli e quan “Volteri shqiptar” për rreptësinë dhe mprehtësinë e ironisë e të sarkazmës, ndërkohë që Jup Kastrati ndërton figurën e tij madhështore komplekse, që “nuk pati shok t’i afrohet në dimensionet e tij”. Sakaq, Ernest Koliqi e quan “Zejtar të shkrimit, që i shndërron fjalët në diamanta”, Kristo Frashëri e larton si ideolog rilindas e pasrilindas, që “zbatoi me zjarr dhe me erudicion programin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, dhe Moikom Zeqo e karakterizon si “emblemë e kombit, me ekuacionet e tij konceptuale afatgjata”.

Ja portreti i tij i skalitur nga mjeshtër të mëdhenj të penës shqipe, dhe mund të vijohet kësisoj edhe me autorë të tjerë e me tërë epitetet e merituara dhe të meritueshme për këtë gjeni të shkallës së epërme, Atin e Kombit modern shqiptar. Ai u shfaq si një pararendës Ataturk për ardhmërinë e Shqipërisë, me ide pjellore e frymë ndërtuese, me punë dhe jetë të vrullshme e të ngjeshur, përmes një polemistike nga më të ashprat e më të fuqishmet.

 

E megjithatë, përtej gjithë këtij diapazoni të pakrahasueshëm vlerësimi, që shkon gjer në fushat eliziane ku prehet Heroi, ç’nuk u tha për të, e ç’nuk u bë kundër tij, duke anatemuar, sharë e nxirë figurën e tij poliedrike, jo vetëm gjatë kohës kur jetoi e lëvroi, por edhe në 50 vjet komunizëm, kur donin të shuanin nga kujtesa kombëtare gjer edhe emrin e tij; po a mund të shuheshin vallë dy rruzujt diellorë të syve të tij të zgjuar, largpamës e rrezatues përjetë? U quajt “beu dembel a ëndërrues”, kur vepra e tij vetëm e shkruar, në shqip e në gjuhë të huaj, numëron mbi tremijë faqe të njohura gjer më sot, pa u shterur ende arkivat dhe bibliotekat e Evropës dhe të përtej Evropës, dhe pa u zbuluar ende fondi i plotë i epistolarit të tij; u cilësua nga një opinion miop si “sherrxhi” a “ngatërrestar” pikërisht ai polemist i talentuar që vërviste në majë të gishtave ironinë, sarkazmën, shpotinë, indinjatën ndaj injorancës, “levantinëve” dhe “mendjeve të klasit të katërt;” u urrye si shkrimtar, pa u kuptuar thelbi i shkrimeve të tij gjithë kombëtarizëm modern, në luftë kundër dukurive negative, intrigave, korrupsionit, paditurisë, fanatizmit konservator, mediokritetit e antivlerës, luftë që përbën një nga pikat kulmore të veprës së tij me aktualitet të gjithfuqishëm, pikërisht edhe sot, kur më shumë se kurrë kërkohet evropianizimi i shpejtë i Shqipërisë dhe futja e saj në BE; u pa gjithë frikë si karakter i rrëmbyer, gjaknxehtë, me gjuhë pa fre, me temperament egocentrik, që fshikullonte fort e me sharje të rënda, dhe u harrua se ai e shihte botëkuptimin e prapambetur shekullor të bashkëkohësve e bashkëkombësve të tij nga këndvështrimi i përparuar evropian, armatosur me kamzhikun rablejan e volterian, me forcën e fjalës shigjetare të Paskalit e Rusoit, të krejt protagonistëve kryesorë të revolucionit francez, armatosur me pretencën e famshme “J’accuse” të Zolasë –, dhe tërë këtë, vetëm e vetëm për të troshitur e tronditur fort apatinë, përgjumjen, plogështinë, pa lulka retorike e fjalë ditirambike; e shau ashpër “Naim beun, si poet bejtexhi, i tototove e tatatave”, po kur vdiq Naimi ama, e quajti “burrë me fletë”, engjëll të vërtetë, “yll i ndritshëm e i rrallë në qiell të Shqipërisë,” duke e ngritur në piedestal nderimi siç i takonte. Thonë se u sha, u gri, me këtë e atë, u prish, u ndreq, e sërish u prish me Zog e Nol, po u harrua se kur revoltohet gjeniu, në realitete të caktuara, me spontaneitetin e vet të fuqishëm (si të zemëroheshin vetë Perënditë!) shfaq ndjenja të tilla që i shpëtojnë edhe vetë arsyes thjeshtake e të thjeshtëzuar, shfaq një shpirt me origjinalitet të pashembullt, si tipar i forcës shpërthyese, që shkon gjer në harbim. Dhe shi këtu hedhin rrënjë e ngacmohen ndjenja dhe mendime të thella, gati të pakapshme në cilësinë e tyre përtej së zakonshmes, së rëndomtës, mesatares.

Mendja e tij e ndritur, kultura e gjerë dhe e shëndoshë, pena e mprehtë dhe e fuqishme, zhdërvjelltësia në veprim e në nismë, ndjenja dhe shija e hollë artistike dhe estetike, tipare këto të gjeniut me ndjeshmëri të skajshme, me intensitet veprimi e jete, me interesa të larmishme dhe lehtësi të kollajshme për të kaluar plot kompetencë nga një fushë në tjetrën, me aftësi të veçantë vëzhgimi gjer në hollësitë më të imëta, e mbi të gjitha, përkujdesi i tij në përkorë, përsosuri, qartësi, bënin që Faik fisnik Konica të linte ku e ku pas, pakrahasueshmërisht, botëkuptimin e ngushtë e të prapambetur të bashkëkombësve të tij, dhe të arrinte në kuotat e larta të mendimit e të estetikës evropiane.

 

Ai fare mirë mund të rreshtohej në radhët e simbolistëve të shquar francezë, belgë, etj. tek i njihte dhe i kishte përpirë veprat e tyre – nga Mallarmé e Moréa me gjak shqiptari, deri tek Bodelaire, Verlaine, Rimbaud, Schwob, Bruant, Barrès, Mendès, O. Mirabeau, Gide, Allan Poe, Willde, A. Billy, Apollinaire, miku i tij, e sa e sa emra të tjerë, të njohur nga afër prej tij –, kur dinte aq mjeshtërisht e spontanisht të zhonglonte jo thjesht me gjuhën frënge që e zotëronte përsosurisht, por edhe me forcën e gjuhës shqipe që vetë ai po e themelonte letrarisht: Loz "Avropa", me "Evropin" / Njëra-tjetrës i hedh topin,/ Edhe Evropa bën sehir. / Një të shtën' Avropa topit: /Nëpër dor'i shkoi" Evropit". / Dhe Evropa bën sehir... Bam"Avropa",/ bam"Evropi"!/ Ulërijnë: Ku ishte topi? etj. etj. Apo vargje të tilla në frëngjishte, kaq bukur, në gojën e një Afrikani “të egër” alegorik mes xhunglës: Adède, t’es belle, / J’aime tes gros nichons,/ Folichons,/ T’es ronde, / T’es blonde, vargje që për fat të keq edhe në “Veprat” e botuara të tij nuk janë përkthyer ende në shqip dhe që do mund t’i përshtatnim në gojën e Konicës sot: Adedë, e bukur je, / Cicat e mëdha m’i ke,/ Cicat e tua dua/ Pendë të lehta për mua/ Topolake ç’më je,/ Leshrat e verdhë ç’m’i ke.

 

Le të kujtojmë “lojën e morrave” nëpër thonjtë e palarë të policëve të doganës së Durrësit, me simbolikë kaq të fuqishme, le të kujtojmë se si përpara Apolinerit, ai e shndërroi pulën e zezë gati në mi, le të sjellim ndër mend Ali Bibiun tij të famshëm që endej lakuriq fushave të Tiranës më 1852, një “Adam” në parajsën koniciane, duke jetuar si natyristët e sotëm, karkacul dimër e beharë. Tek kemi parasysh episode dhe hollësi të tilla nga më fantastiket dhe po aq origjinale nën penën e tij, nuk ka si të mos mendojmë për talentin e tij të padiskutueshëm për të qenë edhe mjeshtri i parë simbolist shqiptar. Gjithçka tek ai, nga Dr. Gjilpëra (ai vetë!), e deri te SalemBoza, Abd’el Katl (Katili), Ib-el-Kelbin (Qelbin), etj. etj.,  janë simbolikë e fuqishme, e jo thjesht ironi e sarkazmë!

 

Po se mos veç kaq! Ai fare mirë mund të jepte mësim në Sorbonë a gjetkë, siç e këshilloi “ati” i tij shpirtëror i rinisë, orientalisti i famshëm Leon Cahun, Zv. Konservator i bibliotekës “Mazarine”, autor i romanit historik e simbolik “Hasan Jeniçeri”, apo “Historia e një Shqiptari më 1516”, përkthyer tashmë në shqip nga hartuesi i këtyre radhëve. E,  në nderim të L. Cahun-it, ai që në shkrimin e parë të “Albanias” do firmoste me pseudonimin tashmë të mirënjohur Trank Spirobeg, Thrank Spiro, T.S.B. etj. sipas vetë emrit të krishterë të Hasan Jeniçer shqiptarit, 19-20 vjeçarit (çuditërisht po aq sa vetë Konica në atë kohë) që arriti majat e karrierës ushtarake në atë fillim të shekullit XVI, kur Shqipëria në udhëkryq, midis Lindjes dhe Perëndimit, do të tradhtohej egër, brutalisht e tragjikisht nga Venediku.

 

Po edhe më! Ai, Konica ynë djaloshar – me bukuri mendjeje e bukuri fizike, “i vjetër qysh i ri”, siç e cilëson në mënyrë aq të goditur Aurel Plasari, tek mësonte hebraishten në Paris nga ish dekani i Universitetit të Dizhonit 78 vjeçari Louis Benloew (miku i Dora d’Istrias e i Jeronim de Radës), dhe tek e çudiste këtë me talentin e tij të pakrahasueshëm në gramatikën krahasuese –, fare mirë mund të jepte mësim në “Langues O”, të punonte në institucionet kërkimore franceze, fare mirë mund të bënte ciceronin në çdo muze të Parisit, apo të bashkëpunonte me çdo shtypshkronjë e gazetë të përditshme në rolin e redaktorit dhe të korrektorit, ngaqë s’të falte për gabimin më të vogël në boca; fare mirë mund të shkonte gjer në Nantë, ku botohej e përditshmja franceze “Le Phare de la Loire” nga  familja e famshme Schwob, e lidhur në aleancë martesore me Cahun-ët, miqtë e tij parisianë e alzasianë.

