| E diele, 02.05.2010, 09:59 PM |
ORGANIZATA “BASHKIMI DIBRAN” NË MBROJTJE TË SHQIPËRISË SË BASHKUAR
Nga Vebi Xhemaili
Vebi.xhemaili@gmail.com
Në territorin e prefekturës së Dibrës, sidomos midis Dibrës dhe-Peshkopisë vepronin bajraktarët dibranë, të cilët përbënin “Bashkimin Dibran”, ata mbanin shumë njerëz të armatosur. Organizata “Bashkimi Dibran” luftonte hapur kundër sundimit italian. Kjo organizatë u shkatërrua pas kapitullimit të Italisë, disa nga pjesëtarët e tij kaluan në radhët e Abaz Kupit dhe të Ballit Kombëtar.[1] Ndër ta me të dëgjuar ishin: Hysni Dema, Ali Maliqi, Fiqri Dine, Faik Maliqi, Miftar Kaloshi, Azis Kaloshi, Selim Kaloshi. Ndërsa Aqif Lleshi dhe Haxhi Lleshi kaluan në anën e Luftës “Nacionalçlirimtare” të Shqipërisë.[2]
Bajraktarët dibran kishin grumbulluar mbi 2 000 veta, të ndarë në disa grupe.[3] Shumica e këtyre ishin kundër Luftës partizane të ashtuquajtur “Nacionalçlirimtare”, këta bashkëpunonin me Legalitetin dhe Ballin Kombëtar. Gjatë viteve 1941-1944 një numër bajraktarësh nga Dibra bashkëpunuan me misionet ushtarake të Anglisë, në disa raste edhe me okupatorin italian e atë gjerman.[4] Anëtar i kësaj organizate ishte edhe Cen Elezi.[5] Dibra në këtë kohë ishte ushtarakisht e organizuar mirë, ku vepronin 6 njësite vullnetarësh, me një efektivë me mbi 1 200 luftëtarë. Njësiti me numrin me të madh të pjesëtarëve ishte ai i Miftar Kaloshit, i cili kishte mbi 600 veta.[6] Ai mori pjesë aktive në marrjen e Dibrës nga partizanët dhe ishte bashkëpunëtor i ngushtë me Xhemë Gostivarin në operacionet e përbashkëta luftarake.[7]
“Bashkimi Dibran” kishte këto detyra:[8]
-Të luftojë kundër italianëve;
-Derisa të zgjaste kjo marrëveshje të ndërpriteshin hakmarrjet në mes njëri-tjetrit.
-Të mirat materiale nga lufta, apo pagat që merrnin nga pushtuesit të ndaheshin sipas njerëzve që ishin angazhuar në aksione. Nërsa sipas Lutfi Rusit, “Bashkimi Dibran” ka vepruar vetëm për të mbrojtur pikë së pari interesat e tyre personale.[9]
Më 12 prill 1943, “Bashkimi Dibran” thirri marrëveshjen e bajraktarëve dibran me ato të Peshkopisë, takimi u mbajë në Peshkopi, ku u shpallë “Besëlidhja Shqiptare”. Këtë marrëveshje e nënshkruan; Hysni Dema, Fiqri Dine, Cen Elezi, Halil Alija, Selim Kaloshi, Ramadan Hoxha, Jusuf Xhilaga, Vehbi Runja, Faik Shehu, Ali Maliqi, Osman Serdari, Sheh Emurllahi, Sabri Maqellara, Ramiz Dema, Ukë Cami, Mahmud Përvizi, Qemal Shehu, Sheh Aliu, Selman Shehu, Dervish Lusha, Muharem Hoxha, Azis Marku, Sali Markaja, e disa të tjerë. Sipas kësaj marrëveshje ndalohej hakmarrja, vëllavrasja, grabitja, prishja e qetësisë e tjerë.[10]
Në këtë kohë Haxhi Leshi nuk ndodhej në Dibër, pasi ishte internuar që nga fillimi i vitit 1940, me ndërhyrjen e diplomacisë italiane, ishte vendosur në Jugosllavi. Qeveria jugosllave në pushtet Cvetkoviç-Maçek e internuan Haxhiun në Nish.[11] Haxhi Lleshi ka bashkëpunuar në atë kohë me shërbimin ushtarak serb për Dibrën, të udhëhequr nga Gojko Jovanoviçi, komandant i garnizonit, thotë në hetime Lutfi Rusi. Si ndihmës i Haxhi Lleshit ishte Xhavit Kaba. Ai pas luftës punoi si profesor i gjimnazit në Tetovë. Si personazh i dytë ishte Fadil Vërziolli, i cili pas luftës ishte nëpunës në Dibër.[12]
Haxhiu, deri sa vepronte në Dibër, deri kah fundi i vitit 1940, ishte i lidhur edhe me “Inteligjens Servis”, me konsullatën angleze në Shkup dhe Beograd. Në Shqipëri Haxhiu me njerëzit e tij organizoi në lloj organizate në luftë kundër italianëve. Ai mbeti në arrati deri në vitin 1941, deri kur u rrëzua Qeveria e Cvetkoviq-Maçekut. Por me ardhjen në pushtet të Stojadinoviqit, dhe të lobit pro anglez, Haxhiu ishte i paguar me rrogë, për vete dhe për bashkëpunëtorët nga 300-500 dinarë në muaj, për të organizuar luftën kundër pushtuesve italianë.[13] Pas Lëshimit nga qeveria jugosllave, ky u kap nga organet italiane dhe u internua përsëri në brendi të Shqipërisë. Ky në maj të vitit 1943 u kthye nga internimi që vuante në Kavajë. Me kthimin e tij në Dibër filloi të dobësohej Lidhja midis bajraktarëve. Pas ardhjes së tij filluan bisedimet me bajraktarët, për të luftuar së bashku kundër italianëve, si dhe për të mbrojtur çdo bajraktar që rrezikohej.[14]
Anëtarët e “Bashkimit Dibran” ishin:[15] Miftar Kaloshi, Hysni Dema, Ali Maliqi, Abdi Gola, Murat Kaloshi, Ukë Ramadan Cami, Feri Maliqi e tjerë.
