Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mejdi Asllani: Nga skëterra përmes luftës në krenari (III)

| E marte, 03.08.2010, 09:59 PM |


NGA SKËTERRA PËRMES LUFTËS NË KRENARI

 

Nga Mejdi Asllani

 

 IX

                                     

Tani jemi në vitin l949. Vit i mbushur dhe i stërmbushur me ngarje dramatike, në skenën politike shqiptare dhe asaj Jugosllave në përgjithësi. Tanimë, vrasjet dhe masakrimet e shqiptarëve në masë, ishin shndërue në arrestime dhe gjykime.   Në malet e Kosovës kishin mbetë, fare pak  të arratisur ose kaçakë, si i quante populli. Shumica e atyre, që kanë qenë të organizuar si forca politiko-ushtarake, e kishin braktisur Kosovën, duke kaluar kufirin në mënyrë të organizuar, për në Greqi e pastaj në vende perëndimore ose Turqi, një pjesë e udhëheqësve, të organizatave politiko-ushtarake Shqiptare në ilegalitet, ishin vrarë nëpër male. Disa prej tyre ishin arrestue nga OZNA dhe pushkatue pa gjykim paraprak, siç ishte rasti i Mulla Idrizit, Ajet Kosovicës etj. Kurse pjesa që ndodhej e padënuar nëpër burgje, formalisht qitej para trupit gjykues. Mëkatari kryesor, që kërkonte dënime kapitale për të akuzuarit, ishten Ali Shukriu, kryeprokuror, në nivel kosove. Vendimet ishin marrë që më parë nga Komiteti dhe OZN-a, ose Pushkatim, ose Burgim të perjetshëm, që do të thotë, 101 vjet kohëzgjatje e që më vonë u shndërua në 24 vjet. Këso dënimi kishte marrë edhe vetë i madhi Ramiz Halimi (Cernica), për të vetmin mëkat, pse nuk e kishte nënshkrue, procesin e konferencës së Prizerenit, në korrik të l945, e cila ishte organizue për ta qitur jashtë loje konferencën e Bujanit. Sepse me këtë vendim Kosova orientohej kah Beogradi, duke i suprimue të drejtën demokratike për vetëvendosje, të vendosur në Konferencen e Bujanit, në të cilën, pos delegatëve nga Shqiprija e Kosova, kishin marrë pjesë edhe delegatë ndërkombtarë. Tani ta lëmë këtë, sepse në këtë rrafsh, është shkruar mjaft, për ata që duan të lexojnë. Por t’i kthehemi asaj çfarë unë kam parë e bërë.

Ashtu si thamë më parë, në këtë vit kishte shumë ngjarje dramatike e sidomos në rrafshin politik ndërkombtar. Ndër ngjarjet më të theksuara, ishte pa dyshim, prishja e mardhenjeve diplomatike mes Jugosllavisë së Titos dhe Rusisë Stalinjane e që nuk mbeti anash as Shqiprija Enverjane.

Këtë lajm e kuptuam në shkollë, mësuesit na thanë se mund ta thyenim fotogafinë e Stalinit, kjo dritë e gjelbërt, për ne, mendoj nxënësit, na erdhi sikur kur i thua tupanxisë “çall ustah”, e tupanxhija të thotë: në dorë e kam zotni. Sepse, mjaft kishim dëgjuar nga prindërit për të bëmat e Stalinit dhe Titos, megjithatë, e kishim të varur në murr të secilës klasë, dhe me atë fytyrë të vrazhdë e me mustaqe të trasha, që moti na u pat bërë i mërzitshëm, na shkonte në nerva, duke na shique pa ndërprerë. Ju vërsulëm të gjithë nxënësit, duke e gjuajtur me gjësende që na qëllonin në gjepa, e zbritëm poshtë dhe filluam ta shkelnim me këmbë, pa e ditur mirë se sa i rrezikshëm ishte ai për botën dhe njerëzimin, fundja kush qante kokën për atë punë, kryesorja mësuesit nuk na e prishëshin sjelljen. Pasi ia thyem fotografitë në copa, mësuesit na rreshtuan dhe na dërguan në kazermën ushtarake, dhe na mësonin të thërasim e të këndojmë (oj Staline, ruski sine, uzmi shtap i çuvaj svinje) përkthyer në shqip do të thotë (or Stalin or bir Rusie, merre shkopin dhe rruaj derrat). Kur u kthyem nga shkolla në shtëpi, filluam t’u tregojmë prindërve, se çfarë kena bërë. Baba më tha, shyqyr që Moskva është larg, e Stalini s’ju ka parë e s’ju ka ndie, se ju kishte zënë sherri me të, por megjithatë, mirë ja keni bë. Ndoshta si shkon gjatë edhe këtij tjetrit. Nuk e kuptuam për kë e pati fjalën. Dolëm të loznim në oborr, sepse dielli ende nuk kishte perëndue, e ne donim t’i shfrytëzoim edhe ata minuta që kishinë mbetur.

 

Meritat e mëdha të Ernest Koliqit për zhvillimin e arsimit e të arsimimit kosovar

 

Pas lufte, meqë në Kosovë ishte gjendja kaotike, në sferën e arsimit, një analfabetizëm thuja se total, e sidomos në gjuhen shqipe, e trashëguar nga Jugosllavija cariste. Shqipëria, meqë ishte në marrdhënie ende të parrënuara me Jugosllavinë, i pati dërgu rreth 100 mësues, intelektualë të mirëfilltë, për ta zhvilluar arsimin shqip. Këta njerëz ishin misionarë të dritës. Nga ata që unë i kam njohur ishin: Hasan Dylgjeri nga Elbasani, Kadri Blloshni nga Pogradeci, dhe mësuesi Lilë, të cilit mbiemrin ia kam haruar nga Presheva. Këta tre viganë të arsimit, pasi i hapën dhe i kompletuan shkollat, thuajse në çdo fshat, duke punësuar mësuesa të rinjë me semimatura, por njëherit duke i rikualifikuar nëpër kurse arsimore. Më vonë u emruan si inspektorë të arsimit, dhe kështu ata e fituan edhe adhurimin e popullit të Kosoves, prandaj edhe u martuan e krijuan familje.