 

Jo, ai zgjodhi që 19-20 vjeç, njëherë e përgjithnjë, rrugën e ndritur të shqiptarizmës, të atdhedashurisë, të zgjimit kombëtar, qëkurse botoi më 26 dhjetor 1895 artikullin e parë “Shqipëria dhe Turqit” në organin e mirënjohur parisian të kohës “La libre Parole”, zgjodhi  rrugën e vështirë dhe të mundimshme të “Albanias”, që edhe vetë emri të oshtinte fuqishëm jo vetëm në sallonet e kryeqyteteve të Evropës, por edhe në pallaveshët e politikanëve moskokëçarës e kumarxhinj me fatet e popujve. Asgjë në jetën e tij nuk ishte rastësi, por ishte rezultat i një qëndrimi të prerë, i një betimi në vetvete, tek e dinte, para së gjithash e mbi të gjitha, se do përplasej fort egër me vetë mentalitetet retrograde dhe paragjykimet, të cilat do shkonin aq larg sa, veç sharjeve e fyerjeve lumë për të, nuk do ta kursenin as në jetën personale e familjare. Këtu qëndron madhështia e tij, që kombin e tij ta shihte e ta trajtonte në përmasën reale evropiane që kishte pasur dhe kishte historikisht, që popullin dhe vendin e tij nuk do t’i ngatërronte kurrë me soj e sorrë-llapë turkoshanë, me individë zagarë e “zulu”. Andaj dhe ngriti lart imazhin e Shqipërisë historike, virtytet fisnike të Shqiptarit, nuk tha një fjalë të keqe për ta në gjuhë të huaj, kur në antitezë, në gjuhën e mëmës, s’e kurseu fshikullën dhe dajakun e vet, siç dinte ai, më mirë se kushdo ta bënte.

 

Gjithë jetën ia kushtoi një qëllimi fisnik, për të ringjallur “një popull shqiptar të shëndoshë, të shkafët, të buzëqeshur”, siç e thotë edhe vetë te “Dr. Gjëlpëra”, duke punuar për “stërvitjen e popullit” në rrugën e botëkuptimit dhe emancipimit modern shoqëror dhe duke “hapur udhë të ra si pionier fisnik, si apostull”, ashtu sikurse krejt “Albanian” e tij do ta shndërronte në terren stërvitjeje të emrave të mëdhenj të Rilindjes Shqiptare, në “palestrën e parë të shkrimtarëve shqiptarë”, sikurse thekson për të Enciklopedia Treccani.

 

Po botojmë këtu për herë të parë në shqip artikullin e tij të parë me pseudonimin Tepeleni, “Shqipëria dhe Turqit”, që i parapriu daljes së “Albanias” dhe që do paralajmëronte artikujt e tij mbushulli me gjëmime zeusiane. Tërheqim vëmendjen e lexuesit se artikulli ka qenë më i gjatë, por është shkurtuar nga redaksia e gazetës për efekt vendi, ashtu sikurse ndodh më se një herë me shkrimet e tij botuar në organe të ndryshme të kohës, gjë për të cilën ai protestonte, qoftë edhe pranë mikut të vet, madhështorit të simbolizmit dhe të letrave frënge Guillaume Apollinaire. Dhe Apoliner, që flet për të: “Nëse Shqipëria do ishte shtet, pamëdyshje ai do të ishte kryeministër i saj. Albanolog, sans kristist (lojë fjalësh për sanskritist dhe i pa krisht ), madje më duket edhe jamatolog, begu Konitza është i njohur nga dijetarët e mbarë Evropës. Për t’u eglendisur, shkruan në frëngjisht ese të mrekullueshme që i firmos me pseudonime të ndryshme. Sulltani e ka dënuar tri herë me vdekje”.

 

Në përfundim, ma ka ënda të japë këtë anekdotë për mbretin e gjuhës shqipe Faik Konicën, që miku im i mirë Prof. Sherif Delvina, nipi i tij i denjë, nuk ngopet duke ma përsëritur, dhe unë, që nuk ngopem duke e dëgjuar: “Konica merr letër nga vëllai i tij Hyseni në Turqi, shkruar në shqip plot gabime. Konica që i përgjigjet: Mos më shkruaj me gabime, nuk të lexoj më, ose pastaj, më shkruaj në gjuhën që di ti më mirë”.

 

Shqipëria dhe Turqit

 

Nga Faik Konica

 

Përktheu dhe botoi në shqip për herë të parë Fotaq Andrea

 

Artikull i botuar në organin parisian “La libre Parole”, 25 dhjetor 1895.

 

Ngjarjet e Armenisë, nxitur nga intrigat angleze, e kanë shmangur disi vëmendjen nga çështja shqiptare, po aq interesante për Francën, duke qenë se Shqipëria është vendi ku luhen intrigat italiane.

Kemi marrë letrën e mëposhtme, autori i së cilës dëshiron të mbetet i panjohur, por që është Shqiptar dhe mban një emër të njohur në histori.

Po riprodhojmë këtu paragrafët thelbësorë, duke shprehur keqardhjen që mungesa e vendit nuk na lejon ta japim letrën të plotë. (Hyrje redaksionale, ashtu sikurse edhe nëntitujt).

 

Politika e Sulltanit. Agjentët provokatorë.

 

Zgjimi i ndjenjës kombëtare që prej disa vitesh tek popujt e Perandorisë osmane, në Armeni, Kretë, Maqedoni, Shqipëri, nuk ka si të mos shqetësojë hordhitë mongolike që shtypin këta popuj. Por këto hordhi e hedhin vështrimin e tyre gjithë ankth në radhë të parë në drejtim të dy popujve të fundit. Qëkurse ne kemi ngritur kryet dhe po mjekojmë plagë pesë herë shekullore, qëkurse disa prej vëllezërve tanë kanë dhënë shenjë jete, Turqve iu futën të dridhurat, ndjenë se po afron ora kur ne – për të huazuar një shprehje origjinalisht të fortë – “do t’u fusim zjarrin në bythë” dhe do t’i bëjmë t’i turren ngushticës për t’u kthyer nga kanë ardhë.

 

Sulltani ka gjithnjë në dispozicion të tij disa qindra agjentë provokatorë, të gatshëm për gjithçka, qoftë edhe për të dhënë jetën. Dërgoi kështu një numër prej tyre në Armeni e u dha urdhër nga ana tjetër guvernatorëve t’u venin në ndihmë me tërë mjetet. Shumë shpejt filluan hekatombet e Armenëve. Ndërkohë, masakronte edhe disa Turq, me qëllim që t’ua hidhte fajin Armenëve. Dhe ndërkohë që njoftime të shkurtra, të thata e të rralla të Agjencisë Havas flisnin përciptazi për çkakish ndodhur në Maqedoni, një dorë e padukshme u krijonte çështjeve të Armenisë jehonën më të madhe. Vëmendja e mbarë Evropës natyrisht u kthye nga ajo anë, dhe komiteti maqedonas, duke parë që fuqitë nuk interesoheshin hëpërhë për Maqedoninë e qetësoi stuhinë revolucionare.

 

Bëhej fjalë për gjetjen e mjetit për të shtypur në mënyrë të përgjakshme dhe të efektshme revoltën më të vogël, pa pasur Evropa të drejtën për të ndërhyrë, dhe pa mundur vetë populli të ankohet. Me një fjalë, kërkohej të fshiheshin prapa ligjshmërisë të gjitha barbaritë dhe të gjitha mizoritë turaniane. Çështja ishte e vështirë, por u gjet një përfundim: u mendua se regjimi parlamentar i jepte përgjigje si jo më mirë. Kjo zgjidhje do duket e çuditshme për ata që nuk kanë studiuar nga afër strukturën e Perandorisë osmane; por mjaft të ndiqem në arsyetimin tim dhe do krijohet bindja se krijimi i një parlamenti nuk ka qëllim tjetër dhe nuk do të ketë efekt tjetër veçse të ushtrojë një tirani më të madhe mbi popujt jo turq të Turqisë, për t’i dërrmuar përfundimisht.

 

Parlamenti turk : një mashtrim

 

Një nga kushtet për të vënë kandidaturën për deputet do të ishte sigurisht njohja e turqishtes si gjuhë e Parlamentit. Mirëpo, llogaritet jo më shumë se pesëmbëdhjetë mijë vetë numri i përgjithshëm i Kretasve, Maqedonasve dhe Shqiptarëve që flasin gjuhën turke. Dhe ata që e flasin, natyrisht që janë përfshirë në partinë turaniane. Për rrjedhojë – me përjashtim të Armenëve që e kuptojnë shumë mirë gjuhën osmane – gjithë popujt, duke përfshirë edhe Arabët do detyrohen ta shohin veten të përfaqësuar nga “turqizuesit”, të cilët përherë do votojnë për qeverinë.

- Po sikur, në çdo vend patriotë të mirë të jenë arsimuar në gjuhën turke?

- Dale, prisni pak; Turqit janë më hileqarë nga sa duken. Kanë parashikuar mundësinë e një rreziku të tillë; prandaj kanë vendosur që deputetët të mos zgjidhen me votim të përgjithshëm. Ata do “emërohen nga administratat e ngritura në Perandori”. (Po përmend një nga krerët e kësaj partie, Shkëlq. e T. Murad-bej). Por për të qetësuar Grekët, thuhet se këshillat e patriarkatit do të përfshihen brenda administratave të ngritura e rrjedhimisht, do të marrin pjesë në votim.

Nisur nga kjo, duhet nënvizuar se: 1° as që kanë për t’u përfillur ndonjëherë këshillat e patriarkatit, edhe sikur të duan të bëjnë opozitë, meqenëqë zërat e tyre do jenë vazhdimisht në minoritet; 2° katolikët, duke mos pasur këshilla patriarkati, nuk do jenë të përfaqësuar; 3° deputetët e popullsisëmuhamedane vetëm për nga emri, si për shembull popullsia shqiptare – e cila, sikur të ishte e lirë, do ta hidhte në gjiriz çallmën e Muhametit – do të emërohen nga administratat me përbërje muhamedane, duke u përzgjedhur mes radhëve të pakicës së papërfillshme të fanatikëve, e rrjedhimisht, nuk do të përfaqësojnë ndjenjat e vërteta të bashkëpatriotëve të tyre.