MARRJA E DIBRËS NGA FORCAT NACIONALISTE
Për dallim nga Kërçova, pas kapitullimit të Italisë, sipas marrëveshjes së arritur në fshatin Sllovë, në Dibër erdhën edhe forca nacionaliste. Me bajraktarët në Dibër u bashkua edhe misionari anglez, kapiteni Hands, i cili ishte përgjegjës për këtë zone. Ai kërkoi nga shtabi i aradhës partizane të Dibrës dhe komandanti i saj, Haxhi Lleshi, që armatimi i ushtrisë italiane të ndahej midis forcave nacionaliste, si i quante Handsi, dhe partizanëve në mënyrë të barabartë.[16] Pasi Dibra u mor me forca të përbashkëta nën komandën e Haxhi Lleshit, njësitet partizane në këtë kohë vepronin përreth lumit Drin. Por këtu vepronte edhe paria e Dibrës, e cila mori një arsenal të madh luftarak.
Tempo deklaronte: “lajmin për kapitullimin e Italisë e mora në Malin Karaorman, më 8 shtator
Në muajin shtator 1943, Haxhi Lleshi erdhi përsëri në Dibër si komandant i aradhës partizane të Dibrës. Në një dasmë, në zonën e Koxhaxhikut u takua me disa udhëheqës dhe bajraktarë si: Aqif Lleshi, Fiqri Dino, Hysni Dema etj. Haxhiu filloi bisedimet për marrëveshje me bajraktarët e Dibrës. Si pikë e parë u caktua sulmi për marrjen e Dibrës nga forcat italiane. Në biseda ka marrë pjesë edhe Sali Lisi, nga Gostivari, si i dërguari special i PK-së për Maqedoni, për të bindur bajraktarët që të kalonin në anën e luftës partizane dhe së bashku të sulmonin Dibrën. Me këtë propozim në fillim ishte dhe Fiqri Dine, i cili dha mendimin që në Dibër të shpallej qeveria e parë shqiptare dhe në krye të saj të ishte vetë ai. Por deri te aksioni i marrjes së Dibrës nuk erdhi kurrë, pasi bajraktarët nuk donin të luftonin kundër italianëve.[19] Pas kapitullimit të Italisë, kemi edhe një marrëveshje tjetër, ku u kërkua që bajraktarët e Dibrës, me në krye Cen Elezin të sulmonin forcat gjermane në Strugë. Por bajraktarët me këtë propozim të Haxhi Lleshit nuk ranë dakord. Pas kësaj situate bajraktarët lëshuan qytetin e Dibrës. Së bashku me ta u largua nga Dibra edhe Mithat Frashëri, me bashkëpunëtorët dhe misionari anglez, i cili ishte së bashku me ta dhe u nisën për në Mat, ku i priste kordinatori i Ballit Kombëtar, Sulejman Muça.[20] Nga këto të dhëna mund të konstatohet se përpjekjet për formimin e organizatës së Ballit Kombëtar nuk u realizuan dhe jo vetëm për Dibrën, por për tërë territorin e Maqedonisë Perëndimore.[21]
Struga mbeti jashtë fluksit partizan, në duar të forcave nacionaliste, në krye me Mentor Çokun. Paria e Dibrës nuk pranoi të sulmonte Strugën dhe u larguan me Mithatin për në Mat.[22] Sipas Tempos, ne kishim forca përreth Strugës, pasi forcat tona, të cilat nuk ishin pak, ndodheshin në pellgun e lumit Drin dhe në zonën e Debërcës. Në këtë kohë në qytetin e Strugës ishte i dislokuar një garnizon i vogël i forcave armike, por dominonin nacionalistët. Më në fund Tempo deklaronte: “Influenca partizane në Strugë me rrethinë ishte fare e vogël. Në këtë kohë pushtetin në Strugë e morën forcat nacionaliste, si në qytete tjera shqiptare, të cilët u shndërruan në bashkëpunëtorë të hapur të gjermanëve dhe luftonin kundër nesh për interesa të tyre.