 

Çka do të thoshte, konkretisht, dërgimi i 100 mësuesve në Kosovën e atëhershme?

 

Dërgimi i 100 mësuesve në Kosovën e atëhershme praktikisht do të thoshte më tepër se dërgimi i mbi 1000.- tankeve, të cilat do të bënin zhurmë e do t’iu dilte dikush që t’i ndalonte. Pra, uishte nj; revolucion i heshtur!

Në shtëpinë e madhe ku banonim tri familje, familja jonë banonte në katin përdhesë, kursë në kat, banonte Axha Ahmet Rexhepi me familjen e tij dhe Vajzën Bahrije. Bahrija i ngjante më shumë të emës, sesa të atit, kishte flokë të zeza natyrale, sepse në atë kohë, nuk ngjyroseshin floktë, sytë e zinj, të mdhej, si thotë populli si filxhanë, me bebza të mëdha si kokra rrushi të zi, kraharor e gjoks të ndërtuar për bukuri, ecte drejt dhe me elegancë, kurrë nuk e ngriste zërin, derisa fliste, të linte përshtypje, për një pjekuri të madhe. Pra kjo ishte mësuesja ime e parë, me të cilën u martue inspektori Kadri Blloshni, tani edhe ai banonte aty. Kurse inspektori Hasan Dylgjeri u martue me një vajzë poashtu mësuese, me emrin Eshrefe e quanin shkurt Eshka, të silës babën i a kishin vrarë l944. Zonja Eshkë me rrogë të mësueses, ishin shtylla e vetme e mbijetesës për nënën dhe dy vllëzër të vegjël, gjithashtu edhe mësuesi Lilë tani inspektor i arsimit, u pat martue me një vajzë që e kishte pasur, të njejtin fat si mësuesja Eshkë, emrin e kishte Alije. Edhe kjo punonte mësuese dhe kujdesej për nënën dhe dy vllëzër të mitur, sepse babën ia kishin vrarë Serbët më l944. Mësuesja Alije ishte me trup më fidane me bel të hollë, pak si bjonde, thjesht të magjepste me bukuri. Që të trija,  ishin shumë të bukura, dalloheshin nga vajzat dhe nuset tjera, por edhe burrat i kishin të bukur, të ndërtuar mirë dhe me shumë elegance, që në atë kohë neve na u dukte, shumë interesant, sa që ne fëmijtë, ashtu si ishim duke lozur, kur hyrte në obor z. Kadrije, nuk ia ndanim sytë, deri sa u ngjitëte në krye të shkallëve, kur ecte në tokë të rrafshtë, ngjitej ose zbriste shkallve, të shkonte mendja se ishte një baletan, e jo vetëm nji inspektor i arsimit...

Gjahu i shtrigave, ishte në vlugun më të madhë të mundshëm, përdorimi i strategjisë, të mësuar më parë nga Stalini, se për të forcuar partinë, duhet luftuar pa kompromis armiqtë e partisë, edhe nëse nuk ka, duhet shpikur, tani kjo strategji kishte marrë hov të tmershëm, mjaftonte me ia vënë etiketën “informbiroist” dhe patjetër e shijonte burgun e Goli Otokut famëkeq. Ketë metodë Titoja e kishte filluar qëmoti, edhe pak para përfunimit të luftës, me Emin Durakun, Ramiz Cernicën, Rifat Berishën, Sulë Durmishin e shumë të tjerë në Kosovë, e që janë përshkrue në shumë libra me emër, data dhe vende, e që patjetër duhet lexuar, sepse ai që dëshiron të ketë frymëzim për të ardhmën, duhet ta njohë të kaluarën, së paku këtë të afërmën. Këta libra nuk janë shkruar, për ta nxitë njeriun për luftë. Por që së paku të mos bien në grackat e armikut, si u ka ndodhë gjeneratave para nesh. Së paku ta dallojnë besën prej pabesës.

Një pasdreke z. Kadriu zbriti nga kati dhe Jakupit ia kërkoi një libër, që e paska pasur vllai im Nebiu. Jakupi e kërkoi dhe pasi e gjeti, ma dha mua për t’ia dhënë z. Kadriu, kur unë hyra në dhomën e tij, aty kishin qenë z. Hasan Dylgjeri dhe mësusi Lilë. Posa e morën atë libër, që ishte me kopërtina të kuqe, e që sigurisht me përmbajtjë politiko-historike, mund të ketë qenë, materjali i konferencës së Bujanit, i kompletuar në Libër apo diç tjetër, por e pashë se u bënë kokë më kokë dhe filluan ta studjonin me vëmendje.

Për zotri Hasan Dylgjerin flitej se ka qënë luftëtar i madhë, partizan i Shqiprisë, nëse nuk ka qenë ndonjë Hero i LNÇSH, sepse edhe milicija e at’hershme kishte konsiderat e si duket edhe ia kishin frigën.

Nga mesi i vitit l949, që të tre këta atdhetarë u arestuan nga UDBa dhe u dënuan me nga 10 vjet burg  të rëndë, nën akuzën: për organizim të grupit kundër shtetit dhe popullit, me qëllim të bashkimit të Kosovës me Shqiprinë, dhe i dërguan për ta vuajtur burgun, në Goli Otokun famkeq. Kurse në popull e plasuan propagandën, të cilën e bënin përmes këlyshve të vet, se kinse paskan  dashur, me u bashkue me Rusinë si Informbiroista, duke e ditur mentalitetin e popullit vendas, se askush nuk e donte Rusinë, por e donin Shqiprinë, që e kishin komb e vëlla, këtë metodë Jugosllavija e ka përdorë edhe më vonë, për të gjithë të burgosurit politikë, njëherit duke i sakatosur me burgje të gjata dhe duke jua ngjitë këtë etiketë, për t’i komprometuar, para pjesës së painformuar të popullit, e që nuk ishte numër i vogël. Më parë ka qenë, vetëm një etiketë, për atdhetarët e denuar, ajo ishte: Ballist “bashkpunëtor i fashizmit Gjerman”, tani u bënë dy etiketa, iu shtue edhe kjo “informbiroist”. Këtë e bënte për çdo intelektual të dënuar, me qëllim që populli, të mos krijojë heronj dhe mite rreth tyre. Me qenë se nën këtë akuzë ishin dënuar edhe shumë liderë serbë, sroatë e sllovenë, pjesa e hutuar e popullit, nuk e kishte vështirë ta gëlltiste këtë propagandë edhepse po t’i thërrisnin sadopak logjikës, kjo strategji e spastrimeve, nuk kishte të bënte fare me atë akuzë. Kurse në anën tjetër, çunat e thjeshtë e të pa organizuar, i quanin Ballistë, për t’u dhënë ngjyrë politike.

