| E marte, 10.05.2011, 08:58 PM |
Krishti te “Lulet e Verës”
Kumtesë
Nga Aristotel Mici
Në librin poetik “Lulet e Verës” të Naim Frashërit, botuar më 1890, midis vjershave të tjera ndodhet edhe ajo qe titullohet “Përpara Krishtit”. Për arsyet më naïve kjo vjershë është lënë në harresë prej studjuesve dhe kritikëve letrarë. Mendimi ynë është se kjo vjershë jo vetëm nuk duhej injoruar, po të ishte analizuar me seriozitet e dashuri. E para, sepse është pjesë e përrmbledhjes poetike “Lulet e Verës”. Së dyjti, se me këtë poezi qartësohet edhe më shumë ideja rreth humanizmit të Naimi Frashërit si edhe të kuptuarit e filozofisë së tij për personin e sakrificës dhe të martirizimit. Së treti, poezia “Para Krishtit” nuk duhej lënë në harresë edhe për faktin se është shprehje e tolerancës fetare të vetë autorit dhe në të njëjtën kohe, e gjithë lexuesve, pra e mbarë popullit shqiptar. Kështu Krishti te “Lulet eVerës” nuk është një figurë religjioze, sepse nuk trajton motive fetare, përkundrazi, me personin e Krishtit poeti jep mendimtarin humanist, i cili brengoset për vuajtjet e padrejtësitë në shoqëri.
Madhështia e Krishtit në poezi shprehet në thjështësinë e Tij. i thjështë midis të vuajturve, Ai guxonte të thoshte të vërtëtën për mirësinë, për të drejtën, për njerinë. Për t`u mësuar njerzëve të vërtetën , ai nuk u tremb deri në sakrifikim, deri në kryqëzim, duke u bërë ashtu një Promethe i ri i njerëzimit. Jo më kot gjithë bota eqytetëruar e ndanë Kohën e Vjetër, të cilën e quan Para Krishtit, nga Kohën e Re, pas Krishtit, pra e kthen Krishtin kështu, si pragun kohor më të madh të njerëzimit.
Nisur pikërisht nga akti i martirizimit, Naim Frashëri e shikon Jezu Krishtin kryesisht si njeri, pra e zbret nga kupa qiellore dhe e shikon si njeri tokësor.
Djalëth njeriu i Perëndise
Fytyra jote mua më tregon
Ah ! Të keqijat e njerëzisë,
Që ka punuar dhe punon…
Pra fyutyra e vuajtur e Krishtit si martir i tregon poetit mbrapështitë e njerëzve të ndjekjes e të përsekutimit që nga Farisenjtë e deri te Juda Iskalioti, qe nga mbret Herodi deri te Pont Pilati. Fytyra e zbehtë e Krishtit është një rrëfim i vuajtjeve dhe i mundimeve njerëzore.
Se kjo fytyrë
Është pasqyrë
Dhe na rrëfenë
E s` na gënjen.
Pamja e dobësuar e Krishtit është pasqyrim i njerëzve të tortruar, fytyrë e njerëzve që kanë vuajtur padrejtësitë e të tjerëve pa asnjë arsye, që janë dënuar për bindjet e tyre të patundura, që për idetë e tyre kanë shkuar vetë drejt flijimit, duke sakrifikuar ashtu veten. Dhe poeti e sintetizon këtë imazh të Krishtit në vargjet e tij:
Gjithë ç’ ka hequr njeriu i mjerë,
Nga vet` e tinë e nga i vëllaj,
Që kanë vrarë e kanë prerë
Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj.
Dihet nga të gjithë dhe është më se e vërtëtë se në jetën sociale janë shfaqur fenomene antihumane, dukuri të dhimbëshme, që kanë shkakëtuar tragjedi dhe brenga shoqërore dhe familiare, ashtu siç thotë vargu i poetit si dënime nga ata :”Që kanë vrarë e kanë prerë/ pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj”. Dukuri të tilla kanë ndodhur në shekuj, para Krishtit, pas Krishtit , e deri në ditët tona.