[23]Në këtë kohë kishte ardhur në Dibër edhe Kërste Crvenkovski, për të kërkuar ndihmë që forcat partizane të angazhoheshin edhe në qytetet shqiptare si në Strugë, Kërçovë dhe Gostivar. Por, pasi u njohë me situatën e krijuar në Dibër, ai i shkruante Shtabit të Maqedonisë ku, midis të tjerave, njoftonte se pushteti në Dibër ndodhej në duar të bajraktarëve, të cilët përpiqen të organizojnë një Kongres që do të proklamonte pavarësinë e Shqipërisë. Qëllimi kryesor i forcave nacionaliste dibrane ishte lidhja e saj me forcat e tjera shqiptare të Maqedonisë, që njësitet e tyre të vendoseshin në qytetet shqiptare nga Tetova deri në Strugë, për të dominuar mbi popullatën maqedonase dhe nëse kërkohej nga popullata shqiptare këto territore t’i ngelin Shqipërisë. Me ta ishin edhe krerët e Ballit Kombëtar. Ai e informonte Tempon dhe kërkonte forca të mëdha për të marrë Dibrën, pasi forcat nacionaliste paraqesin rrezik për të gjithë.[24] Pas largimit të Abdi Golës, gjatë sundimit italian, Shemsi Hatipi ishte kryetar bashkie në Dibër.[25] Haxhi Lleshi thoshte se Shemsiu ishte anëtar i Komitetit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për Dibrën dhe luftoi me shpirt kundër partizanëve. Në vitin 1947 u vra si nacionalist.[26] Organizoi me Dacin çeta për mbrojtjen e Dibrës nga partizanët. Në këto luftëra u vra babai i Qerim Grevës, Xhemail Ahmeti etj.[27] Në këtë kohë në Dibër komandant i batalionit shtetëror të xhandarmërisë ishte Dilaver Dina, i cili deklaronte se, pas kapitullimit të Italisë, erdhën në pushtet shqiptarët dhe ata kur morën pushtetin themeluan xhandarmërinë dhe policinë financiare, me këta organe kanë udhëhequr vetë shqiptarët.[28]
UDHËHEQËSIT E BALLIT KOMBËTAR NË DIBËR
Katër muaj pas “Marrëveshjes së Dibrës”, me ftesë të Fiqri Dinës më 6-7 gusht 1943 në Dibër erdhën udhëheqësit më e lartë të Ballit Kombëtar, në krye me Mithat Frashërin, Hasan Dostin, Ali Këlcyra,Toma Orollogaj, Suleman Meçe, Faik Çuku, e disa të tjerë, të cilët organizuan një takim me përfaqësuesit e “Lidhjes Dibrane”, më 13 gusht në fshatin Homesh.[29] Nga paria dibrane merrnin pjesë: Hysni Dema, Fiqri Dine, Ali Maliqi, Azis Kaloshi, Miftar Kaloshi, Cen Elezi e shumë udhëheqës të tjerë. Rend i ditës ishte që të formohet organizata e Ballit Kombëtar në qytetet shqiptare të Maqedonisë, punën e së cilës do ta drejtonte “Komiteti Nacional” i Dibrës.[30]
Po ashtu u lidhë edhe një marrëveshje midis komunistëve dhe Lidhjes dibrane për bashkëpunim në të mirë të atdheut. Nga komanda partizane, në mungesë të Haxhiut, merrte pjesë Esat Ndreu, Sotir Vullkani dhe Njazi Islami.[31] Në krye të kësaj marrëveshje qëndronte Cen Elezi dhe Esat Ndreu, të cilët do të përgatiteshin për një sulm të përbashkët për të çliruar Strugën nga forcat gjermane. Haki Stërmilli, në ditarin e vetë, shkruan: “unë këtu shoh një sherr të Mithatit, duke menduar se pas një lufte ne do të shpartallohemi dhe likuidohemi”.[32] Kërkesa u pranua nga Hoxha dhe ai urdhëroi Haxhiun, duke e porositur: “Ti të shkosh menjëherë në Dibër, se prezenca jote atje është e domosdoshme. Duhet me i vënë rendësi të madhe krijimit të këshillave partizane, të cilat do të marrin në dorë gjithë pushtetin”[33]