E keqja nuk përfundonte me kaq, por pa tjetër ju ndërhynte edhe në familje, dhe aty ku kishte sukses, i arrinte dy qëllime, duke jua shkatërrue familjen, nën një, dhe duke  jua rëndue në masë të madhe, vuajtjen e dënimit. Tani edhe këto tri familje, kalonin nëpër këto metoda fashizoide, e që jua bënin jetën skëterrë.  Çdo muaj, e të mos themi çdo javë, i thërrisnin njënganjë, her në Komitet të PK-te, herë në Kuvend komunal, pranë drejtorisë së arsimit e herë në UDB-ë, të trija gratë e inspektorëve të burgosur dhe u vënin kushte: ”nëse doni të ktheheni në arsim dhe të avancoheni, patjetër duhët të hiqni dorë, nga jeta martesore dhe të shkurorëzoheni nga burrat tuaj, sepse ata janë armiq të popullit”. Këtë na e tregonte zonja Bahrije, sa herë që kthehej në shtëpi, nga këto biseda të mundimshme dhe shumë torturuese, sepse ishin të kombinuara me kërcnime edhe për lirinë e tyre.

Bashkshortja e z. Hasan Dylgjerit, uonja Eshkë, meqë i kishte në barrë dy vëllezër të mitur dhe nënën, për t’ua sigurue kafshatën e bukës. U përkul para këtij presioni psikik dhe ekonomik, dhe pas një viti nga dita e arrestimit të tëshoqit, u shkurorzua nga z. Hasani, pa qenë i nevojshëm pëlqimi edhe i bashkëshortit.

Me mësuesën Bahrije Blloshni dhe mësuesen Alije nuk ndodhi kështu, këto dy gra sorkadhe, sikur ishin të ndërtuara nga një materjal tjetër, të pathyeshme. Të paluhatura po ju qëndronin besnike burrave të vet. Zonja Bahrije banonte te prindërit e vet, ku edhe ushqehej, fare rrallë dilte nga shtëpija. E si të dilte?- kur vagabondët, të porositur nga UDB-a, nuk e linin rahat as në rrugë. Më kujtohet një rast, kur Mësusja Bahrije, duke u kthyer nga drejtorija e arsimit pranë K.K., e torturuar si zakonisht, që vërehej nga fytyra e saj, sepse ishte nervozuar dhe mërzitur, sa të shkonte mendja se don me eksplodua e me u bë njëmijë grimca.

Në sokakun e ngushtë, që shkonte deri te shtëpija jonë, ishim duke lozur disa fëmijë të lagjes, aty pran; neshë,  rrinte edhe një djalë të njëzetave e që e kishte emrin Tefik, na vintë pak për t’u çuditur, çfarë kërkon një burr, me ndejtë me fëmijë dhjet vjeçarë?- sa i kishim në atë kohë. Kur u afrue mësusja Bahrije, përë të kalue pranë nesh, ai farë Tefiku, vrapoi dhe nga prapa e pickoi fortë në vithe. Edhepse e pamë të gjithë dhe na erdhi shumë vështirë, sa s’mund të përshkruhet, sepse në atë kohë, ky gjest ishte së tepërmi i ultë. Megjithatë, nuk patëm guxim t’ia thoshim ndonjë fjalë, aq më parë, kur e dinim se ky person, shoqërohej me milicë e udbashë. Por kjo trimneshë që nuk përkulej as para udbës as para djallit, reagoi shumë ashpër duke i thënë:

-Unë e di se kush të ka thënë, e kush të ka shti, more këlysh i shkaut, s’të vie turp, a pak po ma nxinë jetën shkiet, por edhe ti, që babë e nënë i ke shqiptarë, nuk po më lini rahat, as në rrugë me dalë...

E zhgënjyer pa masë, e uli kokën dhe vazhdoi rrugën, shkoi në shtëpi, unë e lashë lojën dhe kur shkova në shtëpi, e gjeta mësusen Bahrije duke qarë me zë, kurse nëna e  vet e ngushëllonte dhe i jepte kurajo.

Ja se si kjo zonjë e çeliktë, mësuesja ime e parë, duke u kacafytur me problemet e përditëshme që i sjell jeta e me torturat dhe grackat, që ia bënte regjimi, mbijetoi dhe e priti burrin me nder, plot pesë vite e gjysmë, sepse me gjasë kishte ndërhyrë shteti Shqiptar, kurse Jugosllavët bëheshin kinse ia kishin falë disa vite; në vjeshtë të vitit l954. që te tre u liruan dhe erdhën në shtëpi, te gratë e veta në Gjilan. U gëzuem të gjithë për lirimin e Zotëri Kadriut, prandaj u ngjitëm naltë gjithë familja, për të ndejtë me të. Çfarë kishe me pa?- nga bukuria e më parme, nuk kishte mbetë gjë për gjëje, kishte zbritur në peshë, zor s’i kishte dyzet kg.; nën fyt iu kishte bërë një gropë, sa mundë të vendosej një arrë me gëzhojë, më shumë gjasonte me ndonjë silluet, sesa me atë që e kena njohur para burgimit. Nga xhepi i palltos së zezë e nxori, një kuti të vogël llamarine, ia hapi kapakun dhe na tregoi: ja se si kemi zbuluar si të ndizet zjari pa shkrepsë, nxori një pullë të bardhë nëpër të cilën e kishte kaluar një pe andej e këndej, dhe e kapi me gishtat e të dy duarve, dhe pasi e drodhi mjaftueshëm, e tërhiqte dhe e lironte, pulla sillej herë mbarë herë mbrapshtë, ashtu si lozin fëmijët, një pllakëz metali e mbante me gishta tjerë, kur e prekte për pulle, ajo nxirte shkëndija, në kuti kishte pak shpuzë të bezit të djegur, i cili nga shkëndijat u rindezte, pasi i frynte pak me gojë, zjari përhapej, sa për ta ndezur cigaren. Kjo shpikje, neve nuk na u duk fare interesante, sepse tani kishte shkrepsa sa të duash, bile edhe me njëqind fije, por për shkak të respektit, bëheshim se na vinte interesant, njëherit edhe na pikllonte fakti, se çfarë paskan bërë me një intelektual, të kalibrit çfarë ishte Kadri Blloshni.