Dhe me t’u krijuar ky parlament bukurosh, Turqve nuk u mbetet veç të fërkojnë duart. Do votojnë ligjet që u përshtaten dhe jo ato që u nevojiten kombeve të ndryshme. Ca nga ca, krejt liritë komunale që ende ekzistojnë do zhduken; dhe për rebelimin më të vogël, qeveria do dënojë me vdekje qindra të pafajshëm. Atëherë, nëse populli proteston, do t’i thonë: Ne zbatojmë ligjet e votuara nga përfaqësuesit tuaj; dhe nëse Evropa ndërhyn, do t’i përgjigjen nëpërmjet zërit të deputetëve: “S’ka ç’ju duhet, jemi të autorizuar prej atyre që përfaqësojmë  t’ju vëmë në dijeni se ndërhyrja juaj është e tepërt!”..... (në origjinal rresht me pika, si edhe në vijim).

 

Toleranca (!) e Turqve

 

Murat-bej mburr “butësinë”, “tolerancën” e Turqve. Por unë do kënaqesha për t’iu përgjigjur duke i përmendur një fakt: pavarësisht nga një artikull i Tanzimatit për të lejuar lirinë fetare, por që Turqit nuk e pranojnë, çdo Muhamedan, që kthehet në të krishter dënohet me vdekje. Po e nënvizoj dy herë me qëllim që kjo veçori, e panjohur nga shumica e Francezëve, të shërbejë për të rifreskuar më së miri përshpirtshmërinë shumë të zjarrtë të atyre që kremtojnë çdo ditë – priftërinj të një lloji tjetër – meshën për nder të Tolerancës mongolike. Nuk po e zgjas në këtë drejtim, por do shkruaj për një revistë një artikull me titullin: “Toleranca në Turqi”, ku këta priftërinj me të vërtetë të veçantë do gjejnë në të hollësi nga më të larmishmet për të kënaqur devotshmërinë e tyre. Theksoj vetëm se do duhej njëfarë guximi nëse do zihej në gojë “butësia” e Turqve në një vend që nuk e ka fshirë ende kujtimin e butësive të përgjakshme të Sirisë, ku shumë nga bijtë e saj u therën me një poshtërsi pa emër.......

 

Lidhja shqiptare

 

Një hokatar, emri i të cilit nuk më kujtohet, pohonte para disa vitesh në një libër që pati njëfarë jehone se “Lidhja shqiptare” nuk ekzistonte, – sikur ne të qenkëshim të detyruar t’i hapeshim këtij në mirëbesim për t’ia shtuar vlerën librit të vet! Tipi i tij është shndërruar në legjendar në Orient, si njeri i shkathët që s’e ka për gjë të ikë nga Evropa për pesëmbëdhjetë ditë, të shkojë të vizitojë Shën Sofinë dhe të intervistojë një gjysmë duzinë “kaikexhinjsh”  e shitësish “salepi” dhe që, me t’u kthyer në vendin e tij, ia jep britmës majë tërë çative për kompetencën e vet në njohjen e zakoneve, letërsisë, karakterit, prirjeve dhe gjendjes së mbarë popujve që përbëjnë perandorinë osmane dhe, kështu, revistat, “të mirinformuara”, ia paguajnë artikujt me çmim të shtrenjtë.

As që e shkoj ndër mend të tërheqë me anë të kësaj letre ndonjë sukses të bujshëm, për t’u nxitur sadopak drejt të dhënash të dëmshme për interesat e vendit tim. Veçse do desha të pohoj me forcë se ka tashmë në Shqipëri një Lidhje, që është e shquar, dhe që është e organizuar në mënyrë të admirueshme. Ajo ka për moto përkthimin në shqip të këtyre dy vargjeve të Lamartinit:

 

Nëse shpata ju qëllon t’ju dridhet në dorë,

Të djeshmen kujtoni, të nesërmen ëndërroni!

 

Është e përbërë nga patriotë të zjarrtë e të çiltër dhe për të parashikuar çdo tradhti, asnjë Shqiptar funksionar i qeverisë nuk pranohet në të. Numëron shtatëdhjetë e dy mijë anëtarë, nga të cilët pesëdhjetë mijë janë në gjendje të mbajnë armët. Hierarkia është vendosur në  mënyrë kishtare të themi, dhe organizimi është i tillë saqë hipopotamët e Anadollit nuk do arrijnë kurrë të zbulojnë fijen më të vogël.

Shtoni këtu që Maqedonasit kanë edhe ata Lidhjen e tyre, dhe ç’është e vërteta, më pak në numër dhe më pak e fshehtë, dhe rrjedhimisht më e ekspozuar, por prapë, e fortë dhe plot zell. Sikur të mos ishim treguar më të kujdesshëm nga Armenët, do kishim ngritur krye që tani. Do t’i kishim hequr kollaj qafe një grusht Mongolësh që janë tek ne. Nuk do kishim madje as nevojën për të bezdisë kordhat tona. Do t’ua kishim shkulur veshët dhe do t’ua kishim përdredhë qafën thjesht duke vënë në përdorim muskujt tanë. Por ne e dimë që Mongolët janë kokëshkretë dhe se të mbijetuarit e tyre do vinin pareshtur për të mos na lënë të qetë. Synimi ynë është pra t’i bëjmë të përshkojnë edhe një herë ngushticën, për t’u kthyer nga kanë ardhur.

Prandaj presim për të shtuar radhët tona. Atëherë, një shkrirje është e mundshme me Maqedonasit me pikësynimin e një veprimi të përbashkët; dhe kur njëqind e pesëdhjetë mijë Sllavë, të cilëve ndoshta do t’u shtohen disa mijëra Grekë, do vihen në lëvizje, sulltanit s’i mbetet veç të marrë gratë e thesaret që ka dhe, pasuar nga hordhitë e veta t’ia mbathë nga sytë këmbët në Azi të Vogël. Me një numër kaq të madh njerëzish aq të guximshëm Stamboll-i- keqmbrojturi do bëhet hi dhe mbi çallmat e shqyera dhe rrënojat e xhamive do ngulet krenarisht flamuri i adhuruar i lirisë.

 

Tepeleni.

 

 

Në kuadrin e 100-vjetorit të shtetit Shqiptar

 

NJË HERË RA NË GJUNJ: -PARA FLAMURIT

 

”Armët për mue, janë babë e djalë”

 

- Përvjetori i rënies së Heroit të Popullit, Isë Boletini -
(23 janari i vitit 1916 )

 

Nga Zeqir Lushaj

 

Fati i Isë Boletinit, ashtu si dhe i mijëra djemëve e vajzave, luleve të Kosovës e të Shqipërisë, thuajse dihej nga të gjithë: -do të vdiste nga plumbi e jo nga lëngimi në shtrat. Brez pas brezi, kështu kish ndodhur me të parët e Isës, ndaj ajo kullë, tipike kosovare në fshatin Boletin  të Mitrovicës do të fitonte aq zë e nderë sa do të sfidonte edhe kështjellat, duke sjellë besim e forcë në zemrën e çdo luftëtari. Vetëm në një natë, atë e rrethuan 4.000 ushtarë osman dhe për 13 orë me radhë u derdhën mbi të, 1200 gjyle topi. Dhjetra herë e përpinë flakët e luftës e nëna i thoshte djalit të vogël:-Ani, le ta djegin. Asht kanë vjetrue e do ta bajmë të re!

Thënia e Isë Boletinit se: ”armët për mue, janë babë e djalë”, shpreh më së miri bindjet e Tij ndaj ngjarjeve tragjike të fundit të shekullit të 19-të e fillimit të shekullit të XX-të. Për këtë, na bind jeta e Tij, lufta e përpjekja e pashoqe deri në rënien plot lavdi. 52 vjet, të shkrira në një ideal: ”Une jam mirë, kur asht mirë Shqipnia”!

Që në moshë fare të re, u bë pjesmarrës aktiv i betejave te Lidhjes Shqiptare të themeluar në  Prizren kunder pushtuesve osman, fuqive të mëdha e monarkive fqinjë që i  ishin turrur trollit arbëror. Në vorbullen e këtyre ngjarjeve e në përleshjet e mëdha popullore të mbarë shqiptarëve për autonomi e bashkim kombëtar, Isa Boletini  hyri thjeshtë si luftëtar dhe shosha e imtë e luftës me armë në dorë i dha vendin e prijësit të madh popullor, i dha cilësitë e trimit të rrallë. Ai është nga ato figura të mëdha të kombit, që idetë e Tij përparimtare, dashurinë deri në vdekje për atdheun, nevojën e shkollës shqipe etj., i kuptoi e i zbatoi të pandara nga aksioni konkret, të pandara  nga gryka e pushkës.

Intensiteti i ngjarjeve bashkëkohore dhe bindja e thellë e Isa Boletinit për të marrë pjesë e për të luftuar me armë në dorë për të drejtat, që i mohoheshin popullit, e bënë Atë, që tërë jetën, si i thonë fjalës: -“nuk pati kohë me marrë frymë”. Sa thyheshin taborret osmane në një krah, duhej dalë në krahun tjetër, për të përballue veprimtarinë armiqsore të shovenistëve  serbë e malazezë. Pa u tharë djersa e betejës, o burra,në anën tjetër kundër intrigave shoveniste të agjentëve të Rusisë cariste dhe të disa fuqive të tjera të mëdha.

Jeta e gjatë e kaçakut të maleve, e lidhi edhe me shumë me jetën e vërtetë të popullit të stërvuajtur duke i futur deri në gjak thjeshtësinë e modestinë, ndershmërinë e bujarinë, besimin si “një e një bëjnë dy”, në luftën çlirimtare. Kjo kalitje, me tipare të tilla të larta e bëri Atë, të mos përfillte joshjet e shumta deri të kryeministrit osman Hysen Hilmi Pashës, deri të vet Sulltanit, për tituj e grada,për pare’ e për pozitë. Këtyre armëve të “ftofta” të pushtuesve Ai, u përgjigjet siç i ka hije atdhetarit: -Të kisha pranue me ju përulë Stambollit e me vu zgjedhën në qafë, të kisha mendue për kokë e për pasuri, isha marrë vesht me kohë e nuk i kisha shti në grykë të topit me qindra shtëpi të farefisit e të miqëve!