Me të ardhur në Dibër, Haxhi Lleshi mblodhi Këshillin Nacionalçlirimtar të qytetit, i cili vendosi të bënte për herë të fundit një thirrje parisë: “të njihte këshillat nacionalçlirimtarë, si pushtet të vetëm të popullit, dhe të hidhej menjëherë në luftë kundër pushtuesve gjermanë, tok me partizanët e jo të largohej nga Dibra e Peshkopia. Ndryshe do të përdorej forca e armatosur: “Reaksionarët u matën të kundërvepronin, por duke e ndjerë veten të papërgatitur u shtrënguan të largoheshin me turp nga qyteti i Dibrës”.[34]
Forcat nacionaliste pas disa ditë veprimi në rrethinën e Dibrës sëbashku me ato të Ballit Kombëtar u nisën për në fshatin Lurë, këtu merrnin pjesë përfaqësues nga Shkodra, Mirdita, Kruja, Mati, Luma e Dibra. Këtu ka marrë pjesë edhe Aba Kupi i njohur si zogist. Pastaj Cen Lezi, Muharrem Bajraktari, Hysni Dema, Miftar Kaloshi, Ukë Cami, Selman Mena, Adem Cara, Hetem Tahiri Gjakovë, dhe Aqif Leshi e shumë të tjerë.[35] Në këtë Kuvend të bashkuar midis forcave nacionaliste ku merrnin pjesë udhëheqësit më e lartë e Ballit Kombëtar dhe anëtarë të Legalitetit, Kuvendi miratoi programin e paraqitur nga “Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë” për vetëvendosjen e popujve dhe të rendit shoqëror; “Një Shqipëri të lirë demokratike e popullore”.[36]
Pas largimit të Frontit nacionalist, në ditët e para të tetorit 1943, në Dibër dhe në Peshkopi u vu në veprim pushteti i këshillave nacionalçlirimtarë. Me këtë rast Komitetit Qendror të Partisë komuniste i vinte ky njoftim: “Në qytetin e Dibrës është vendosur plotësisht rregulli dhe pushteti i këshillit nacionalçlirimtar. Organizata e Partisë Komuniste të Shqipërisë ushtron udhëheqjen e plotë në qytet e në rrethe. Komunistët deklaronin: “Balli nuk ta liron pushtetin dhe askush tjetër, në qoftë se nuk e rrëmben me forcë, se është e drejta jote dhe e popullit”.[37]
DIBRA NË PRAG TË LUFTËS CIVILE
Situata politike në Dibër, në veçanti ka qenë shumë e ndjerë pas kthimit të Haxhi Lleshit nga Kavaja më 1943, ky kishte qëndruar në internim pas kthimit nga Jugosllavia. Sipas shërbimit sekret italian, Haxhi Lleshi akuzohet si bashkëpunëtor i shërbimit jugosllav, Haxhiu për këto merita ka qenë i paguar nga shërbimi i Beogradit dhe Mbreti Petar. Po ashtu ky ka marrë edhe nga 40 lira në muaj nga Ambasada franceze, për meritat që ka pasur baba i tij Halit Lleshi në luftën për rrëzimin nga pushteti të Mbretit Amet Zogu.[38]
Më 8 shtator kapitulloi Italia, më 9 shtator çeta e Haxhi Lleshit e komanduar nga Aqif Leshi hyri në Dibër. Më 10 shtator në Dibër arrin edhe Tempo me Mihajllo Apstollskin. Në këtë kohë në kështjellën Skënderbeut erdhi edhe Krstre Crvenkovski dhe filloi të përzihet në qytetin e Dibrës, për dëbimin forcave nacionaliste që mbanin pushtetin në duart e veta. “Por nuk pati sukses”.[39] Sot e kësaj dite shtrohet pyetja çfarë kërkonin komunistët sllav midis Dibrës kur qeverisnin shqiptarët. V. X.h).