Pas një apo dy muajsh pas dalëjes nga burgu, Zotri Hasanit, Kadri dhe Bahrije Blloshnit, që të treve ju lejua shpërngulja, për në Shqipëri, dri para tri vite kanë jetuar në Pogradec, pastaj kam ndëgjue se janë shprërngulë në Tiranë, shpresoj të jenë gjallë që të tre edhe në këtë moment kur unë po shkruaj për ta. Arsimi, kultura dhe Kosova në përgjithësi, u ka shumë borxh këtyre shpirtërave të përvuajtur.

 

                                             X

 

Në vitin l950. pas përfundimit të planit pesvjeçar, si e ksishte aprovue regjimi, për ndërtimin e shtetit dhe ekonomisë, gjendja ekonomike ishte stabilizuar deri diku, në krahasim me atë, të pasluftës. Tani, emigrimi i Shqiptarëve nga Shqipria për në Kosovë e Jugoskllavi, kishte marrë hov, ndër të parët, kishte ardhë edhe një kuazi mësues, i quajtur Ali Ramdani. Unë tani isha duke e vijuar klasën e tretë, dy vitet e para i kishim vijue me mësuesën Bahrije, një pedagoge e përkryer, meqë na e patë përfitue dashurinë,  kishim shumë vullnet me shkue në shkollë, prandaj edhe bënim gara, kush do t’ia msojë mësimin më mirë.

Për fatëkeqsinë tonë, komiteti na e kish caktue këtë farë spiuni, të quajtur Ali Ramadani, që të mbajë mësim me klasën tonë, që ditët e para na e futi frigën ne palcë, sepse tërë orën mbante në dorë një vizore të gjatë prej druri, që në mëngjes, nëse dikush nga nxënsat vonohej, për orën e parë, nuk e pyeste për arsyen, por vetëm  thoshte:

-A nuk ke mund me ngrënë paçamurin (kaçamakun)?- dhe duhej shtrirë dorën e vogël, për të marë pesë të goditura me vizore, në njërën dhe pesë në tjetrën dorë. Kishte raste kur ndonjë nxënsë fliste ndonjë fjalë, me të cilën e prishte qetësinë, ose për mos kryerjen e detyrave shtëpiake, e godiste fort me teh të vizores në kokë, sa i plaste gjaku fëmijës.

Nga frika e madhe që më kishte përfshirë, fillova me i humbë aftësitë edhe të shkruarit, kur më urdhronte me dalë në drasë të zezë, për ta shkrue ndonjë tekst, të përbërë nga disa fjali, unë e mbështetësha dorën për dërrasë, me qëllim që t’i shkruaja germat sa ma të bukura, që t’i pëlqenin atij, me ç’rast nuk mund ta mbaja vijen e drejtë të reshtit, por shkruaja si në gjysmë harku, pa e ditur se çka po ma shkakton, këtë lakim të rreshtit? Ai nuk më thoshte, të mos e mbështes dorën për dërrasë, por thjesht ma fuste vizore dhe më dergonte në vend duke qarë.

Nga gjendja e dobët ekonomike, të gjitha familjet, nuk mund të mbanin higjienën e duhur, kështuqë duke u endur mësuesi nëpër klasë, ia kishte parë një nxënsi, një morr në qafë, filloi ta godasë me vizore morrin në qafën e fëmijës, aq shumë herë, deri sa e mbyti morrin, pa i vu veshin, se fëmija gati u alivanos duke qarë.

Me përfundimin e gjysëmvjetorit të parë, u hap shkolla në gjuhen turke, kjo neve na u duk si derë shpëtimi, kështu që mbi gjysma e nxënësve të klasës, e lëshuam këtë shkollë dhe u regjistruam në gjuhën turke. Unë nuk kisha shumë problem, sepse gjuhën turke e pata mësuar deri diku, nga shokët e lagjës, meqë në lagje kishte familje me origjinë shqiptare, por në shtëpi flisnin turqisht. Por në mesin tonë kishte edhe nxënës që nuk e dinin fare turqishtën, por vetëm për të shpëtuar ng ai farë mësuesi Ali Ramadani, u regjistruan në këtë shkollë, meqë ishim fëmijë, shpejt e përvetësuan gjuhën edhe ata.

Pas dy vite, mësuesin Ali Ramadani, UDB-a e kishte dërguar, me detyrë të caktuar në Itali, por atje, nuk i kish pas shkue puna mbarë, sepse, emigracioni Shqiptar, ia kish pas hjekë flamën, si thotë populli.