Le të kujtojmë nga historia botërore Galileo Galilenë dhe Xhordano Brunon, Ana Frankun dhe kampet shfarosese të nazitëve hitlerianë, si dhe mijera viktima qe humben jetën , kur u shemben Kullat Binjake me 11 Shtator 2001, në New York prej akteve terroriste. Po kështu na vijnë në mendje nga jeta në vendin tonë, vrasjet e mësuesve martirë, si Pandeli Sotiri, Papa Kristo Nëgovani, e Petro Nini Luarasi, vrasjet e liberatorëve të shquar si Luigj Gurakuqi e Bajram Curri, martirët e masakrës së 4 Shkurtit 1944, po ashtu vrasja e viktimave me rastin e ”hedhjes së bombës” në Ambasadën Sovjetike në fillim të vitëve `50, po kështu dënimet e rënda për inxhinierët e pasionuar të naftës Koço Plaku, Petraq Xhaçka dhe Enriko Veizi, të gjykuar në gjyqe me dyer të mbyllura, vrasjet e dëshmorëve të demokracisë në Shkodër me 2 Prill, 1991, vrasja e Azem Hajdarit, si edhe vrasja e të rënëve më 21 Jannar 2011 në Tiranë, që janë të gjitha ashtu si si i përshkruan Poeti vrasje “Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj”.
Merret vesh se të gjitha këto ngjarje tragjike kanë ndodhur në kohën pas Krishtit. Po pamja e Krishtit në vjershën e Naimit si edhe fjalët e poetit për të na bëjnë të kujtojmë episode të tilla të ndodhura në kohëra të ndryshme midis njerëzve, si padrejtësi mizore, ashtu si i përfytyron poeti: ”Fytyra jotë më tregon …të këqijat e njerëzisë” dhe më pastaj , po në këtë vjershë: “…kjo fytyrë është pasqyrë /Dhe na rrëfen/ Gjithë ç` ka hequr njeriu i mjerë/ Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj.”
Përsonifikimi dhe portretizimi i Jezu Krishtit si njeri real , futja e tij midis njerëzve shpreh edhe nderimin që kishtë Naimi për njerinë:
Faltore kemi njerinë,
Atje gjejmë edhe Përëndinë.
Ai besontë dhe kishtë bindjen se:
Po të nderojë njeriu njerinë,
E ka nderuar edhe Përëndinë.
Përmes figurës së Krishtit poeti përpiqet të japë pamjen e njeriut të mirë, që i do njerëzit dhe vuan për njerëzinë, prandaj ai i thotë figurës së Krishtit:
Ti u përpoqe për njerëzinë,
Dhe dashurinë e bëre besë,
Njeriut i vure nom miqësinë,
Që kur të lind gjer sa të vdesë.
Duke medituar para Krishtit, me anë të vargjeve të tij, autori do të hedh dritë rreth përsosmërisë së figurës së njeriut. ”Problemi qenësor i filozofisë së Naim Frashërit është krijimi i njeriut etik; ai kërkon që çdo njeri, pavarësisht prej fesë, të jetë i kompletuar moralisht”.[1]
Poezia “Para Krishtit” si gjithë vepra e Naim Frahërit , përshkohet nga një humanizëm i thellë. i ndikuar prej iluminizmit francez si edhe nga romantika e Viktor Hugoit, poeti Naim Frashëri i shikon me dhembshuri njerëzit në përgjithësi dhe të varferit në veçanti., siç e verejmë me së miri të poezia “Varfëria”. Po shpirti i ndijshem i poetit dhembshurohet edhe për një kafshë e për një shpend. Le të kujtojmë vetëm vargjet e para të poezisë ”Zogu dhe djali”:
Një zog të bukur zuri një djalë,
Ai po dridhej dhe i thosh ca fjalë:
Nukë të vjuen keq që jam i mitur
Si ti i vogel, e s`jam dhe rritur.
