Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Gjurmë të xehetarisë në rrethinën e Vendenisit dhe Bërvenikut

| E enjte, 05.01.2012, 08:58 PM |


Gjurmë të xehetarisë në rrethinën e Vendenisit dhe Bërvenikut

Nga Qazim Namani

Në rrethinën e Vendenisit (Gllamnikut) dhe qytetit mesjetar Bërvenikut ka gjurmë të shumta për të dëshmuar eksploatimin e mineraleve që në kohë shumë të vjetra.

Edhe në distancë prej rreth 30 km në anën veriore të Ulpianës, pikërisht në rrjedhat e lumit Llap ka mbetje të zgjyrës së metaleve dhe galeri.

Mbetje të zgjyrës që nga kohët iliro-romake në këto anë vërehen duke filluar që nga lagjja e Gexajve (Shpella e Argjajtë-Argjendit) në fshatin Prapashticë.  Ky lokalitet xehetar shtrihet mes Gradishtes së Marecit në rrjedhën e lumit të lakuar (Kriva rekës) dhe Gjytetit të Rimit Keqekoll-Prapashticë, që shtrihet në rrjedhën e lumit Llap.

Vlenë për ta cekur se edhe në pjesën perëndimore të fshatit Velegllavë të komunës së Dardanës ekzistojnë toponimet Gropat e Argjanit dhe Roga e Argjanit që kanë të bëjnë me minierat e argjendit. Zgafella të mineraleve ka te Bjeshka e madhe në kufi me fshatin Marocë.[1]

Në distancë të vogël nga Shpella e Argjendit në Prapashticë, pikërisht mbi lagjen e Kaçotëve të fshatit Keqekollë ka zgjyrë metalesh, zgjyrë metalesh kishte edhe në këtë lagje shumë afër Kroit të Kikollit që ndryshe nga banorët lokal njihet edhe si Kroi i gjytetit. Në Sukën e Prapashticës në kufi me fshatin Nishec po ashtu është një shpellë që mendohet se dikur moti ishte galeri për nxjerrjen e metaleve. Mbetje zgjyre janë hasur edhe te përroi nën xhaminë e fshatit Prapashticë dhe në përroin e fshatit Nishec.

  Gjatë përnjohjes së terrenit në fillim të viteve 50 të shekullit XX, vetëm në fshatin Keqekollë u regjistruan gjashtë pika të grumbullimit me zgjyrë të metaleve. Në Ballaban po ashtu kishte sasi të madhe zgjyre përgjatë shtrirjes së shtratit të lumit, pastaj te Përroi i Gomurit në Ballaban dhe në të djathtë në mes të fshatit vërehen edhe galeritë e nxerrjes së xeheve. Edhe përgjatë përroit të Glacit në fshatin Koliq ka zgjyrë.

Zgjyra nga pikat e grumbullimit të Keqekollës, Ballabanit dhe të Hajkobillës ne vitet 50 të shekullit XX u bartë dhe u dërgua në shkritorën e Trepçës.

Zgjyrë në këto anë hasen edhe në Batllavë, Bërvenik, Brainë, Kalaticë, Metërgoc, Turuçicë, Nasoc, Herticë te Kullat dhe në Bjeshkën e Halilit dhe fshatra tjera. Në anën e djathtë të fshatit Herticë vërehen shumë galeri dhe puse të vjetra minerare, që dëshmojnë shfrytëzim intenziv dhe të fuqishëm në këtë lokalitet që në kohën iliro-romake.[2] Zgjyrë të shumtë është vertetuar se ka edhe në fshatin Merdare, Matarovë dhe fshatëra tjera tej kufirit të sotëm të Kosovës të cilat lidhen me minierën e Lecës dhe Justiniana Primës (Caricingradi). Zgjyra e Matarovës, Merdarës dhe e Herticës pas analizave të bëra është vertetuar se përmbanë përqindje të konsiderueshme të metaleve fisnike të argjendit dhe arit.

Edhe në fshatërat rreth Vendenisit është vertëtuar se ka pasur eksploatim të mineraleve si në: Tenezhdoll, Rimanishtë ku është vërtetuar se ka pasë galeri dhe vendbanim të vjetër në lagjen e Musliajve, pastaj në Sharban dhe fshatëra tjera të kësaj ane.



[1] Hysen Këqiku, “Velia Glaua” , Gjilan, 2001, fq.46-52

[2] Minir Dushi, “Pasuritë minerare të Kosovës, vëllimi I”, Prishtinë, 2009, fq.251