 

                                          XI

 

Në vtin 1951, Titoja e shpalli amnestinë e përgjithëshme, për të arratisurit që nuk i kanë duart e përgjakura, e kjo nënkuptonte ata shqiptarë, që nuk kanë pasur konflikt me serbë, sepse për me shqiptarë nuk kishte dert, por jo edhe për ata, që kanë qenë të radhitur nëpër grupime politiko-ushtarake, kundër okupatorit serbosllav. Tani shumë kaçakë që  kishin mbetur nëpër male, për shkaqe të ndyshme, iu dorzuan pushtetit, shumica prej tyre, pas hetimeve të cilat zgjatnin 5-6 muaj, liroheshin dhe shkonin në shtëpitë e veta. Kurse disa prej ture, për shkak të akuzave që jua bënin fqinjët sërbë, dënoheshin sipas paragrafit, organizim kundër shtetit dhe popullit, si ishte rasti i vëllëzërve Hajdar e Rrahmon Rexhepi nga Malisheva e Gjilanit, që u dërguan në vuajtje të dënimit në burgun e Mitrovicës së Sremit, burg famëkeq, si ai i Goli Otokut, në kohën kur në po këtë burg, patën gjetë vdekjen e panatyrëshme, mbi dyzet të burgasur politikë, që shumica ishin nga Mitrovica e Kosovës. Në atë kohë flitej se jua kanë dhënë bukën të perzier me zallë, sepse të gjithë patën vdekë nga dhëmbjet e lukthit. Këtë dukuri, në një rast bisede e pati përgënjeshtruar Rrahmon Rexhepi, më vonë Haxhi Rrahmoni. Ja si ishte rrëfimi i tij për këtë ngjarje: Bukën që na e jepnin ishte e misrit dhe e ftoftë, pos bukë nuk na jepnin gjë tjetër, të burgosurit nga fshatrat e varfëra, të mësuar me ngrenë bukën thatë edhe më parë, gjandrat tona pështymore, ishin më aktive dhe prodhonin pështymë të mjeftueshme, për ta lagur bukën, prandaj buka nuk na bënte dam. Kurse te personat me standard më të mirë, nga të cilët, kishte edhe beglerë dhe agallarë, të mësuar që bukën me ngrënë me gjellna e mish, atyre gjandrat nuk u prodhojëshin pështymë të nevojshme dhe ashtu buka mrume e misrit e pa lagur mirë, ju bëhej shtangim në zorë dhe lukth, nuk mund të kryenin nevojë dhe brenda më pak se një muaji, vdisnin, me dhëmbje të mëdhaa në bark. Sidoqoftë, ata që u dorzuan, nuk i mernin më tepër se 5-6 vjet burg. Dhe pas vuajtjes shkonin në shtëpitë e veta, te familjet.

Malet tani ishinë zbrazur nga të arratisurit, i vetmi që kishte mbetur në male, ishte Hasan Alija (Remniku), truproja i dikurshëm i Ramiz Cërnices, nga grupi i tij politiko- ushtarak, disa ishin vrarë dhe disa kishin dalë në shtete tjera. Hasani, kryesisht qëndronte në malet e Zhegovcit Verior, aty kishte jatakë më besnikë. Në atë periudhë ato male ishin si një minizonë e lirë, sepse as milicët e as pylltarët, nuk guxonin të bredhnin në grupe të vogla. Më kujtohet, se njëherë një pylltar serb, kishte marë guxumin, me dalë në ato male dhe pas torturimit të disa fshatarëve, e zë Hasani dhe e lidhë për një lisi, ia merr pushkën dhe revolen dhe e kishte pas rrahur shumë, ashtu të lidhur për lisi e kish pas lënë në mal, të nesërmën e kishin pas lirue fshatarët, që e kanë gjetur rastësisht. Atë pylltar e kam parë shpesh në qytet, dhe nuk e di se apo nga frika që i kishte pas hyrë në bark, apo nga dajaku, por gjithnjë vinte duke u tharë dhe nuk i shkoi fort gjatë.

Në Fshatin Bresalc të Gjilanit, ishte komandir i stacionit të milicisë, njifarë Bajram komandiri, flitej se bënte kontakte me Hasanin dhe se në ndonjë Odë edhe luajshin letra bashkë. Një ditë vere, e dërgon një patrollë milicije, të përbërë prej një milici serb dhe tjetri shqiptar, që në lagjen e Kurdijajve të fshatit Ponesh, për ta marrë në pytje njërin nga jatakët e Hasanit, pasi e kryen punën, duke u kthyer nëpër rrugë mali, e takojnë Hasanin, i cili kishte qenë duke e arnue një çorape, kur i sheh Hasani, e lëshon gjilpërën dhe e kapë pushkën dhe në vend e vret atë milicin sërb, kurse milicin shqiptar e lë të ikë, i shkreti kishte qenë tmerrue nga friga dhe megjysëm fryme kishte pas rapotrue, në stacionin e milicisë. Më kujtohet se Komandir Bajramit, i kishte pas mbetë hatri pse e ka vra sebin e  jo shqiptarin, se gjoja na e paska prishë vllaznim-bashkimin. Pas këtij rasti, më nuk dilte as edhe një zyrtar në ato male, të gjithë aktivitetin e zhvillonin përmes spiunëve të vet shpirtshitur.[1]

Kohëpaskohe UDB-a, së bashku me mbrojtjen popullore dhe civile vullnetarë e të detyruar, me nga njimijë e dy mijë trupa, i rrethonin zona të tëra malore, për ku kishin informata nga spiujt e vet, se ndodhej Hasan Remniku, por gjithmonë u shkonte huq, sepse kush ishte ai, si guxonte me ia kthye pushkën Hasanit, se kishte dalë fjala se ate nuk e merë plumbi. Një rast të këso rrethimi, e kam parë edhe unë, në malet e Karadakut, nga fshatin Uglar, Pograxhë, Llofcë e deri në Preshevë, duke e mbyllë rrethin nga fshatrat, mbi dhe nën Zhegër. UDB-a, duke parë se Hasani është berë i pa kapshëm dhe se falë trimërisë ishte bërë legjendë e gjalë. Me shumë jatakë e simpatizues, që mund të paraqisnin një rrezik potencial për më vonë. Vendosi të përdor një taktikë tjetër.

