Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Muço: Ndihmesa e inteligjencës përparimtare greke në lëvizjen kombëtare shqiptare

| E merkure, 30.11.2011, 09:00 PM |


NDIHMESA E INTELIGJENCËS PËRPARIMTARE GREKE NË  LËVIZJEN KOMBËTARE SHQIPTARE TË  FUNDIT TË  SHE.XIX FILLIM I SHEK.XX

 

Nga Entela MUÇO

Historiane, specialiste osmanologe në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave Tiranë.

 

Lufta e popullit shqiptar për çlirim kombëtar nga sundimi Osman u shtri në një hark kohor relativisht të gjatë. Ajo u intensifikua më  shumë    fundin e shek. XIX dhe fillimin e shek. XX. Ecuria e saj deri në fitoren e plotë të pavarësisë kaloi në disa etapa historike. Në këtë proçes evoluimi lë vizja kombë tare shqiptare konsolidoi pozitat e saj dhe mori tiparet e një lufte me karakter të thellë kombëtar. Pas një periudhe të gjatë bashkëjetese me kombet e tjera në shtetin Osman në kushtet e reja të zhvillimeve politike në arenën ndërkombëtare, populli Shqiptar kuptoi nevojën e evidentimit dhe konsolidimit të identitetit të tij kombëtar. Qëndrimi agresiv i Fuqive të  Mëdha dhe politika e tyre ekspansioniste ndaj shtetit Osman, rrezikoi jo vetëm të ardhmen e Shqipërisë, por dhe atë të statusit administrativ të trevave të  saj. Ato forcuan më tej kërkesën e inteligjencës shqiptare në tërësi dhe klasës politike në veçanti për veçimin administrativ gjeo-politik dhe social të trojeve shqiptare dhe daljen e tyre si subjekt politik i pavarur nga administrata e shtetit Osman. Evidentimi i identitetit kombëtar të popullsisë shqipfolëse të këtyre trevave mori rëndësi jo vetëm në  planin kombëtar por dhe nëatë ndërkombëtar. Përpjekjet dhe lufta e patriotëve shqiptarë u përqëndruan në drejtim të përgatitjes së  popullit për të siguruar çlirimin kombëtar. Ata kuptuan se ky veprim do të  ishte dhe baza e suksesit dhe realizimit të këtij synimi. Ajo u konkretizua fillimisht me krijimin e organizmave politikë si; Lidhja e Prizrenit më10 Qershor 1878[1] dhe ajo e Pejës më 23 Janar 1899[2]. Tipar dallues i lëvizjes kombëtare Shqiptare ishte pjesëmarrja në të, jo vetëm e intelektualëve shqiptarë brenda vendit, por dhe atyre të cilët për arsye të ndryshme kishin qenë    detyruar të  emigronin dhe veprimtarinë e tyre patriotike e kryen jashtë trojeve të veta. Përgatitjen e tyre intelektuale dhe atdhetare ata u përpoqën ta vinin në shërbim të  çështjes shqiptare. Në këtë drejtim u dalluan patriotët: Hasan Tahsini, vëllezërit Frashëri, Dervish Hima, Ibrahim Temo, Jashar Erebara, Faik Konica e të tjerë aktivistë  të lirisë. Midis patriotëve shqiptarë që kontribuan në  luftën çlirimtare u shquan dhe dy veprimtarët; Ibrahim Temo dhe Dervish Hima. Si intelektualë, politikanë dhe ideologë të lëvizjes kombëtare, ata përdorën të gjitha mjetet në shërbim të saj. Në vizionin e tyre politik çështja Shqiptare dhe në  veçanti, lufta për pavarësi kombëtare, u trajtuan jo si çështje e interesave të ngushta nacionale por si një problem me ndikim të rëndësishme në lëvizjen politike Ballkanike. Ajo duhej të shërbente për evidentimin e identiteteve nacionale të tij. Aktivitetin e tyre Temo dhe Hima e shtrinë më  gjerë  duke u lidhur edhe me forcat patriotike të vendeve që aspironin lirinë kombëtare. Në këtë kohë bie në sy bashkëpunimi i tyre me luftëtarë patriotë rumunë, bullgarë dhe veçanërisht me ato me fqinjin jugor Greqinë. Në këtë bashkëpunim ajo që merrte një rëndësi të veçantë, ishin lidhjet e patriotëve shqiptarë  me luftëtarët grekë. Ata treguan se ishin të mbrujtur me idealet e lirisë, larg influencave nacionaliste dhe kishin gjykim objektiv për zhvillimet politike që ndodhnin në Ballkan. Ibrahim Temo dhe Dervish Hima vepruan në shërbim të çështjes së përbashkët dhe synuan daljen më vete nga drejtimi konservator i administratës së shtetit Osman. Në këtë kuadër, edhe patriotët grekë vlerësuan luftën e shqiptarëve dhe i konsideruan ata si partnerë të barabartë në luftën për çlirim kombëtar duke i quajtur të tyre interesat e dy vendeve. Intelektualët grekë  admironin luftën e shqiptarëve dhe ndihmën që ata kishin dhënë për kombin Grek në momente të vështira historike. Interesat kombëtare të Greqisë  nuk i penguan ata të punonin për interesa më  madhore për ruajten e identiteteve të tyre kombëtare si dy popuj me të vjetër në Ballkan. Intelektualët grekë, vlerësuan kontributin e Ali Pashë Tepelenës në lëvizjen kombëtare për pavarësinë e Greqisë. Ata ngritën lart rolin e trimave legjendarë si Marko Boçari, Kosta Boçari, Vangjel Zhapa[3] etj. Bashkëpunimi greko-shqiptar u vu re edhe në fund të shek. XIX. Kjo duket në përpjekjet e Dervish Himës për të  vendosur bashkëpunimin me forcat përparimtare greke. Një gjë e tillë do ishte në  favor të çështjes kombëtare shqiptare. Ai u njoh dhe me intelektualë shqiptarë të cilët zhvillonin aktivitetin e tyre patriotik në Greqi. Një nga këta ishte dhe nënkryetari i Parlamentit Grek, Zhapa. Marrëdhëniet e tij me Dervish Himën  provohen nëpërmjet një dokumenti që është pjesë  e korrespondencës së këtij të fundit me Ibrahim Temon. Nëpërmjet një  letre Dervish Hima e vinte në dijeni Dr. Temon si udhëheqës i lëvizjes “Bashkim dhe Përparim” për një  takim që ai kishte patur me Zhapën. Në të jepen të  dhëna për vlerësimin dhe mendimet e z. Zhapa për shqiptarët dhe lëvizjen kombëtare shqiptare. Nga letra e Dervish Himës mësojmë së në bisedën e zhvilluar midis tyre, politikani grek kishte ofruar ndihmën e tij për çështjen shqiptare. Vetë ai kishte konfirmuar mendimin se, “si ju dhe unë në Shqipëri kam farefisin tim por unë s’i mendoj ata. Përpiqem me realizu dëshirën teme që më preokupon qysh prej moshës 17 vjeç”.[4] Në takim me Dervish Himën, Zhapa i kishte shprehur atij vlerësimin e grekëve për shqiptarët: “Deri para disa vitesh emri shqiptar nuk zihej me gojë; sot ka 18 deputetë që mburren me qenë të kombësisë shqiptare. Sidomos mbreti i don fort Shqiptarët. Unë besoj se nuk ka për t’u kursye ndihmën atyre që orvaten me të vërtetë për shpëtimin e Shqipërisë.” [5]  Intelektuali grek mendimet e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët i kishte shfaqur hapur edhe në opinionin pubilik grek. Kjo dë hmohet nga proklamata e botuar në Greqi prej tij. Në të shkruhej;

