Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agim Mato: Marie Tuçi

| E hene, 19.03.2012, 07:58 PM |


Agim Mato

 

MARIE TUÇI

 

Si i shkalluar, për ditë të tëra,  përsëritja emrin  tënd

“Marie, Marie!”[1] për t’u çliruar  nga makthi që më kapi

kur dëgjova për  bukurinë që ta shqyen bishat me  thonj

 nëpër qelira,

kur dëgjova të betoheshin me ironi se po të  bënin

                        shenjtore me duart me tyre.

 

E makthi po më shtohej, po më shtohej, Marie.

 

Ata shpikën lloj lloj torturash dhe i vunë në provë tek

 dlirësia e pafajësia jote.

E si u lodhën së pyeturi, si e humbën durimin,

të plandosën lakuriq në dysheme

brënda një thesi të madh prej lini, me grykën e lidhur,

në shoqërinë e një maceje të urritur të burgut.

 

Si i shkalluar dëgjoj edhe unë tani

ulërimën e bishave: “Do të të shenjtërojmë, do të të

                        shenjtërojmë”

e dup dup me shkopinj, trupit tënd (trupit tim)

e dup dup frustohet macja, rrëshqet e tmerruar mbi ne

me mjaullimën therrëse deri në kupë të qiellës,

e na mbush me çikatriçe, trupin dhe fytyrat

deri sa na bie të fikët, edhe më kot ulërijnë bishat:

“Do t’u shenjtërojmë,  do t’u shenjtërojmë”

e dup dup shkopinjtë që nuk i ndjejmë.

 

Dhe s’ u përmendëm as nga kovat me ujë mbi thesin e

çarë, as nga të gajasurat, as nga shpotitë

e  atyre që shkuan ta festonin në mejhane, duke larë duart.

 

Jam i pushtuar ende nga makthi i kësaj dite, Marie,

i shtrirë përkrah teje dhe kafshëzës së gjorë. Dhe rastësisht

 mbijetova, ndoshta për të dëshmuar, ndoshta për të bërë

copë e çikë ateizmin tim të dikurshëm.

 

Për të bërë copë e çikë mosbesimin tim

gjersa të shpalla Perëndinë time, Marie,

altarin tim,

ikonën time të vuajtjeve, Virgjëresha ime.



[1] Lindi në Ndërfushaz (Rrëshen-Mirditë), më 12 mars 1928. Shkollën e mesme e kreu tek Motrat Stigmatine në Shkodër. E re dhe e bukur, ajo ra në sy, si aspirante në jetën stigmatine. U arrestua më 10 gusht 1949 dhe pas torturave çnjerëzore vdiq në Spitalin e Shkodrës më 24 shtator 1950. Është një nga 40 martirët katolikë të Shqipërisë.