Një mënges ende pa zbardh dita, na u futën në shtëpi një grup milicësh dhe filluan ta kontrollojnë shtëpinë, duke hypur edhe në tavan, meqë shtëpia jonë, ishte afër burgut të vjetër, sepse burgu i ri, është ndërtue më vonë, kinse se kishin dyshime, se mos është mshefur një i burgosur, i cili me pranga u paska ik nga burgu. I aratisuri nga burgu quhej Agush Mehmeti nga fshati Bresalc, i cili ishte burgosur së bashku me një grup, në mesin e tyre ishte edhe nji serb, kapetan i çetnikëve i quajtur Dulla, nga fshati Ranilluk. Ky grup ishte organizue po në këtë vit, dhe pasi e kishin vrarë sekretarin e koperativës në fshatin Shllovë, kishin prerë edhe do shtylla telefoni... Pasi nuk gjeten atë që kërkonin, për mos ta gjetur, pasi që ata  vetë e kishin liruar. Na treguan se u paska ikur një i burgosur me pranga në këmbë a në duar, kjo prrallë neve nuk na bindi fare, na u duk si farsë, sepse e dinimë se nuk është e mundur.

Por pas disa dite, u bindëm se kjo paska qenë e vërtetë, por jo ashtu si na patën tregue milictë, por se UDB-a, pasi që e kishte bindur Agushin për bashkëpunim, duke i premtuar lirinë, ia kishin bërë të mundur ikjen, me qëllim që të bashkohet me Hasanin dhe atë ta qesë në kurthë. Ashtu edhe ndodhi, sepse një burrë nga Fshati Pasjak, si ia kishte prerë prangat, ia bënë të mundur edhe takimin me Hasanin. Pasi Agushi i premton Hasanit besnikrinë, Hasani e pranon në grup dhe tani prapë UDB-a mbetet e humbur, në luftë me Hasanin.

Tani e gjetur në një situatë të pa shpresë, për futjen e Hasanit në kthetra, fillon arrestimin e bashkpuntorëve të Hasanit, të cilët jetonin në legalitet, e veproninë në ilegalitet. Për të cëlët UDB-a, kishte informata të bollshme, të marra nga spiunët shqipfolësa. Filluan me mësuesin Mustafë Hetë Koka, i cili ishte mësues fshati në Remnikun e Hasanit, i dërguan dy oficer të UDB-ës në banesën e Mustafës. Me që kishin mbrri në orët e vona të pasditës, dhe duke e konsiderue Mustafën, si kafshatë të lehtë, vendosin që atë natë të flejnë, në banesën e mësuesit Mustafë dhe të nesërmën ta marin me vete. Por për fat, nga lidhjet që i kishte grupi, informohet Mustafa, për qëllimin e ardhëjes së Udbashve. Mustafa nuk e pret mëngjesin, por i vret që të dy dhe arratiset po atë natë. Shkon dhe i bashkangjitet Hasanit. Disa ditë më vonë e mori edhe të fejuarën e vet në male, tani i kemi katër në Grup. Agushi poashtu e kishte të fejuarën me emrin Qibrije, në Fshatin Pozharan, për të cilën u bë fjalë në kaptinën e tetë. Me qenë se tani e kishin edhe një grua të re në mesin e vet dhe se rrethanat vepruese ishin ngushtue së tepërmi, grupi vendosë të gjej mënyrë për të dalë në Shqipëri, prandaj i thanë Agushit, se edhe ai mund ta merrte të fejuarën me vete, gjë që edhe ndodhi, tani ishin në malet tona tre trima dhe dy shqiponja. Bridhnin nëpër male e fshatra malore, e kush t’u dilte para,

                                                                                                 

                          XII

 

10 tetor l951, edhe kjo vjeshtë do të mbahet mend, për egërsinë e pushtetit serbosllav, sepse pos vrasjeve në pabesi, ndodhën edhe shumë arrestime të shqiptarëve, që konsideroheshin si jatakë të grupit të Hasanit, që të gjithë morën dënime të gjata kohore. Sipas paragrafit për organizim kundër shtetit dhe popullit.

Dita ishte me diell, si të ishte ditë vere, të gjithë fimijët ishin duke lozur jashtë shtëpisë, edhe unë me një grup shokësh, ishim duke lozur jo larg pazarit të perimeve, si i thoshin (loma e drithit), në një moment, dikush na tha se i paskan vrarë, disa ballista dhe se i kanë prue te loma e drithit, meqë nuk ishim larg, me vrap arritëm ndër të parët dhe iu afruam kamionit tre tonsh, ku ishin të shtrira kufomat. Prapa nesh u grumbulluan shumë njerëz kureshtarë. Pas pak, ariti një oficer i Oznëz me uniformë, të cilit më vonë ia mësova edhe emrin, quhej Jova Gariq. Me të aritur, triumfalisht hypi në rimorkio të kamionit dhe filloi shkarkimin e kufomave, as njërin nuk e prekte me dorë por vetëm duke i shqelmuar, herë nga koka herë nga këmbët, i afronte në skaj dhe pastaj me një të shtyer me këmbë i plaste në tokë; së pari ia filloi me gratë, sepse ato ishin më kah fundi i rimorkios, pastaj e hodhi Mustafën, disa përplaseshin me kokë sëpari, disa me këmbë, e disa përsëgjati. Por, si për çudi, kur e gjuajti Hasanin, i ra me këmbë sëpari, dhe kur iu përplas trupi përtokë, një dorë ju ngrit përpjetë. Në atë moment një grua serbe e lëshoi një zë trishtimi dhe kur e ktheva kokën, pashë se asaj i kishte rënë të fikët. Një serb i moshuar, rreth të gjashtëdhjetave, me një republikë në kokë, kishte qenë trupëmadh, për një kokë ishte më i gjatë se të tjerët, dy rreshta pas meje, foli duke ju drejtue Oficerit të Oznës me zë të lartë: (Udri sada maj?in sine, kad je bio živ nisi smeo ni u zasjedu da ga ?ekaš). Që në përkthim do të thotë: bjeri tash he bir i mamasë, se kur ka qenë gjallë, as në pritë s’ke guxue me i ndejtë). Edhe tani, ne që ishim para tij, e kthyem kokën, e shikuam dhe na erdhi pak si ngushllim. Kështu me radhë e pëplasi në tokë edhe Agushin. Kamioni u largue nga aty, kurse kufomat i tërhqnin zvarë dhe i radhitënin në gjysëmharku, në tokë me pluhur, me nga dhjetë metra larg njëratrjetrës, për t’ia ekspozue popullit, me i pa dhe me u tmerrue nga kërcënimi se çfarë i gjenë ata që marin guximin me iu kundërvue këtij pushteti okupues, dhe skajshmërisht, antinjerzorë e tradhtarë.