Për situatën politike të krijuar në Dibër Krste Crvenkovski e lajmëron Tempon për gjendjen e krijuar. Kjo më së miri shihet në letrat që i dërgon Hamdi Dema Tempos, ku kërkon nga ai që të vijë në Dibër për t’i rregulluar punët e shqiptarëve”. Ai në këtë letër të datës 12. tetor 1943, i shkruan:” Situata politike është shumë e koklavitur nga paria reaksionare e Dibrës, unë mendoj se me ardhjen tënde këtu do të kishim një rregullim të shkëlqyer të situatës, unë jam i sigurt në shkathtësinë tënde dhe kompetencat tua. Unë u pres që ju të vini që të merremi vesh me të gjithë”. Mbaron letra e nënshkruar nga Hamdi Dema në fund të vitit 1943.[40]
Në Dibër, sipas dëshmive të Lutfi Rusit, Balli Kombëtar nuk ka pasur degët e saja, por kanë dominuar vetëm forcat nacionaliste të udhëhequra nga Ysni Dema, në “Lidhjen Dibrane”.[41] Këta dy taborë janë njëra kundër tjetrës dhe nuk janë unikë. Ky i Dibrës mban lidhje edhe me misionin anglez, mund të ngjajë që me fjalë të jetë kundër gjermanëve, por kryesisht mbetet me ide nacionaliste dhe kundër komunistëve.[42] Bajraktarët dibranë në këtë kohë kishin grumbulluar mbi 2 000 vullnetarë, të ndarë në disa grupe.[43] Shumica e këtyre ishin kundër LNÇ dhe bashkëpunonin me Legalitetin dhe Ballin Kombëtar. Gjatë viteve 1941-1944 një numër bajraktarësh nga Dibra bashkëpunuan me misionet ushtarake të Anglisë, në disa raste, dhe me okupatorin italian e atë gjerman.[44] Anëtar i kësaj organizate ishte edhe Cen Elezi.[45] Dibra në këtë kohë ishte ushtarakisht e organizuar mirë, ku vepronin 6 njësite vullnetarësh, me një efektivë me mbi 1 200 luftëtarë. Njësiti me numrin me të madh të pjesëtarëve ishte ai i Miftar Kaloshit, i cili kishte mbi 600 veta.[46] Ai mori pjesë aktive në marrjen e Dibrës nga partizanët dhe ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Xhemë Gostivarit në operacionet luftarake.[47]
Sipas komunistëve dibran me ide pro jugosllave problem paraqiste etnosi sllav dhe lufta nacionalçlirimtare e popullit maqedonas, sipas këtyre komunistëve rrezikun kryesor e përfaqësojnë reaksionarët me ide për Shqipërinë Etnike. Tani duhet mbrojtur tezën për lirinë, barazinë dhe vëllazërimin e popullit maqedonas dhe atij shqiptar. Tani është në vazhdim lufta e madhe midis nesh, që e mbrojmë idenë e lirisë, vëllazërimin dhe barazinë e popullit shqiptar dhe atij maqedonas kundër ideve të Mbretërisë së bashkuar shqiptare, që dëshiron të jetësoj Shqipërinë Etnike, në të cilën populli maqedonas do të ishte i shtypur dhe i robëruar. (Kështu mendonin komunistët shqiptarë -V. Xh).
Pushteti ushtarak italian në viset e çliruara zgjati disa muaj, pastaj, me formimin e Komisariatit të Lartë për tokat e çliruara me qendër në Prizren, filloj të mëkëmbët dalëngadalë administrata civile shqiptare. Me këtë rast italianët hodhën parullën për krijimin e Shqipërisë Etnike. Parullë që edhe gjatë kohës së paraluftës bënë përpjekje ta shfrytëzojnë nacionalistët shqiptarë, në disa raste me sukses. Por në rastin e Dibrës me të kotë e kanë, “të bëjnë për vete masat e gjera të popullsisë shqiptare”.[48]
Me organizimin e ri civil Dibra u bë qendër administrative e të gjithë banorëve të kësaj krahine. Nën juridiksionin e saj, u përfshi i gjithë territori shqiptar i Maqedonisë Perëndimore. Ndërsa nënprefektura u themeluan: në Strugë, Kërçovë, Radostushë, Gostivar dhe Tetovë. Kuptohet, organizimi administrativ civil nuk u realizua menjëherë, por dalëngadalë. Në tërë këtë territor shqiptar për herë të parë në historinë e saj, gjuhë zyrtare u bë gjuha shqipe.[49] Ky sukses i organizimit të pushtetit administrativ të shqiptarëve nën juridiksionin e Dibrës, nuk u pëlqente komunistëve serbo-maqedonas, këta asnjëherë nuk pranuan se këta qytete shqiptare kurrë nuk i kanë takuar Maqedonisë, këta u pushtuan nga pushteti serb gjatë luftës së Parë Ballkanike në tetor 1912. Falë luftës tani këto qytete shqiptare arritën përsëri të çlirohen dhe të bashkohen me shtetin e vetë amë, Shqipëria Etnike. V.Xh).