Siç shihet gjithë vepra e Naim Frashërit përshkohet nga një humanizëm i madh; në çdo varg të tij ndihet prania e njeriut zemërgjerë e të ndijshëm. Keshtu edhe të poezia “Para Krishtit” gjejme nje dhembshuri të jashtëzakonshme për njeriun. Po është për të ardhur keq, qe nje studiues disa dekada përpara në librin e tij “Jeta dhe idetë e Naim Frashërit”, me gjykimin e vet skematik, ketë humanizem të poetit e quan “abstakt”. Paradoksi arrin kulmin kur ai po në atë libër rreh të argumentojë se humanizmi i poetit tonë është abstrakt, sepse “njeriu për të cilin bën fjalë Naimi, është njeri abstrakt , që nuk bën pjesë në asnjë klase”. Pra absurdi filozofik i studiusiot në fjalë të çon te logjika e mungesës së klasave dhe për rrjedhojë edhe të mosnjohja e luftës së klasave në veprën e poetit. Absurditëti i autorit të librit të sipërpërmëndur rritetet edhe më shumë kur ai merr të trajtojë poezinë “Përpara Krishtit”, citon edhe strofën e pestë të saj, por jo pa arsye, nuk shkruan titullin e poezisë. Në vend të atij titulli, pra, “Para Krishtit”, ai ka venë togfjalshin “në një poezi tjetër”… Kështu në të njëjtën kohë, pa titullin e saj, edhe injorohej poezia po edhe denigrohej.
Me Krishtin e” Luleve të Verës”, siç e thamë edhe më sipër, më tëpër se hyjninë Naim Frashëri përsonifikon njeriun e sakrificës, martirin e drejtësisë, të toloerancës, dhe të urtësisë; shikon mendimtarin human, që është i gatshëm të flijohet për të mirën e njeriut dhe përparimin e tij. Ketë kuptim kanë këto vargje:
Zot ti ke vuar
Edhe s`ke pushuar.
Nga njeriu hoqe,
Për të u përpoqe
Këto vargje të kujtojnë simbolikën e “Qiririt”, që aludon vetë poetin:
Në mes tuaj klam qëndruar
E jam duke përvëluar.
Që t`u ap pakëz dritë
Natën t`ua bëj dite
Për analogji duhet nënvizuar se është po ajo simbolikë e vetëflijimit edhe te poezija tjetër alegorike “Fyelli”, ku poeti vuan, rënkon e mallëngjehet për brengat e njerëzisë:
Kraharor e kam çpuar,
E kam bërë vrima vrima,
Dhe kam qar` e kam renkuar,
Me mijëra psherëtima.
I përmendëm këto dy motive alegorike të poetikës së Naim Frashërit për të sqaruar edhe më shumë me anë të anologjisë përkushtimin e madh të poetit , angazhimin e tij shpirtëror, mendor dhe fizik për Shqipërinë, kombin shqiptar dhe gjuhën shqipe.
Të poezia “Para Krishtit” si edhe në disa poezi të tjera lirike , Frsashëri përjeton thellë ndjenjën e flijimit si një Krisht në miniaturë. Pra te Krishti i “Luleve të Verës”, te sakrifikimi i tij duhet të shikojmë, përzjerë me të, edhe autorin, poetin që me veprën dhe fjalën e tij ishtë bërë ashtu Apostulli i shqiptarizmes.
Dhe së fundi, si konklusion themi se gjithë poezia “ Përpara Krishtit”, është shkruar me frymëzim dhe duhet parë e vlerësuar si pjesë përbërse e veprës së Naim Frashërit. Kjo poezi mbyllet në pajtim me frymën panteiste të poetit:
Për këtë fjalë
Të qofsha falë.
Se njerëzia
Ësht` Përëndija.
Pra fuqia hyjnore, ”zjarri i dashurisë qiellore” është kudo dhe gjithë qenia njerëzore është përzjerë me të, ashtu siç meditonte poeti në filozofinë e tij.
[1] Nga Rexhep Qosja” N.Frashëri”, Vepra 1, “Rilindja”, Prishtinë, 1978, f.18