Ashtu si që ishim në grup të ngjeshur, duke shikuar këtë skenë mizore e antinjerzor, ku nuk kishte respekt minimal ndaj kufomava të kundërshtarëve politikë, së paku ndaj atyre dy grave, edhepse e gjithë masa ishte në dijeni, se këto dy nuse të reja, e tani të vdekura, nuk kishin bërë asnjë më të voglin mëkat, pos që fati i tyre ka qenë i përcaktuar, të martohenë dhe të ndajnë fatin me buratë e tyre. Ndjenja e mosarsyetimit, të këtij skenari antinjerzor, besoj ishte prezente edhe te pjesa e masës joshqiptare, sepse ajo ndjenjë, e detyroi edhe reagimin e atij Serbi trupmadh. Kurse te pjesa e masës shqiptare, pati ngit revolltë dhe hidhërim të paparë, sejcilin që e shikjoje, ishte nxirë dhe të shkonte mendja se edhe po t’iu bie thikë, nuk do u dilte pikë gjaku. Tani duke i zhvendosur kufomat, që i tëthiqnin zvarë, sikur ujku prenë, edhe masa u shkonte pas. Shumica shkonin pas Hasanit, të cilin e kishin zhveshur në shokë e përpjetë, me qëllim për t’ia parë vrimat e plumbave në gjoks. Disa shkonin tek të tjerët, kurse unë shkova te nusja, të cilën e njihja sa ishte vajzë, që e kisha takuar në banesën e motrës Mevlude.

Kufomat kishin të veshur uniformë ngyrë të gjelbërt, që gjasonte me uniformën e pylltarve, që i shihnim nëpër qytet, ishte thjesht nga shajaku i trashë dhe me ngjyrë të gjelbërt, kurfarë amblema nuk kishin, për dallim të dyja gratë kishin nganjë kanac (pështjellak), të veshur mbi pantallona. Rrobat në trup nuk i kishin të lagura edhe njolla gjaku nuk kishin, mund shiheshin qartë vrimat e zeza nga baruti në gjoksin e Hasanit, që jepte me kuptue, se janë goditur për së vdekuri,  rrobat e terura dhe pa njolla gjaku e hudhnin poshtë shpjegimin e Udbës, se janë vrarë, duke e kaluar lumin Bistricë, afër Prizerenit, pështjellakët e veshur mbi pantallona, na vënin në dijeni se gratë kanë qenë të ndara nga burat dhe të vendosura në konaqet e grave, të ndonjë familje, prandaj pështjellakët jua kanë huazuar për atë natë, sa për t’u dalluar se janë gra, e jo burra. Metoda për maskimin e vendit të ngjarjes dhe trillimet e UDB-së, për ta fshehur familjen tradhtore, ku kishte ndodhë ngjarja e helmimit të tyre, me këto shenja që nuk i kishin paraparë, e zbulonte realitetin, për të cilin edhe masa fliste ndërmjet vete. Thoshin: këta nuk qenkan vrarë në pritë, i paskanë helmuar, në ndonjë shtëpi trathtore dhe pastaj, ku ta dijsh se ku, jua kanë shkrep pushkë, për së vdekuri. Kohëpaskohe largohësha nga kufoma e nuses Qibrije dhe i vizitoja kufomat tjera, kufomat nuk e kishin humb bukurinë fare, dukeshin si të gjalla, më pikëlluese ishte kufoma e Mësuesit Mustafë, sepse atë e kishin goditur me sëpatë në kokë, për së vdekuri, kështu që i dukëshin trutë e bardha, të dala nga koka e çarë. Hasani kishte gjoks karakteristik që do mbahet mend nga ata që e kanë parë aty, sepse e kishte gjosin të mbuluar me lesh të shpeshtë, të thinjur ngapak, por të gjatë e të dredhur, që tregante se ishte i dominuar nga hormonet mashkullore, kishte shumë vrima plumbash, të gjitha në gjoks. Agushi i kishte vrimat e plumbave në pallto të uniformës, poashtu në gjoks, më sa dukej, tek të gjithë kishte shtirë i njejti person me të njëjtin automatik.

Prapë kthehesha te kufoma e nuses Qibrije, ulesha ngaluc dhe rrija me orë të tëra, duke e shiquar, ndaheshe nga ajo dhe shkoja sa për të ngrënë bukë vetëm kur më kapte urija së tepërmi, prapë me vrap kthehesha tek ajo, ndjeja dhembje ma tepër për të, sepse e kisha njohur të gjallë. Asnjëri nuk guxonte me i prekë kufomat, për të rregulluar gjë, vetëm mund të shikonim. Diku pasdreke erdhi një njeri i moshuar rreth të gjashtëdhjetave, me rroba popullore fshatare, por nga veshëmbathja dallohej se ka një standard të mirë dhe të privilegjuar: ju afrua kufomës së Qibrijes dhe pasi ia zgjidhi tojën e kanacit, po me atë kanac, ia mbuloi fytyrën nuses së re Qibrijes, askush nuk i dha ngushëllimin, unë pak sa u çudita për guximin e tij, por edhe me njerëzit përreth, pse nuk e ngushëlluan. Ky njeri vetëm këtë e bëri dhe shkoi pa thënë ndonjë fjalë, masa filloi të fliste: ky ishte baba i Sinan Hasanit, vetë Xhela, e rregulloi kufomën e vet, e për të tjerat as s’e pati dert, bile as me i shique me sy.

Dihet se Sinan Hasani ishte nga Pozharani, Qibrijen e kishte të gjakut të vet dhe se Sinani në atë kohë ishte Sekretar komiteti i Partisë komuniste në Gjilan, prandaj i kishte lejue babës vet, për ta bërë këtë veprim.