Historia e popullit të vet, e kishte mësuar Isë Boletinin të njihte të mirën e të keqen, e kurrë të mos i thoshte të zezës e bardhë. Kurrë shqiptari nuk sulmoi njeri, por ama edhe sulmet e të tjerëve kurrë nuk na gjetën në gjumë, ne, kurrë nuk premë njeri në besë, por ama, pabesinë tjetrit jemi mësuar t’ia lexojmë në sy.

Nën maskën e ndihmave ushtarake, krajl Nikolla i Malit të Zi, donte të shtrinte këmbët e të behej zot edhe mbi trullin shqiptar, por Isa Boletini i jep përgjigjen e shpirtit të popullit: ”Gospodar! Ne, nuk u vramë e nuk u dogjëm për të përzanë një mbret e të na hyjë brënda një tjetër”.

Ku kërciste pushka, aty ishte Isa Boletini. Luftëtar trim, strateg e udhëheq ushtarak. E mbrojti këtë “diplomë” në betejat e përgjakshme të Kaçanikut e Caralevës në krah të Idriz Seferit, në Mitrovicë e Prishtinë, në Shkup në krah të Bajram Currit, në Vlorë në krah të Ismail Qemalit, kudo ku e thirrri zeri i nënës Shqipëri. Ai, që se trembi fjala as plumbi, pushtuesi as tradhtari, Ai që nuk qau kur varrosi aq djelmosha me lulen e gjakut në gjoks e në ballë, që një jetë pati jorgan dushkun e malit e dyshek hekurin e ftoftë të armëve të shtatit, Ai që nata e dita e gjetën në këmbë, një herë ra në gjunjë: -para Flamurit ! Në lotin e Tij në palë të Flamurit ishte loti i gëzimit i një Shqipërie të tërë për shqipen dykrenare  që të valvitej e lirë në qiellin e vet, në puthjen e Tij, ishte zhuritja shekullore e një kombi të sakatuar e të  martirizuar.

Gezimi i papërshkruar për fitoren historike të Nëntorti të Dytë të 1912-ës qe i shkurtër.  Ushtritë e shovenistëve fqinjë pushtuan tokat shqiptare, ndërsa Fuqitë e Mëdha imperialiste e coptuan Shqiperinë. Përkrah diplomatit të shquar, luftëtari kosovar Isa Boletini, u del zot të drejtave të kombit nëpër Europë.Në zyrën e ministrit të Punëve të Jashtme të Anglisë,

që ishte dhe kryetar i Konferencës së Ambasadorëve, që merrej me caktimin e kufinjëve të Shqipërisë, kur ky i tha Isait se: -të çarmatosen në Londër (!), trimi shqiptar, me qetsi futi dorën në xhepin e xhamadanit dhe duke parë drejtë në sy ministrin Eduard Grei, i tha: -Jo besa, kurrë! As në Londër jo ! E për Heroin, rrjedh kënga në telat e sharkisë:

“ …Për me ruejt nderin e lokes,

Dy allti, ja kam ngjeshë shokës…”

Armët e brezit të Isa Boletinit ishin një me “armët” e mëndjes së qartë e të atdhetarizmit  të flaktë. Kur ministri anglez i thotë se, nuk mund ta ndihmonte që edhe Mitrovica të përfshihej në kufirin e shtetit shqiptar, Ai, saktë i përgjigjet: -Nuk kam ardhë këtu për Mitrovicën time, por për çdo pëllambë toke shqiptare !

Një jetë me allti në dorë. Keshtu u gjet edhe at ditë të 23 janarit të vitit 1916,  i rrethuar krejt tradhëtisht e pabesisht nga forcat e shumta të krajl Nikollës, në urën e Ribnicës, afër Podgoricës. 7 djelmosha kosovarë si 7 lisa bjeshke, në mes tyre dy djemtë e Tij e dy djemtë e vëllait, ranë përkrah Heroit mbi urë, pasi lanë të vrarë 28 pritësa kundërshtarë.

Po, cilët ishin këta 7 luftëtarë të lirisë që iu bënë krah Heroit në këtë ditë tragjike , të kurdisur me aq kujdes nga shovenistët serbo-malazias?

1. Jonuz Ahmet Boletini, 26 vjeç.

Gardist i Qeverisë Vlorës. I plagosur në Durrës kundër forcave të Esat Pashë Toptanit.

2. Halit Ahmet Boletini, 24 vjeç.

- “Fol axhë, se jena gati!”

3. Halil Isë Boletini, 24 vjeç.

I shquar në vitet 1913-1914 në luftën kundër forcave malazeze që sulmuan Malësinë  e Gjakovës.

4. Zahit Isë Boletini, 18 vjeç.

Fjalëpak, por pushkë e mbushur.

5. Hajdar Selim Radisheva, 27 vjeç.

Djalë Drenice, mik për kokë i Isa Boletinit.

6. Misin Niman Bala, 23 vjeç.

Pjestar aktiv i Kuvendit të Junikut.

7. Idriz Bislim Radisheva.

Më i riu nga luftëtarët, vetëm 17 vjeç!

 

…Shumë këputi pushka në lulen e rinisë, por më shumë lindën e përkundën në djepe nënat shqipëtare.

Ndaj, do të vinte, me patjetër, Dita e  Lirisë!

./.

- Shkrim është marrë nga origjinali i gazetës “Bashkimi”, 23 janar, 1986,

botuar, në 70-vjetorin e rënies së Heroit të Popullit, Isë Boletini  

------------------------------------------------

 

N’GOJË FISHEKUN, E DON ALLTIJA

 

– Heroit të Popullit, Isë Boletini –

 

Ty Kosovë, t’njeh historia,

Djemtë e Tu, me dy alltija,

Me t’ruejt nderin edhe prakun,

T’kan falë jetën edhe gjakun,

Mitrovica asht djepi i trimit,

Heroit t’popullit, Isë Boletinit.

 

Ka dhanë prova, ku jep burri,

Kur u ngrit në Vlorë Flamuri,

Me 300 djem Kosovarë,

Garda e parë, me kapuçë t’bardhë

Për me i dal, Ai zot vatanit,

Shkoi përkrah Ismail Qemalit.

 

I pat thanë Ministri n’Londër:

– Isa Beg, – të çarmatosëm,

– Jo, ministër, jo qebesa,

S’çarmatosna sa t’jetë jeta,

Për me ruejt nderin e lokës,

Dy allti, ja kam ngjeshë shokës.

 

Me allti në pllambë të dorës,

Ndiej dy fjalë prej tan’ Kosovës:

– Kurr s’kem lypë ç’ka s’na takon,

Trolli i t’parëve kot s’na shkon,

As se shesim, as kujt s’ja lamë,

Për pa u djegë, pa u shkri të tanë.

 

Me shtatë mashkuj t’gjakut Tij,

E vranë Isën n’pabesi,

Me dy djem, dy nipa t’vet,

I lanë t’vramë 28-të.

 

Gjaku i’Isës, Kombit i thërret,

Ju çon brezave amanet,

– Der’ sa t’jetë e gjallë tradhtia,

N’gojë fishekun e don alltija!!

./.

Tiranë, 1986

(Marrë nga libri “Fjala mbi tel…”,  faqe 49-50)

(Shkrimi dhe kënga, ribotohen, ekskluzivisht për ZemraShqiptare. Nga NJ, USA, janar 2012)

./.

 

 

JETA, VEPRA DHE VRASJA E DEPUTETIT SMAJL HAJDARAJ

 

"ATA QË PO I VRET PDK-ja, PO I VAJTON LDK-ja"

 

Nisur nga ky vetëdenoncim publik, organet kompetente të Kosovës,

duhej të fillonin hetimet. Dhe, nëse këtë nuk e bënë organet e

sigurisë dhe të ligjit, atëherë, këtë fakt tejet domëthënës duhej ta

aktulizonte LDK-ja.

 

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

 

"Ata që po i vret UÇK-ja, po i vajton LDK-ja." Kështu ka shkruar një kuadër i lartë i PDK-së, vite më parë. Duke qenë kuadër i PDK-së, parti e cila e identifikon vetën me UÇK-në, atëherë, më sakt, duhet thënë: "Ata që po i vret PDK-ja, po i vajton LDK-ja". Ky vetëdenoncim, madje me shkrim e publik, në njërën nga gazetat e ekstremit të majtë, është një fakt domëthënës, sepse, siç thonin latinët e vjetër: "Verba volant, scripta manent", e thënë shqip: "Fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet".

 

Nisur nga ky vetëdenoncim publik, organet kompetente të Kosovës, duhej të fillonin hetimet. Dhe, nëse këtë nuk e bënë organet e sigurisë dhe të ligjit, atëherë, këtë fakt tejet domëthënës duhej ta aktualizonte LDK-ja në organet e larta të Kosovës, si Parlamenti, Qeveria, UNMIK-u dhe deri ke Qendrat Ndërkombëtare të vendosjes. Sepse LDK-së po i vriteshin kuadrotë, veprimtarët e saj, oficerët dhe komandantët ushtarakë institucionalë, të cilët bënë luftën e Kosovës. Në mesin e tyre ishte edhe Smajl Hajdaraj, kuadër i LDK-së dhe Komandant i Shtabit Rajonal të Rugovës.

 

Lindja, shkollimi, edukimi

 

Smajl Hajdaraj u lind më 1951 në Dugaivë të Rugovës. Shkollën fillore 8 vjeçare e kreu në Rugovë, për të vazhduar Gjimnazin, drejtimin shkencor, në Pejë, të cilin e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm. Fakultetin e Inxhinierisë, dega e elektroteknikës, e mbaroi në Prishtinë, për të qenë, së fundi, në prag të magjistraturës.

 

Smajl Hajdaraj u lind dhe u rrit në shtëpinë oxhak të Arif Rekës, ish i burgosur politik për 9 vjetë radhazi në burgun - ishull të Goli Otokut, së bashku me: Haxhë Kerin, Cufë Sokolin, Bajram Ramën, Sylë Mehmetin, Azem Jakupin, Ali Hysin, Bajram Haxhinë dhe rugovas të tjerë. Nga kjo familje regjimi mbretëror jugosllav kishte pushkatuar 4 meshkuj. Gjyshi Reka, me të vëllanë Adem Smajlin dhe kushërinjtë Hajdarin e Bajramin, morën pjesë në mbledhjen e Junikut neutral, krahas burrave të shquar të Kosovës.