Komunistët e Dibrës deklaronin; qyteti është i çliruar, por ne nuk e mbajmë pushtetin krejtësisht në duart tona, atë e ndajmë me disa nacionalistë, të cilët as për së largu nuk qëndrojnë në vijën tonë. Komunistët shqiptarë të Dibrës që ishin me ide pro jugosllave deklaronin; se ne do ti pastrojmë punët edhe me Haxhi Lleshin në qoftëse ai nuk është në vijën tonë-(jugosllave). Akuzat e komunistëve me ide pro jugosllave vazhdonin pa ndërprerë kundër Haxhi Leshit. Komunistët deklaronin: “Ky nuk ka qëndrim të prerë dhe të vendosur ndaj nacionalistëve “shqiptaromdhenj”. “Ne atëherë Haxhi Leshit do ti paraqesim veto dhe do të sjellim pushtet të atillë që do të garantoj lirinë, vëllazërimin e maqedonasve dhe shqiptarëve”.[50]
Pas hyrjes të forcave partizane në Dibër, vëllai i Hamdi Demës, Hysni Dema, Abdi Gola dhe Sali Kalpashi erdhën në Gostivar për të bërë marrëveshje me Xhemë Hasën për marrjen e serishme të Dibrës nga komunistët. Pas dy muajsh të marrjes së Kërçovës, Xhema me Mefailin e sulmuan Dibrën. Lufta zgjati katër ditë, sipas Qemal Agollit, kjo ishte lufta e parë që u bë midis dy formacioneve shqiptare, pati të vrarë dhe të plagosur nga të dy palët. Ne u tërhoqëm me të shpejtë në Karaorman, duke u përqendruar te Shtabi partizan maqedonas, këtu qëndronte edhe Svetozar Vukmanoviq-Tempo.[51]
Xhemë Gostivari kur e kuptoi se fronti i luftës ka qenë vetëm me shqiptarë, se maqedonasit dhe të tjerët ishin larguar para se të nisë lufta, i tërhoqi forcat e veta nga fronti dhe ne luftonim vetëm kundra gjermanëve. Këtu qëndron madhështia e Xhemë Hasë Gostivarit, deklaroi për herë të parë Qemal Agolli në praninë e Sabit Fidanit nga fshati Dobërdoll rrethi i Gostivarit, i cili me lot në sy deklaroi ” Na mashtruan komunistët jugosllav, prandaj luftuam për ta çliruar Jugosllavinë, deri në Zagreb”.[52]
Komandanti më përgjegjës i luftës antifashiste për zonën e luftës në Maqedoninë Perëndimore pranon këtë që deklaroi ushtari i tij nga Gostivari: “Është shumë e saktë këtë që deklaron Fidani dhe shumë të tjerë”. Këtë hile të luftës e dëshmojnë faktet me parullën komuniste që e përdorën së bashku komunistët sllavo-shqiptarë, “Se po të marrin pjesë në luftën antifashiste dhe të luftonin së bashku kundër okupatorit, pasi të mbarojë lufta do të sigurohet vetëvendosja”. Shqiptarët do të kenë të drejtë të shprehin vullnetin e vetë deri në shkëputje. Me afrimin e fitores kundër fashizmit, udhëheqësit komunist jugosllav, të gjithë këta përkrahës të kësaj propagande filloi brenda nate t’i zhdukte. Qemali deklaron:”Kështu ndodhi edhe me vëllain tim Nexhatin, kurdisur nga OZN-a”.[53]
Këto parime të luftës kurrë nuk u zbatuan në praktikë, pasi komunistët jugosllav dhe hegjemonizmi i tyre shpirtëror nuk mund të flakej ashtu si mendonin komunistët shqiptarë. Arsyeja e dytë është “Besa”, që kanë shqiptarët, duke i besuar edhe sllavit. Komunistët shqiptarë në çdo aspekt kurrë nuk dyshonin në marrëveshjet midis Kryesisë të Partisë Komuniste Shqiptare PKSH, në krye me Enver Hoxhën dhe asaj Jugosllave me Titon. Qemal Agolli dëshmon: “Ne besonim në marrëveshjet Tito-Enver Hoxha, por kurrë nuk u tregua dokument, “Ishte marrëveshje me shkrim, apo vetëm dakord me gojë.[54]
Qemal Agolli pranon: “Inkuadrimi i im në Maqedoni u bë me pëlqimin e Tarrasit (Enver Hoxhës), që të veproj në qytetet shqiptare të Maqedonisë. Takimin e Parë me komunistët jugosllav e pata në Mavrovë, ku takova udhëheqësin e PKJ për Maqedoninë, shokun Svetozar Vukmanoviq Tempo. Ky ishte në Mavrovë në krye të shtabit të Përgjithshëm të Maqedonisë. Sipas Agollit, në gusht të vitit 1943, në Mavrovë u formuan pesë çeta shqiptare dhe dy maqedonase. Në këtë kohë shumë shqiptarë kërçovarë iu bashkëngjitën LNÇ.[55]