“Gjysma e Greqisë është Shqipëri, se Greqinë e kanë sjellë në këtë pozitë të naltë Shqiptarët se po Shqiptarët ia kanë siguruar sot ekzistencën qeverisë Greke. Shqipëria duhet të jetë e Shqiptarëvet” [6]

Zhapa u shpreh publikisht në lidhje me çështjet dipllomatike të kohës. Në gjykimin e tij rëndësi mori analizua e rivalitetit politik midis Austrisë dhe Italisë ndaj Shqipërisë. Ai mendonte se ajo do të fitonte pavarësinë. Në të njëjtën kohë lidhur me lëvizjen kombëtare Zhapa i shprehu mendimin e tij Dervish Himës duke deklaruar se shqiptarët duhej të ishin aktivë në luftë për çështjen e tyre kombëtare. Siç shprehet vetë ai në takimin  me Himën shkathtësia në veprime duhej të synonte sigurimin e shpëtimit që  shqiptarët  “të mos ishin kafshata e gojës e armiqve që kemi për rreth, as kafshatë e të mëdhenjve.”[7] Zhapa vlerësoi edhe rrugët diplomatike që duheshin ndjekur për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Ai i sugjeroi Himës se “duhet të kërkojmë të drejtat tona nga Sulltani dhe në mos na i njeh ky t’i sillemi Evropës.”[8] Ai u tregua i kujdesshëm në trajtimin e marrëdhënieve midis dy popujve. Zhapa vlerësoi marrëdhëniet historike të  popullit shqiptar me popullin grek duke e këshilluar atë së “është punë me vend afrimi me grekët që historikisht janë më afër me ne se me sllavët”.

Dokumenti  dhe vlerësimi i intelektualit grek me origjinë shqiptare për çështjen kombëtare shqiptare është një kujtesë historike e rëndësishme e marrëdhënieve miqësore midis dy popujve. Ai shërben edhe si një mësim me vlerë të madhe aktuale kur qarqe të caktuara nacionaliste greke, brenda dhe jashtë vendit përpiqen të ulin vlerën e kombit shqiptar dhe t’i mohojnë atij kontributin në  çlirimin dhe pë rparimin e Greqisë .

 



[1] Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit,Tiranë, 1989, f. 220.

[2]Po aty.

[3] Mihal Gjergji, Gazeta“Kritika Material Dorëshkrim,”Vangjel Zhapa Shenjtori Shqiptar Ende i Pa Kurorëzuar”, Gazeta “Bota Sot”,  Arvanitasit/Fustanellat që Çliruan Greqinë http://ëëë.botasot.info/def.php?gjuha=0&category=40&id=145004

[4] AQSH, F. 19 (Ibrahim Temo), V. 6 Korrik 1900, D. 32/2 s. 103, letër e Dervish Himës dërguar Ibrahim Temos

[5] Po aty.

[6] Po aty.

[7]Po aty.

[8]Po aty.