 

Në këtë trung bazal familjar, Smajl Hajdaraj mori një edukatë sipërore morale dhe atdhetare. Qysh si gjimnazist u shqua në disa veprime, siç ishte sigurimi dhe shpërndarja ndër shokë të literaturës, e cila për regjimin përbënte blasfemi kundër pushtetit. Pikërisht, për rrjedhën familjare dhe sjelljet e tij të dyshimta, do të kishte shumë telashe me profesorin e gjuhës serbokroate.

 

 

Puna profesionale dhe veprimtaria politike

 

Smajl Hajdaraj punoi mësimdhënës në Shkollën Teknike "Shaban Spahia", më 1977-79, më vonë si bashkëpunëtorë i jashtëm.

Pastaj punonjës i KEK-ut, shef i Distribucionit.

 

Në vitin 1990 ishte nga të parët që largohet nga puna, meqë ishte themelues dhe kryetar i Sindikatës të Pavarur në ish-organizatën punuese "Elektrokosova" në Pejë.

Në një mandat 4 vjeçar ishte kryetar i kësaj organizate për të gjitha distribuimet e Kosovës.

 

Edhe aktiviteti politik i Smajl Hajdaraj është i begatë:

- Anëtar i LDK-së që nga themelimi i saj;

- Kryetar i Aktivit në Vendlindje;

- Sekretar i Nëndegës të LDK-së për Rugovë deri në vitin 1997;

- Kryetar i Nëndegës të LDK-së për Rugovë;

- Komandant i Shtabit Rajonal të Rugovës;

- Kryeshef i Operatives në Brigadën 136 "Rugova".

 

Pas luftës i kthehet profesionit të inxhinierit dhe aktivitetit politik si dhe ndërtimit të vendit.

- Në zgjedhjet e para lokale, të pas luftës, zgjidhet deputet i Asamblesë komunale në Pejë;

- Anëtar i Komitetit për politikë dhe financa;

- Deputet në Parlamentin e Kosovës, legjislatura e parë.

 

Pas plot 38 ditësh jete parlamentare, më 17 janar 2002, në hollin e hyrjes të banesës të tij, në lagjën "Fidanishte" të Pejës, ekzekutohet, në një pritë mirë të organizuar, nga njerëz të panjohur. Kanë kaluar plot dhjetë vjetë nga vrasja e trishtme e trimit Smajl Hajdaraj dhe ende nuk është bërë asnjë hetim serioz, nuk është arrestuar askush.

 

 

Komandanti i Shtabit Rajonal të Rugovës

 

Kur Smajl Hajdaraj themeloi Forcat e Armatosura në Rugovë, duke përcaktuar edhe konturet e reziistencës, kishte kontaktuar me njerëzit e Rrafshit të Dukagjinit, për ta koordinuar luftën. Si epror institucional, Smajl Hajdaraj mbante kontakte të rregullta, me ministrin e mbrojtjes Ahmet Krasnqi. i cili aplikoi taktikën dhe strategjinë e luftës të Kosovës, me komandantin e Zonës të Dukagjinit, kolonel Tahir Zemaj, sepse respektimi i shkallës hierarkike në luftë, është bazë e zbatimit të ligjeve të luftës, larg anarkisë dhe bashibukizmit, siç ndodhi në kampin tjetër, atë të "UÇK-së" të SHIK-ut, të cilët, me veprimet banditeske, gjatë dhe pas luftës, tani po përballën me arrestime, hetime, gjyqe, dënime, burgosje.

 

Smajl Hajdaraj, si epror i formacionit ushtarak të krahinës të Rugovës, ishte i hapur dhe deklarues publik se i përket organizimit institucional dhe njeh për Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Presidentin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

 

Smajl Hajdaraj ishte admirues dhe zbatues i pahezitueshëm i vijës dhe filozofisë rugoviane, madje i gatshëm për çdo detyrë, deri në sakrificë. Pas luftës ishte i pari që hapi zyrën e LDK-së në Pejë, në një kohë që "këmerët e kuq" të Lëvizjes, me shantazhe e terror, ishin dyndur në tërë Kosovën dhe pak kush guxonte të shpërfaqej si përkrahës i dr. Rugovës. Në mjediset e afërta me dr. Rugovën, është e njohur afria dhe përkujdesi i Smajl Hajdarajt për kryetarin Rugova, madje në momente të vështira ekonomike, duke i ofrua ndihmë materiale për Familjen Rugova. Përkujdesja e Smajlit nuk mungoi as për sigurimin e financave për udhëtimet, organizimin e sigurisë fizike të Presidentit Rugova si dhe blerjen e një mercedesi të blinduar. Dhe, e gjithë kjo shton dyshimin e bazuar se përbën një arsye më shumë për vrasjen, në pusi, të trimit Smajl Hajdaraj.

 

 

Pse u vra dhe kush e vrau Smajl Hajdaraj?

 

Të gjitha vrasjet politike në Kosovë,

kanë një emërues të përbashkët: marrjen e

pushtetit me dhunë e terror fizik dhe psikologjik.

 

Nga ekspozeja e bërë rezulton se Familja Hajdaraj për një shekull ka rezistuar, është përgjakur, duke dëshmuar atdhetarinë e saj. Edhe Smajl Hajdaraj, në vazhdë të traditës familjare, është shquar si punonjës shkencor, kuadër drejtues dhe komandant i luftës. Atëherë shtrohet pyetja: Pse duhej vrarë kuadri i LDK-së, komandanti ushtarak i Rugovës, dhe deputeti i Parlamentit të Kosovës, Smajl Hajdaraj?!

 

Përgjigjen pse duhej vrarë Smajl Hajdaraj me shokë, e ka dhënë njëri nga SHIK-asit vrasës, por i penduar, Nazim Bllaca: "Porosia ishte se duhej vrarë x-y-ni, për ta marrë pushtetin në atë komunë. Nëse Istogu i Shaban Manaj dhe Fadil Feratit kishte 70 % të votave për LDK-në, Theranda e UKë Bytyçit printe me 72 % të votave. E sigurtë ishte edhe Klina e Ismet Rracit. Por, edhe Peja nuk do të ishte në këtë katandi, po të jetonte sot Smajl Hajdaraj. Të gjitha vrasjet politike në Kosovë, kanë një emërues të përbashkët: marrjen e pushtetit me dhunë e terror fizik dhe psikologjik.

 

Kush e vrau Smajl Hajdaraj me shokë, është një pyetje tjetër, e cila nuk mund të tejkalohet duke e heshtur. "Edhe këtë përgjigje e ka dhënë kuadri i lartë i PDK-së, duke denoncuar: "Ata që po i vret UÇK-ja, po i vajton LDK-ja". Edhe vajtimi është i saktë. 1000 kilometra rrugë ardhje e vajtje, për mua me shokë nga Bavaria e largët, për të qenë pjesë e këtij vajtimi të madh. Dhe, këtë rit e bëjmë për më shumë se një dekadë radhazi. Por lindë pyetja: Cila UÇK-e vrau Smajl Hajdaraj. Ajo që Smajli i komandonte formacionet e saj, apo një "UÇK-e" tjetër, e ideuar dhe e themeluar në vilat e Bllokut të Tiranës, nga zyrtarët partiakë dhe Sigurimi Shqiptar.

 

 

Vrasjet i ka bërë "UÇK-ja" e SHIK-ut

 

Përgjigja e prerë është se vrasjet i ka bërë kjo, UÇK-ja e dytë, "UÇK-ja" e SHIK-ut, e themeluar enkas për marrjen e pushtetit me dhunë. Andaj edhe krimi politik nisë në Tiranë me vrasjen e gazetarit Ali Ukaj, ministrit Ahmet Krasniqi, zhdukja pa gjurmë e oficerit Sadri Ramqaj, vrasja e Ilir Konushevcit, së bashku me doktorin vendor Hazir Mala, vrasjen në pritë të Rushit Elezit, kukësian, aktivist i Emergjencës të luftës dhe të tjerë. Është kjo "UÇK-e" që iu shmang luftës kundër pushtuesit, për çka i akuzon edhe shefi i shtabit, Sylejman Selimi, duke shtuar se nuk ishte Ibrahim Rugova ai që refuzoi unifikimin e faktorit ushtarak, por ishin krerët e PDK-së të sotme dhe të Parlamentit, që ai i përmend me emër, duke sjellur fakte se nuk ishin pjesë e luftës dhe se në Rambuje nuk kishin përfaqësim, ishin të paligjshëm, ndërkohë që pretendonin ta kryesonin atë! Ndërsa UÇK-ja e Smajl Hajdaraj, me serinë e betejave të Kosharës të Sali Çekaj e Agim Ramadanit, të Rrustem Berishës me oficerët dhe ushtarët trima, betejen fitimtare të Loxhës, me komandant kolonel Tahir Zemaj dhe të tjera, legjitimoi luftën e Kosovës.

 

Për krimin e organizuar politik në Kosovë, tashmë, nuk ka asnjë enigmë, asnjë të panjohur. Jo vetëm tani, që janë berë vetëdenoncues pjesëmarrësit në krime faktike, por edhe më parë dihej se në timon qëndronte PDK-ja me partitë simotra të saj të majta. Sepse në një vrasje merrnin pjesë një duzinë njerëzish. E pabesueshme, por krejt e vërtetë, se një gazetë e ekstrmit të majtë lajmin për vrasjen e kolonel Tahir Zemaj me djalin Enisin dhe kushëririn Hasanin, përshkrimi i aksionit, është dorëzuar në shtyp pesë minuta para ekzekutimit.

 

Oborri i shtëpisë, korridori i saj, janë mjedise ku njeriu ndjehet i lirë, i sigurtë. Por, "UÇK-ja" bandë e SHIK-ut e përdhosi shenjtërinë e oborrit, të shtëpisë. Madje me terror në familje konkuruan dhe tejkaluan pushtuesin. Edhe Smajl Hajdaraj u ekzekutua pikërisht në korridorin para derës të shtëpisë. Në prag të shtëpisë, edhe brenda shtëpisë, në mesin e familjarëve, u ekzekutuan edhe shumë të tjerë.

 

 

Heshtja e krimeve nga ana e LDK-së - fatale për Kosovën

 

Pretenduesi themelues i "UÇK-së" të SHIK-ut, Azem Syla,

në intervistimin hetimor nga propurori ndërkombëtar,

për rastin Klaçka, thotë se "luftëtarët nga LDK-ja ishin fare pak,

minoritet në luftë"(!), ndërkohë që Fatmir Limaj

e pranon se "të gjithë ushtarët vinin nga LDK-ja".