Sipas dëshmive që na ofron Qemal Agolli: Në rajonin e Mavrovës dhe Gostivarit gjetëm edhe çetën më të vjetër që vepronte nën komandën e Tomë Nik Gjelajt, me komisar politik Selman Kasapin nga Korça, i cili deri në këtë kohë vepronte si mësues në Gostivar. Toma në fillim ka vepruar së bashku me Xhemën kundër italianëve në disa beteja. Sipas asaj që dëshmon Qemali për ndarjen midis Xhemës dhe Tomës, më së shumti ka ndikuar influenca e Xhevat Kajllajxhiut që Xhemë Hasa definitivisht të ndahet nga Toma dhe partizanët.[56] Në njësitin partizan të Qemalit, më vonë u bashkuan Hamdi Dema, përcjellësi i tij Ymer Domi dhe Hasan Tuhini me disa mësues nga Kërçova dhe Gostivari. Më vonë u themeluan tre batalione luftëtarësh. Ndërsa nga Tetova deri në këtë kohë nuk ka pasur asnjë aktivist, e mos flasim më për partizan.[57]
Situata tejet e ndjerë në Dibër dëshmohet edhe në memoaret e Aqif Lleshit, i cili në këtë kohë mbante pozicionin e komandimit të policisë në Dibër, ky me autoritetin e vetë tentoi takim me krerët nacionalistë të Gostivarit, për ti bindë ata që të kalonin në anën e luftës partizane. Për këtë arsye; Aqif Lleshi, Selim Jegeni, Ibrahim Kaba, Muzafer Kajllajxhiu, Mexhit Osmani e të tjerë, u nisën me veturë nga Dibra për Gostivar. Takimi i parë me Xhemën u bë në fshatin Vërtok. Aty u takuan me Muherrem Bajraktarin, Osman Zyber Litën. Aqif Leshi i pyeti: “Ku janë njerëzit tjerë që duhet të takohemi”, Xhema iu përgjigj, kanë shkuar për Prizren. Xhema Hasa pastaj i luti që të shkojnë në qytet dhe të futemi në ndërtesën e Komitetit, ku priste edhe Kadri Saliu. Në komitet ishte një oficer gjerman me Mynir Tërshanën, njëherit edhe si përkthyes. Oficeri gjerman pyeti pse bëni këtë takim, dikush prej neve iu përgjigj: E bëjmë për bashkimin e trojeve shqiptare dhe sigurimin e kufijve etnik. Oficeri gjerman deklaroi se bashkimin e Shqipërisë e ka njohur Gjermania dhe kufijtë i mbron komanda gjermane. Ky takim në Gostivar nuk pati sukses, në këtë takim morën pjesë krerët nacionalistë: Kadri Saliu, Xhemë Hasa, Mefail Zajazi, Baba Qazim nga Tetova, Shaip Kamberi dhe Prefekti i Shkupit.[58]
Marrë nga libri i Prof. Dr. Vebi Xhemaili, “ Shqiptarët e Maqedonisë në mbrojtje të Shqipërisë Etnike 1941-
[1] Gjorgji Mallkovski, “Ballisti”, vep. e cit., f. 46-47.
[2] Masar Kodra, Shqiptarët e Maqedonisë, f. 95.
[3] OZN-a, kut. 11.
[4] UDB-a, kut. 17.
[5] OZN-a, kut. 11.
[6] OZN-a, kut. 1-11-17; komanda gjermane ka shkuar deri në Peshkopi pasi ka qenë shumë e interesuar të lidhet me Miftar Kaloshin.
[7] Po aty. OZN-a.
[8] AQSH-Tiranë, Fond. 153, dos.
[9] OZN-a, kutitë 1, 17, 18, 26.
[10] AQSH-Tiranë, Fond. 153, dos.
[11] OZN-a, kut. 11.
[12] Po aty.
[13] Po aty, kut. 11.
[14] UDB-a. kut.11. Këtë marrëveshje e kanë pranuar edhe Haxhi Lleshi, Dervish Lusha dhe Ali Maliqi, Man Dumani, nga fshati Buçevë. Gjatë kohës së Jugosllavisë së Vjetër ka qenë bashkëpunëtor i Haxhi Lleshit, dhe së bashku kanë shërbyer në shërbimin informative në të mirë të shërbimit të Jugosllavisë së Kralit para vitit 1941. Ky u burgos nga italianët, pasi ishte kapur me një pasuri të arit të dedikuar disa personave në Tiranë, së bashku me Myslym Pezën. Demir Leka, nga fshati Zogaj, ka qenë nënoficer i kuesturës së Dibrës, njëherit edhe njeri i Haxhi Lleshit dhe ithtar i Norit. Kep Lleshi nga Gjurica, ka qenë agjent i Aqif Lleshit, dhe ka vepruar për llogari të shërbimit informativ të Jugosllavisë.