Vllëzërit e Qibrijes vinin, rrinin dhe shkonin, por nuk guxonin nga pushteti, as me prekë, por as me thënë ndonjë fjalë për motrën e tyre të shtrirë aty në tokë.

Kjo ekspozitë makabre, me trupa të vrarë të njerëzve, zgjati katër ditë, kufomave filloi t’u vinte era kundërmuese, gjatë natës së tretë, qentë endacakë kishin damtuar kufomat, sidomos të mësuesit Mustafë, atij i a kishin ngrenë trutë e dalura, nga e çara e kokës. Natën e katërt, kur nuk ka pasur njeri në rrugë, UDB-a i kishte marrë kufomat dhe i ka varosur diku, askush edhe sot muk e di vendin as vorrin e tyre.

 Për vendin e vrasjes së këtij grupi atdhetar, egzistojnë disa variante. Disa thonë, se janë helmuar e pastaj vrarë në Fshatin Bresalc të Gjilanit, kurse një variant tjetër thotë se janë helmuar e pastaj vrarë në një shtëpi prapa kalasë së Prizerenit, në një fshat të shpërndarë malor, jo larg shtratit të Bistrices, dhe se nga aty pas dy dite, kufomat e stanguara janë sjellë në lumin Bistricë, duke inskenue ngjarjen sikur ka ndodhur aty, për ta mbrojtur familjen trathtore nga hakmarja.

Kam pas rastin të dëgjoj nga dy njerëzë, të cilët në atë kohë kanë punuar si milicë, nëpër poste të milicisë, në qytete të ndryshme. Njëri prej tyre ishte Sabit Avdiu nga Gjilani. Në vitin l951. ishte milic në Duhle, komuna e Therandës (Suharekës). Po në këtë vit Sabiti e lë detyrën e milicit  pa dhënë arsyetim Shtetit, pos grues së vet i kishte thënë:   -Unë kamë grue e fëmijë dhe mendoj t; bëj hala, prandaj s’mund ta mbajë këtë detyrë dhe pastaj deri në pensionim, punonte si rojtar pylli. Rrëfimi i tyre ishte kështu:

-Na kanë urdhruar që, nga dy milicë të kombësisë shqiptare, po thuaj nga të gjitha postet e milicisë të Kosovës, me shkue me u zënë pritën, disa ballistëve.

Me kamionetë na dërguan deri te lumi Bistricë, prapa kalasë së Prizerenit. Eprorët na thonin se këtu, në ora kaq e kaq minuta, do të kalojnë ballistat, kur të ndezen dritat e reflektorëve, ju të gjithë do të gjuani në ta, kur të fikën dritat, me ato mjete që keni ardhë, do të shkoni në vendet e juaja të punës, sepse për kufomat do të përkujdeset UDB-a. Këta njerëz, me bindje thonin se i kanë parë në këmbë dhe kur janë rrëxue, në shtrat të lumit, nën breshërin e armëve. Kur i pata pyetur, se sa larg kanë qenë nga vendi, ku kanë ra të vrarët, më patën thënë se çdo pritë, ka qenë më larg se 200 metra, dhe se nuk u kanë lejue me u afru e me i parë kufomat. Gjë që të bënë të dyshosh se Kufomat e shtanguara, janë prue aty dhe është improvizue skenari, duke i mbajtur në këmbë me anë të shkopinjve, të reshtuar sikur donë me kalue lumin dhe dikush nga istikami, buzë lumit me anë të litarit të lidhur për shkopinj, në momentin e krismave e ka realizue rënjen e tyre në lumë.

Nëse do t’i besonim këtij verzioni, atëherë pse kufomat, nuk i kishin rrobat e lagura, ose të terura në trup?- që do të vërehej se kanë qenë të lagura, pastaj pse gratë kishin kanac (pështjellakë) të veshur mbi pantallona, që do t’i pengonte gjatë marshimit. Ose, shtrohet pytja se kush do t’u a vishte pështjellakët për së vdekuri?

Varianti si e tregoninë këta dy ish milicë, që me këmbëngulje vërtetonin, se i kanë parë në këmbë, duke kaluar lumin dhe se gjatë krismave të shumta janë rrëxue në lumë, sepse sipas tyre, terreni ka qenë plotësisht  ndriçuar, me reflektorë dhe fara të kamionetave, nga bregu i kalasë dhe nga  rëaza e kodrës në anën tjetër të lumit Bistricë. S’ka edhe pse të mos u besohet këtyre dy rëfimeve, por varet se çfarë dhe kë kanë parë, këta dy ish milicë.

Për këtë ngjarje më së miri dhe me saktësi do të kishte tregue Mehmet Maliqi, i cili në ato kohëra ishte shef i Oznës, e pastaj UDB-së për Kosovë, sepse në një rast, në kohën e zgjedhjeve, në fabrikën e mëndafshit Printeks në Prizeren, para punëtorve të tubuar, Smajl Zenunin e prezenton, si Kapetan Lleshi. Dihet mirë se Smajlë Zenuni, oficer i OZN-së gjatë luftës dhe pastaj komandant i policisë në Gjakovë, ishte i infiltruar nga UDB-a në grupin e Hasanit, kinse si Emigrant nga Shqipërija, i arratisur kinse për vrasje, por i cili e ka bërë të mundur edhe vrasjen e këtij grupi atdhetarësh.

Për këtë ngjarje makabre në vitin 1994, kam dhënë intervitë para gazetarëve në shtetin Zvicran. Motivi ishte se më kritikuan, pse i urrejkëna kaq shumë Serbët, e si të mos i urrej u thashë, kur ata nuk kanë mëshirë as konsideratë, as ndaj kufomave të gjinisë femrore të shqiptarëve dhe ju rrëfeva ngjarjen në tërësi. Tani mendoj se edhe vetë janë bindur, nga skenat që i kanë parë, përmes mediave elekronike, gjatë luftës në Bosnjë, Kroaci dhe të fundit në Kosovë.

 



[1] Mejdi Asllani: Fjalë e re (Neologjizmë): SHPIRTSHITUR-I m. sh. -, -IT. Shpirtskllav, i shitur te pronari pushtues.