 

Shtrohet pyetja: A duhet ndejur duarkryq dhe vetëm të presim përvjetorët për vajtim, apo të kërkojmë llogari e drejtësi? Askush nuk i bën gjyq vetës, as banda e kuqe e Lëvizjes, e SHIK-ut. Atëherë, çfarë ka bërë e po bënë LDK-ja e përgjakur? Mendoj se vetëm po i vajton të vrarët dhe asgjë më shumë. Kjo është skandaloze, madje e pafalshme për një parti numerike dhe dinjitoze.

 

Pak kronologji:

 

1.- Vite më parë kur deputet i LDK-së, Fadil Geci, kërkoi të hetohet rrahja e deputetëve në Qirez të Drenicës dhe të vrasjeve të kuadrove të LDK-së, kryetari i atëhershëm i grupit parlamentar të LDK-së tha se "është kërkesë personale e deputetit"! Pra, e devalvoi, e heshti kërkesën!

 

2.- Votimi i LDK-së, përkrah PDK-së, kundër heqjes të imunitetit të deputetëve është skandaloz. Kjo ishte marrje në mbrojtje të deputetëve të inkriminuar të SHIK-ut. Dhe, Parlamenti i Kosovës i ka, të paktën, 21 deputetë aktiv, dje dhe sot, të SHIK-ut. Dhe, për këtë mbrojtje të krimit thonin se "nuk e ndjejmë veten fajtorë"!

 

3.- Kur një deputet i Vetëvendosjes shprehu dyshimin e bazuar se në Agjensinë e Inteligjencës dhe në institucionet eprore dhe vitale të Kosovës, janë infiltruar njerëz të SHIK-ut dhe se kërkoi hetim për të gjitha Sherbimet Informative. LDK-ja, në vend të përkrahjes, kundërshtoi këtë hetim, kinse, duke refuzuar të ashtuquajturin "Sigurimi i Atdheut". Po pse duhej përjashtuar ndonjë Sherbim Informativ nga hetimi?! E pa kuptueshme dhe e tmerrshme!

 

4.- Kur deputetët e LDD-së: Adem Salihaj dhe Gani Geci, konsultuan shefat e partive politike dhe të grupeve parlamentare, për dëgjimin publik të një kasete, ku ishte inçizuar denoncimi i SHIK-asit të penduar Nazmi Bllaca, të gjithë ishin kundër, të gjithë ishin të njëzëshëm për ta heshtur rastin, përfshi këtu edhe LDK-në!!! E tmerrshme dhe fatale për Kosovën. Një heshtje e turpshme dhe skandaloze, sepse Kosova nuk mund të ecën me krime nëpër këmbë. Dhe, e përgjakura LDK-e, nga partitë - banda të ekstremit të majtë, na kujton anekdotën e veshgjatit, kur, edhepse po i shkonte gjysma e së pasmës, nga kafshimet e egra të ujkut, uronte të ishte në ëndërr! Dyshimi i jonë i bazuar, i shprehur 6 vjet më parë, se dikush nga LDK-ja ka marrë obligime ndaj PDK-së, mbetet gjithnjë aktual. Seleksionimi, përzgjedhja përjashtuese, spastrimi i kuadrove, në veçanti, të deputetëve me kurajo, guxim qytetar, ka "ngrirë" në skenë kuadro të lodhtë mendërisht dhe të mëdhimtë shpirtërisht.

 

5.- Pretenduesi themelues i "UÇK-së" të SHIK-ut, Azem Syla, në intervistimin hetimor nga prokurori ndërkombëtar, për rastin Kleçka, thotë se "luftëtarët nga LDK-ja ishin fare pak, minoritet në luftë"(!), ndërkohë që Fatmir Limaj e pranon se "të gjithë ushtarët vinin nga LDK-ja". Çuditërisht, me gjithë armatën e kalemxhinjëve që ka LDK-ja, askush nuk i tha këtij zotëriu, shef i grupeve ekzekutive seriale, se simbolike është pjesëmarrja në luftë e Lëvizjes, përkatësisht PDK-së, sepse "ushtarët" e saj ngelën në sallat luksoze të Perëndimit, duke u çjerrur me thirrjet "UÇK-e", por, në fakt, vilnin paratë nga mërgimtarët për Fondin "Vendlindja thërret", fond ky fort i shpërdoruar dhe kurrë i shfrytëzuar për luftën.

 

 

UNMIK-u favorizoi krimin, EULEX-it i duhet

një shekull për të zbuluar kriminelët

 

Kush nga mërgimtarët e pyeti ministrin e mërgatës Ibrahim Makolli, se përse provokoni

mërgimtarët, duke emëruar për zëvendësministër një halabak, i cili, duke qenë në krye

të Gardës të Republikës, refuzoi për të bërë nderimet në ceremoninë mortore të

Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova?

 

 

LDK-ja e mërgatës me elozhe pa mbulesë për Qendrën

 

Me keqardhje, as LDK-ja e mërgatës nuk ka ushtruar trysni dhe ndikim në LDK-në Qendër në Kosovë për këto probleme. Ndërkohë që në lavdata nuk është kursyer, madje edhe atëherë kur duhej bërë e kundërta. Bilëz, edhe zërave të shkëputur, siç ka qenë Nëndega e LDK-së të Rheinland Pfalz-it, ua kanë zënë për të madhe, kur kanë denoncuar publikisht batakçillëqet e Qendrës, të cilat kanë qenë numerike dhe me pasoja fatale, duke sjellur në qeverisje njerëzit e krimit politik dhe ekonomik.

 

Kush nga mërgimtarët, në takimet me ministrin e mërgatës, Ibrahim Makolli, i tha atij përse provokoni mërgimtarët, duke emëruar për zëvendësministër një njeri, emri i të cilit është lakuar për krime, në kuadër të SHIK-ut, një halabak që, turpshëm, duke qenë në krye të Gardës të Republikës, refuzoi për të bërë nderimet në ceremoninë mortore të Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova.

 

 

UNMIK-u favorizoi krimin dhe kriminelët

 

Edhe problemi i Veriut të Mitrovicës një ditë mund të zgjidhet,

por Kosova ka pak shanse të dalë nga rreti i krimit,

sepse SHIK-u ka 30 mjë anëtarë dhe është në rritje.

 

UNMIK-u, një konglomerat zyrtarësh burokratë botërorë, i cili, jo vetëm nuk zbuloi dhe as nuk hetoi krimin e organizuar politik, korrupsionin, reketin, uzurpimet e pasurisë private dhe shoqërore, në të kundërtën, favorizoi krimin dhe kriminelët. P.sh. vrasësitë e 4 (katër) oficerëve të Kosharës u dënuan nga 2 deri 5 vjet burg, por i liruan para kohe, madje u priten me lule, përfshi edhe kryeministrin e majtë!

 

Shefja e Emergjencës për luftën, Sabahate Tolaj, një vajzë që natyra kishte harmonizuar, përkryeshëm, bukurinë, zgjuarësinë dhe trimërinë dhe me të cilën kam pasur fatin dhe nderin të bashkëpunoj përgjatë luftës, në Emergjencën e luftës, në Kurbin dhe Malësinë e Gjakovës, (vite më parë e ekzekutuar nga banda e Dukagjinit), në vitin 2004, në Koshare, do të më thoshte se "puna e UNMIK-ut, për zbulimin e krimeve, është shumë e dyshimtë, sepse kur jemi në përfundim të dosjes, me fakte të bollshme për krimin dhe kriminelët, na e heqin nga dora, duke thënë: "merruni me një lëndë tjetër"!

 

Me ritmin aktual të hetimeve të EULEX-it, do të duhet një shekul, për të zbuluar dhe dënuar shumësinë e krimeve dhe të kriminelëve të Kosovës, të cilët e kanë përgjakur atë, duke i shkaktuar 1.300 viktima, të vrarë prapashpine, në pusira, duke lënë jetimër shumë qindra fëmijë, duke veshur në zi prindër, gra, motra e vëllezër si dhe duke pikëlluar qindra - mijëra familje, të cilat ndërlidhen me viktimat.

 

Edhe problemi i Veriut të Mitrovicës një ditë mund të zgjidhet, por Kosova ka pak shanse të dalë nga rrethi i krimit, sepse SHIK-u ka 30 mijë anëtarë dhe është në rritje. Në ekran vazhdojmë të shohim intelektualë, akademikë, së fundi, edhe grupe studentore horrore, në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve. Dhe, këta janë banda më e re e SHIK-ut.

 

 

Krimi i organizuar e ka ngulfatur shtetin

 

Kryeministri jonë është peng i krimit, sepse janë këta eksponentë të krimit, të cilët e kanë sjellur PDK-në në pushtet dhe atë në kupolën e pushtetit. Kur mësoi se EULEX-i do ta filloi hetimin për krimin e organizuar politik në Kosovë, ai i strehoi në Parlament, duke i veshur me imunitetin e deputetit, shefat e SHIK-ut, shefat e krimit. Një biçim "komandanti", në LLap, të dënuar nga gjykata me burg, për krimin e torturës, por edhe i akuzuar për vrasjen e të burgosurëve gjatë luftës, e bëri deputet, bile edhe kryetar të Komisionit Parlamentar për Siguri!

 

Janë tre kryetar komunash që duhet të ishin prapa grilave për krime të ndryshme. Njëri syrësh, Xhabir Zharku i Kaçanikut, zbulohet të këtë qenë shef zonal i SHIK-ut dhe nga një vilë bllokiste e Tiranës, u telefononte vartësve të tij: "Të burgosurit, (të gjithë ishin shqiptarë, aktivistë të LDK-së - shënimi ynë), i dërgoni afër pozicioneve serbe, i vrisni të gjithë dhe hapni lajmin se i vrau pushtuesi"! E gjithë skema vrastare, me qëllim të marrjes të pushtetit, është marrë e gatshme nga instruktorët e Tiranës zyrtare të 97-ës: Rexhep Mejdani, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, shefi i SHISH-it Fatos Klosi, të aplikuar nga komunistët e Hoxhës gjatë Luftës të Dytë Botërore.

 

 

SHIK-u kopjoi metodat linçuese të SHISH-it dhe të OZNA-s jugosllave

 

Porosia e shefit zonal të SHIK-ut na sjell ndërmend intervistën e fundit të plakut shkrimtar dhe politikan, Sabri Godo, dikur ushtar i LDB:

-Gazetari: "A keni luftuar kundër armikut?