[15] Miftar Kaloshi ishte anëtar i organizatës “Bashkimi Dibran”. Dervish Lusha nga fshati Aras, anëtar i “Bashkimit Dibran”, Ramadan Kaloshi nga Shkodra i ka takuar organizatës “Bashkimi Dibran” Dilaver Dina major komandant i batalionit shtetëror të xhandarmërisë në Dibër. Dinë Dema nga fshati Izvir rrethi i Peshkopisë, nacionalist i njohur dhe funksionar i Ballit. Dine Dema i lëshoi disa të burgosur sllavë, pasi e luti Fiqri Dinen. Dine Dema si armik i Aqif Leshit gjatë Jugosllavisë së Vjetër ishte plagosur në pusi prej njerëzve të Aqifit. Si bajraktar i ka takuar organizatës “Bashkimi Dibran”. Ka qenë përfaqësues i fashizmit, Demir Dema, vëllai i Hamdi Demës. Hysni Dema nga fshati Homesh rrethi i Dibrës ka qenë udhëheqës i organizatës “Kreshnik Oficir” në Dibër. Hysni Dema ishte djali i vëllait të Hamdi Demës. Me gradë ishte gjeneral dhe komandant i forcave të xhandarmërisë. Ka bashkëpunuar me Xhemën dhe në aksion të përbashkët morën Dibrën nga partizanët. Ferit Maliqi, Ka organizuar çeta me Miftar Kaloshin në këto fshatra: Kërçisht, Bajnisht, Ame, Dibër dhe në fshatrat përreth Dibrës. Këta kur i thërriste komanda gjermane vepronin me këto çeta: ky kishte një çetë prej 50 vetë. Në pranverë të vitit 1944 ka bërë luftë te fshati Llukovë kundër partizanëve, këtë e dëshmon Ukë Ramadan Cami. Mahmut Golemi nga Delvina ishte një muaj Prefekt në Dibër, pastaj kaloi me detyrë në xhandarmërinë shqiptare. Luftoi shumë për bashkimin e Ballit me parinë komuniste shqiptare deri në vitin 1944. Për këtë u dënua nga pushteti komunist i Enver Hoxhës me 15 vjet burg të rëndë.
[16] Historiku i LNÇ për popullatën e Dibrës, Tiranë,
[17] Istoriski Arhiv komunistiçke Partije Jugosllavije, Tom VII, Beograd
[18] Brigada na bratstvoto i edinstvo, vep e cit., f. 63-68; Me titull: “Napad na Kiçevo”.
[19] Nexhat Abazi, Sali Lisi, (Monografi), Tetovë,
[20] Haki Stërmilli, “Ditar”, f. 81-82.
[21] Masar Kodra, Shqiptarët e Maqedonisë…, vep. e cit.,f.110.
[22] Haki Stërmilli, f. 81-82.
[23] Tempo, Borba za Ballkan, vep. e cit. f.129.
[24] Zbornik NOR-a, Tom, VII, Knj.2. f. 30-31. Letra mban datën e 18 shtatorit 1943.
[25] Lutfi Rusi, “Dëshmi”, Shkup,
[26] OZN-a, kut. 17, Ismail Hysa, nga Mati gjatë okupacionit ishte nëpunës në Dibër, më vonë u emërua nëpunës në Prishtinë, u vra nga partizanët më 1943 në një hotel të Shkodrës.
[27] Udb-a, kut. 20.
[28] Po aty. kut 1-26.
[29] Mojsi Mura, Aqif Lleshi, jeta dhe veprimtaria, Tiranë
[30] Haki Stërmilli, Shtigjet e jetës, (Ditar), Tiranë
[31] Kadri, M. Dema, Fisi Dema…, vep. e cit., f.200.
[32] Haki Stërmilli, po aty, f.79.
[33] Enver Hoxha, Vepra, vëll. I, f. 390. Letër drejtuar Haxhi Lleshit, më 24 shtator 1943.
[34] Mojsi Mura, Aqif Lleshi, vep. e cit. f. 96; Kështu quheshin forcat nacionaliste nga forcat partizane dhe ato komuniste.
[35] AQSH-Tiranë, Fond. 270, dos. 4, viti 1944,
[36] Po aty.
[37] Enver Hoxha, Vepra, vëll. I, f.426-427. Letër dërguar komiteteve qarkore të partisë më 1 tetor 1943.
[38] UDB-a, kut. 11.
[39] . INI, Shkup, Lutfi Rusi, Dëshmi për luftën në Dibër
[40] IN
[41] Lutfi Rusi, INI, Dos, 365/3, Shkup, “Dëshmi”
[42] Po aty “Dëshmi”.
[43] OZN-a, kut. 11.
[44] UDB-a, kut. 17.
[45] OZN-a, kut. 11.
[46] OZN-a, kut. 1-11-17; Komanda gjermane ka shkuar deri në Peshkopi pasi ka qenë shumë e interesuar të lidhet me Miftar Kaloshin.
[47] Po aty. OZN-a.
[48] INI, Dos, 365/3, Lutfi Rusi, “Dëshmi”.
[49] Tetovo i tetovsko, vep. e cit. f.267
[50] Deklarat; e Haxhi Lleshit, “Dëshmi” vështirë e kamë pasur në Dibër, me komunistët jugosllav, deklaratë e tij në Tiranë, viti 1992.
[51] Qemal Agolli, deklaratë e tij në Tiranë, qershor 1994.
[52] Sabit Fidani, luftëtar i Brigadës së VII, Shqiptare dhe luftëtar i pandarë i Qemal Agollit edhe pas luftës.
[53] Qemal Agolli deklaratë e tij në Tiranë 1994.
[54]
[55] Po aty.
[56] Qemal Agolli, deklaratë e tij dhënë autorit në Tiranë, me rastin e botimit të librit “Çlirimtarët nga Dibra deri në
[57]
[58] Moisi Mura, Jeta dhe Vepra e Haxhi Lleshit, Tiranë