-Godo: "Rrallë kemi bërë ndonjë aksion nga largësia. Armikut i shkonim prapa, sepse ndeshjen me atë nuk mund ta përballonim".

-Gazetari: "A keni luftuar kundër "Ballit Kombëtar"?

-Godo: "Po, ajo ka qenë tamam luftë, i vrisnim kudo që mundnim. Bilëz, jo vetëm ata që i kishim kundërshtarë të hapur, por i vrisnim edhe ata që ishin partizanë, me ne, por që mendonim se një ditë mund të jenë kundër nesh. Por, këta i vrisnim prapa shpine dhe përhapnim lajmin se i vrau armiku. Njëri nga këta ka qenë edhe përfaqësuesi i PKSH-së në Konferencën e Mukjes, më 1943, Mustafa Gjinishi, i cili, së bashku me dr. Ymer Dishnicën, nënshkroi Marrëveshjen për bërjen e Shqipërisë Etnike. Vetëm në vitet `90-a, u zbulua urdhëri për ekzekutimin e tij, i dhënë nga Enver Hoxha me shokë"!!

 

 

Protektorat i një shteti të fuqishëm dhe ligjor

 

E vetmja shpresë për ta bërë shtet ligjor Kosovën, për ta stopuar krimin, për t`i vënë prapa grilave vrasësit e Smajl Hajdaraj, Tahir Zemaj me shokë, është nëse Kosova do të vihej, për një kohë të caktuar, nën një protektorat të një shteti ligjor e demokratik, siç është Amerika, Gjermania, Britania. Dhe, LDK-ja duhet të ngulmojë në këtë kërkesë. Përndryshe, shteti i sotëm i Kosovës, ka elemente të bollshme të fashizmit, sepse fashizmi dhe komunizmi, si dy ideologji fatale për njerëzimin, kanë shumëçka të përbashkët, bilëz, komunizmi, në shumëçka, është shumë më i vrazhdët. Kosova gjithnjë e më shumë po përkeqësohet dhe në çdo kohë mund të stërkeqet.

 

Në vitin 1997 askush nuk e ka menduar se shqiptarët e Kosovës, një vit më vonë, mund të kërkonin strehim tek armiku më shumë se një shekullor, Mali i Zi, por ja që ndodhi, sepse siç thuhet, "shpirti është i ëmbël dhe halli të çon në derë të armikut". Nëse krimi heshtet dhe kriminelët vazhdojnë të sundojnë institucionet, nuk është çudë, që, kur të largohen ndërkombëtarët, ne, mërgimtarët, ta kemi mall Kosovën, ndërsa me familjet tona, të cilat, aktualisht, jetojnë në Kosovë, të takohemi dhe të çmallemi, diku, në banovinat e Serbisë.

 

Edhepse kanë kaluar shtatë dekada, gjithnjë mbetet aktuale porosia - kushtrim e poetit çek, Julius Fuçik-ut, para një skuadre pushkatuese : "Njerëz, ju kam dashur. Jini vigjilentë!"

 

Lavdi jetës dhe veprës të Smajl Hajdaraj me shokë!

 

Frankfurt, 22 janar 2012

 

 

AZEM HAJDARI,  në kujtesën e kombit ka mbetur i ri, vetëm 27 vjeç.

 

Nga BISLIM AHMETAJ

 

Më 11 mars të vitit 1963, rreth orës 12, në një cep të largët të atdheut, në një familje të thjeshtë punëtorësh, në një shtëpi edhe më të thjeshtë, do të vinte në jetë një qenie njerëzore, emri i të cilit në dhjetor të '90-ës do të shndërrohej në gjenerator të shpresës, në institucion të besimit, kurajos dhe guximit qytetar, në sintezë të përpjekjeve gjysmë shekullore të shqiptarëve për liri dhe demokraci. Kishte lindur Azem Hajdari. Studenti i vitit të tretë të filozofisë, djaloshi 27-vjeçar nga Tropoja, të cilit pa më të voglin hezitim plejada e studentëve dhe intelektualëve të brezit '90, qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë i besuan drejtimin e Lëvizjes Studentore, lëvizjes që thërrmoi muret kriminale të diktaturës komuniste, më të zezës në Lindjen e acartë komuniste.

Sikur një bandë e armatosur me armët e shtetit, me uniformat e shtetit, me gradat e shtetit, me makinat e shtetit të mos kishte zbatuar urdhrat e eprorëve të vet, shefave të shtetit, mbrëmjen e 12 shtatorit të vitit 1998, prijësi i Lëvizjes Studentore, princi i mendjeve të lira, mbrojtësi i paepur i fjalës dhe shtypit të lirë, avokati deri në sakrificë i të përndjekurve politikë, mbështetësi dhe humanisti i njerëzve në nevojë, politikani atdhetar e nacionalist i moderuar, parlamentari i sprovës, oratorisë, argumentit, kompromisit dhe tolerancës për çështje madhore, ai, Azem Hajdari këtë të dielë, 11 mars 2012 do të kishte mbushur 49 vite.

Ky është viti i 100 i Pavarësisë së Shqipërisë, pavarësi e mbytur në gjak, në vuajtje, sakrifica. Në këto 100 vite ekzistencë të shtetit shqiptar, pak më pak se gjysma, shumë më pak se gjysma mund të thuhet se janë vite të krenarisë tonë kombëtare. Në këtë shekull, flamuri ynë kombëtar është valëvitur i lirë dhe i pandotur nga simbolet e komunizmit më pak se një gjysmë shekulli. Ai, njeriu simbol që guxoi dhe i hoqi yllin e robërisë, krenarisë sonë kombëtare, flamurit kuq e zi u shpërblye me pesë tentativa atentatesh dhe me një pushkatim shtetëroro-mafioz në qendër të Tiranës.

Sikur ai, Azem Hajdari ta kishte dashur më pak vendin e tij, atdheun e tij, flamurin e tij, bashkëkombasit e tij kudo, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e diasporë, sikur ai, Azem Hajdari të kishte mbyllur sytë kur dhunohej fjala e lirë dhe shtypi opozitar, sikur ai, Azem Hajdari të kishte heshtur kur shtresat në nevojë, kryesisht të përndjekurit politikë kërkonin të drejtat e tyre akoma të paplotësuara, sikur ai, Azem Hajdari të mos bëhej një me punëtorët dhe sindikatat, sikur ai, Azem Hajdari t'i shkelte idealet e Lëvizjes Studentore, sikur ai, Azem Hajdari të mos denonconte pakte e marrëveshje të pista në kurriz të shqiptarëve të Kosovës, këtë të dielë do të ishte 49 vjeç.

Sikur numri i antishqiptarëve, hajdutëve, dallkaukëve të pushtetit, marifetxhinjve, servilëve, sahanlëpirësve, zollumqarëve, kriminelëve, zjarrëvënësve, të mos kishte qenë mazhorancë në vitet '97-'98 ai, Azem Hajdari të nesërmen e kësaj të diele, të hënën më 12 mars 2012 do të hynte për të 50-tat. Ai që në krye të Lëvizjes Studentore i riktheu kombit fytyrën nga Perëndimi, nga Europa do ta meritonte e do ta nderonte më shumë se kushdo tjetër festën e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Kjo festë, edhe për ne do të kishte më shumë kuptim sikur, të paktën, të kishim mundësi të vinim lule në përmendoren e tij diku në një shesh të Tiranës. Në mos më shumë, kaq ia kemi borxh njeriut, që me guximin e tij i dha Shqipërisë 20 vite demokraci.

Sot ai, Azem Hajdari do të ishte 49 vjeç, por në kujtesën e kombit ka mbetur i ri, vetëm 27 vjeç, si atëherë në dhjetor 1990.

 

 

Pas lajmit të zi se fshatin Makoc të Prishtinës po e kërcënon epidemia nga ujërat e zeza!

 

 

Në emër të martirëve të masakruar nga Serbia fashiste, do ta ngritim Makocin e Ri

 

Nga Ajshe Rexhbogaj, Aziz Bajrami & Fazli Maloku & Kadri Mani

Ky vendbanim gjendet në përkufizim me Grashticën, Butocin, Llukarin dhe Siçevën. Nëpër të kalon lumi Prishtinkë. Lartësia mbidetare e këtij fshati shënon pikën 1006 në Butocin që mirret me Makoc dhe Kosra e Delisë 840 m. Është vendbanim kodrinor-malor. Shtrihet rreth 6 km në verilindje të Prishtinës. Është vendbanim i tipit të shpërndarë. Pjesa lindore është tërësisht malore, ndërsa pjesa veriperëndimore, më shumë tokë e punuene (ara). Tashti edhe ajo pjesë toke e puneshme është shndërruar në tokë ndërtimore. Zë një sipërfaqe prej 1.136 ha, 81 ari e 58 metra katror. Lagjet kryesore të këtij vendbanimi janë:Hamzovit, Hoxhovit, Dikoit, Nelovit, Behramovit. Familja Tupalla është ngritur në tokë të nënës.

Mikrotoponimet më karakteristike: Lisaci (në kufi me Grashticën), Lugshtina, Rrezja e Madhe, Lugu u Qurshisë, Lugu i Dafinave, Lugu i Rovinës, Rogat e Gata, Rogat e Lajthishtave, Rrafshinat, Lugu i Koriticës (koritë, a. këtu ka kuptimin e një korite të vogël), Mëllinat (mellnat, etj. lloj dheu), Veshelluga (ka vesh shkurreja), Lugu i Kishës, Arat e Kishës, Lugu i Thive, Obzoviku i Vogël, Obzoviku i Madh, Prroni i Zi, Kungullari, Kunga, Lugu i Moll’s, Lugu i Gjanë, Gjyshinaci (Kodra e gjyshit), Lisaci (maja më e lartë, e veshur kryesisht me lisa të mëdhenj bungu) etj.[1]

Të dhënat arkeologjike: Është vendbanimi i vjtër dardan. Këtë e dëshmojnë gjetjet arkeologjike, përkatësisht kompleksi i varrezave ilire në Obzovikun e Vogël. Këtu janë gjetur edhe disa eksponate arkeologjike, p.sh.: gotë, një enë dardane e shek. VII-VIII para erës së re, një monedhë e perandorit Hardian e të tjera. Në popull flitet se Lugina e Makocit ishte e banuar dendur dhe se macja paska kaluar nëpër kulme tejpërtej , pa zbritur askund. Mirëpo, në shek. III dhe IV qenka fshirë nga faqja e dheut, qoftë nga tërmeti, qoftë nga luftërat e përditshme që dogjen e shkretëruan çdo gjë.[2] Në Makoc, në vendin e quajtur Te Kisha, tani nuk ka gjurmë të kishës, përveç ndonjë pjesë të harasanit (mjetit të lidhjes së gurëve) dhe tokës përreth që ka më tepër zhavorr dhe truallit më të rrafshtë ku ishte Kisha.[3] Kjo dëshmon se në të kaluarën popullata vendëse iliro-shqiptare e kësaj treve e kishte pranuar krishterimin dhe e kishte kishën e vet.

Në ligjin xehetar të Novobërdës të vitit 1488, përmendet miniera Markofiç. Ndoshta kjo minierë i përgjigjet lokalitetit të sotëm Makoc (Makaj) të Prishtinës.[4] Në defterin e Kazasë së Novobërdës të vitit 1498, është regjistruar vendbanimi Gorna Makodça me 47 kryefamiljarë dhe bashtina.

ipas regjistrit të Kazasë së Novobërdës të vitit 1698/99 Makofci i Epërm, që i takonte nahisë Treboshnic, kishte këta familjarë: Dimitri Javan-i, Mili Ralin-i, Jovan Kalço, Raja Jovan-i, Jovan Radovan-i, Raja Govedar-i, Nikolla Stajin-i, Jovan Vukashin-i, Bogdan Gjona, Rajko Siromah (i varfër), Radosav Vukashin-i, Stepa Gjurin-i, Jovan nipi i Pejin-it, Jon Mihajlo, Bogdan Kolegjeriq-i, Dimitri Oliveri, Jovan Prishliq-i, Stepa Radiç, Dimitri Zajiq-i, Dabzhiv Siromah  (i varfër), Jovan Leshjan-i, Stipa Bogdan-i, Leshjan i vëllai i Mihal-it,  Peter vëllai i Bozhidar-it, Milic e vejë, Jovana e vejë, Radovana e vejë; rishtazi të regjistruar: Nina Arnaut-i, rrobaqepës, Ilija i biri i Radosav-it, Jovan vëlla i Mihal-it, Dimitrije Dabzhiv-i, pastork, bashtina në dorë të Milicës së vejë, Nikolla i biri i Vukashin-it, Pava (Pal) i vëllai i Gjergj-it, Petri i biri i Joviq-it, Marka Vllahi, Niksha argjentar (zllatar), bashtna Milko në dorë të Skender-it, bashtina Dabzhiv Rahiç në dorë të Berishi-qit, bashtina Donik-a ë dorë të banorëve të fshatit, bashtina Marin Nikovac-i, në dorë të banorëve të fshatit, ashtina e Lazar Rajko, në dorë të prindërve të tyre.[5]

Në bazë të f. 44 të defterit të Vilajetit Vëllk të vitit 1566/74, nahia Treboshnica, Gornja Makovca kishte 22 kryefamiljarë. Me antroponimi shqiptare cilësohen: Filip Nikolla, Dimitri Mati, Stojan Ilija, Stojan Petri, Voje Marko, Petri Dimitri, Doreta Dimitri, etj. [6]

23.02.2011

Sipas planit paraprak, takohemi në Shkollën “Zenel Hajdini” në orën 13 e 30 minuta: Fazli Mloku, Kadri Mani, Nasuf Krasniqi e Qazim Namani dhe me veturë të z. Nasuf nisemi për fshatin Makoc, paçka se bënte ftohtë. Zotni Nasufi, arsimtar, na mrr në shtëpinë e vet të re, dhe pasi a qerasë me pemë, lëngje e birra, sjell numrat nga cellari i vet: vjen Gani Krasniqi dhe Ujup Krasniiqi, jurist dhe aktivist i fshatit. I informojmë për vizitën tonë, për bregosjen tonë për ujërat e zeza...

 

Dhe zotni Ujupi raporton:

Fshati Makoc ka rreth 400.- shtëpi; edhe Llukari poashtu 400.

Fshati ka katër mëhallë: Dikovit, Hoxhovit, Behramovit, Hamzovit. Fshati me ndihmën e Komunës ka ndërtuar: Varrezat e martirëve, ambulancën, shkollën e madhe “Ganimete Tërbeshi”... Por ende s’kemi: rrjetin televiziv! Mungon telefonia! Mungon kanalizimi!

Në plan janë dy kolektorë... Probleme na sjell punëtoria për ngjyrosjen e rrobave... bërllogun po vijnë e po e marrin njëherë në javë... është në plan të ndërtohet një spital i madh në ish-kazermat “Zahir Pajaziti”, gjë që do ta shkarkonte Spitalin e Prishtinës. Ka dy veta në Alamblenë e Komunës... Agim Krasniqi ëshër shef i Zyrës së Vendit...

Ishte një projekt i Agjencisë evropiane, por u keqpërdor nga tedencat partiake!

Kurse ne nga ana jonë ju propozuam që ta hapnin një xhirollogari të katundit për ndihma private personale dhe kolektive gjithandej, me një prefiks, që kushdo që ta sjellë në telefonin e vet, fshatit Makoc t’i shkojë në fond nga një euro.

Duke folur për këtë temë, një drejtor na tha:

-A keni biseduar me Kryetarinn e Komunës?- Ai është kompetent...

-E pamë me habi, por nuk u shprehëm... do t’i thoshim se s’ka efekt më asnjë bisedë me të papërgjegjshmit: patëm marrë pjesë në fushatën e LDK-së në teatrin “Dodona”, në

Rr. “Xhavit Mitrovica” p.n. 10000 Prishtinë: nuk pati ardhur Isa Mustafa, por vetëm aktivistët e tij, ata na prezentuan e ne i lavduam, ju duartrokitëm... por kur dolëm jashtë,

Ajshja ju tha komunarëve:

-Ne po ju përkrahim, ngase s’po kemi kë tjetër?- por as ju s’keni bërë gjë! Ja kjo rrugë për turp; ja kjo shtyllë elektrike e stërngarkuar dhe e shtrëmbëruar, në çdo moment do t’i dalë flaka e të bëhet shkrumb e gjithë lagjja: kush do të përgjigjet?- me i dimë mudësitë dhe neglizhencën...

Andaj po ju bëjmë thirrje qytetarëve tanë këtu e mërgimtarëve tanë atje në Mërgatë: Në emër të martirëve të masakruar nga Serbia fashiste, do ta ngritim ne vetë Makocin e Ri!

Gëzashi!

Rrnofshi!

 

 

 

Më 26 mars 2012 është përvjetori i 61 i heroit tonë kombëtar, Rexhep Mala

 

Nga  Ramadan S. Latifaj

 

Rexhep Mala

26.03.1951 – 12.01.1984

 

Sërish erdhi marsi

Aromë lulesh plot freski

Pranverat ecën bashkë me vitet

Sot ke mbushur  gjashtëdhjetë e një

 

Nga Hogoshti e Dardana

Çerdhe shqipesh në Histori

Gëzuar ditëlindjen Rexhep Mala

Nderi i kombit në përjetësi

Nga Gjilani e Presheva

Shkupi,  Prishtina deri n’Tiranë

Gëzuar ditelindjen  Rexhep Mala

Gjithandej  Shqipërisë nanë

 

Heroi  ka vetëm ditëlindje

Marsi vjen sërish me ty

Rexhep Mala – Hogoshti

Motiv për atdhedashuri

 

Ramadan Selim Latifaj / Lb 26.03.2012

 

Pse shkilet gjaku dhe amaneti i heronjeve!???

 

Doja t’i  tregoja heroit për amanetin e tij

të shokëve …. e Nuhiut që i qëndronte pranë

…. por s’pata guximin…më shikuan drejt në sy

pika loti pranë  tyre më ranë e qielli më ra në kokë përmbi!

 

Çka t’ju them trimave... u zhyta n'mendime

…se Kosova edhe në këtë ditëlindje të Rexhës është jetime!?

Apo të ju them se “ata që i vranë”, sot na qeverisin me disa kosovarë!?

Që Kosova edhe sot  s’ka Zot, as nanë, pa hymn e flamur t'sajë ,

pa shtet e fusnota tashmë hije po i ban!?

Se kemi milionerë qentë me ngranë!

Se Kosova po shitet pëllëmbë për pëllëmbë!

ahhh…..heshtja mori dhenë, ata  mirë kuptuan

nga hija e  flamurit aty afër akull blu  me  6 yje mbuluar…

 

Rexhep Mala kurrë frikën në jetën e tij s'e njohu

sa edhe shtetin e pistë qetniko-sllavobarbar

Toka u dridhë nga zëri i shqipes

e lart në qiell kumboi

“kush po luan në këtë tokë t’bekuar,

kush po bën këtu sot pazar!?

mjaft të huajve ju besuat

zgjohuni nga gjumi

për Vetevendosje

o shqiptarë

mos ndërroni komb,

gjuhë amtare e as flamur

se ju mallkon historia me gjak e shkruar

europes mos’ia keni besën që na ndau e s’u bashkuam kurrë"

 

Foto të heroit tonë kombëtar, Rexhep Mala:

Rexhep Mala student

 

Lavdi heroit të kombit Rexhep Mala dhe të gjithë heronjëve, dëshmorëve e martirëve të kombit SHQIPTAR që jetën e tyre e ndërruan për komb, shtet e flamur kombëtar dhe vetëm kombetar me shqiponjën dykrenare respektivisht me vulën e Skënderbeut në ballë.
  Urime ditelindja e 61-të  hero i kombit gjithëshqiptar 
Rexhep Mehmet Mala nga Hogoshti legjendar.



[1] Ali Sh. Berisha, Bashkia e Lludarit, f. 307

[2] Ali Sh. Berisha, po aty, f. 55 dhe 356

[3] Po aty, f. 345

[4] Dr. Skender Rizaj, Rudarstvo... f. 164

[5] Ilaz Rexha: Regjistrimi i vendbanimeve dhe i popullsisë të Kazasë së Novobërdës sipas; Arkivi i Koosovës “Vjetar” XXVII-XXVIII, Prishtinë, 2002, f. 108

[6] Dr. Muhamet Tërnava “Popullsia e Kosovës”..., f. 62

 

(Ali Sh. Berisha: “GALLAPI I PRISHTINËS-I”, Prishtinë, 2008, 239-241)